Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.2997

Prishtinë, 7 gusht 2001

 

Policia maqedonase vrau sot mizorisht pesë shqiptarë në Shkup

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Sot në orët e hershme të mëngjesit forcat policore maqedonase hynë në lagjen Gazibabë të Shkupit dhe vranë mizorisht pesë shqiptarë, për të cilët ministri i brendshëm maqedonas Boshkovski tha se ishin pjesëtarë të UÇK-së. Sipas ministrit maqedonas njëri prej tyre është komandant Teli.

Kryetari i PPD- degës në Qendër në Shkup, Reshat Kamberi, i deklaroi "Dojçe veles" se viktimat duket se ishin vrarë në gjumë. Ka eshtra të thyer dhe tru të shpërndarë në dy dhoma. Ai kishte vizituar dhomat ku ishin vrarë të pesë shqiptarët, por nuk ka mundur të bisedojë me dëshmitarët eventualë meqë shumë prej tyre janë marrë në arrest sepse kanë banuar afër ngjarjes.

Ai tha se forcat e mëdha policore kanë keqtrajtuar shqiptarët aty afër.

Vrasja e pesë shqiptarëve ka shkaktuar revoltë e indinjatë të thellë në mesin e shqiptarëve të Shkupit.

 

Sot në Ohër vazhduan bisedimet midis partive maqedonase e shqiptare

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Sot në Ohër vazhduan bisedimet midis partive maqedonase e shqiptare dhe ekspertëve që po zhvillohen nën udhëheqjen e presidentit maqedonas Trajkovski. Bisedimet dje pasdite ishin ndërprerë për shkak të takimit të kreut shtetëror maqedonas edhe atij ushtarak në Ohër.

Blloku maqedonas ka bërë kërkesa të reja. Kërkohen garancione se kryengritësit do të fillojnë të çarmatosen menjeherë pas arritjes së marrëveshjes për pakon e reformave të shtetit, përkatësisht ata nuk duan të presin që kjo pako e reformave të jetë e votuar edhe në parlament, procedurë kjo e cila do të zgjaste 45 ditë.

 

Përkundër vështirësive, ekziston mundësia që të mërkurën apo të enjtën në Shkup mund të nënshkruhet marrëveshja kornizë

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Bisedimet paqësore shqiptaro-maqedonase në Ohër hasën dje në një zbrapsje pasi negociatorët maqedonas papritur shtruan kërkesa të reja kur ujdia finale dukej aq pranë. Agjencia Asoishted Press njofton se VMRO, partia politike e kryeministrit Georgievski ka kërkuar që kryengritësit shqiprtarë së pari të çarmatosen para se parlamenti të ratifikojë çfarëdo marrëveshje paqësore.

Diplomatët perëndimorë të afërt me bisedimet thonë se kushti që shtron Gegorgievski është e pamundur të plotësohet. Ata akuzojnë maqedonasit se nuk po tregojnë vullnet të mirë në bisedime, kurse disa prej tyre druajnë se kryeministri Georgievski orvatet të shembë tërë procesin paqësor.

Ndërkaq ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë shprehur mirëkuptim për qëndrimin maqedonas, por kanë mbrojtur propozimin e tyre se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit dhe çarmatosja do të zbatohen paralelisht, ashtu siç ishte paraparë. Ata shtuan se garancione shtesë mund të kërkohen vetëm nga NATO.

Pjesëmarrësit e bisedimeve në Ohër theksojnë se sa i takon çështjeve të tjera të cilat kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, ekziston një shkallë e lartë e afrimit të qëndrimeve. Sipas disa vlerësimeve ekziston mundësia që të mërkurën, përkatësisht të enjtën në Shkup mund të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes kornizë.

Ndërkaq kryengritësit shqiptarë thonë se ata do të pranojnë të çarmatosen gradualisht vetëm pasi parlamenti të ratifikojë marrëveshjen kornizë. Ata kërkojnë edhe amnisti të plotë, kusht që NATO-ja ende nuk e ka adresuar në bisedime.

Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Havier Solana tha më herët se ai nuk priste që çarmatosja dhe amnistia të nxirrte nga binarët procesin paqësor.

 

Sot nuk u mbajt mbledhja e rregullt e KPA-së

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Sot nuk u mbajt mbledhja e rregullt e Këshilit të Përkohshëm Administrativë të Kosovës, meqenëse shefi i UNMIK-ut Hans Hekerup nuk ndodhej në Prishtinë, ndërkohë që nesër nuk do të takohet as KTK për shkak të pushimeve verore.

 

Y.Ymeri: VMRO gjithnjë përpiqet të jetë më afër luftës sesa paqes

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - "Gjithsesi mendoj se jemi më afër arritjes së një marrëveshjeje sesa në vazhdimin e luftës, por kjo varet edhe nga vullneti politik i VMRO-së, e cila gjithnjë përpiqet të jetë më afër luftës sesa paqes. Por ne jemi optimistë dhe mendojmë se kjo punë do të përfundojë", deklaroi lideri i PPD-së Ymer Ymeri për radion "Dojçe vele" në gjuhën boshnjake.

Zoti Ymeri ka shtuar se ende ka pika kontestuese posaçërisht rreth universitetit në gjuhën shqipe, rreth shfrytëzimit të simboleve kombëtare dhe rreth disa çështjeve më të vogla për të cilat ai mendon se do të bihet dakord.

Lideri i PPD-së është decidiv se shqiptarët patjetër duhet të kenë universitetin në gjuhën e vet amëtare.

 

Leotar thotë se shpejti do të arrihet një marrëveshje përfundimtare

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në Maqedoni Fransua Leotar tha se shpërthimi i konfliktit dhe i luftës, sikur ato në Bosnjë e Kosovë, ende janë të mundshme në Maqedoni. Leotar deklari për gazetën "Parizien" se rreziku nga përshkallëzimi i konfliktit ekziston, sepse çdo palë bisedidimeve i qaset me vështirësi të mëdha.

Ndërkaq në një intervistë dhënë "Dojçe veles" Leotar tha se së shpejti "do të arrijmë një marrëveshje dhe kjo ka për të ndodhur nesër, pasnesër, pas tri ose katër ditëve. Por e di që tani jemi shumë afër fundit të bisedimeve".

 

NATO është e gatshme të vednosë në Maqedoni mbi 3500 trupa në misionin e grumbullimit të armëve nga luftëtarët për 48 orë

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - NATO është e gatshme të vendosë në Maqedoni mbi 3500 trupa në misionin e grumbullimit dhe eliminimit të armëve nga kryengritësit për 48 orë pasi të arrihet marrëveshja e paqes dhe kryengritësit shqiptarë të pajtohen vullnetarisht të çarmatosen, citohet të ketë thënë zëdhënësi i NATO-s Beri Xhonson. Duke hapur Zyrën e NATO-s për mediat në Shkup zëdhënësi për Maqedoninë Xhonson ka theksuar se kushtet për dislokimin e trupave janë nënshkrimi i marrëveshjes paqësore, një armëpushim i pakushtëzuar dhe i qëndrueshëm dhe një marrëveshje me luftëtarët që t'i dorëzojnë NATO-s armatimin e tyre.

Që procesi paqësor të veprojë çështja e amnistisë për kryengritësit duhet të adresohet nga qeveria e Maqedonisë, ka thënë zëdhënësi i NATO-s. Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Britania, Italia, Spanja, Turqia, Hungaria, Greqia, Holanda, Norvegjia dhe Republika Çeke kanë planifikuar të marrin pjesë në misionin e Aleancës.

 

ShBA-të vlerësojnë se marrëveshja e arritur në Maqedoni për baraspeshën etnike të forcës policore është një hap i dalluar

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se marrëveshja e arritur në Maqedoni për baraspeshën etnike të forcës policore është një hap i dalluar përpara dhe Uashingtoni shpreson për një marrëveshje të shpejtë lidhura me të gjitha çështjet kontestuese ka thënë Stejtdepartamenti amerikan. Më parë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se presidenti Bush është fort i kënaqur me progresin e arritur në bisedimet shqiptaro-maqedonase për paqe dhe nga Teksasi ku gjendet në pushime ka diskutuar për zhvillimet në Maqedoni me këshilltaren për siguri kombëtare Kondoliza Rajs. Presidenti është shumë i kënaqur me progresin që duket se është bërë dhe shpreson se do të arrihet një zgjidhje e suksesshme, ka theksuar zëdhënësi.

 

Bllokimi i bisedimeve shqiptaro-maqedonase ka ndodhur për shkak të mbledhjes së kreut shtetëror e ushtarak të Maqedonisë

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Disa burime në Ohër thonë se bllokimi i bisedimeve shqiptaro-maqedonase ka ndodhur për shkak të takimit të kreut shtetëror e ushtarak të Maqedonisë. Ka informacione se ekziston një hendek dhe konfrontim serioz midis presidentit të shtetit Boris Trajkovski dhe ministrit të Mbrojtjes Vllado Buçkovski, i cili nuk e ka respektuar urdhërin e Trajkovskit për sigurimin e rrugës Tetovë-Jazhincë nga ana e organeve ushtarako-policore maqedonase. Kjo është edhe çështja esenciale për të cilën është mbledhur dhe ka debatuar mbrëmë vonë kreu shtetëror dhe ushtarak në Ohër.

Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se gjenerali i Shtabit të përgjithshëm i armatës maqedonase Pande Petrovski nuk ka marrë kurrfarë urdhëri nga ana e komandantit suprem të forcave të armatosuara Boris Trajkovski për mbrojtjen e Tetovës dhe pastrimin e rrugës Tetovë-Jazhincë dhe se kjo rrugë është e çmilitarizuar. Ndërkaq nga kabineti i presidentit të shtetit thonë se urdhëri për Shtabin e përgjithshëm të armatës maqedonase është dhënë me shkrim dhe atë e ka marrë ai.

 

Analisti Majkëll Tejlor thotë se shqiptarët aktualisht janë tërhequr nga shumë kërkesa të tyre fillestare

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Korrespondenti i "Evropës së lirë" nga Shkupi, duke analizuar arritjet e deritashme në bisedimet e liderëve politikë shqiptarë dhe të atyre sllavomaqedonas në Ohër thotë se me planin e ndërmjetësuar nga Havier Solana shqiptarëve u premtohej rritja e shkallës së përfaqësimit në përbërjen e policisë në këtë vend. Duket se tash për tash ata nuk patën sukses në kërkesat e tyre që shefat e policisë t'u përgjigjen liderëve politikë lokalë e jo autoriteteve qendrore në Shkup.

Ndërkaq analisti Majkëll Tejlor thotë se shqiptarët aktualisht janë tërhequr nga shumë kërkesa të tyre fillestare. Ata patën kërkuar postin e zëvendëspresidentit dhe të drejtën e vetos për të penguar miratimin e ligjeve për të cilët shqiptarët konsiderojnë se nuk janë në interesin e tyre. "Tash kemi të bëjmë me dy kërkesa madhore të shqiptarëve nga të cilat ata realisht nuk mund të tërhiqen. Më duket se jemi afër arritjes së marrëveshjes", thotë analisti Tejlor.

Lidhur me çështjen se marrëveshja eventuale paqësore duhet të miratohet edhe nga Kuvendi i Maqedonisë analisti Tejllor thotë se ekziston mundësia që ithtarët e linjës së fortë nga pala maqedonase nuk do të pajtohen me marrëveshjen, veçanërisht ky është një kërcënim që vjen nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Stojan Andov. Nëse bashkmendimtarët e tij nuk parapëlqejnë marrëveshjen që do të arrihej, atëherë parlamenti nuk do ta ratifikonte atë. Ende ekziston mundësia që ithtarët e linjës së fortë politike nga secila palë mund ta dëmtojnë marrëveshjen që do të mund të arrihej, tha analisti Majkell Tejlor.

 

Vështrim i "Dojçe veles": Në përpjekje për planin e paqes për Maqedoninë sukseset janë të pjesëshme

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Marrëveshja e Ohrit për reformën e policisë megjithë rëndësinë e saj nuk mund të konsiderohet si vendimtare për zgjidhjen e krizës në Maqedoni, mendon Kasten Hofman i cili u transmetua mbrëmë në "Dojçe vele". Në përpjekje për planin e paqes për Maqedoninë sukseset janë të pjesëshme. Për asgjë nuk është rë në dakord për aq kohë sa nuk është pranuar e gjithë pakoja e zgjidhjes së çështjeve të kontestueshme është shprehur një diplomat perëndimor në Shkup. Në këtë mënyrë ka mjaft pikëpyetje lidhur me marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e kreut të diplomacisë evropiane Havier Solana për reformën e policisë. Vetëm përfundimi i bisedimeve do të tregojë nëse kompromiset e veçanta do të çojnë në fundin e konfliktit të përgjakshëm. Arsyeja ka të bëjë me faktin se kryengritësit shqiptarë të UÇK-së nuk marrin pjesë në tryezën e bisedimeve.

Kompromisi për strukturën e ardhshme të policisë për të cilin politikanëve shqiptarë iu desht të tërhiqen ndaj kërkesave të mëparashme, presupozon zgjidhjen e një prej çështjeve kryesore të mosmarrëveshjeve.

 

Në Kosovën Lindore ka filluar procesi për krijimin e policisë multietnike

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Në Kosovën Lindore ka filluar procesi për krijimin e policisë multietnike. Në akademinë për përgatitjen e kësaj policie do të kualifikohen 100 forca të reja, prej tyre 65 shqiptarë dhe 35 serbë të cilët pas trajnimit 12 javor do atë të fillojnë punën në terren. Brenda një viti në këtë akademi policore do të përgatiten 400 policë nga të cilët 230 janë shqiptarë ndërsa të tjerët u takojnë përkatësive të tjera etnike.

 

Përgënjeshtrohet çdo lidhje me Armatën Kombëtare Shqiptare, e cila mori përgjegjësinë për vrasjen e dy policëve serbë në Muhoc

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Ish-udhëheqësit e UÇPMB-së përgënjeshtruan dje çdo lidhje me organizatën e quajtur Armata Kombëtare Shqiptare e cila mori përsipër përgjegjësinë për vrasjen e dy policëve serbë dhe plagosjen e dy të tjerëve ditë më parë në Luginën e Preshevës. Edhe subjektet politike shqiptare të cilat veprojnë në këtë rajon thonë se nuk janë në dijeni në lidhje me ekzistencën e një organizate të tillë.

Kështu ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc Shefqet Musliu me një deklaratë mohon çdo lidhje të ish-pjesëtarëve të saj në këtë organizatë dhe njëkohësisht thekson se nuk është në dijeni për formimin e një organizate të tillë.

IOM konstaton se trafikimi i qenieve njerëzore në Kosovë po merr përmasa gati dramatike

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Organizata Ndërkombëtare për Migrim -IOM, ka njoftuar se rreth 200 femra nga pjesë të ndryshme të Evropës kanë kaluar nëpër programin e ndihmës së kësaj organizate për shkak të përfshirjes së tyre në rrjetin e prostitucionit në Kosovë vetëm gjatë pesë muajve të fundit. Zyrtaret e kësaj organizate (IOM) u shprehën të shqetësuar për shkak se siç thanë trafikimi i qenieve njerëzore në Kosovë po merrë përmasa gati dramatike. Ata i bënë këto komente duke shpallur një fushatë me moton: "Populli i Kosovës është popull i Evropës" që ka për qëllim siç thuhet për të ndihmuar ndërprerjen e kësaj dukurie.

Shumica e femrave të intervistuara nga kjo organizatë flasin për trajtime çnjerëzore nga ana e trafikantëve të tyre.

 

Ish-presiednti amerikan Klinton i ka shitur memoaret e tij për më shumë se 10 milionë dollarë

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Ish-presiednti amerikan Bill Klinton u pajtua dje që t'i shesë të drejtat botërore për botimin e memoareve të tij shtëpisë botues Alfred A.Knopf për një paradhënie për më shumë se 10 milionë dollarë, shumë që besohet të jetë më e madhja e paguar ndonjëherë për një libër që nuk është letrar.

Papa Gjon Pali II më 1994 ka marrë 8.8 milionë për një libër, ndërsa bashkëshortja e Klintonit, senatorja Hilari Klinton, ka marrë 8 milionë dollarë së voni për memoaret e saj, që planifikohen të botohen më 2003.

 

Plagosen dy serbë

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Dy serbë nga Gushterica e Poshtme afër Lipjanit janë plagosur sot rreth orës 6.3O ndërsa po udhëtonin në një konvoj në rrugën Podujevë-Prishtinë. Ndaj kolonës së makinave është hapur zjarr nga armët automatike afër vendit Livadhi të Poujevës afër kufirit me Serbinë. Dy serbët e plagosur janë jashtë rreztikut për jetë, kurse 14 udhëtarët e tjerë kanë mbetur të palënduar, njoftojnë burimet serbe.

Konvoji i makinave qarkullonte pa përcjelljen e KFOR-it në relacionin Merdar-Lipjan.

 

Me urdhër të Hekerupit sot u mbyll e ashtuquajtura zyrë jugosllave për ndërlidhje në Graçanicë

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Me urdhër të shefit të UNMIK-ut Hans Hekerup sot herët në mëngjes u mbyll e ashtuquajtura zyrë jugosllave për ndërlidhje në Graçanicë. Kjo zyrë u hap të shtunën e kaluar dhe atë e udhëhiqte nënkryetari i qeverisë serbe Nebojsha Çoviq.

Njësitë speciale të forcave ndërkombëtare hynë dhe mbyllën këtë zyrë pa hasur në rezistencë nga serbët lokalë.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë thanë sot se kjo zyrë është bërë në mënyrë ilegale, sepse zyrtarët serbë nuk janë konsultuar paraprakisht me krerët e UNMIK-ut.

 

Një zjarr fushor përpak e ka gëlltitur kampin e kontigjentit irlandez të KFOR-it në afërsi të fshatit Dobratin

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Gjatë një operacioni rutinor të kërkimit të armëve në rajonin e Zupcit, një patrullë e BSH të Veriut ka zbuluar një AK-47, një pushkë gjahu të tipit Zastava, 108 fishekë të kalibrit 7.92 dhe 840 sish të kalibrit 7.62, 70 sish të kalibrit 9.mm, tri uniforma të UJ-së dhe pajime të tjera të ndryshme, njoftohet në fillim të raportit të sotëm ditor të KFOR-it. Ndërkaq, në vazhdim të tij bëhet e ditur se gjatë këtij operacioni është parë një person duke vrapuar me një pushkë AK-47. Një ushtar i KFOR-it e ka ndjekur atë derisa e ka zënë dhe pastaj ia ka dorëzuar policisë së UNMIK-ut në Zubin Potok së bashku me armën e tij. Po në këtë zonë, thuhet mëtej në raport, është gjetur një granatë, të cilën e ka shkatërruar në vend ekipi i çminimit të KFOR-it.

Nga rajoni i BSH të Qendrës njoftohet se një zjarr fushor përpak e ka gëlltitur Kampin Klark të kontigjentit irlandez të KFOR-it në afërsi të Dobratinit, por shërbimet emergjente shpejt kanë reaguar dhe e kanë shuar zjarrin. Me këtë rast, megjithatë është djegur krejtësisht një kamion ushtark, por ka mund të jetë me pasoja më të rënda për jetën e ushtarëve të këtij kampi.

Po kështu, nga rajoni i kësaj brigade të KFOR-it bëhet e ditur se dje pasdite keqbërës serbë kanë gjuajtur me gurë veturën e një shqiptari duke kaluar nëpër fshatin Llaplesellë. Pasi për këtë arsye janë arrestuar dy serbë, një turmë serbësh kanë kërcënuar patrullën e KFOR-it, kështuqë ajo është detyruar të përdorë të shtëna parlajmëruese në ajër. Në këtë mënyrë situata është qetësuar, por rrugët në këtë zonë kanë mbetur të mbylluara përkohësisht.

Nga rajoni i BSH të Lindjes njoftohet se një patrullë e kësaj brigde të KFOr-it ka ndaluar katër persona dje në mbrëmje në afërsi të fshatit Qelik, ngase në veturën e tyre janë zbuluar një beretë, një kamerë, letër dhe letërnjoftime të UÇK-së. Të arrestuarit janë dërguar në kampin e Zhegrës dhe pasi janë marrë në pyetje janë dërguar në kampin Bondstil. Po kështu, nga ky rajon njoftohet se një patrullë e kësaj brigde është ftuar të hetojë shtatë automjete të dyshimta që lëviznin në këtë zonë dhe ndonëse nuk janë zënë, patrulla gjatë kontrollimit të terrenit ka zbuluar pajisje të UÇK-së, ndër të cilat një palë çizme ushtarake, një revole ajrore të kalibrit 22 mm. Ndërkaq, në pikën e kontrollit të kësaj brigade të KFOR-it është paraburgosur një person, të cilit i janë zënë dy telefona celularë me emblemë dhe flamur të UÇK-së dhe është dërguar në kampin Bondstil për t'u marrë në pyetje.

Nga rajoni i BSH të Jugut njoftohet se një patrullë e kësaj brigade ka zënë katër persona, të cilët janë përpjekur të kalojnë kufirin ilegalisht nga IRJM në Shqipëri dhe pas marrjes në pyetje iu kanë dorëzuar policisë ushtarke. Ndërkaq, një person tjetër, që është përpjekur të hyjë në Kosovë nga Shqipëria është kthyer sërish pas të shtënave paraljmëruese të kësaj patrulle të KFOR-it. Po kështu, janë arrestuar edhe dy persona të cilët janë përpjekur të kalojnë kufirin ileglisht nga Kosova në IRJM, mirëpo shumë sish janë penguar të kalojnë andej me të shtëna paralajmëruese të ushtarëve të KFOR-it.

Në fund të raportit jipen informacionet nga rajoni i BSH të Perendimit, me ç'rast njoftohet se një patrullë e kësaj brigade gjatë një operacioni rutinor të kontrollimit për armë në fshatin Orizare ka zbuluar një pushkë AK-47, një karikator dhe 45 fishekë, por nuk është arrestuar askush për këtë armatim.

 

Persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri dhe e kanë goditur kamionin e një shoferi serb

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Burimet e policisë së UNMIK-ut bëjnë të ditur se persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri dje rreth orës 05.00 nga një veturë në një kamion të një shoferi serb, me ç'rast një plumb ka goditur derën e kamionit, por shoferi s'ka pësuar lëndime fizike. Rrethanat e këtij incidenti gjenden nën hetime.

 

Arrestohet pronari i kafeterisë "Miami Beach Club" për prostitucion

Prishtinë, 7 gusht (QIK) - Burimet e KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut bëjnë të ditur në njoftime të veçanta se dje rreth orës 16.30, në një operacion të përbashkët kanë bastisur klubin e natës "Miami Beach Club" në Prishtinë, me ç'rast është arrestuar pronari dhe menaxheri i këtij lokali të natës, ngase siç thonë këto burime është marrë me prostitucion. Gjatë kontrollimit, atij i janë zënë dy revole dhe një sasi parash. Me këtë rast janë paraburgosur edhe 10 femra të këtij lokali për t'u marrë në pyetje.