QIK - KIC  Qendra për Informim e Kosovës 
Kosova Information Center 


Pamje të tmerrit serb në fshatin Çitak 

Prishtinë, 21 maj (QIK) 
Më 17 maj forcat serbe filluan një sulm me granata dhe raketa mbi shtëpitë e fshatit Çitak në Skënderaj. Më vonë njësitë serbe hynë në fshat dhe në oborret e shtëpive të veta vranë Rifat Hasan Çitakun (1940) dhe Muhamet Shaban Çitakun (1969). 

Më 18 maj Çitaku u sulmua përsëri me granata dhe me raketa nga një helikopter ushtarak. Tetë shtëpi të fshatit u granatuan disa orë rresht, me qëllim që të vriteshin fëmijët, gratë e pleqt. Pas shumë orë granatimesh, policia hyri në oborret e shtëpive për të bërë spastrimin e terrenit. Një polic serb vrau në oborrin e saj plakën 95 vjeçare, Ajmane Çitakun. Duke shtënë në plakën, vrasësi i tha kolegut të vet: "Ta vrasim që ta mbushim normën".  
Gjatë aksionit të forcave serbe u vra edhe plaku Ramadan Loshi (67), ndërsa u plagosën Hysen Çitaku (55) dhe Mahir Loshi (17). 

Shtëpive që nuk ishin djegur nga granatat policët ua futën zjarrin nga afër, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ku të kthehen. 

Mizoria e forcave serbe bëhet me sistem. Ato qëlluan edhe shtallat dhe vranë kafshët në rrugë e në oborre, me qëllim që të shkatërrojnë çdo mundësi për jetë. Njerëzve u ka mbetur të ikin ose të rezistojnë me mjetet që i kanë. 
Pamjet nga Çitaku dëshmojnë për një pjesë të tmerrit që forcat serbe po shkaktojnë orë e çast, anembanë Kosovës.  

Foto: Agron Mali 
Enterier i shtëpisë së demoluar nga policia, një ditë para se të digjej Shtëpia e Xhemë Çitakut Shtëpia e Sadik Çitakut
Shtëpia e Hajzer Çitakut Shtëpia e Gani Çitakut Shtëpia e Halit  Çitakut
Shtalla e Kadri Çitakut. Brenda në të u vranë dy lopë Një rrugë e shkretëruar në fshatin Çitak. Askush nuk lëviz nga frika prej snajperistëve profesionalë serbë Shtëpia e Beqir Çitakut. Policët ia vodhën atij dy vetura kombi.
Shtëpia e Naser Çitakut Ajmane Çitaku, u vra në oborrin e shtëpisë së vet. Shtëpia e Xhavit Çitakut