Qendra për Informim e Kosovës
Informatori ditor nr.2706
Prishtinë, 23 gusht 2000
BE-ja e shqetësuar për shkak të dhunës politike dhe ndëretnike në Kosovë
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - BE-ja ka shfaqur shqetësimin e vet për shkak të vazhdimit të akteve të dhunës politike e ndëretnike në Kosovë në prag të zgjedhjeve lokale, të cilat, siç dihet, janë paralajmëruar për 28 tetor të këtij viti.
Në deklaratën që është bërë publike në Paris, presidenca e BE-së, të cilën e kryeson Franca, theksohet se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë me këmbëngulje aksionet e saj, në mënyrë që zgjedhjet lokale të organizohen dhe të mbahen në rrethanat më të mira. Poashtu theksohet se ekstremistëve, pavarësisht nga cila palë vijnë, nuk do t'u lejohet të sabotojnë apo të ndërpresin procesin zgjedhor në Kosovë.
NATO dënon ashpër dhunën nga cilado palë në Kosovë
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - NATO dënon ashpër dhunën nga cilado palë në Kosovë dhe, si edhe deri më tash, KFOR-i do të marrë dhe do të dërgojë përforcime në rajonin kudo që rritet tensioni dhe dhuna. Kështu deklaroi një zyrtar i Aleancës për një të agjenci lajmeve në selinë e NATO-s në Bruksel.
Nga plagët vdiq edhe i plagosuri 21 vjeçar nga ushtarët e KFOR-it
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Në raportin e sotëm ditor të KFOR-it njoftohet se ka vdekur dje, në orën dy pasdite, edhe 21-vjeçari, i cili ka qenë transportuar dje në spitalin fushor francez të KFOR-it në Mitrovicë, pas plagosjes së rëndë me armë zjarri nga ushtarët e KFOR-it të Emirateve të Bashkuara Arabe në postbllokun e tyre afër fshatit Frashër, në jug të Mitrovicës, me ç'rast dje është vrarë edhe i ati 54-vjeçar.
I njëjti burim njofton se dje pasdite në BSH të Veriut, një serb është sulmuar dhe është qëlluar me thikë në shpinë nga një grup prej pesë personash në fshatin Gojëbulë. Sulmuesit, pastaj kanë ikur nga vendi i ngjarjes, kurse i godituri është transportuar në spitalin ushtarak francez të KFOR-it në Mitrovicë. Dy orë më vonë, trupat e batalionit belg të KFOR-it kanë ndaluar pesë shqiptarë, ngase kanë refuzuar të përshkruajnë sulmuesit e dyshimtë.
Në vijim të këtij raporti, njoftohet se në postbllokun e batalionit belg afër Mitrovicës është ndalur natën e kaluar një serb i dehur dhe gjatë kontrollit të veturës së tij i është gjetur një pushkë AK-47 dhe municion. Për ktë arsye, policia e UNMIK-ut e ka ndaluar personin në fjalë dhe ia ka kontrolluar edhe shtëpinë në Leposaviq, ku ka gjetur edhe një pushkë tjetër, një revole, një palë dulbi, bajonetë dhe municion të ndryshëm. Andaj, policia e UNMIK-ut arrestoi serbin së bashku me të vëllain e tij për mbajtjen e armatimit dhe të municionit të luftës.
Burimet e KFOR-it njoftojnë, gjithashtu, se dje pasdite policia e UNMIK-ut ka gjetur trupin e një burri në rajonin e BSH të Qendrës, katër kilometra në jugperendim të Podujevës, trupi i të cilit ende nuk është marrë për shkak të fushës së minuar.
Ndërkaq, nga rajoni i BSH të Perendimit në Gjakovë njoftohet se natën e kaluar një burrë shqiptar ka qëlluar në gjoks me armë zjarri një grua shqiptare, e cila është dërguar menjëherë në spitalin civil në Gjakovë për shërim. Policia e UNMIK-ut dhe policia ushtarke gjermane dhe ajo italiane kanë arrestuar burrin dhe gjatë batisjes së shtëpisë së tij në Xërxë kanë gjetur një pushkë AK-47 dhe municion. Hetimet janë në vazhdim e sipër.
Ndërsa, nga rajoni i BSH të Veriut njoftohet se trupat e KFOR-it janë vendosur dje në mëngjes për shkaqe sigurie në afërsi të fabrikës së Zveçanit, ku një grup prej 450 njerëzish ishte tubuar për të dëgjuar fjalimin e një lideri të fabrikës. Nuk njoftohet për incidente të dhunës dhe të pasurisë.
Po kështu, njoftohet se natën e kaluar në Shtime e ka marrë flaka një shtëpi të pabanuar serbe, ku kishin dalë për hetime në vendngjarje trupat e KFOR-it dhe zjarrfikësit lokalë.
Nga BSH e Perendimit njoftohet se trupat e KFOR-it Task Force Aquila kanë bërë një bastisje në fshatin Graboc dje në mëngjes dhe kanë gjetur një revole "zastva" dhe një pushkë MK2 me municion të ndryshëm. Po kështu, pak para mesditës së djeshme, njësiti Task Force Tizona ka ndërmarrë një operacion bastisjeje në Kamenicë, i cili ka zgjatur tri orë dhe ka zbuluar një AK-47 dhe magazina.
Ndërkaq, nga BSH e Jugut njoftohet se në Prizren janë ndaluar përkohësisht 35 persona për shkelje të orës policore.
Xhorxh Bush premton shqyrtimin e vazhdimit të pjesëmarrjes së ushtarëve amerikanë në Bosnje e në Kosovë
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Kandidati për president të SHBA-ve, Xhorxh Bush i riu ka deklaruar se nëse në zgjedhjet e ardshme presidenciale zgjidhet për president të këtij vendi do të shqyrtojë seriozisht vazhdimin e pjesëmarrjes së ushtarëve amerikanë në misionet paqësore në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Z.Bush ka deklaruar kështu në tubimin e veteranëve të luftës në Milvoki, në kuadër të fushatës gjatë së cilës ka tentuar të sigurojë votat e personave ushtarak, duke u premtuar rritjen e pagave dhe disa lehtësi, para se gjithash në shkollimin e fëmijëve.
Ndërkaq, hulumtimet e opinionit publik që rregullisht i bëjnë agjencia "Gallup", rrjeti televiziv CNN dhe gazeta "USA" dëshmojnë se kandidati i Partisë Demokratike Al Gor për herë të parë për nga popullariteti ka tejkaluar Bushin, i cili deri para një jave ka avancuar me 15 për qind ndryshim.
Roland Bless: Shtypi duhet të ndjekë zgjedhjet në formë të paanshme dhe të balancuar
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Zëdhënësi i OSBE-së, Roland Bless i ka deklaruar radios "Evropa e lirë" se votimi në zgjedhjet në Kosovë do të bëhet për asambletë lokale, ndërsa asambleja komunale është organ që do t'i përfaqësojë qytetarët në nivelin e bashkisë apo të komunës.
"Ajo, pra asambleja komunale, do t'i trajtoj çështjet, siç janë rrugët, shkollat, parqet, ambientin, standardet urbanistike dhe ndërtimore dhe çështje të tjera të jetës së përditëshme. Këto nuk janë zgjedhjet e njerëzve ose të organeve që nesër do të vendosnin për çështjen e statusit të Kosovës, pavarësinë e saj dhe të ngjashme. Pra, kemi të bëjmë me zgjedhjen e njerzëve të cilët do të menaxhojnë çështjet lokale', ka thënë z.Bles.
Duke folur për shtypin, Bles ka thënë se përfaqësuesit e shtypit duhet t'u nënshtrohen disa obligimeve dhe, para se gjithash, duhet të ndjekin zgjedhjet në formë të paanshme dhe të balancuar. Kjo nënkupton se mediat duhet të prezentojnë gjithë spektrin politik të Kosovës, ka nënvizuar ai dhe ka shtuar se partitë politike dhe kandidatët e pavarur mund të paguajnë në gazeta hapësirën e rezervuar për marketingun e tyre politik.
Por, ka thënë z.Bles, në qendrat televizive elektronike kjo nuk është e lejuar dhe ato janë të obliguara që këtë hapësirë ta bëjnë falas për parti e për kandidatë dhe atë në formë të emetimit të mesazheve të shkurtëra në kohëzgjatje prej 1.5 deri në 2 minuta për secilën parti. Kjo sidomos vlen për Televizionin e Kosovës, por jo edhe për shtypin, i cili mund të shfaqë animet e tij.
Për të përballur infrastrukturën parazgjedhore në Kosovë janë shpenzuar rreth 500 mijë dollarë
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Për të përballur infrastrukturën parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë, janë shpenzuar rreth 500 mijë dollarë amerikan.
Njoftohet se këtu është përfshirë informimin dhe propagand në këtë fushatë zgjedhore.
Polemika mes Cap anamurit gjerman dhe UNHCR-it rreth strehimit të refugjatëve në Kosovë
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Një sërë shoqatash kosovare humanitare kanë hedhur poshtë akuzat e UNHCR-it në adresë të shoqatës gjermane Cap anamur. Ato janë solidarizuar me shoqatën me anën letrave, kopjet e të cilave janë të depozituara në redaksinë e "Dojçe veles".
Themeluesi i shoqatës Cap anamur Robert Nojdek ka thënë se aktiviteti i dhënies së ndihmës nuk ka nevojë për një instancë të posaçme koordinimi me simbole, aparatura dhe automjete të kushtueshme, por të panevojshme. Kjo deklaratë shkon në adresë të Komesariatit të lartë të OKB-së për refugjatë - UNHCR.
Ndërkohë UNHCR është revanshuar në një TV gjerman dhe zëdhënësi i tij Denis Lendrjus është shprehur se të strehuarit e Cap anamurit në Kosovë jetojnë në kushte shumë të vështira se të tjerët. Ai iu referua një studimi ende të pabotuar për kushtet e strehimit të refugjatëve.
Beogradi ka hedhur në gjyq administratorin e OKB-së për Kosovën Bernar Kushner
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Agjencitë e lajmeve kanë bërë të ditur se drejtësia serbe ka hedhur dje në gjyq administratorin civil ndërkombëtar Bernar Kushner.
Z.Kushner akuzohet se gjoja është për përgjegjës direkt për krime të shumta në Kosovë.
Ministri Jankoviq ka paralajmëruar fillimin e hetimeve kundër z. Kushner me akuzën për krimeve serioze dhe për gjenocid ndaj popullatës serbe në Kosovë, derisa është në krye të adminstratës së përkohshme në Kosovë.
Milazim Gashi nga fshati Ngucat ka humbur jetën si pasojë e shkeljes në një fushë të minuar
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Milazim Gashi, 43 vjeçar nga fshati Ngucat, afër shtëpisë së pylltarëve në Grykën e Carralevës, duke mbledhur dru per djegie kishte hyrë në një fushë të minuar në Zonën e KFOR-it austriak, fushë kjo e cila ka qenë e shënjuar.
Njoftohet se me atë rast ky person ka humbur këmbën, kurse ndërkohë është transportuar nga disa policë të UNMIK-ut në Spitalin e Suharekës, ku edhe ka ndërrruar jetë.
Personat e regjistruar duhet të kthehen në qendrat e regjistrimit për t'i verifikuar të dhënat
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Qyetarët e regjistruar në Kosovë, deri me 30 gusht duhet të kthehen në qendrat e regjistrimit për t'i verifikuar të dhënat e tyre.
Verifikimi bëhet brenda katër funksioneve: për praninë e tij në listë, për të dhënat e duhura, për veprimin e votuesit dhe për mundësinë e ankesës, nëse ai nuk gjendet në listë me të dhënat e plota e të nevojshme.
Janë liruar personat e dyshuar për sulm me bomba kundër fëmijëve në Palaj të Obiliqit
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Tre persona të dyshuar për sulmin me bomba kundër një grupi të fëmijëve në Palaj të Obiliqit janë liruar, ka deklaruar zëdhënësi i KFOR-it, majori Skot Slejton. Ata u liruan për shkak se dëshmitarët okularë të sulmit, të cilët kanë pohuar se mund t'i identifikojnë sulmuesit, kanë deklaruar se këta të tre nuk janë autorët e krimit.
Ai deklaroi se të gjithë fëmijët ,pasi që u është dhënë ndihma mjekësore në Fushë Kosovë, janë liruar të shkojnë në shtëpitë e tyre.
OSBE-ja ka dënuar vendimin e Beogradit për mosdhënien e vizave ekspertëve të kësaj organizate
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - OSBE-ja ka dënuar ashpër vendimin e Beogradit për moslejimin e vizave ekspertëve të kësaj organizate për demokraci dhe të drejta të njeriut që të vëzhgonin situatën në Jugosllavinë e mbetur në prag të zgjedhjeve.
- E dënojmë ashpër vendimin e pushtetit jugosllav për moslejimin e vizave të ekspertëve tanë,- thuhet në komunikatën e drejtorit të Zyrës për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut, Gerhard Sodman.
Në komunikatë thuhet se pa këto vlerësime të situatës, OSBE-ja nuk mund të shqyrtojë mundësinë e dërgimit eventual të misionit vëzhgues të zgjedhjeve.
Autoritetet e Beogaradit kanë thënë se zyrtarët e OSBE-së nuk janë të mirëpritur si vëzhgues të zgjedhjeve.
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka të evidencuar më shumë se 3300 kosovarë për të cilët nuk dihet asgjë
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar deri tash ka evidencuar mbi 4000 persona të zhdukur nga anëtarët e familjeve të tyre.
Deri më tash, siç merret vesh, është sqaruar fati i mbi 1500 personave.
Por, janë më shumë se 3300 shqiptarë, serbë dhe qytetarë të komuniteteve të tjera në Kosovë, për të cilët ende nuk dihet asgjë.
Ky komitet i ka paraqitur autoriteteve në Beograd dhe në Prishtinë emrat e personave të zhdukur, në mënyrë që të ofrojnë të dhëna për ndriqimin e fatit të tyre.
Në Kosovë janë 23 mijë familje në Kosovë që do të përfitojnë nga një ndihmë nga Departamenti i Emergjencës
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Departamenti i Emergjencës pranë Këshillit të Përkohshëm Administativ të Kosovës, ka filluar shpërndarjen e një ndihme për familjet e rrezikuara nga varfëria në Kosovë.
Njoftohet se kjo ndihmë, e cila konsiston në një shumë prej 120 markash gjermane, do të jepet për çdo muaj, ndërsa numri i familjeve që do të përfitojnë arrin në 23 mijë veta.
Autoritetet bullgare u kanë urdhëruar tetë shtetasve jugosllavë që të largohen nga ky vend
Prishtinë, 23 gusht (QIK) - Autoritetet bullgare u kanë urdhëruar tetë shtetasve jugosllavë që të largohen nga ky vend për shkak të rrezikimit të sigurisë shtetërore. Jugosllavët duhet të largohen nga Bullgaria në afat prej shtatë ditësh ose do të deportohen.
Sipas radios bullgare, gjashtë nga tetë jugosllavët janë njerëz afaristë, të cilët në Bullgari kanë investuar një shumë të madhe parash me prejardhje të dyshimtë. BBC njofton se autoritetet bullgare kanë akuzuar jugosllavët se janë të lidhur me kriminalitetin ndërkombëtar në përpjekje për ta destabilizuar vendin.