Qendra për Informmim e Kosovës

Informatori ditor nr. 2798

Prishtinë, 8 dhjetor 2000

 

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka shprehur shqetësim të thellë për shkak të situatës në zonën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Këshilli i Sigurimit të OKB-së në seancën e mbajtur mbrëmë, ka shprehur shqetësim të thellë për shkak të situatës në tampon zonën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga e cila kryengritësit shqiptarë po kryejnë sulme. Në një komunikatë të KS nga të gjitha partitë kërkohet të ndërpresin tensionet dhe të kërkojnë zgjidhje paqësore. Gjithashtu kërkohet edhe tërheqja e guerilëve të armatosur shqiptarë nga zona e çmilitarizuar. Ambasadari rus në OKB Sergej Lavov ka deklaruar pas seancës se KS se nga trupat paqeruajtëse të OKB-së në Kosovë kërkohet të bëjnë përpjekje me qëllim që të ndihmojnë në stabilizimin e situatës në terren.

 

Deklarata e presidentit francez për forcat evropiane ka shkaktuar shqetësime në mesin e pjesëmarrësve të BE-së në Nicë

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Deklarata e presidentit francez Zhak Shirak në samitin e Bashkimit Evropian në Nicë, se forcat e paralajmëruara evropiane për reagim të shpejtë duhet të harmizohen me NATO-n, porse në planifikim të jenë të pavarura nga ajo, ka shkaktuar shqetësime në mesin e pjesëmarrësve në Nicë. Aq më parë për shkak se vetëm ditë më parë sekretari amerikan i mbrojtjes Koen shprehu drojën se paraqitja e forcave të tilla mund të rrezikojë Aleancën atlantike.

Siç shkruan shtypi bitanik, fjalët e Shirakut ia kanë prishur planet kryeministrit britanik Toni Bler që të shfrytëzojë këtë takim për të qetësuar edhe Londrën edhe SHBA-të, përkatësisht t'i bindë se forcat e reja nuk do të jenë armatë e vërtetë evropiane.

Bler në disa intervista ishte i shtrënguar të theksojë se Britania nuk është e mendimit të njëjtë me pikëpamjet e Shirakut. Siç shkruan "Dejli telegraf" situata është bërë edhe më e tensionuar kur ministri britanik Kuk bëri të ditur se Britania nuk e pranon propozimin e Francës që një grup i ngushtë i vendeve të BE-së të formojë forcat e veta të armatosura. Ndërkaq "Fajnenshëll tajms" shkruan se samiti në Nicë do të nxitojë të bindë SHBA-të se asgjë nuk ka ndryshuar. Në të vërtetë pritet që me miratimin e tekstit të raporit me të cilin konfirmohet se NATO aleanca edhe më tutje mbetet themel i mbrojtjes së përbashkët të vendeve anëtare.

 

Komisioneri i Bashkimit Evropian Pol Nilson viziton javën e ardhshme Kosovën

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Burimet e Bashkimit Evropian bëjnë të ditur se Komisioneri i BE-së për zhvillim dhe ndihma humanitare, Pol Nilson, do të vizitojë Kosovën prej datës 13 deri më 15 dhjetor 2000, dhe do të takohet me Përfaqësuesin special të Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, dr.Bernard Kushner dhe liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Z. Nilson, do të takohet, gjithashtu, me z. Endi Birpak, zëvendës i përfaqësuesit special të Sekretarit të përgjithshëm për rindërtim dhe zhvillim ekonomik, dhe z. Hugues Mingarelli, drejtor i Agjencisë Evropiane për Rindërtim. Pastaj, komisioneri Nilson do të vizitojë projektet e financuara nga Zyra e ndihmave humanitare (ECHO) në zonën veriore dhe jugore të Mitrovicës.

Përfaqësuesit e mediave do të kenë dy raste për foto dhe intervista, njëri në prag të takimit me Dr. Kushnerin në zyrën e tij, të mërkurën, më 13 dhjetor, në orën 16:00, dhe tjetri, në prag të takimit me dr. Rugovën, në rezidencën e tij gjithashtu, të merkurën, më 13 dhjetor, në orën 17.15.

Komisioneri Nilson do të mbajë një konferencë shtypi para se të largohet nga Kosova, të premten, më 15 dhjetor në orën 10:00 në Agjencinë Evropiane për rindërtim, në ndërtesën e Muzeumit të Kosovës, në Prishtinë.

 

Këshilli i Ministrave të Kosovës debatoi për sigurinë në rajon dhe për buxhetin e konsoliduar të Kosovës

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Për herë të parë u mbajt mbledhja e Këshillit të Ministrave të Kosovës, i formuar kohë më parë nga administratori ndërkombëtar për Kosovën, Bernar Kushner. Ky këshill përbëhet nga të gjithë bashkëkryesuesit e departamenteve të KPA. Në këtë takim u debatua për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe në zonën e Luginës së Preshevës. Të gjitha palët duhet të bëjnë më shumë për stabilitetin e rajonit u theksua në këtë takim.

Ndryshe, vëmendje e veçantë iu kushtua buxhetit të konsoliduar të Kosovës si dhe çështjeve të pagave të ulëta këtu.

Bashkëkryesuesi në autoritetin qendror fiskal Ali Sadriu për vitin 2001 në buxhetin e konsoliduar të Kosovës pretendohet të mblidhen rreth 500 milion marka gjermane që do të thotë një shans më i mirë për rritjen e pagave të punëtorëve të Kosovës.

Sipas drejtorit të shërbimeve publike Brajshorit, pjesëmarrës në takimin e djeshëm, dy të tretat e buxhetit të konsoliduar të Kosovës gjatë vitit të ardhshëm do të financohet nga burimet vetanake të Kosovës, ndërkaq pjesa tjetër do të mbulohet nga premtimet e donatorëve të huaj.

 

Sipas kryeministrit jugosllav, shqiptarët duhet të heqin dorë nga programi i tyre

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Në një seancë të mbajtur dje pasdite të parlamentin jugosllav, kryeministri i qeverisë së Beogradit Zoran Zhizhiq ka bërë thirrje që shqiptarët e Kosovës të kyçen në jetën politike në "RFJ", kurse bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë të gjitha masat që në rajonin e Bujanocit e Preshevës të ndalë rrezikimin e lirive dhe të drejtave elementare të qytetarëve.

Sipas Zhizhiqit "shqiptarëve në RFJ u është mundësuar të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë, si e drejta për jetë politike në kuadër të institucioneve demokratike".

Zhizhiq ka thënë se shqiptarët duhet të heqin dorë nga programi i tyre dhe të kyçen në jetën poltike të "shtetit të vet", do të thotë në "RFJ".

Zhizhiq bëri të ditur se qeveria e tij ka formuar një "komitet për Kosovën" me seli në Prishtinë, i cili duhet të bashkëpunojë me KFOR-in dhe UNMIK-un. Ai akuzoi KFOR-in se është përgjegjës që në zonën tokësore të sigurisë, siç u shpreh, gjenden disa mijëra "terroristë".

Zhizhiq është zyrtar i lartë i Partisë Socialiste Popullore të Malit të Zi, e cila ka qenë në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë në pushtetin e Beogradin, kur në Kosovë u bënë masakra dhe gjenocid mbi popullsinë shqiptare në Kosovë.

 

Ministri danez i Mbrojtjes Hakerup për postin e administratorit të Kosovën gëzon mbështetjen e 15 vendeve të BE-së

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Bashkimi Evropian bënë të ditur se administratorin Kushner në Kosovë do ta zëvendësojë ministri danez i mbrojtjes, Hakerup, kanë njoftuar mbrëmë masmediat e huaja. Këto burime kanë theksuar se ministri danez i Mbrojtjes gëzon mbështetjen e blokut të 15 vendeve të Bashkimit Evropian dhe se mund t'i jepet edhe bekimi formal në mbledhjen e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel në javën e ardhshme.

Rikujtojmë se Bernar Kushner ka kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së që të gjejë zëvendësim, por ka thënë se do të qëndrojë në detyrën e tij deri sa të gjendet një kandidat i përshtatshëm për këtë post.

 

Edhe një kandidat për të zëvendësuar Kushnerin

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Presidenti zviceran Adolf Ogi mund të jetë pasardhës i Bernar Kushnerit në postin e kryeadministratorit të Kosovës. Për këtë mundësi kanë bërë të ditur gazetat zvicerane në gjuhën gjermane.

Kështu pas ministrit danez të punëve të brendshme Hakerup doli edhe një kandidat për të zëvendësuar Kushnerin.

 

Procesi zgjedhor në Shqipëri ka nevojë për përmirësime para se të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në vitin e ardhshëm

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Përfaqësuesit e OSBE-së në Tiranë thonë se procesi zgjedhor në Shqipëri ka nevojë për përmirësime para se të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në vitin e ardhshëm. Përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sipas kësaj organizate e ka dëmtuar kredibilitetin e tij si një autoritet i pavarur.

Megjithatë ditën hënë pritet që të publikohe raporti përfundimtar mbi zgjedhjet i ODHIR-it, zyra e OSBE-së për zgjedhje. Ndërkaq javën e ardhshme OSB do të orgnizojë në Tiranë mbajtjen e një takimi të 17 partive politike të Shqipërisë dhe të organizatave ndërkombëtare në një përpjekje për të rivendosur dialogun mes tyre.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Gert Arens deklaroi, se tri janë pikat ku procesi elektoral ka nevojë të përmirësohet: së pari të sigurohen listat zgjedhore plotësisht të besueshme, së dyti Komisioni Qendror i zgjedhjeve të jetë plotësisht funksional dhe profesional dhe së treti të ndryshohet kodi elektoral.

 

R. Lajiq: Të fillojnë sa më parë bisedimet midis organeve shtetërore dhe përfaqësuesve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Ministri jugosllav për minoritetet Rasim Lajiq për të dytën herë brenda një jave ka vizituar Luginën e Preshevës për t'u njohur për së afërmi me zhvillimet e fundit në Kosovën Lindore. Gjatë kësaj vizite ai tha se sa më parë duhet të fillojnë bisedimet nëprmjet organeve shtetërore dhe përfaqësuesve politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai theksoi në Bujanoc se problemet e krijuara kohëve të fundit duhet të zgjidhen në dy nivele: në njërën anë bashkësia ndërkombëtare e stacionuar në Kosovë duhet ta kontrollojë kufirin administrativ me Serbinë dhe se në anën tjetër organet shtetërore të Jugosllavisë duhet t'u garantojnë njerëzve sigurinë e plotë. Pas bisedimeve të zhvilluara me organet e pushtetit lokal dhe me përfaqësuesit e KMDNJ-së. Lajiq ka vizituar fshatrat Lluçan, Nesalcë, Letovicë dhe Osllarë që shtrihen në afërsi të zonës pesë kilomtërshe të demilitarizuar pranë kufirit administrativ të Kosovës.

 

Programi Botëror për Ushqim nga janari do të fillojë dërgimin e ushqimit për të uriturit në Ballkan

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Agjencia e OKB-së për ushqim FAO thotë se në janar të vitit të ardhshëm do të fillojë një operacion të madh humanitar në Ballkan duke u përqëndruar kryesisht në Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe në Maqedoni. Programi me vlerë prej 90 milionë dollarësh ka për qëllim që të ndihmojë popullatën e këtyre vendeve gjatë gjithë vitit të ardhshëm.

Me këtë program që do të shpërndahen ushqime bazë si miell, vaj, drith e gjëra të tjera për afro 700 mije njerëz në Serbi dhe së paku për 150 mijë banorë të Kosovës, kryesisht personat me aftësi të kufizuara, pleqtë dhe familjet me një prindër.

 

Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Partisë Popullore të Bullatoviqit

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Partisë Popullore të Bullatoviqit e cila kërkesat e shqiptarëve për vetadministrim në këtë republikë, i quajti nacionaliste e ekstreme dhe si marrëveshje të fshehtë mes UDSH-së dhe presidentit të kësaj republike Gjukanoviq.

Fuad Nimani kryetar i kësaj partie në prononcimin e tij për radio "Dojçe vele" i hedh poshtë akuzat e Bullatoviqit dhe i quan ato euforike dhe të paargumentuara. Ai nënvizoi se Platforma e hartuar nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve e cila parasheh zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi po komentohet nga pozita dhe opozita në këtë republikë. Vlerësimet për këtë platformë janë të ndryshme dhe shkojnë nga ajo se tani kinse nuk është momenti i përshtatshëm për një gjë të tillë sepse Mali i Zi akoma nuk e ka rregulluar statusin e vet shtetëror e juridik, pastaj me ato se pakicat nacionale i gëzojnë të gjitha të drejtat në bazë të standardeve evropiane e deri te akuzat e Partisë Socialiste Popullore të Bullatoviqit që disa funksionarë të UDSH-së siç thuhet, veprojnë nga pozicionet e nacionalizmit më ekstrem dhe se platforma është hartuar në një marrëveshje të fshehtë të kësaj partie dhe presidentit Gjukanoviq.

Zoti Nimani dhe se UDSH në veprimtarinë e tij është transparent dhe se nuk ka asnjë marrëveshje as me z. Gjukanoviq dhe as me subjektin politik të BE-së por motivi për këtë platformë ishte obligim moral, njerëzor dhe politik i këtij unioni që gjatë definimit të statusit shtetëror të Malit të Zi të definohet edhe statusi i shqiptarëve në këtë republikë.

 

"Hjuman Rajts Uoç" kritikon ashpër Beogradin për mosdorëzimin e kriminelit Millosheviq në Tribunalin e Hagës

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Në raportin e fundit të organizatës "Hjuman Rajts Uoç" potencohet përmbysja e ish-presidentit jugosllav Milosheviq dhe ndjekja e personave që kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. Në këtë raport pastaj theksohet se fitorja e presidentit Koshtunica ndaj Millosheviqit ka ngjallur shpresa të reja për paqe dhe qetësi në Ballkan. Megjithatë në këtë raport kritikohet ashpër ngadalësia e qeverisë jugosllave për çështjen e nxjerrjes së Milosheviqit para Gjykatës së Hagës nën akuzat për krime lufte.

 

Beogradi ka premtuar se do të zgjidhë sa më parë bllokadën e ushqimit ndaj fshatit Tërnoc

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Autoritetet jugosllave kanë premtuar se do të zgjidhin sa më parë bllokadën e "pakëndshme" të ushqimit ndaj fshatit Tërnoc, të banuar me popullatë shqiptare në Luginën e Preshevës të imponuar me qëllim që artikujt ushqimorë të mos arrinin tek kryengritësit shqiptarë, siç vlerësojnë agjencitë e lajmeve.

Prefekti i Tërnocit Galip Beqiri ka alarmuar se që nga e shtuna e kaluar të gjithë kamionët me ushqim ktheheshin prapa nga policia serbe në postbllokun në krye të këtij fshati dhe se se rezervat ushqimore kanë qenë duke u shterruar.

 

Falë uljes së tensioneve në Luginën e Preshevës vetëm gjatë një dite janë kthyer në vatrat e tyre 400 shqiptarë

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Zëdhënësja e UNHCR-së në Beograd, Maki Shinohara deklaroi në një konferencë për gazetarë se shqiptarët nga Lugina e Preshevës që kanë ikur në Kosovë gjatë muajit të kaluar kanë filluar të kthehen në vatrat e tyre, pjesërisht edhe për shkak të uljes së tensioneve në këtë zonë. Vetëm pardje në vatrat e tyre janë kthyer 400 shqiptarë të zhvendosur, por edhe mëtutje rreth 3500 të tjerë ende janë duke qëndruar në Kosovë. Ata po dëgjojnë lajme pozitive lidhur me situatën në këtë rajon, prandaj kanë vendosur të kthehen në vatrata e tyre, citohet të ketë thënë Shinohara.

 

Prej dje ka filluar regjistrimi i popullatës civile në pesë qendra të Kosovës

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Prej dje ka filluar regjistrimi i popullatës civile në pesë qendra të Kosovës dhe do të vazhdojë në 15 qendra të tjera ku do të përfshihet e tërë popullata e Kosovës që nuk ka arritur të regjistrohe. Pra, të gjithë qytetarët të cilët gjatë kohës së regjistrimit nuk kanë qenë në Kosovë mund të regjistrohen tani.

Sipas zëdhënësës së UNMIK-ut, Kler Trevena të interesuarit për regjistrim duhet të paraqiten në kuvendet komunale, aty ku jetojnë që të njoftohen se ku duhet të regjistrohen. Ajo shton se ky regjistrim i dedikohet atyre njerëzve që nuk janë regjistruar dhe për njerëzit që janë kthyer në Kosovë dhe ata të cilët gjenden jashtë Kosovës, si dhe për ata të cilët kanë mbushur 16 vjet dhe nuk kanë arritur të regjistrohen. Po ashtu shumica e qytetarëve do të pajisen me karta të identifikimit të cilat janë duke u përgatitur.

 

Një grup i këshilltarëve të LDK-së, të dalë nga zgjedhjet e 28 tetorit, qëndruan për një vizitë në Gjermani

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Një grup i këshilltarëve të LDK-së, të dalë nga zgjedhjet e 28 tetorit, i përbërë nga mr. Eqrem Kryeziu, nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i Asamblesë komunale të Prizrenit, Lutfi Haziri, kryetar i Asamblesë komunale të Gjilanit dhe kryetar i Degës së LDK në Gjilan si dhe këshilltarët: Enver Rakovica e Pranvera Rogova nga Prishtina, Flora Ibishi nga Mitrovica dhe Selvete Buleshkaj nga Istogu së bashku me këshilltarë edhe të partive tjera të Kosovës qëndruan nga 3 - 8 dhjetor në Gjermani. Ata të ftuar nga "Friedrich Ebert Stiftung", partia qeveritare e Gjermanisë - SPD dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë vizituan Bundestagun gjerman në Berlin ku u njoftuan me punën që bëjnë kolegët e tyre gjermanë. Poashtu këshilltarët e rinj komunalë të Kosovës në Berlin vizituan edhe institucione të tjera gjyqësore e ekonomike gjermane. Gjatë gjashtë ditëve të qëndrimit të tyre në Gjermani, ata shfrytëzuan rastin që të takohen me bashkatdhetarë dhe të vizitojnë klube e shoqata të shqiptarëve.

Në këtë kuadër, mbrëmjen e fundit të qëndrimit të tyre në Gjermani, Dega e LDK-së në Gjermani organizoi një bisedë të mysafirëve nga Kosova me strukturat udhëheqëse të LDK-së në Gjermani. Në këtë tubim mysafirët në pika të shkurtëra për aktivitetin e LDK-së në Gjermnai i njohtoi Hafiz Gagica, kryetar i Degës së LDK-së në Gjermani dhe kryetar i Kolegjiumit të Degëve të LDK-së në diasporë.

Eqrem Kryeziu dhe Lutfi Haziri në këtë tubim me aktivistët e LDK-së në Gjermani, bënë një rezyme të punës dhe aktivitetit të deritashëm të LDK-së me theks të posaçm para, gjatë dhe pas aktivitetit zgjedhor.

Udhëheqësit e lartë të LDK-së dhe kryetarët e asambleve komunale në Prizren e Gjilan falënderuan edhe aktivistët e LDK-së që veprojnë në diasporë, kontributi i të cilëve gëzon repekt në Kosovë, ngase edhe ata kanë një hise të konsiderueshme në çlirimin e Kosovës dhe në rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit.

 

KFOR-i u tërheq vërejtjen shoferëve të pakujdesshëm që t'u përmbahen rregullave të trafikut

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Burimet e KFOR-it bëjnë të ditur se në javët e fundit, me ftohjen e motit në Kosovë, është shtuar numri i aksidenteve të trafikut. Me të ardhur dimri, shikueshmëria zvogëlohet dhe kushtet në rrugë bëhen më befasuese, ndaj vozitja me shpejtësi nga ana e shoferëve të padurueshëm, shkakton vazhdimisht aksidente trafiku. Këtyre shoferëve, u tërhiqet vërejtja që t'i përmbahen shpejtësisë së vozitjes sipas kufizimeve normale dhe të jenë të vetëdishëm për situatat e rrezikshme, ngase rrugët i ndajnë së bashku me këmbësorë, qerre kuajsh, vetura, kamionë dhe automjete të KFOR-it. Është përgjegjësi e të gjithë shoferëve në Kosovë që të ndihmojnë në zvogëlimin e numrit të vdekjeve dhe të lëndimeve të panevojshme, që i shkaktojnë shoferët e pakujdesshëm.

 

Dy aksidente trafiku pa pasoja të rënda

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Burimet e KFOR-it njoftojnë për dy aksidente trafiku, që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të kaluara, njëri ka ndodhur në rajonin e BSH të veriut, kurse tjetri në atë të BSH të Qendrës. Fatkeqësia e parë ka ndodhur të merkurën pasdite vonë në Prilluzhë, kur një asutomjet i blinduar i KFOR-it francez është ndalur papritmas, kurse shoferi i një traktori në befasi e ka lëshuar rrugën dhe është përplasur në një shtyllë elektrike. Ndërkaq, në aksidentin e dytë, që ka ndodhur mbrëmë, një automjet i KFOR-it suedez dhe një automjet civil janë involvuar në një aksident trafiku në rrugën kryesore në fshatin Llap. Për fat, në të dy rastet s'ka të lënduar.

 

Në dy operacione të djeshme janë bastisur 43 shtëpi për armë

Prishtinë, 8 dhjetor (QIK) - Dje heret në mëngjes, ushtarët e KFOR-it Task Force Pegasus kanë ndërmarrë një operacion kontrolli në fshatin Rudicë, dhe kanë bastisur 13 shtëpi. Gjatë këtij operacioni janë zbuluar dy revole, 106 rrathë municioni dhe dy karikatorë të AK-47. Armatimi është konfiskuar, kurse një shqiptar është ndaluar dhe i është dorëzuar policisë së UNMIK-ut, njoftohet në raportin e sotëm ditor të KFOR-it.

Në vazhdim të këtij raporti njoftohet edhe për një operacion tjetër kontrolli, të kryer dje, por të planifikuar më parë, me ç'rast, ushtarët e KFOR-it grek, kanë bastisur 30 shtëpi në fshatin Softiq, që i takon rajonit të BSH të Lindjes, por s'kanë zbuluar kurrfarë armatimi. Qëllimi i këtij kontrolli ka qenë që të ngushtohet mundësia e njerëzve të prirur për dhunë. Policia e UNMIK-ut dhe ajo e KFOR-it do të kenë punë me çdonjërin që posedon armatim ilegal.