Qendra për Informim e Kosovës 

Informatori ditor nr.2532

Prishtinë, 25 janar 2000

 

U emëruan edhe tre bashkëdrejtues të departamenteve

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përkohshëm Administrativ u njoftuan emrat e tre bashkëdrejtuesve në tri departamente. Kështu Hydajet Hyseni nga LBD është emëruar bashkëdrejtues në departamentin për banorët jorezidentë, Pleurat Sejdiu nga PPDK-ja bashkëdrejtues në departamentin e shëndetësisë dhe sigurimit social, kurse Gjergj Rrapi nga PLSH, koalicion me LBD-në, në departamentin për shërbimet komunale.

 

Mbeten sanksionet ndaj Beogradit

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Ministrat e jashtëm të 15 vendeve anëtare të UE-së, të cilët u tubuan dje në Bruksel, kanë diskutuar edhe rreth sanksioneve ndaj Serbisë. Joshka Fisher, ministër i punëve të jashtme të Gjermanisë, ka kërkuar që ndaj Jugosllavisë të heqen sanksionet, siç tha ai, për të përforcuar kështu krahët e opozitës. Mirëpo Britania e Madhe dhe Holanda ishin kategorike kundër një hapi të tillë.

Merret vesh se sekretarja amerikane Shtetit Ollbrajt kishte biseduar me telefon me këta të fundit dhe kishte marrë garancione se ata do të votonin kundër heqjes së sanksioneve ndaj Beogradit.

 

Në telefoninë mobile të Kosovës do të përdoret prefiksi ndërkomëtar i Monakos

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Me vendosjen e telefonisë mobile në Kosovë, fillimisht do të përdoret prefiksi ndërkomëtar i Monakos 377, për mungesë të centralit ndërkombëtar në Prishtinë. Në fazën e parë të vendosjes së telefonisë mobile, në valën 900 pas pesë javësh do të përfshihen Prishtina, Prizreni dhe Ferizaji.

Sistemi mobil, vala 900 në trafikun ndërkombëtar do të lidhet nëpërmjet telekomit të Monakos i cili do të jetë kopartner.

Sipas drejtorit të Telekomit të Kosovës, Bedri Rama, për mungesë të centralit ndërkombëtar në Prishtinë fillimisht do të shfrytëzohet kodi 377. Ndërkaq për çështjen e kartelave dhe përdorimin e tyre z.Rama thotë e "fillimisht edhe muajt e parë do të shkojnë me kartela të parapaguara. Ata janë që janë të interesuar mund të blejnë numrin dhe kartelën në një sasi të caktuar të impulsave".

Në fund të muajit të parë do të krijohet një celulë ku do të distrubohen fakturat për parapagesë. Në fazën e parë deri sa nuk do të vendoset sistemi gjyqësor dhe sistemet e tjera shtetërore në Kosovë do të kemi normalisht kujdes se kush do të marrë numrin si parapagues.

Projekti është i ndarë në tri faza: në fazën e parë do të mbulohet Prishtina, aeroporti, Prizreni dhe Ferizaji. Planifikohet që kjo të kryhet brenda pesë javësh, varësisht nga kushtet atmosferike. Por edhe nëse paraqiten vështirësi, gjithnjë sipas z.Rama, deri më 15 shkurt do të jetë operacionale vala 900.

 

Sipas ministres suedeze - ka dështuar vendosja e policisë ndërkombëtare në Kosovë

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme të Austrisë në takimin e ministrave të jashtëm të UE-së, duke patur parasysh se ky shtet ka marrë për sipër kryesimin e radhës së OSBE-së, citohet të ketë thënë se në Kosovë dhe në Bosnje është kruciale të përgatitet mbajtja e zgjedhjeve të lira.

Ndërkaq ministrja e Suedisë ka nënvizuar dështimin e vendosjes së policisë ndërkombëtare në Kosovë. Deri më tash as gjysma e policisë të paraparë nuk është vendosur në Kosovë e kjo gjë duhet të ndryshohet që në pranverë, është shprehur ajo.

Ajo ka thënë gjithashtu se në vitin e kaluar në takimet ministrore është biseduar për Kosovën, ndërsa në këtë vit krahas zbatimit të vendimeve nga Kelni dhe Helsinki sipas saj, duhet krijuar parakushtet që të mos përsëriten ndonjë Kosovë tjetër.

 

 

Kamenicë: Mbi 90 për qind e popullsisë me të drejtë vote vërtetuan anëtarësinë e tyre në LDK

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Sipas burimeve të këshillit për informim të LDK -së në Kamenicë, mbi 90% e popullsisë me të drejtë vote kanë vrtetuar anëtarësinë e tyre në LDK. Edhe në bashkësitë lokale Kamenica I - mbi 90 % kanë vërtetuar anëtarësine në LDK,

Kamenica II - mbi 90 %, Kamenica III - mbi 85 %, Kamenica IV - mbi 90 % , me nga 500 anëtarë, vetëm 20 nuk kanë vërtetuar anëtarësine e tyre në LDK. Situata e gjashme është edhe në të gjitha nëndegët e LDK-së si në fshatin Rogoçicë mbi 80 % , Hodonovc mbi 90, Shipashnicë mbi 90, Koretin mbi 90, Lisockë mbi 90, Karaçevë mbi 90, Hogosht mbi 85%.

 

KFOR-i njofton për disa incidente

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Zëdhënësi i KFOR -it Filip Anido në konferencën e sotme për gazetarë ka njoftuar për këto incidente.

Dje në mëngjes në Prishtinë një person është arrestuar për shkak të posedimit ilegal të një pistolete. Policia e UNMIK-ut e ka arrestuar dhe i ka konfiskuar armën.

Gjatë kontrollit të trupave të KFOR -it norvegjez, në BSHQ, një veturë nuk është ndalur dhe ushtarët norvegjez e kanë ndjekur dhe më pastaj i kanë nxënë. Atyre iu konfiskua një AK -47. Ata u burgosën.

Dy të rinj serbë janë sulmuar në pasditën e djeshme në Mitrovicë. Një shqiptar i dyshimtë për këtë është arrestuar.

Ushtarët e KFOR -it vazhdojnë të pastrojnë rrugët nga bora e cila ka përfshirë Kosovën. Sot shumë rrugë janë të hapura.

Një serb ka shkelur në një minë, natën e kaluar në afërsi të Obiliqit. Pastaj ai është dërguar në Fushë Kosovë ku është duke u operuar në spitalin e KFOR-it rus.

 

Konsolidimi i degës së LDK-së në të gjitha nivelet do të jetë një proces i vazhdueshëm

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Kryesia e Degës së LDK-së për Gjermani në mbledhjen e vet të mbajtur në Hanover më 22.01.2000, nën kryesinë e z.Hafiz Gagica, kryetar debatoi për detyrat aktuale të kësaj dege. U theksua se detyrë e përhershme mbetet transformimi dhe profilizimi i LDK-së në një parti të mirëfilltë e demokratike të tipit perëndimor. Në këtë drejtim u kërkua nga Lidhja Demokratike e Kosovës që në kuadër të detyrave të përcaktuara nga këshilli i përgjithshëm në shtator të vitit të kaluar të hartojë Programin dhe Statutin e LDK-së të cilët do të ishin të përshtatshme për rrethanat e reja. Konsolidimi i degës së LDK-së në të gjitha nivelet e saj do të jetë një proces i vazhdueshëm dhe në kuadër të kësaj u vendos që të mbahen tubime në të gjitha nëndegët e LDK-së ku do të ftoheshin të gjitha kryesitë e aktivave e në të cilat do të marrin pjesë edhe anëtarët e kryesisë së degës së LDK-së ku do të shtroheshin të gjitha çështjet të cilat e preokupojnë sot anëtarësinë e LDK-së.

Me qëllim të krijimit të mundëisve për një aktivitet të dendur politik u formua komisioni i cili do të udhëheq aksionin për organizimin e ndihmave për konsolidim të LDK-së në të cilin do të përfshihen edhe të gjithë kryetarët e nëndegëve të LDK-së.

 

 

U shënua 10-vjetori i themelimit të LDK-së në Kamenicë

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Në praninë e qindra qytetarëve në një ndër fshatrat më të mëdha të Kamenicës, në fshatin Lisockë, në mënyrë solemne u shënua 10-vjetori i themelimit të LDK-së. Në nëndegën e Lisockës përfshihen fshatrat Gjyrishec, Shahiq dhe Zhujë. Tubimi filloi me intonimin e himnit kombëtra si dhe me brohoritjet "Rugova - Rugova" , "Rugova - Kosova", "Rroftë presidenti Rugova" etj. Me një minutë heshtje u nderuan të gjithë martirët e lirisë.

Shaip Surdulli kryetar i degës së LDK-së në Kamenicë foli për aktivitetin 10 vjeçar të LDK-së në Kamenicë si dhe për rolin e presidentit Rugova gjatë kësaj periudhe. Fjalën e rastit e lexoi kryetari i nëndegës së LDK-së së Lisockës z.Ali Kërçeli. Ai theksoi kontributin e nëndegës në pajtimin e gjaqeve, në solidaritet , financim , kulturë dhe shëndetësi.Pastaj filloi programi kulturoro - artistik , u recituan poezi të ndryshme e tj.Në fund u përgadit një koktej për musafirët.

 

Dega e LDK-së në Kamenicë reagon kundër emërimit të dy gjykatësve serbë

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Dega e LDK-së në Kamenicë reagon ashpër kundër emerimit të dy gjykatësve serbë Vlladimir Jovanoviq dhe Aleksiq Zhivko. Gjithashtua kryesia e LDK-së ne Kamenicë ka reaguar edhe kundër emërimit të gjykatësve porotë ku nga 35, 17 janë serbë. Ndërsa nga ana e gjykatësve shqiptarë dega e LDK-së në Kamenicë nuk ka paraqitur asnjë vërejtje veçse nga ana tjetër i ka përkrahur ata.

 

Një delegacion i FG së LDK-së shpërndau ndihma për fëmijët jetimë në Klinë dhe qendroi në Beleg të Deçanit

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Një delegacion i Forumit të Gruas së LDK-së, kryesuar nga Naxhije Doçi, qëndroi në Klinë dhe nëpërmjet organizatës së gruas pranë degës së LDK-së në këtë komunë ua shpërndau disa fëmijëve jetimë një ndihmë prej 1230 DM.

Këto mjete për fëmijët jetimë të Klinës i siguroi dega e LDK-së në Gjermani.

Ky delegacion i Forumit të Gruas së LDK-së qëndroi dje edhe në fshatin Beleg të Deçanit, të cilin forcat ushtarake e policore serbe e shkatërruan gjatë ofensivave më 1998 dhe 1999.

Anëtaret e këtij delegacioni u interesuan për fatin e shumë grave të këtij fshati dhe mblodhën rrëfimet e tyre tronditëse për luftën dhe për pësimet e tyre.

 

Përkrahet greva e urisë në Podujevë për lirimin e të burgosurve shqiptarë

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Një delegacion i përbër nga Izet Sadiku, nënkryetar i Forumit të Rinisë e anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Blerim Shatri, kryetar i UPS të Fakultetit të Edukatës Fizike dhe Xhevdet Zeka, kryetar i UPS të Shkencave Matematiko-Natyrore, dje vizitoi pjesmarrësit e grevës së urisë për lirimin e të burgosurëve politikë shqiptarë nga burgjet serbe, të cilën e thirri organizata e rinisë "Alternativa" në Podujevë.

Z. Sadiku shprehu solidarizim e LDK-së me grevistët dhe i njoftoi ata me aktivetetet e LDK-së në kuadrin e Këshillit Organizativ të Protestave për lirimin e të burgosurve shqiptarë nga burgjet serbe.

 

Para selisë së UNMIK-u dje sërish protestuan punëtorët e administratës së ish-kuvendit të Kosovës

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Para selisë së UNMIK-u dje sërish protestuan punëtorët e administratës së ish-kuvendit të Kosovës. Ata, siç kishin paralajmëruar kohë më parë, kanë kërkuar kthimin në vendet e tyre të punës. Një delegacion i tyre ka parashtruar kërkesë para përfaqësuesit të UNMIK-ut.

Merret vesh se përfaqësuesit e UNMIK-ut kanë thënë se do të shqyrtojnë kërkesat e tyre dhe se ata do të kthehen në punë në punë graduale.

 

Është vështirësuar trafiku në të gjitha rrugët e Kosovës

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Moti i lig dhe bora që po bie në Kosovë ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve në rrugët rajonale, veçmas në viset malore. Vështirësi më të mëdha në qarkullimin e automjeteve dhe të njerëzve janë shkaktuar sidomos në rrugët e mbuluara me akull ku paraqitet rreziku permanent për këmbësorë dhe makina.

Është vështirësuar trafiku në të gjitha rrugët e Kosovës. Të pakalueshme janë rrugët Pejë-Kullë, Rozhajë-Pejë-Rugovë dhe Prizren-Morinë.

 

Psikiatri i njohur italian ka hapur një qendër rehabilituese në Shtime

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Psikiatri i njohur italian Xhovani Huate, veprimtar i njohur humanitar, ka hapur një qendër rehabilituese në Shtime ku do të trajtohen fëmijët deri në moshën 18 vjeçe. Posaqërisht do të trajtohen fëmijët me trauma nga masakra e Reçakut.

 

Po zhvillohen negociata me qeverinë e Maqedonisë rreth importimit të energjisë elektrike

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Zëdhënësja e UNMIK-ut Suzan Manuel tha se po zhvillohen negociata me qeverinë e Maqedonisë rreth importimit të energjisë elektrike nga kjo republikë dhe nga Greqia nëpërmjet saj. Ajo shtoi se për shkak të disa riparimeve nisja e bllokut të pestë të termocentralit Kosova A për dhjetë ditë do të ndërprejë prodhimin e energjisë elektrike. Por, siç tha znj.Manuel, nuk janë planifikuar reduktime me energji elektrike. Ajo gjithashtu njoftoi se gjatë kësaj jave ky mision nga buxheti i Kosovës, i cili është 22.7 milionë DM, ka lëshuar 2 milionë DM i cili për sistemin energjetik, për pagesën e bursave në sektorin e energjetikës për muajin dhjetor.

 

Aeroplanët amerikanë përdorën municione me uranium të varfëruar për shkatërrimin e mjeteve të blinduara ushtarake serbe

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Gjatë bombardimeve të NATO-s aeroplanët gjuajtës amerikanë kanë përdorur municione me uranium të varfëruar për të shkatërruar mjetet e blinduara të forcave ushtarake në Kosovë. Pra bëhet fjalë për armë të cilat sipas disa ekseprtëve, edhe pas një kohe të gjatë mund të jenë të rrezikshme për shkak të efekteve të zgjatura të rrezatimit. Popullata shqiptare nuk ka qenë në dijeni për këtë, ndërsa ushtarakët italianë të vendosur në rajonin e Pejës kanë qortuar shefat e tyre pse nuk i kanë njoftuar me kohë për një gjë të këtillë. Një rrezik të këtillë e ka alarmuar revista italiane "Panorama" qysh në vitin e shkuar, njofton "Dojçe vele".

 

Proceset gjyqësore në Serbi janë në funksion të demonizimit të shqiptarëve

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Ditë më parë Komiteti serb i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka kërkuar nga qeveria serbe lirimin urgjent dhe të pakusht të të gjithë atyre shqiptarëve kundër të cilëve nuk ka filluar procedura penale si dhe rishqyrtimin e të gjitha procesve gjyqësore të shqiptarëve në dekadën e fundit. Përkitazi me këtë kërkesë, Sonja Biserko, kryetare e Këshillit serb të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut me seli në Beograd, radios "Evropa e lirë" i deklaroi:

- Ne nuk kemi njohuri të mjaftueshme për gjendjen në të cilën ndodhen të burgosurit shqiptarë, pasi me ata deri më tani kanë kontaktuar vetëm avokatët e tyre. Por në bazë të përvojës së deritashme mund të supozohet se ekzistojnë keqtrajtime të shumta. Gjykuar në bazë të deklaratave të Flora Brovinës, e cila si grua u është ekspozuar keqtrajtimit nuk është vështirë të besohet se edhe të burgosurit tjerë kanë një përvojë të ngjashme, thotë znj. Biserko dhe shton se sipas disa informacioneve një numër i vogël i të burgosurve deri më tani është liruar pa ndonjë gjykim apo arsyetim, ndërsa një grup tjetër pritet të lirohet në fund të muajit mars. Ajo që brengos, vazhdon më tej znj. Biserko, është fakti se janë ngritur 100 aktakuza kundër shqiptarëve që jetojnë në Serbi, përkatësisht në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Kjo dëshmon se edhe më tej vazhdon provokimi i kësaj pjese të shqiptarëve që gjenden në Serbi. Meqë një numër i madh i shqiptarëve nga kjo trevë e ka lëshuar Serbinë mund të pritet që ky trend të vazhdojë që ndoshta është qëllimi i qeverisë serbe të minimizohet numri i shqiptarëve në Serbi.

Duke komentuar prapavijën politike të ndjekjes së mëtutjeshme penale të shqiptarëve të Kosovës, Sonja Biserko vlerëson se proceset gjyqësore janë ende në funksion të demonizimit të shqiptarëve që sipas saj si politikë zyrtare ekziston për 20 vjetë. Një tjetër qëllim i proceseve gjyqësore, thotë znj.Biserko, është edhe zvogëlimi i emancipimit të shqiptarëve që ata kanë arritur në vitet e fundit.

Fakti se në burgje mbahen bartësit e këtij emancipimi, para së gjithash një numër i madh studentësh, dhe natyrisht të grave, siç është rasti i Flora Brovinës e cila simbolizon gruan e re në Kosovë, tregon qartë se pas ndjekjes së këtyre dy kategorive qëndron një propagandë, konkludon znj.Biserko.

Ndërkaq Ksenia Llazoviq, udhëheqëse e projektit për punë për brezin e ri në Komitetin serb të Helsinkut, thotë se nuk mund të flitet për krijimin e një ambienti për bashkëpunim pa lirimin urgjent, të pakusht dhe të tërësishëm të të burgosurve shqiptarë. - Çështja e të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe është një ndër çështjet kyçe për uljen e tensioneve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë - thotë ajo.

 

Zyrtarë të ushtrisë amerikane po bëjnë hetime lidhur me disa sjellje të papërshtatshme nga paqeruajtësit amerikanë

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Zyrtarë të ushtrisë amerikane në Kosovë po bëjnë hetime lidhur me disa akuza për sjellje të papërshtatshme nga ana e paqeruajtësve amerikanë, gjatë një demonstrate të civilëve shqiptarë para dy javësh në Viti.

Zyrtarët në kampin Bondstil, bazë kryesore amerikane në Kosovë, thonë se incidentet ndodhën kur forcat përdorën dhunën për të mbajtur nën kontrollë turmën e gjatë të një demonstrate në qytetin e Vitisë. Disa ushtarë akuzohen se kanë përdorur forcë dhe kërcënime kundër burrave dhe, siç thonë zyrtarët, kontakte të papërshtatshme fizike me femra. Deri tani nuk është ngritur padi ndaj ndonjë ushtari amerikan. Por ata për të cilët po bëhen hetime, megjithatë janë transferuar nga Kosova, njoftoi mbrëmë "Zëri i Amerikës".

 

Hetime mbi administrimin e kampit të Komisos për shpërdorim fondesh dedikuar refugjatëve kosovarë

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Prokuroria e Raguzës (Siçili) po heton mbi administrimin e kampit të Komisos, një ish-bazë ushtarake e NATO-s në Sicili, e cila priti më tepër se 6000 refugjatë gjatë luftës në Kosovë. Një nga hetimet përfshin kryetarin e bashkisë së Komisos, (i qendrës së djathtë), Xhuzepe Dixhiakomo (DS), i cili dyshohet për shpërdorim fondesh, të cilat ishin akorduar për misionin humantiar "Ylberi", i ngritur nga qeveria litaliane që në fillim të luftës, shkruan "Bota sot".

Ky hetim u hap pas një ankese të zyrtarëve lokalë të Aleancës Nacionale (AN, e djathtë konservatore), e cila kërkonte sqarim mbi administrimin e 3 milionë eurove të akorduara për komunën e Komisos, për administriin e kampit të refugjatëve.

Misioni "Ylberi" që prej disa muajsh ndodhet në shënjestrën e drejtësisë. Megjithë akuzat që i drejtohen këtij misioni, gjatë krizës financiare ai ka dhënë një kontribut shumë të madh, në nidhmë të kosovarëve. Janë katër zyrtarë italianë, me mision në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë, të cilët dyshohen për shpërdorim fondesh, u arrestuan të enjten dhe ndodhen të burgosur në Romë.

 

Prishtinë: Javën që vjen pritet të zbatohen rregullat e qarkullimit në komunikacion

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Javën që vjen pritet të fillojë një fushatë informimi në Prishtinë lidhur me rregullat e qarkullimit, që do të njoftohen nga policia e UNMIK-ut, si kufijtë e shpejtësisë, moslejimi i parkimit në rrugë, moslejimi i kalimit të më shumë se dy makinave në të njëjtën kohë.

Zyrtari i policisë së UNMIK-ut në Prishtinë Xhill Moro, tha se deri më tash është pritur që të vihej në funksion rregullorja dhe tani po pritet ende që të përgatiten fletët e gjobës. Për thyerje rregullash gjobat do të jenë 20 deri 30 DM.

"Ne po presim që të vëmë sadopak rregull në rrugë. Javën tjetër do të fillojmë informimin për t'u lënë kohë njerëzve të mësohen me rregullat e reja, shpejtësinë e lejuar dhe pas kësaj do të fillojmë të vëmë gjobat", thotë Moro.

 

Gjatë javës së shkuar shtatë persona janë vrarë në Kosovë

 

Prishtinë, 25 janar (QIK) - Një shqiptar i ka therrur me thikë tre serbë të dielën në një kafene në Obiliq, njoftoi UNMIK-u . Sipas zëdhënëses Suzan Manuel tri viktimat janë dërguar në spital, kurse sulmuesi është arrestuar nga policia e UNMIK-ut.

Kjo ka ndodhur rreth orës 19:40 në kafenenë "Castle Bar" në Obiliq.

Po ashtu, njoftohet edhe për një tentin dhunimi të hënën në orët e para të mëngjesit. Siç thuhet në komunikatë sulmuesi është shqiptar dhe kishte qenë i pajisur me "kalashnikov" në kohën kur ishte arrestuar.

Sipas njoftimeve të policisë së UNMIK-ut gjatë javës së shkuar shtatë persona janë vrarë në Kosovë.

Në një kumtesë shtypi të policisë thuhet se dy shqiptarë janë vrarë në Prishtinë. Katër serbë e një shqiptar janë vrarë, ndërkaq në Gjilan.

Një javë më parë në Koosë janë njoftuar tetë vrasje.

Zëdhënësja e UNMIK-ut, Suzan Manuel theksoi se shkalla e krimit në Kosovë është shtuar gjatë javës së shkuar.