Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.2891

Prishtinë, 2 prill 2001

 

Deklartë e përbashkët e presidentit Xhorxh Bush dhe e kancelarit Gerhard Shreder

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Sipas burimeve të Zyrës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe kancelari gjerman Gerhard Shreder kanë dhënë dje një deklaratë të përbashkët për vizionin transatlantik të shekullit 21, në të cilën përkitazi me zhvillimet në Maqedoni, thuhet:

- Ne do të jemi partnerë të shteteve të Evropës Juglindore në rrugën e tyre për ardhëmëri paqësore. Lufta, nacionalizmi agresiv dhe aktet ekstremiste të dhunës duhet t'i përkasin patjetër të kaluarës. Ne do të mbështesim procesin e stabilizimit dhe të demokratizimit në Ballkan, duke vazhduar të veprojmë bashkarisht dhe në konsultim të ngushtë. Në këto përpjekje, Pakti i Stabilitetit do të vazhdojë të luajë rol qëndror.

Të dy vendet tona kavjet që angazhohen për integritetin territorial të Maqedonisë. Ne dënojmë fuqishëm dhunën e grupeve të vogla ekstremiste, që përpiqen të destabilizojnë këtë vend demokratik dhe qeverinë e tij multietnike. Metodat e tyre të dhunës po dëmtojnë intresat afatgjata të shqiptarëve etnikë në Maqedoni, Kosovë dhe në gjithë rajonin. Ne mbështesim fuqishëm presidentin Trajkovski dhe qeverinë e Maqedonisë në ndërmarrjen e hapave për parandalimin e mëtejshëm të dhunës dhe i nxisim ata që të veprojnë ngushtë me përfaqësuesit e zgjedhur të bashkësisë shqiptare të Maqedonisë përkitazi me shqetësimet legjitime të paraqitura prej tyre. Ne mbështesim hapat që ka ndërmarrë NATO, Bashkimi Evropian dhe OSBE në ndihmën e Maqedonisë që të përmbajë kryengritësit si dhe të lehtësojë zgjidhjen politike, përfundon deklarata, të cilën na e dërgoi Zyra amerikane në Prishtinë.

 

Në Shkup sot do të fillojnë bisedimet gjithëpartiake për shqyrtimin e situatës së shqiptarëve në Maqedoni

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Në Shkup sot do të fillojnë bisedimet gjithëpartiake për shqyrtimin e situatës së shqiptarëve në Maqedoni. Zëdhënësi i presidentit maqedonas bëri të ditur se këto bisedime i kryeson vetë presidenti Boris Trajkovski. Këto bisedime synojnë shmangien e diskriminimit të shqiptarëve në jetën politike e sociale.

PDSH kishtë paralajmëruar më parë daljen e saj nga koalicioni qeveritar në rast se brenda një muaji nuk do të merreshin të gjitha masat për barazimin e të drejtave të shqiptarëve me popullsinë maqedonase.

 

Robertson ka biseduar me Këshillin e Ministrave të BE-së për koordinimin i qëndrimeve që duhet mbajtur ndaj zyrtarëve të Shkupit

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Para nisjes për në Maqedoni, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson ka biseduar sot në Bruksel me Këshillin e Ministrave të BE-së dhe me përfaqësuesin e BE-së për politikë të jashtme Havier Solana. Qëllimi i këtyre bisedimeve është koordinimi i qëndrimeve që duhet mbajtur ndaj zyrtarëve të Shkupit.

Nga Brukseli njoftohet se zyrtarët e lartë euroatlantikë do të bëjnë presionin mbi Shkupin për ngritjen e një komisioni zyrtar shqiptaro-maqedonas për shqyrtimin e kushtetutës. Ngritja e këtij komisioni si dhe fillimi i bisedimeve ndërmjet partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase është një nga kërkesat e shtruara nga Bashkimi Evropian para nënshkrimit të hënën e ardhshme në Luksemburg të marrëveshjes së asociimit dhe stabilitetit me Maqedoninë.

Njoftohet se Robertson sot pasdite shkon në Shkup kurse nesër arrin në Kosovë. Poashtu përfaqësuesit e lartë të BE-së Havier Solana dhe Kris Paten arrijnë në Shkup sot në orën 17.00.

 

Pas arrestimit të ish-dikatorit serb Slobodan Millosheviq, i cili shkaktoi shumë tragjedi dhe krime lufte në hapësirën e ish-Jugosllavisë

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Dje në orët e mëngjesit, pas një odisejade të madhe, forcat serbe të sigurimit kanë arrestuar ish-diktatorin serb dhe ish- presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq i cili nga Tribunali i Hagës akuzohet për krime lufe. Ndoënse ai në fillim deklaroi se nuk do të shkojë i gjallë në burg, por është pikërisht atje në këtë moment në burg dhe i gjallë. Para se të arrestohej ai kishte kërcnuar se së pari do të likuidonte familjen e tij pastaj do të bënte vetëvrasje dhe nuk dëshironte të dorëzohej. Por pas shumë përpjekjeve të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë dhe pas premtimeve nga krerët e tashëm zyrtarë jugosllavë se nuk do t'i dorëzohet Tribunalit të Hagës, ai iu dorëzua vullnetarisht forcave serbe dhe aktualisht ndodhët në Burgun Qendror të Beogradit.

Sipas avokatit Toma Fila, i cili është mbrojtës i lëndës së Millosheviqit, tha se klienti i tij dje pasdite është marrë në pyetje nga gjyqtari hetues i cili edhe ia ka caktuar paraburgimin prej 30 ditësh.

Analistë të shumtë duke komentuar veprimtarinë e tij gjatë periudhës sa ai ka qëndruar në skenën politike në Serbi dhe në Jugosllavinë e mbetur, thonë se Millosheviqi ka sjellë tragjedi të shumta pothuajse në të gjitha hapësirat e ish-Jugosllavisë ku ai synonte krijimin e një "Serbie të madhe". Më shumë se 250 mijë të vrarë, miliona të zhvendosur, Vukovari, Sarajeva, Srebrenica, Reçaku dhe fshatra e qytete të shkrumbuara në Kosovë mbetën dëshmi të mjaftueshme për fajin e diktatorit të fundit të Ballkanit.

 

Xh. Bush: Arrestimi i Millosheviqit hapi i parë drejt gjykimit të tij para Gjykatës ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Arrestimi i Millosheviqit duhet të jetë hapi i parë drejt gjykimit të tij para një tribunali ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit për të cilat akuzohet thuhet në deklaratën e presidentit amerikan Xhorxh Bush. "Nuk mund t'i harrojmë dhe as që duhet t'i harrojmë fytyrat e mërdhira të grave e fëmijëve të terrorizuar e të rrasur nëpër vagona trenesh, të burgosurit e sfilitur të internuar prapa telave me gjemba dhe varrezat masive të zbuluara nga hetuesit e OKB-së", thuhet në këtë deklaratë të presidentit amerikan. Ai citohet të ketë thënë se arrestimi i Millosheviqit paraqet hap të rëndësishëm në drejtim të mbylljes së epokës tragjike të diktaturës së tij brutale dhe ka shfaqur bindjen se Jugosllavia do të vazhdojë rrugën me bashkëpunimin e Tribunalit të Hagës.

 

Reagimet e autoriteteve ndërkombëtare lidhur me arrestimin e kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Aleanca Atlantike, Bashkimi Evropian, dhe shumë vende të të tjera të Evropës Perëndimore kanë tërhequr vëmendjen se pas arrestimit të Millosheviqit duhet të fillojë hapi i dytë, dërgimi i tij në Gjykatën e Hagës.

Kështu Aleanca Atlantike pasi përshëndeti arrestimin e njeriut, që siç tha ajo, me politikën e tij e mbushi Ballkanin me varre nga Kroacia deri në Kosovë, e konsideron arrestimin e Millosheviqit si fillimin e rrugës për në Hagë.

Zëdhënësi i Aleancës Mark Lejti theksoi se akuzat të cilat rëndojnë Milosheviqin janë shumë të rënda dhe ai duhet të përgjigjet për to para Gjykatës Ndërkombëtare. "Ne tani presim që ai të shkojë në Hagë", theksoi Mark Lejti, duke shtuar se më në fund Millosheviqi doli jashtë lojës.

Ndërkaq gjyqëtarët e Hagës e bënë të qartë se autoriteteve të Beogradit as nuk duhet t'u shkojë ndërmend ta mbajnë Milosheviqin në Serbi, e cila është e detyruar ligjërisht të na dorëzojë Milosheviqin mbi të cilin rëndon akuza e krimeve kundër njerëzimit e krimeve të luftës, theksuan mbrëmë zyrtarë të Gjykatës Ndërkombëtare.

Robin Kuk: Duke komentuar arrestimin e Sllobodan Millosheviqit në Beograd, sekretari britanik Robin Kuk ka konstatuar se se për sa kohë nuk do të dalë para Tribunalit të Hagës në Ballkan telashet nuk do të kenë të sosur. "Ne duam ta shohim atë në Hagës jo vetëm që të vendoset drejtësia por edhe për të pajtuar Ballkanin. Dhe si mund të jetë ky rajon i qetë kur shkaktari i trazirave mbetet i lirë", konstaton Robin Kuk.

Karl Bild, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Ballkanin thotë: - Ekstradimi i Millosheviqit për në Hagë për tash ndoshta është i parakohshëm. Mendoj se është e natyrshme që demokratët e rinj në Serbi do të duan që ai së pari të dalë në gjyq për atë që kar kryer krime kundër Serbisë dhe serbëve. Mendoj se kjo është një çështje e rëndësishme e Serbisë për të gjetur rrugën e vet drejt një të ardhme demokratike dhe të mirë.

Havier Solana tha se Serbia dhe Jugosllavia hodhën dje një hap tjetër në drejtim të forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Joshka Fisher, ministër i jashtëm gjerman, thotë se forcat demokratike të dala nga zgjedhjet në Jugosllavi me arrestimin e Millosheviqit janë të vendosura të vendosin shtetin ligjor. Por qeveria gjermane këmëngul në qëndrimin e saj se të gjitha shtetet duhet t'i përmbushin detyrimet e së drejtës ndërkombëtare për të bashkpunuar me Tribunalin e Hagës dhe kjo vlen edhe për Beogradin.Të akuzuarit për krime më në fund duhet të përgjigjen para Gjykatës ndërkombëtare të Hagës.

Zhak Shirak, presidenti i Francës, është shprehur i gëzuar pas arrestimit të Milosheviqit, duke theksuar se tash ka ardhur kohë që drejtësia të vihet në vend dhe se ka ardhur fundi i lojërave të Millosheviqit.

Presidenit çek Vaclav Havell theksoi se Millosheviqi duhet të nxirret përpara Gjykatës së Hagës gjë që sipas tij është vetëm një çështje kohe.

 

Qeveria e Shqipërisë thotë se Milosheviqi është simbol i shkatërrimit, dhunës, krimit dhe gjenocidit në rajonin tonë

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Në komentin e zëdhënësit të Qeverisë shqiptare rreth arrestimit të Millosheviqit thuhet se Qeveria e Shqipërisë përshëndet arrestimin e Millosheviqit. Ky, sipas saj, është një hap i rëndësishëm i autoriteteve të reja të Beogradit. Millosheviqi është tashmë simbol i shkatërrimit, dhunës, krimit dhe gjenocidit në rajonin tonë, thotë zëdhënësi i qeverisë shqiptare. Theksohet se ai është vrasësi jo vetëm i popullit shqiptar, boshnjak e kroat dhe duhet të dënohet si i tillë.

Ish-presidenti i Shqipërisë dr. Sali Berisha tha se "ajo çka është absolutisht e domosdoshme që ky akt të marrë përmasa që meriton është gjykimi i Millosheviqit jo si gangster mafioz i Serbisë, por para se gjithash si kasapi i Ballkanit i cili krijoi për shqiptarët, kroatët, sllovenët dhe boshnjakët kasphanet më të mëdha të përjetuara prej tyre".

 

Udhëheqësit politikë shqiptarë në Kosovë thonë se krimineli Millosheviq duhet të dorëzohet në Tribunalin e Hagës

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Udhëheqësit politikë shqiptarë në Kosovë arrestimin e ish-presidentit jugosllav Milosheviq e shohin si një fitore gjysmake të bashkësisë ndërkombëtare përderisa ai nuk i dorëzohet Gjykatës së Hagës për Krimet Lufte.

Sekretarja e përgjithshme e LDK-së Nekibe Kelmendi të cilës forcat serbe të sigurimit dy vjetë më parë i vranë bashkëshortin dhe dy djemtë konsideron se Milosheviqi nuk mund të përgjigjet përpara gjykatës vendore serbe për krimet e kryera. "Me burgosjen e tij Beogradi zyrtar nuk e ka përmbushur obligimin e vet që buron nga statusi i Tribunalit të Hagës për t'ia dorëzuar Millosheviqin këtij Tribunali. Ky është burgosur për krimet e brendshme që i ka bërë e jo për krime ndërkombëtare", thotë zonja Kelmendi.

Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së Eqrem Kryeziu thotë se arrestimi i Milosheviqit është një përpjekje e rrejshme e udhëheqjes së re në Beograd për t'u paraqitur si demokratike në syt e komunitetit ndërkombëtar. "Para se gjithash ai arrestohet për shpërdorim fondesh e jo për krimet që i ka bërë në Kosovë dhe gjithandej në ish-Jugosllavi. Duket se ka një tendencë që të personifikohet Millosheviqi dhe tërë mentaliteti serb i ksenofobisë njëshekullore, i hegjemonisë dhe i politikës gjenocidiale të personalizohet me një Millosheviq pa marrë parasysh se atij mund t'i shtohen dy-tre emra të tjerë", thotë z. Kryeziu.

"Arrestimi i Millosheviqit është fillimi i përfundimit të periudhës së errët të politikës militariste serbe", - tha nënkryetari i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, Bajram Kosumi dhe vlerëson se edhe udhëheqësit e ri të Beogradit tashmë i takojnë të së kaluarës.

 

Është arrestuar shefi i grupit të armatosur që mbronte Millosheviqin, tek i cili është gjetur plani për kryengritje

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Shefi i Grupit të armatosur i cili ishte vënë në mbrojtje të kriminelit Milosheviq, Sinisha Vuçeniq, funksionar i lartë i të majtës jugosllave gjithashtu është arrestuar dje nga forcat jugosllave të sigurisë, njoftuan agjencitë e huaja të lajmeve.

Tek ai janë gjetur armë dhe plane për një kreyngritje të armatosur.

 

Në rezidencën e Millosheviqit është gjetur një arsenal i vërtetë i armëve

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Gjatë natës ndërmjet 31 marsit dhe 1 prillit policia ka gjetur në rezidencën e Millosheviqit dy autoblinda, pronari i të cilave nuk dihet ende, tre pushkomitrolozë, një minahedhës dore, 3O pushkë automatike, dy sëndukë me bomba dore, dy sëndukë me karrikatorë për pushkë automatike, 1O sëndukë me municion, mbi 2O revole.

Kurse tek e bija e Millosheviqit janë gjetur tri revole, për të cilët nuk kishte leje.

 

Karla del Ponte kërkon nga Beogradi ta dorëzojë Millosheviqin në Hagë

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Gjykatësi Klod Zhorda, kryetar i Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe Karla del Ponte, prokurore, mirëpresin arrestimin e Sllobodan Millosheviqit.

Të dytë e shohin si një zhvillim pozitiv, në frymën e shkëmbimeve konstruktive, të cilat ndodhën gjatë vizitës së paradokohshme të ministrave të drejtësisë së Serbisë dhe të Republikës Federale të Jugosllavisë. Kryetari dhe Prokurorja kanë besim se arrestimi dhe paraburgimi i Sllobodan Millosheviqit do t'u bëjnë të mundur autoriteteve të Beogradit të përmbushin plotësisht obligimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë transferimin në Hagë të Sllobodan Millosheviqit dhe personave të tjerë të akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar.

Për këtë qëllim, Kryetari dhe Prokurorja kërkojnë nga autoritetet jugosllave që t'ia dorëzojë Sllobodan Millosheviqit fletarrestimin e rilëshuar më 23 janar 2001, në bazë të aktakuzës kundër tij të datës 24 maj 1999 për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë vrasje, përndjekje, dëbime dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

 

Presidenti i Bjellorusisë Aleksandar Llukashenko mbron Millosheviqin

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Presidenti i Bjellorusisë Aleksandar Llukashenko deklari se arrestimi i Millosheviqit "është i palejueshëm, jonormal dhe jodemokratik"!

Llukashenko u deklaroi sot gazetarëve në Moskë se "nuk dëshiron të komentojë atë situatë", por shtoi se "kur arrestojnë ish-presidentët - kjo është është kohë shumë e lig".

 

Në Maqedoni ka filluar beteja politike për zgjidhjen e problemeve në sferën e marrëdhënieve ndëretnike

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Ndërkohë që situata e sigurisë në Maqedoni po normalizohet, atje ka filluar beteja politike për zgjidhjen e problemeve në sferën e marrëdhënieve ndëretnike.

Tashmë konfrontime politike ka në boshtin politik shqiptarë se kush ka dhënë kontribut më të madh për çështjen kombëtare shqiptare ashtu siç ka konfrontime politike të kësaj natyre edhe në mjedisin e partive politike maqedonase.

Kështu udhëheqësit e PDSH-së akuzuan udhëheqësin e PPD-së për bashkëpunim me strukturat të UDB-së duke bërë të njohura dokumente nga shërbimet policore.

Ndërkohë PPD me një deklaratë publike ka bërë të ditur se posedon materiale të incizuara me të cilat dëshmohet se udhëheqësit e Partisë Demokratike Shqiptare në biseda me politikanë maqedonas kanë kërkuar që të luftohet fuqishëm dhe me të gjitha mjetet Ushtria Çlirimtare Kombëtare, thuhej në njoftim të transmetur mbrëmë në "Dojçe vele".

I njëjti burim theksonte se kryeministri maqedonas Georgievski dhe lideri i opozitës më të madhe maqedonase, Branko Crvenkovski edhe pse kanë kritikuar ashpër njëri tjetrin për situatën aktuale kanë një qëndrim të përbashkët: me shqiptarët nuk duhet të zhvillohen negociata për ndryshimet e kushtetutës maqedonase, por të vazhdojë dialogu siç thonë i filluar para dhjetë viteve.

Ndërkaq, liderët politikë shqiptarë Arbër Xhaferi dhe Ymer Ymeri vlerësojnë të kundërtën: ndryshim në kushtetutë do të ketë, duke shpresuar për këtë se do të kenë edhe mbështetjen e zyrtarëve të lartë të BE-së Havier Solana dhe Kris Paten të cilët sot do të vizitojnë Shkupin.

 

Negociatat shqiptaro - maqedonase do të ishin të pavlefshme pa pjesëmarrjen e UÇK-së

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Ushtria Çlirimtare Kombëtare me një komunikatë përopinion shprehet se është për negociata me palën maqedonase. Por, meqenëse negociatat zhvillohen mes palëve në konflikt në rastin konkret palët në konflikt janë shqiptarët dhe maqedonasit, përkatësisht qeveria maqedonase dhe forcat e armatosura shqiptare të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pa pjesëmarrjen e kësaj ushtrie, negociatat shqiptaro - maqedonase nuk kanë kuptim dhe do të ishin të pavlefshme, thuhet në komunikatën e UÇK-së.

 

Në Uglar të Gjilanit u bë rivarrimi i eshtrave të dëshmorit kombit Vehbi Ibrahimit të cilin e vrau UDB-ja jugosllave

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Në fshatin Uglar të Gjilanit u bë rivarrimi i eshtrave të dëshmorit dhe patriotit të njohur të kombit Vehbi Ibrahimit i njohur në diaspor si Besim Gjilani. Në ceremoninë mortore ishin të pranishëm familjarë, përfaqësuesit e "Besëlidhjes Shqiptare Demokratike", të cilët njëherit ishin edhe organizatorë dhe bartës të sjelljes së eshtrave të Vehbiut në atdhe, përfaqësues të partive politike të Ana Moravës, veterani i qëndresës shqiptare Hysen Tërpeza e shumë qytetarë të tjerë. Për jetën dhe veprën e Vehbi Ibrahimit foli Emin Fazli, Alias Emil Kastrioti i cili në pika të hollësishme foli për kontributin e atdhetarit të paepur për çështjen tonë kombëtare Vehbi Ibrahimi që nga viti 1968 e deri në vrasjen e tij në Bruksel nga UDB-ja jugosllave më 1981.

 

J. Dinstbir: Perëndimi nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës dhe të zhvillojë bisedime me "ekstremistët" shqiptarë!

Prishtinë, 2 prill (QIK) - I deleguari i posaçëm i OKB-së Jizhi Dinstbir, i njohur me deklaratat e tij kontraverze, tha se për të parandaluar përhapjen e dhunës në Ballkan nevojitet një strategji e përbashkët rajonale. Sipas tij, "ekstremistët" shqiptarë po përfitojnë nga gjendja e paqëndrueshme për të realizuar objektivin e tyre për krijimin e një "Shqipërie të madhe".

Ai tha se ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq krijoi kushte për ngjalljen e "ekstremizmit shqiptar". Hetuesi i OKB-së tha se të gjitha konfliktet në rajon janë të lidhura me shpërbërjen e dhunshme të ish-Jugosllavisë, duke shtuar se Perëndimi nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës të zhvillojë bisedime me ekstremistët, duke aluduar kështu në konfliktin shqiptaro-maqedonas. Sipas tij dhuna mund të përhapet lehtë edhe në vende të tjera ku ka komunitete shqiptare, përfshirë këtu Greqinë dhe Bullgarinë!

 

Afër fshatit Krivenik të Hanit të Elezit KFOR-i ka gjetur një sasi të madhe të armatimit

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Zyrtarët e forcave paqeruajtëse në Kosovë kanë njoftuar sot se afër kufirit me Maqedoninë afër fshatit Krivenik të Hanit të Elezit, kanë gjetur një sasi të madhe të armatimit. Zëdhënësi i forcave britanike Riçard Hefer ka thënë se në armatimin e konfiskuar gjenden edhe tre mitrolozë, me dhjetra granata të llojeve të ndryshme, armatim të lehtë dhe mbi 12 mijë fishekë. Për transportimin e këtij armatimi janë sjellë katër kamionë, tha Hefer, e të cilin e kanë dërguar në kampin amerikan Bondstill.

 

Xhorxh Bush -Plaku merr pjesë në Athinë në kongresin ndërkombëtar të revistës "Ekonomist", pastaj pritet të vizitojë Ankaranë e Kosovën

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Sot në Athinë fillon kongresi ndërkombëtar i revistës "Ekonomist" me temën "Strategjia e pushtetit në shekullin 21". Ky tubim bëhet intersant edhe për faktin se në të merr pjesë edhe ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush - Plaku, i cili do të mbajë edhe një fjalim pçër sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Me përfundim të Kongresit, Bush pritet të vizitojë Ankaranë dhe Kosovën, si shprehje konkrete e prioriteteve që kanë këto dy rajone për politikën amerikane në Evropën Juglindore dhe në Mesdheun Lindor. Por kjo vizitë e Bushit në Kosovë nuk është konfirmuar nga burime të tjera.

Në këtë kongres, që do të zgjasë tri ditë, do ta marrin pjesë edhe personalitete nga vendet e ndryshmet të rajonit dhe Evropa, si Havier Solana, kryeministri serb Gjingjiq dhe ai shqiptar Meta, të cilët siç bëjnë të ditur burime nga Athina, pritet që të kenë një takim të veçantë, por konfedencial si takimi Koshtunica-Nano.

 

Nga tubimi i pesë nëndegëve të LDK-së për kantonin e Cyrihut

Cyrih, 2 prill - Në organizim të pesë nëndegëve të LDK-së për kantonin e Cyrihut, të dielën në Embrach të Zvicrës, u mbajt një tubim në të cilin para disa qindra pjesëmarrësve folën Edita Tahiri, këshilltare për politikë të jashme e kryetarit Rugova, Fatmir Rexhepi, anëtar i Kryesisë së LDK-së, Hysen Gërvalla, kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër.

Tubimin e udhëhoqi z. Tahir Foniqi, veprimtar i LDK-së në Kantonin e Cyrihut, i cili në pika të shkurtëra bëri edhe prezentimin e organizimit dhe të aktivitetit të nëndegëve organizatore të këtij tubimi.

Duke i përshëndetur, në emër të kryesisë së degës së LDK-së në Zvicër, pjesëmarrësve të tubimit me një fjalë rasti iu drejtua z. Hysen Gërvalla, i cili në fjalën e tij të rastit, rëndësi të veçantë i kushtoi çështjes së unitetit dhe forcimit të kombit, e pastaj foli për rëndësinë e forcimit të organizimit të LDK-së në Zvicër dhe më gjërë, për Fondin për Demokraci dhe për çështje tjera të aktualitetit dhe të organizimit.

Për aspekte sociale dhe ekonomike si dhe për çështje të tjera të foli Fatmir Rexhepi, ndërkaq tubimin, në emër të eprorëve ushtarakë shqiptarë në perëndim, e përshëndeti kolonel Tahir Zemaj.

Z.Edita Tahiri theksoi se "ju shpreh mirënjohjen time për kënaqësinë që pata për këto disa orë pune në takimin me ju dhe të ju përsëris porosinë e z. Gërvalla që të forconi kombin, duke ia bashkangjitur edhe mesazhin tim - forcojeni unitetin!"

Zonja Tahiri tha se është shumë me rëndësi që kombi të ecë përpara, gjithnjë duke i dhënë përparësi cilësisë. "Këtë ju e dini dhe këtë e keni dëshmuar në këtë dhjetëvjeçar dhe besoj se do t'a dëshmoni edhe më tutje, prandaj të jeni të palodhshëm në realizimin e aspirata tona kombëtare, përfundoi mesazhin e vet për bashkatdhetarët", tha ajo.

Zonja Tahiri pastaj foli për ngjarjet në Kosovë, si dhe në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Maqedoni. Duke folur për ngjarjet në Maqedoni ajo tha se se LDK-ja lidhur me çështjen e shqiptarëve atje mendon se këto probleme janë pasojë e qasjes joadekuate nga ana e qeverisë së Shkupit për t'i zgjidhur me efikasitet dhe në mënyrë të drejtë ato, duke prolonguar e mohuar njohjen e statusit shtetformues të shqiptarëve atje dhe, madje, duke mos gjetur as forcën minimale të demokracisë për ta zyrtarizuar Universitetin e Tetovës. LDK-ja, tha ajo, mbështet kërkesat legjitime të shqiptarëve atje dhe kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjnë presion mbi qeverinë maqedonase për fillimin e bisedimeve midis faktorit politiko-ushtarak shqiptar dhe autoriteteve maqedone për t'i realizuar kërkesat e shqiptarëve.

Në këtë tubim mori pjesë edhe bashkëshortja e dëshmorit të kombit Agim Ramadanit, z. Shukrije Ramadani, e cila në fjalën e vet përshëndetëse të pranishmëve ua përcolli edhe përshëndetjet e babait të komandantit të patrembur deri në vetëflijim në të mirë të bashkimit dhe të lirisë.

Tubimin e përshëndetën edhe vëllai i Xhemail Mustafës, Flamuri si dhe pjesëmarrës dhe veprimtarë tjerë të shquar, njofton Shërbimi për informim i degës së LDK-së në Zvicër.

 

Udhëheqësit e Këshillit Koordinues të Shqiptarëve në Ilinois biseduan me kongrasistin Henry Hide

Çikago, 2 prill - Një grup aktivistësh shqiptarë të udhëhequr nga Hidai Bregu, kryetar i Këshillit Koordinues të Shqiptarëve në Ilinois dhe Iljaz Kadriu, kryetar i degës së LDK në Çikago dhe nënkryetar i të njëjtit këshill, patën një takim me kongresistin e shtetit Ilinois, z.Henry Hide (Henri Hajd), i cili njëherit është edhe kryetar i grupit për marrëdhënie ndërkombëtare në Kongresin amerikan.

Z.Bregu foli lidhur me zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi në Ballkan, me theks të vepçantë për atë shqiptare në Maqedoni.

Pastaj z.Ilas Kadriu, pasi falënderoi administratën amerikane, e cila historikisht e ka ndihmuar popullin shqiptar, kërkoi nga kongresisti Hide dhe nga sektori për punë të jashtme të cilin e udhëheq ai në Kongres, të përkrahëpavarësinë e Kosovës me qëllim të stabilizimit të rajonit. Amerika, theksoi z.Kadriu, është duke përkrahur zgjedhjet e ardhshme ne Kosove dhe në Shqiperi, dhe ai kërkoi që administrata amerikane të bëjë ç'është e mundur që këto zgjedhje të kryhen më kohe.

Pastaj z.Iljas Kadriu e informoi kongresistin Hide lidhur me situatën e shqiptarëve në Maqedoni.

Kongresisti Hide, nga ana e tij u falenderua për informim të saktë dhe u zotua se do të përdorë influencen e tij personale në sektorin e tij dhe në Kongres dhe do të bëjë ç'eshtë e mundur që kërkesat e shqiptarëve të kenë përkrahjen e plotë amerikane.

 

Persona të panjuhur kanë vjedhur kasafortën me një sasi të konsiderueshme të parave të Lotarisë

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Siç bëjnë të ditur burimet e policisë së UNMIK-ut në një njoftim të sotëm, dje në Prishtinë, rreth orës 05.00, persona të panjohur kanë thyer zyret e ndërtesës së lotarisë dhe kanë vjedhur kasafortën, në të cilën, sipas deklaratës së drejtorit të Kompanisë së Lotarisë, ka qenë një sasi e konsiderueshme e parave. Rrethanat e kësaj vjedhjeje gjenden nën hetime.

 

U paraburgosën dy shqiptarë për shpërndarje të lëndëve narkotike

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Dje, rreth orës 09.26, është arrestuar në Gjilan një shqiptar, ngase ka marrë pjesë në shpërndarjen e heroinës, njoftojnë burimet e policisë së UNMIK-ut.

I njëjti burim bën të ditur se po dje, rreth orës 13.00, edhe në Ferizaj është arrestuar një shqiptar, pasi në banesën e tij është gjetur një sasi e vogël e një substance, që besohet të jetë heroinë.

 

Arrestohen tetë moldaviane dhe shoqëruesi i tyre shqiptar për kalim ilegal të kufirit dhe posedim të hashashit

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Dje rreth orës 12.15, policia e UNMIK-ut ka arrestuar tetë femra nga Moldavia për kalim ilegal të kufirit si dhe një shqiptar, i cili i shoqëronte ato, pasi gjatë bastisjejs së tij iu gjet një substancë, që besohet të jetë hashash, njoftojnë burimet e policisë së UNMIK-ut. Në këtë njoftim nuk jipen hollësi për identitetin e të arrestuarëve, por theksohet se rrethanat e këtij rasti gjenden nën hetime.

 

Plaçkitësit e maskuar ia prenë me thikë buzën një femre shqiptare pse s'pati t'u japë para

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Dje në Rahovec, rreth orës 21.00, dy persona të maskuar dhe të armatosur me thika kanë hyrë me dhunë në shtëpinë e dy femrave shqiptare dhe kanë kërkuar para, njoftojnë burimet e policisë së UNMIK-ut. Pasi viktimat kanë thënë se s'kanë para, vazhdon njoftimi, njëri nga plaçkitësit e ka sulmuar njërën nga femrat dhe ia ka prerë me thikë buzën, me ç'rast i ka shkaktuar lëndime të lehta fizike. Rrethanat e këtij incidenti gjenden nën hetime, përfundon ky njoftim policor.

 

Dje janë zënë trembëdhjetë kamionë që kanë hyrë në Kosovë pa doganim

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Dje në Suharekë, rreth orës 10.00, autoritetet dogniere kanë zënë dymbëdhjetë kamionë të ngarkuar, që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia pa e paguar doganën, njoftojnë burimet e policisë së UNMIK-ut.

I njëjti burim bën të ditur se po dje në Pejë, rreth orës 08,15, është paraburgosur një shqiptar, ngase iu ka shmangur me kamion vendkontrollimit të doganimit.

 

Zihet në flagrancë një nga tre plaçkitësit e një shtëpie në fshatin Hereq të Gjakovës

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Dje në fshatin Hereq të Gjakovës, rreth orës 22.00, tre persona të panjohur janë përpjekur të hyjnë me dhunë në një shtëpi shqiptare, me ç'rast njëri nga sulmuesit është zënë nga familja e viktimës dhe pastaj atë ia kanë dorëzuar policisë së UNMIK-ut. Rrethanat e këtij rasti gjenden nën hetime, njoftojnë burimet e policisë së UNMIK-ut.

 

Një serb në pjesën veriore të Mitrovicës ka vrarë një dhe ka plagosur dy serbë të tjerë

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Dje në pjesën veriore të Mitrovicës, rreth orës 21, gjatë një grindjeje, një serb i njohur ka shtënë me armë zjarri në tre serbë, duke vrarë kështu një dhe plagosur dy serbë të tjerë. Vrasësi pastaj ka ikur nga vendi i ngjarjes, dhe ende nuk është arrestuar, njoftojnë burimet e policisë së UNMIK-ut në një njoftim të sotëm. Në vazhdim të këtij njoftimi thuhet se të plagosurit janë dërguar në spital për shërim. Informacione më të hollësishme për këtë incident nuk janë dhënë. Rrethanat e këtij incidenti gjenden nën hetime, përfundon ky njoftim policor.

 

Serbët e tërbuar sulmuan ushtarët e KFOR-it në Zveçan

Prishtinë, 2 prill (QIK) - Mbrëmë në Zveçan ndodhi një incident dhe me atë rast një grup i serbëve sulmoinjë ushtar danez i cili deshi të fotogtrafojë një tollovi në trafik. Serbët e tërbuar me gurë dhe shkopinj u vërsulën kundër këtij ushtari dhe shokëve të tij. Menjeherë arrijnë pjesëtarë të tjerë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare, por edhe ata sulmohen nga serbët e tërbuar të cilët ia thejnë aparatin fotografik ushtarit danez.