Qendra për Informim e Kosovës
Informatori ditor nr.2804
Prishtinë, 15 dhjetor 2000
Në Bruksel edhe sot po i vazhdon punimet takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Në qendër të bisedimeve të sotme në ditën e dytë të takimit ndërmjet ministrave të jashtëm të 19 vendeve anëtare të NATO-s dhe të 25 vendeve të Partneritetit për Paqe u fol për forcimin e sigurisë rajonale nëpërmjet shtimit të bashkëpunimit euroatlantik si dhe për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson theksoi sot se Këshilli i Partneritetit po luan një rol të rëndësishëm në forcimin e paqes dhe të demokracisë në Evropë. Robertson nuk bëri të ditur ndonjë datë të përafërt se kur do të pranoheshin në NATO anëtarët e rinj nga këto 25 vende. Por
Robertson tha se dyert e NATO-s vazhdojnë të mbeten të hapura.
Ai duhet të këshillohet me presidentin e ri amerikan nëse do të pranohen anëtarë të rinj në përbërje të NATO-s dhe për kohën se kur mund të ndodhë një zgjerim i Aleancës.
Gjenerali i pensionuar Kolin Pauel - sekretar i Shtetit në administratën e re të Bushit?
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Presidenti i ri amerikan Xhorxh Bush i Riu që nga dita e sotme do të fillojë formimin e administratës së tij. Pritet që pozitat kryesore do t'i zënë bashkëpunëtorët e dikurshëm të babait të tij Xhorxh Bush,i cili ka qenë president i SHBA-ve prej vitit 1988 deri më 1992. Sekretar i Shtetit thuhet se me siguri do të bëhet gjenerali i pensionuar Kolin Pauel. Për shkak të proceseve gjyqësore pas votimit, Presdidenti i ri ka dyfish më pak kohë se sa zakonisht për të emëruar mijëra zyrtarë të administratës e cila pushtetin do të marrë më 2O janar të vitit të ardhshëm.
Shelton: Ballkanin përsëri do ta përfshijë rreziku i një lufte qytetare në qoftë se trupat amerikane tërhiqen nga rajoni
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, gjenerali Henri Shelton, ka vlerësuar dje se Ballkanin përsëri do ta përfshijë rreziku i një lufte qytetare në qoftë se trupat amerikane tërhiqen nga rajoni, siç ka sugjeruar një këshilltar i ri i presidentit të porsazgjedhur amerikan Xhoxh Bush. Gjenerali Shelton ka thënë se ka ndër mend që me administratën e re "deri në hollësi" të studiojë strategjinë amerikane në lidhje me rajonin. Kondolisa Rajs, për të cilën besohet se do të bëhet këshilltare e Bushit për çështje të sigurisë kombëtare, ka paralajmëruar aleatët e NATO-s, por edhe në një intervistë dhënë "Nju Jork tajmsit" ka theksuar se Bushi dëshiron që Evropa të marrë kontrollin në sigurimin e paqes në Ballkan.
Uiliem Koen prej 16 deri më 20 dhjetor viziton Ballkanin
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Sekretari amerikan i Mbrojtjes Uiliem Koen prej 16 deri më 20 dhjetor, bashkë me artistë të ndryshëm të estradës dhe tifozë futbolli, do të vizitojë trupat amerikane të stacionuara në Ballkan dhe në Gjermani, si dhe ekuipazhin e aeroplambajtësit në Mesdhe, ka njoftuar dje Petagoni. Artistët arrijnë në Ballkan të hënën, ku do të vizitojnë ushtarët amerikanë në kampin Bondstil afër Ferizajt në prag të Krishtlindjeve.
Zhak Klajn thotë se amerikanët do të mbesin në misionet paqeruajtëse në Ballkan
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Përfaqësuesi special i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Zhak Klajn, ka deklaruar se prezenca ushtarake amerikane në Ballkan pothuajse me siguri do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të Xhorxh Bushit. "Principi i kontinuitetit është më i rëndësishmi për politikën e jashtme amerikane, prandaj Bushi duhet të ballafaqohet me faktin se një është të qeverisësh e tjetër të japësh deklarata në fushatën parazgjedhore", deklaroi Klajn, duke aluduar në deklaratat, në të cilat, në disa raste është theksuar mundësia e tërheqjes së ushtarëve amerikanë nga misionet paqeruajtëse në Ballkan.
Medlin Ollbrajt është e shqetësuar ndaj rrezikut që paraqet për të ardhmen e Kosovës krimi i organizuar
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbrajt ka theksuar në takimin e NATO-s në Bruksel se UNMIK-u duhet të lëvizë me shpejtësi për të përgatitur institucionet demokratike të Kosovës drejt një vetëqeverisje autonome. Për këtë arsye, thotë zonja Ollbrajt, në Kosovë duhet të zhvillohen patjetër deri në verën e ardhshme zgjedhjet e përgjithshme për të caktuar udhëheqësit e këtyre institucioneve. Ollbrajt shtoi se pavarësisht nga ndryshimet KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut kanë një rol të dorës së parë për shtimin e sigurisë, uljen e dhunës dhe tensioneve ndëretnike në Kosovë.
Sekretarja amerikane e Shtetit u duk e shqetësuar ndaj rrezikut që paraqet për të ardhmen e Kosovës krimi i organizuar. Ajo po ashtu u shpreh për kthimin në shtëpitë e tyre të të gjithë të dëbuarëve nga Kosova, përfshirë këtu edhe serbët. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të të gjithë shqiptarëve që mbahen padrejtësisht në burgjet serbe si dhe bërjen të njohur të fatit të të zhdukurëve, deklaroi zonja Ollbrajt e cila një lloj si Robertson dhe të tjerët, dënoi dhunën e fundit të grupeve ekstremiste në Luginën e Preshevës, duke u kërkuar të gjitha palëve të tregohen të përmbajtura.
Situata në Preshevë nuk duhet nënvlerësuar apo lejuar të dalë jashtë kontrollit, bëri thirrje sekretarja amerikane e shtetit. Ajo nënvizoi se ndryshimet e fundit demokratike në vendet e Evropës Juglindore vërtetë se krijojnë mundësi të reja dhe ngjallin shpresa, por nuk janë zgjidhje përfundimtare të problemit.
Duke qenë kundër tërheqjes amerikane nga Ballkani, zonja Olbrajt jo pa nënkuptim theksoi se disave që iu duken problemet ballkanike si shumë të rënda dhe të gjata për t'u zgjidhur, deklaroi se përgjegjësia për zgjidhjen e tyre nuk u takon të gjithëve por disave. Por ajo nënvizoi se ajo është kundër një vizioni të tillë. "Përgjegjësitë tona në Ballkan janë të përbashkëta dhe të vazhdueshme. Padyshim që do të nevojitet kohë për të arritur qëllimin, por çdonjëri nga ne duhet të bëjë detyrën që i takon. Nuk na lejohet ta quajmë misionin të përfunduar kur puna ende nuk ka marrë fund, deklaroi sekretarja amerikane e shtetit", Medlin Ollbrajt.
Në fund ajo shprehu shpresën se sukseset e arritura deri më tani në forcimin e Aleancës Veriatlantike do të forcohen në të ardhmen dhe se administrata e re amerikane do të vazhdojë të luajë rolin e saj themelor në gjirin e Aleancës si dhe ndaj anëtarëve të tjerë të saj. "Nuk ka kuptim që çdo administratë në fillim të shekullit të harrojë mësimet e shekullit të kaluar, njëri nga të cilit është se Amerika nuk mund të ndihet e sigurtë në rast se Evropa nuk është e tillë dhe se NATO është sot forca më e nevojshme për stabilitetin, lirinë dhe paqen në Ballkan dhe botë", theksoi ndër të tjera dje në Bruksel, Medlin Ollbrajt.
Robertson: Pavarësisht nga ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë, Amerika do ta ruajë praninë e trupave të saj në Kosovë
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Duke u përgjigjur në pyetjen e radios "Evropa e lirë" se a sheh ndonjë arsye për zvogëlimin e numrit të trupave të NATO-s në Kosovë dhe a pret ndryshim të politikës amerikane ndaj Kosovës, përfshirë këtu edhe misionit të NATO-s këtu, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson citohet të ketë thënë: - Ne në Kosovë nuk shohim ende arsye për reduktim të trupave, do të mbajmë gjithmonë këtu trupa sa na nevojiten për të kryer misionin tonë si Aleancë në tërësi. Edhe presidenti Bush para zgjedhjes ka bërë të qartë se do të respektojë vendimet e NATO-s, ka thënë lordi Robertson, duke theksuar se amerikanët nuk do të bëjnë ndonjë hap të përshpejtuar të tërheqjes nga Ballkani. Pra pavarësisht nga ndryshimet një Shtëpinë e Bardhë, Amerika do ta ruajë praninë e trupave të saj në Ballkan, tha lordi Robertson.
Ai hodhi poshtë në këtë kuadër çdo mundësi për pakësimin e trupave amerikane në KFOR dhe pakësimin e përgjithshëm të forcave të NATO-s në Kosovë edhe pas zgjedhjeve të 23 dhjetorit në Serbi. Ai dënoi edhe shkaktarët për acarimin e gjendjes në Luginën e Preshevës.
- Unë nuk besoj se ne kemi të bëjmë me diç të ngjashme me luftën. Atje është në numër i vogël eksremistësh që shfrytëzojnë zonën e sigurisë, por tensionet kanë rënë, thotë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, duke i komentuar zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës.
Presidenti Klinton ka ftuar popullin amerikan që t'i lërë me një anë hidhërimet nga zgjedhjet presidenciale
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Presidenti amerikan Bill Klinton nga vizita në Britani ka ftuar popullin amerikan që t'i lërë me një anë hidhërimet nga zgjedhjet presidenciale dhe përgëzoi kandidatin republikan për fitoren. Xhorxh Bush do të inaugurohet president i SHBA-ve më 20 janar të vitit të ardhshëm.
Shqiptarët shpresojnë se administrata e re amerikane nuk do të ndërrojë diskursin politik ndaj Kosovës
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Administrata e Klintonit e veçanërisht sekretarja amerikane e shtetit Medlin Ollbrajt ishin sinonim i lirisë për shqiptarët e Kosovës dhe kjo e bënë që ata të ndjejnë thellë largimin e tyre nga kreu shtetëror amerikan. Por sidoqoftë shqiptarët e Kosovës, shumica syresh konsiderojnë në fund të fundit se ishin po republikanët amerikanë dhe një president me të njëjtin emër dhe mbiemër si ky i sotmi Xhorxh Bush ata që siç thuhet në fillim të viteve 90-ta i bën me dije ish-presidentit jugosllav Millosheviq se qeveria e tyre nuk do të lejojë zgjerimin e konfliktit në Kosovë. Megjithatë në Kosovë shpresohet se me ndërrimin e administratës amerikane së paku për një periudhë kohore nuk do të ndërrohet diskursi politik i saj në raport me Ballkanin dhe veçanërisht me Kosovën.
Kështu, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kolë Berisha, duke komentuar zgjedhjen e z. Xhorxh Bush për president të ardhshëm të Amerikës, i deklaroi "Zërit të Amerikës":
- Politika amerikane konkretisht më ardhjen e presidentit Bush nuk do të ndryshojë në raport me Kosovën dhe në çështjen shqiptare në përgjithësi. Ne konsiderojmë se Amerika si shtet mik dhe fuqia më e madhe në botë nuk do të largojë vëmendjen nga Kosova por do të jetë vazhdimisht ajo që ka qenë deri tash, duke filluar nga vitet e 20-ta, por edhe më vonë.
Zoti Berisha i quan të paqëndrueshme pohimet se presidenti amerikan Xhorxh Bush do të ndryshojë qëndrimin e SHBA-ve ndaj Kosovës. Ai shprehu besimin se nuk do të ketë tërheqje të trupave amerikane nga rajoni, posaqërisht nga Kosova meqë tërheqja e tyre sipas z. Berisha do të nënkuptonte shpërthimin e një lufte të re në rajon.
Sali Berisha fitoren e Xhorxh Bushit e cilësoi si shumë të rëndësishme për forcat demokratike në Shqipëri
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Në Shqipëri pozita dhe opozita kanë përshëndetur fitoren e presidentit Xhorxh Bush në zgjedhjet presidenciale. Kështu kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha këtë fitore e cilësoi fitoren e z. Bush shumë të rëndësishme, veçanërisht për forcat demokratike në Shqipëri dhe vendet e tjera komuniste të Lindjes. Ai e vlerësoi fitoren e republikanit Bush edhe për shqiptarët e Kosovës sepse presidenti Bush kishte përcaktuar vijën e kuqe që në vitin 1992 ndaj Beogradit e pranuar edhe nga presidenti Klinton që ishte përcaktuese për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Serbia i ka borxh botës 15 miliardë dollarë
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Një eskpert financiar serb, Branko Dragash, ka deklaruar se Serbia gjatë 11 vjetëve të fundit ka humbur 216 miliardë dollarë, ndërsa borxhi i saj ndaj botës është 15 miliardë dollarë. Sipas tij, vetëm humbjet e sivjetshme në ekonominë e Serbsië kapin shumën prej 1O miliardë dollarësh.
Këshilli i Evropës kërkon nga Koshtunica të lirojë të gjithë të burgosurit politikë
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në Strazburg i ka bërë thirrje presidentit jugosllav Koshtunica që të lirojë të gjithë të burgosurit politikë nga periudha e kohës së Millosheviqit. Sipas Këshillit të Evropës në këtë mënyrë do të "forcohet bindja se Koshtunica është njeri i cili përfaqëson shtetin juridik", thuhet në një komunkatë nga Strazburgu.
Kriza në Luginën e Preshevës do të mbahet nën kontroll
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Komandanti i prapavijes së KFOR-it gjenerali gjerman Folker Lou në një takim me gazetarë në Shkup se kriza në Luginën e Preshevës do të mbahet nën kontrollë. Ai shtoi se dimensionet që po i jepen kësaj krize në media janë më të theksuara se ajo që realisht ndodhë në terren.
Ky gjeneral gjerman shprehu bindjen se edhe serbët edhe shqiptarët janë të lodhur nga lufta dhe nga krizat. Megjithatë la të kuptohet se UÇPBM-së i arrinë njëfarë mbështetje logjistike nga jashtë dhe konkretisht nga Shqipëria e Maqedonia.
Gjykata Supreme e Kosovës do të jetë plotësisht e lirë nga bagazhi politik dhe ideologjik
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Kosovës iu rikthy dje Gjykata Supreme e suprimuar nga regjimi totalitar i Millosheviqit 10 vjetë më parë. Rexhep Haxhimusa, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës u zotua se do të zbatojë standardet e vendeve demokratike perëndimore. Gjykata Supreme e Kosovës do të jetë plotësisht e lirë nga bagazhi politik dhe ideologjik i gjykatave në vendet totalitare dhe do të respektojë barazinë të gjithë qytetarëve para ligjit premtoi z. Haxhimusa.
Duke komentuar promovimin e djeshëm të Gjykatës Supreme të Kosovës, bashkëdrejtuesja e Departamentit të Drejtësisë, Nekibe Kelmendi e cilëson hapjen e kësaj gjykate supreme si hapin më të rëndëshishëm në sistemin gjyqësor në Kosovë, veçanërisht pas dhjetë vjetëve të mbylljes së saj me dhunë nga autoritetet serbe. - Gjykata Supreme si instanca më e lartë gjyqësore e Kosovës është rrumbullakësim i rindërtimit të sistemit gjyqësor dhe kjo është një meritë shumë e madhe edhe e adminsitratës ndërkombëtare që vepron në Kosovë, e cila në çdo mënyrë bashkë me disa qeveri të disa shteteve kanë ndihmuar që gjykata kosovare të rindërtohet - tha zonja Kelmendi.
Ndërkaq, administratori i OKB-së për Kosovën Bernar Kushner tha se ky proces ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Më parë ishte e pamundur të paramendohet fillimi i punës së Gjykatës Supreme në Kosovë, tha z. Kushner, duke shtuar se ndërtimi i sistemit të drejtësisë ka filluar nga xeroja. Por, suksesi i arritur në Kosovë është i pashembullt në misionet paqeruajtëse në botë, tha ai.
Prof. dr. Zenel Kelmendi u rizgjodh rektor i UP
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Në mbledhjen e djeshme bordi i Universitetit të Prishtinës rizgjodhi rektor të UP-së prof.dr. Zenel Kelmendin. Bordi i përbërë prej dhjetë vetash nga katër kandidatë, më së shumti vota i dha dr. Kelmendit, i cili detyrën e rektorit do ta ushtrojë për katër vjetët e ardhshsme.
Afrim Hoti u zgjodh kryetar i UPSUP
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Afrim Hoti u zgjodh kryetar i i ri UPSUP, pas zgjedhjeve të mbajtura dje në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta të Universitetit të Prishtinës. Afrim Hoti është student i Fakultetit të Drejtësisë.
U zhbllokua rruga Nish - Shkup afër Bujanocit
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Gjendja në Luginën e Preshevës vazhdon edhe më tej të jetë e tensionuar edhe si pasojë e protestave të serbëve lokal të cilat kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Protestuesit serbë në afërsi të Bujanocit, në mesin e të cilëve ka edhe refugjatë serbë nga Kosova, po e mbajnë të bllokuar autostradën e Vranjës në drejtim të kufirit me Maqedoninë. Ata kanë paralajmëruar se rruga do të zhbllokohet vetëm atëherë kur për ta të jetë e lirë për qarkullim magjistralja Bujanoc-Gjilan dhe siç thuhet kur të tërhiqen kryengritësit e armatosur shqiptarët nga zona e demilitarizuar mes Kosovës dhe Serbisë.
Por në mesditë u bë e ditur pas bisedave të nënkryetarit të qeverisë serbe Nebojsha Çoviq me protestuesit, rruga sot në mesditë u zhbllokua.
KNKK në 13 fshatra të Bujanocit ka shpërndarë artikuj ushqimorë për afro 20 mijë njerëz
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq gjatë kësaj jave ka shpërndarë artikuj ushqimorë për afro 20 mijë njerë në 13 fshtra të rajonit të Bujanocit pasi ata kanë pasur vështirësi në furnizimin me ushqim për shkak të tensionimeve në Luginën e Preshevës, thuhet në një komunikatë të këtij asociacioni humanitar ndërkombëtar.
Në rajonin e Prizrenit një person është plagosur me armë zjarri
Prishtinë, 15 dhjetor (QIK) - Zëdhënësi i KFORit Tomas Lebering nga Brigada Shumëkombëshe e Jugut ka njoftuar se në fshatin Sreckë, i banuar vetëm me serbë, është hedhur në ajër një shtëpi e pabanuar. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm sepse nga rrënojat e shtëpisë është mbyllur rruga që lidh këtë lokalitet me Prizrenin. Një shpërthim tjetër i fuqishëm ka ndodhur po në këtë fshat, por nuk jipet njoftime të tjera. Edhe një shtëpi tjetër serbe në fshatin serbe është djegur.
Zëdhënësi bëri të ditur se një shofer i veturës është qëlluar me gjashtë plumba, por ka shpëtuar vetëm me lëndime trupore.
Poashtu thuhet se gjatë 24 orëve të fundit janë konfiskuar një sasi armësh në këtë rajon dhe ka pasur arrestime.