Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 2815

Prishtinë, 30 dhjetor 2000

 

Gëzuar Vitin e Ri 2001!

 

Kryetari Rugova theksoi se çështja e Luginës së Preshevës duhet të zgjidhet me dialog dhe të ruhet popullata e atjeshme

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - I lutur nga radio "Evropa e lirë" që të komentojë zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës dhe rreth zgjidhjes së çështjes së Mitrovicës, kryetari Rugova, tha se duhet të fillojë një dialog i palës shqiptare me Beogradin dhe me bashkësinë ndërkombëtare që të demilitarizohet ky rajon. "Ne jemi të interesuar që atje të ruhet popullata. Dihen qëllimet e Beogradit - spastrimi i korridorit Selanik - Beograd që është shumë i rëndësishëm, por ka shenja të mira se do të ketë një dialog të përgjithshëm", tha Rugova.

Duke komentuar kërkesat e fundit të Beogradit për heqjen e zonës së sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryetari i LDK-së dr. Ibrahim Rugova tha se këto kërkesa të Beogradit janë të paqëndrueshme, dhe kjo është një lojë serbe që të heqet zona e sigurisë.

Ndërsa për problemin e Mitrovicë dr. Rugova kërkoi integrimin administrativ të këtij qyteti, sidomos pas zgjedhjeve lokale.

 

Kryesia e LDK-së dënon tentativën për atentat ndaj nënkryetarit të LDK-së Eqrem Kryeziu

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Kryesia e LDK dënon tentativën për atentat ndaj nënkryetarit të LDK-së Eqrem Kryeziu para dy ditësh, kur para shtëpisë së tij në Prizren ishte kurdisur një autombë nga persona të panjohur.

Kryesia e LDK-së njëherit shpreh shqetësimin e saj të thellë për aktet e tilla kriminale të drejtuara kundër funksionarëve dhe aktivistëve të saj dhe kërkon nga policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i

të ndërmarrë të gjitha masat për kapjen e autorëve të akteve të tilla të dhunës.

Kryesia e LDK-së konsideron se aktet e dhunës jo vetëm janë të drejtuara kundër, paqes, stabilitetit dhe demokracisë, por ato dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës në botë dhe janë kundër Kosovës së pavarur.

 

BE kërkon kërkon nga autoritetet serbe të lirojnë shqiptarët e Kosovës nga burgjet e Serbisë

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Bashkimi Evropian u bën thirrje autoriteteve jugosllave dhe serbe që të gjejnë mënyrën e përshtatshme legale për lirimin e shpejtë të shqiptarëve të burgosur nga Kosova për shkaqe politike, thuhet në komunikatën e publikuar nga Franca si kryesuese e radhës së Bashkimit Evropian.

Disa qindra shqiptarë të Kosovës mbahen në burgjet e Serbisë nën akuzën e "terrorizmit" që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Grupe për të drejtat e njeriut vlerësojnë se në burgjet e Serbisë ndodhen rreth 800 të burgosur të këtillë. BE gjithashtu ka bërë thirrje që të amnestohen të gjithë ata të burgosur të cilët kanë refuzuar të luftojnë gjatë konfliktit në Kosovë.

 

Në Bujanoc u arrit një marrëveshje shqiptaro-serbe për heqjen e të dyja postblloqeve

Prishtinë, 3o dhjetor (QIK) - Nënkryetari i Qeverisë serbe, Nebojsha çoviq dhe këshilltari politik i komandantit të KFOR-it Shon Saliven prezantuan mbrëmë dokumentin, i cili parasheh heqjen e punkteve të policisë serbe dhe pjesëtarëve të UçPBM-së në fshatin Tërnoc. Me këtë marrëveshje pararshihet që punktet të hiqen në mesnatë, gjatë natës midis të premtes dhe të shtunës, si dhe gjatë ditës të normalizohet treafiku në rrugën Bujanoc- Konçull - Gjilan. Ndryshe, garantuese e kësaj marrëveshje është NATO.

Në frymën e kësaj marrëveshjeje në postbllokun e policisë serbe do të kujdestarojë policia rrugore, kurse patrullimi i forcave të sigurimit serb në Tërnoc do të fillojë pas marrëveshjes së përbashkët të përfaqësuesve të fshatit dhe të pushtetit lokal në Bujanoc.

Sot herët në mëngjes njoftohet se policia serbe ka hequr postbllokun në anën tjetër të fshatit Tërnoc,por prania e saj

ende është në rrugën që lidhë Tërnocin dhe Bujanocin.

 

Drejtori politik i KFOR-it Shon Saliven përshëndeti marrëveshjen e arritur për Luginën e Preshevës

Prishtinë, 3o dhjetor (QIK)- Drejtori politik i KFOR-it Shon Saliven pas arritjes së marrëveshjes në Luginën e Preshevës rreth mesnatës iu ka drejtuar banorëve të fshatit Tërnoc, duke thënë se "sot duhet të jeni të lumtur që udhëheqësit tuaj ushtarakë dhe politikë që ranë dakord për një rrugë të drejtë paqësore". Ai shtoi se janë marrë koncesione nga qeveria serbe të cilat nuk mund të merren në Kosovë. Janë marrë garanci nga qeveria serbe se do ta ndalojnë politikën e diskriminimit. Saliven theksoi si shumë të rëndësishëm faktin që udhëheqësit shqiptarë ranë dakord për një zgjidhje paqësore demokratike, gjë që, siç tha ai, është e vetmja rrugë.

Më tej zoti Saliven nënvizoi se bashkësia ndërkombëtare do t'i përcjellë me kujdes zhvillimet e pastajme, duke shtuar se njerëzit kanë e kësaj ane kanë vuajtur shumë gjatë viteve të shkuara. Me ndryshimet demokratike në Beograd dhe me praninë e komunitetit ndërkombëtar në këtë zonë, do të përmirësohet jeta e banorëve të atjeshëm.

 

Në takimin Koshtunica- Trajkovski në Beograd u bisedua për ricaktimin e vijës kufitare midis Serbisë dhe Maqedonisë

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Gjatë takimin të djeshëm në Beograd të presidenti maqedonas Boris Trajkovski me presidentin jugosllav Vojisllav Koshtunica, u bosedua rreth caktimit të vijës kufitare midis Serbisë dhe Maqedonisë, për kapërcimin e mosmarrëveshjeve lidhur me ndarjen e pasurisë së ish-federatës jugosllave, por edhe rreth situatës në Kosovë.

Pas këtij takimi është paralajmëruar se kah fundi i shkurtit të vitit 2001 do të firmosin në Shkup një dokument për përcaktimin e vijës kufitare që për autoritetet jugosllave ka qenë e diskutueshme gjatë këtyre nëntë viteve që nga shpërbërja e federatës jugosllave.

 

Qeveria e Malit të Zi miratoi platformën për ripërcaktimin e marrëdhënieve me Serbinë

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Qeveria e Malit të Zi miratoi platformën për ripërcaktimin e marrëdhënieve me Serbinë. Me këtë dokument parashikohet që Mali i Zi dhe Serbia të jenë shtete të pavarura me njohje ndërkombëtare të cilat pastaj do të krijonin një aleancë me disa funksione të përbashkëta. Ndërkaq Partia Popullore e Malit të Zi u largua nga koalicioni qeveritar pasi ajo nuk pajtohej me këtë platformë, përkatësisht ajo konteston pjesën e platormës ku insistohet në subjektivitetin e ndarë të dy republikave.

Ndërkaq kandidati për kryeministër të Serbisë, Zoran Gjingjiq citohet të ketë thënë se ripërcaktimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi është i pranuar vetëm në suazat e njohjes ndërkombëtare të RFJ-së.

Ridefinimin e Malit të Zi e kundërshtuan ashpër edhe socialistët e Millosheviqit.

Ndërkaq politikanët e Vojvodinës mendojnë ndryshe. Kryetari i qeverisë së Vojvodinës Nenad Çanak tha se platforma për pavarësinë e Malit të Zi është një projekt shumë i mirë. Ai theksoi se fillimisht duhet rregulluar llogaritë e pastaj mund të flitet për rivendosjen e raporteve, sepse Jugosllavia e tanishme është trashëgimia e fundit e projekteve të Millosheviqit për një Serbi të madhe.

 

Gjingjiq i ka bërë një ultimatum prej 20 ditësh bashkësisë ndërkombëtare për stabilizimin e gjendjes në Luginën e Preshevës

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Disa liderë politikë serbë angazhohen për kthimin e retorikës luftarake. Kështu në një intervistë për gazetën "Der Shpigel" kryeministri i ardhshëm i Serbisë Zoran Gjingjiq i ka dhënë një ultimatum bashkësisë ndërkombëtare që më së largu brenda 20 ditëve të stabilizojë gjendjen në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Në të kundërten ai kërcënon ndërhyrjen e menjëhershme të trupave serbe. Kërcënimi tjetër ishte mundësia e ndarjes së Kosovës. Mirëpo, zëdhënësi i KFOR-it Stiven Shapell i ka deklaruar agjencisë Frans Press në Prishtinë se forca paqeruajtëse nuk ka marrë ndonjë shkresë nga z. Gjingjiq për këtë ultimatum.

"Në qoftë se Kosova e fiton pavarësinë, pjesët e banuara me serbë do të shkëputën nga Kosova dhe do t'i bashkëngjiten Jugosllavisë", theksoi Gjingjiq, duke shtuar se "qëllimi i shqiptarëve të armatosur është ndërprerja e rrugëve që lidhin Jugosllavinë me Maqedoninë dhe Greqinë". Po sipas Gjingjiqit shqiptarët po përpiqen të shkëpusin Jugosllavinë nga Maqedonia dhe Greqia.

 

Shqipëria nuk ka marrë asnjë propozim zyrtar nga Beogrdi për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Shqipëria nuk ka marrë asnjë propozim zyrtar nga Beogradi për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, tha ministri i jashtëm shqiptar Paskal Milo. Ai shtoi se për këtë çështje do të vendoset vetëm atëherë pasi të merret një propozim i tillë nga Beogradi zyrtar.

"Por nuk është kjo ana formale e çështjes pengesa kryesore për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve. Çështja e të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet e Serbisë dhe zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës janë thelbi i mbetjes pezull për për rivendosjen e ambasadave në Beograd dhe Tiranë", citohet të ketë thënë ministri i jashtëm shqiptar, Paskal Milo.

Ai ka rikonfirmuar edhe qëndrimin e qeverisë së Tiranës ku ka theksuar se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë do të ulen nëse shqiptarëve të atjeshëm u sigurohen të drejtat e tyre.

 

Dhuna e grupeve të armatosura shqiptare po zvogëlon përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për të gjithë shqiptarët e Kosovës

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Autoritetet e KFOR-it pohojnë se dhuna e grupeve të armatosura shqiptare po zvogëlon përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për të gjithë shqiptarët e Kosovës. Njëherësh, po këto autoritete theksojnë se kush mbështet këto grupe humb përkrahjen edhe të KFOR-it, ngase këto grupe paraqesin kërcënim për një jetë të sigurt për mbarë popullatën e Kosovës. Lidhur me këto pohime, dje në Prizren është prezantuar një dokument prej 7 pikash ku kërkohet që të heqet dorë nga dhuna dhe nga mbështetja e grupeve të armatosura në Kosovë dhe jashtë saj. Zyrtarët e KFOR-it pohojnë se zgjidhja e vetme mund të arrihet me mjete paqësore. Të njejta qëndrime janë shprehur edhe ndaj grupeve të armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës, prapa të cilave fshehet Shërbimi i sigurimit serb.

KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut kanë informacione të sakta për kontrabandën me armë në Kosovë dhe rreth saj, por detajet nuk mund të bëhen të njohura, u tha në një konferencë për gazetarë në Brigadën Shumëkombëshe të KFOR-it në Prizren. Për këtë qëllim në këtë zonë janë ngritur postblloqe të përkohshme ku janë zbuluar dhe konfiskuar një numër i madh armësh dhe grupe që kontabandojnë ato.

 

Një serb është vrarë në Obiliq kurse bashkëshortja e tij është plagosur nga sulmues të panjohur

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Zëdhënësja e UNMIK-ut Suzan Manuel njoftoi se të enjtën në mbrëmje sulmues të panjohur, rreth orës 21.00, në shtëpinë e tij në Obiliq vranë Dragan Rapajiqin dhe plagosën rëndë bashkëshorten e tij Vukosava. Trupin e pajetë të Rapajiqit e kishin gjetur fqinjët e tij, të cilët pastaj e njoftojnë policinë e UNMIK-ut dhe të KFOR-it. Policia ka konstatuar se Dragan Rapajiq ishte prerë në fyt, si dhe e bashkëshortja e tij, por ajo ka shpëtuar nga vdekja dhe është dërguar për mjekim së pari në spitalin britanik e pastaj në atë të Mitrovicës.

Kryeadministratori i Kosovës Bernar Kushner e ka dënuar këtë krim duke thënë se është i prekur thellë dhe i neveritur me këtë sulm qyqar.

 

Mitrovicë: Serbët sulmuan këngëtarin Nikollë Nikëprelaj

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Siç njofton KMDLNJ, të premtën rreth orës 15.30 në hyrje të urës kryesore mbi lumin Ibër të Mitrovicës, pesë pjesëtarë serbë, të ashtuquajtur "roje të urës" keqtrajtuan fizikisht këngëtarin e njohur Nikollë Nikëprelaj. Në rastin e sulmit këngëtari Nikollë Nikëprelaj ishte bashkë me bashkëshorten e tij, e cila poashtu është keqtrajtuar. Sulmuesit serbë thuhet se i kishin marrë edhe valixhet këngëtarit.

 

Ekipi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar vizitoi fshatin Dobrosin dhe Konçul në Luginën e Preshevës

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Ekipi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar bashkë me delegatët shëndetësorë vizituan fshatin Dobrosin dhe Konçul në Luginën e Preshevës, bëri të ditur Vjosa Osmani, përgjegjëse për informim pranë këtij Komiteti. Në këtë ekip përveç delegatëve të Komiteti Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq ishte edhe një mjek nga Kosova. Qëllimi i kësaj vizite ishte sigurimi i ndihmës shëndetësore për popullatën civile, e cila ka vështirësi në furnizim me gjëra të nevojshme për jetën e përditshme.

 

Një çift shqiptar u kërcënua nga një grup serbësh në Mitrovicë

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Burimet e KFOR-it bëjnë të ditur se dje në mesditë një çift shqiptar, që po vinte me autobus nga Mali i Zi, sapo zhdrypi nga autobusi në urën perendimore të Mitrovicës veriore, u rrethua menjëherë nga një grup prej rreth 5o serbësh, por ushtarët e KFOR-it francez intervenuan shpejt dhe e përcollën çiftin e kërcënuar në anën jugore të urës. Gjatë këtij incidenti gruas iu vodh çanta. Policia e UNMIK-ut po i zhvillon hetimet.

 

U hodh një granatë në dyçanin e një shqiptari në Dardhishtë

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Dje në mesditë në fshatin Dardhishtë një sulmues i panjohur ka hedhur një granatë M75 në dyqanin e një shqiptari. Gjatë hetimeve, që po i zhvillon policia e UNMIK-ut, u gjet granata e hedhur dhe vetura me dëmtime të vogla, njoftojnë burimet e KFOR-it të BSH të Qendrës.

 

KFOR-i grumbullon me ngulm armatimin ilegal

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Dje në mëngjes njësiti i KFOR-it Task Force nga BSH e Veriut rrethoi mbrëmë një lagje në jug të Vushtrrisë, me ç'rast bastisi dy shtëpi dhe të gjitha automjetet, që kalonin në atë zonë, por nuk gjeti asnjë armë ilegale gjatë këtij operacioni kontrolli, njoftohet në raportin e sotëm ditor të KFOR-it.

Ndërkaq, në vazhdim të këtij raporti bëhet e ditur se po dje në mëngjes, ushtarët britanikë të BSHQ të KFOR-it bastisën një shtëpi në fshatin Shuticë, me ç'rast gjetën dhe konfiskuan dy revole, një pushkomitraloz, dyqind rrathë municion, një predhë 30mm, tri granata, shtatë karikatorë municioni dhe një pajisje dekontaminimi. Ekspertët e çminimit të KFOR-it i zhvendosën kujdesshëm nga shtëpia rrathët, granatat dhe predhën.

Nga rajoni i BSH të Perendimit njoftohet se dje pasdite ushtarët e njësitit Task Force Falko të KFOR-it bastisën një shtëpi në fshatin Prush, ku gjetën dhe konfiskuan një mortajë 60 mm, 24 granata mortaje, një granatë rakete, 24 fitila dhe 24 eksplozive.

Po kështu, gjatë një bastisjeje tjetër në rajonin e kësaj brigade të KFOR-it në fshatin Brovinë, në një shtëpi u gjetën dhe u konfiskuan një pushkë dhe 30 rrathë municion. Për këtë arsye, u ndalua një person dhe iu dorëzua policisë së UNMIK-ut.

Nga rajoni i BSH të Lindjes bëhet e ditur se dje në mbrëmje, ushtarët e KFOR-it kanë ndaluar një person në fshatin Cërnicë, ngase iu gjet një revole M57. Ushtarët ia konfiskuan armën dhe e dërguan atë në kampin Bondstil, ku po merret në pyetje.

I njëjti burim bën të ditur se mbrëmë, po në fshatin Cërnicë ka ndodhur një shpërthim në një shtëpi, por, për fat, s'ka pasur të lënduar. Ushtarët dhe ekspertët e çminimit të KFOR-it kanë dalë në vendngjarje dhe në shtëpi kanë gjetur mbetjet e një granate raketore të kalibrit 65mm. Ky incident është nën hetime.

 

KFOR-i organizon takim me 150 fëmijë filloristë të Drenasit

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Burimet e KFOR-it bëjnë të ditur se të martën, më 2 janar 2001, në orën 11:00, KFOR-i do të organizojë një takim për 150 fëmijë të moshës prej 6 deri në 10 vjeç në shkollën fillore "Bashkimi" të Drenasit. Me këtë rast, ftohen përzemërsisht përfaqësuesit e mediave që të marrin pjesë në këtë ngjarje. Për informata më të hollësishme, të kontaktohet me presqendrën e KFOR-it.

 

KFOR-i organizon takim me fëmijët shkollorë të fshatit Plemetin

Prishtinë, 30 dhjetor (QIK) - Siç bëjnë të ditur burimet e KFOR-it, të mërkurën, më 3 janar 2001, në orën 11:00, KFOR-i do të organizojë një takim për 150 fëmijë të moshës prej 7 deri në 14 vjeç në shkollën e fshatit Plemetin. Me këtë rast, ftohen përzemërsisht përfaqësuesit e mediave që të marrin pjesë në këtë takim, kurse për informacione më të hollësishme të kontaktohet me presqendrën e KFOR-it.