QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 9 maj 1998, 15:30 CET
Informatori ditor nr. 2053-C
Përmbajtja
 
  Shtëpi të fshatrave Llapushnik, Negroc e Arllat digjen flakë nga predhat


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Sot nga drejtimi i Komoranit në lagjen e Gjergjicës kanë shkuar forca të mëdha policore, njësi speciale dhe paramilitarë serbë. Nga ora O5 e mëngjesit vazhduan vazhdoi sulmi i forcave serbe dhe rezistenca e popullsisë shqiptare. Përleshjet janë shumë më të theksuara nga ora 8:00 dhe po vazhdojnë edhe tash. Nuk ka informacione rreth viktimave.

Prej orës 9 deri në 10 policia serbe përdori mbi Gjergjicë edhe helikopterin. Pjesëtarët e forcave kanë shtënë nga helikopteri kundër shqiptarëve në Negroc, Llapushnik e Arllat. Helikopteri fluturoi në këto zona edhe në orën 12,30.

Nga postblloku i Komoranit në drejtim të fshatrave përreth e sidomos në drejtim të Llapushnikut, shtihet me armatime të rënda mbi popullatën civile e të pambrojtur.

Mbi ndërtesën afër postës në Gllogoc, janë vendosur një numër i madh i snajperistëve. Në mëngjes kanë ardhur autobusë me policë serbë në qendër të Gllogocit.

Në orën 13:00 nga shtëpitë e fshatit Llapushnik del flakë e tym. Prej orës orës 13 ka granatime kundër fshatrave Llapushnik, Arllat e Gjergjicë. Shumë shtëpi po digjen flakë. Po shtihet me armë edhe nga helikopteri, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogoc.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  LDK i shkruan Grupit të Kontaktit


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Kryesia e Lidhjes demokratike të Kosovës iu drejtua sot me një letër Grupit të Kontaktit, i cili mblidhet në Londër për të shqzrtuar gjendjen dhe çështjen e Kosovës.

Operacionet policore dhe ushtarake të Serbisë në disa zona të Kosovës, si në atë të Malishevës, Klinës, Deçanit e Gjakovës, janë shkallëzuar sot në përmasa tepër të rrezikshme. Forcat militare serbe kanë ndërprerë plotësisht edhe komunikacionet në drejtim të Pejës e Gjakovës, në postblloqet në Komoran, Klinë dhe në postblloqet e tjera. Me këto masa të ndërmarra sot, më se gjysma e Kosovës është vu në shtetrrethim të plotë, thuhet në fillim të letrës.

Ndërprerja e plotë e komunikacioneve rrezikon të shkaktojë një katastrofë humanitare, sepse po pengohen edhe ekipet sanitare, si dhe dërgimi i personave të sëmurë në institucionet shëndetësore.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkon me urgjencë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Grupi i Kontaktit, i cili mblidhet sot në Londër, dhe nga faktorët e tjerë ndërkombëtarë, që të ndërmarrin gjithçka është e mundur, për të ndërprerë agresionin serb kundër Kosovës dhe për të hequr shtetrrethimin e hekurt, që mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës artikulon edhe kësaj radhe përcaktimin e saj të vendosur për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës, për dialogun si rrugën më të mirë për evitimin e konfliktit tragjik dhe për zgjidhjen e statusit të Kosovës, thuhet në letër.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  PPD apelon te Grupi i Kontaktit për dërgimin e forcave të NATO-s në Kosovë


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Grupi parlamentar i PPD-së dhe ministrat e kësaj partie në qeverinë e Maqedonisë, dje i kanë dërguar një Apel Grupit të Kontaktit për ish-Jugosllavi lidhur me gjendjen në Kosovë.

Eskalimi dramatik i situatës në Kosovë, paralajmërimet për vazhdimin e aksionit ushtarak serb në Kosovë dhe situata e tendosur në kufirin shqiptaro-kosovar mes ushtrisë jugosllave dhe asaj shqiptare, paraqesin kërcënim serioz të stabilitetit për regjionin e Ballkanit, por edhe për këtë pjesë të Evropës, konstatohet në fillim të këtij apeli.

PPD-ja vlerëson se situata e këtillë dhe mungesa e aksioneve konkrete efektive të komunitetit ndërkombëtar dhe tolerimi i luftës së pashpallur të regjimit serb ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë mund të shkaktojë luftë të përgjithshme me përmasa dramatike.

Duke i përcjellë me vemendje të posaçme aktivitetet e komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti të Grupit të Kontaktit, PPD-ja i bën apel Grupit të Kontaktit dhe i propozon të ndërmarrë: aktivitete adekuate për ndërprerjen urgjente të dhunës në Kosovë; të vendosë sanksione më rigoroze ndaj Serbisë; të dërgojë forcat e NATO-s në Kosovë në një aksion preventiv, për parandalimin e luftës së përgjithshme në rajon; të shpallet zona e ndaluar e fluturimeve të aviacionit ushtarak dhe helikopterëve të policisë serbe në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në Kosovë; të ndërmarrë aktivitete drejt çmilitarizimit të Kosovës, si parakusht për zhvillimin e negociatave të suksesshme; të konvokojë një konferencë ndërkombëtare që do ta garantonte implementimin e marrëveshjes së arritur; të intensifikohen aktivitetet e Gjyqit të Hagës për identifikimin dhe dënimin e përgjegjësve për krimet ndaj popullatës civile n Kosovë, duke e apostrofuar Millosheviqin dhe regjimin e tij si përgjegjës direkt për ngjarjet në Kosove, thuhet mes tjerash në këtë Apel të Partisë për Prosperitet Demokratik, dërguar më 8 maj Grupit të Kontaktit në Londër.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Sanksionet ekonomike ndaj Serbisë të Grupit të Kontaktit do t'i t'i zbatojë edhe Japonia


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Sekretari i jashtëm britanik Robin Kuk tha se Grupi i Kontaktit ka vendosur të ndalojë investimet në Serbi, pasi presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq nuk pranojë të fillojë dialogun me udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Sanksionet duhet të hyjnë në fuqi sot, nëse presidenti jugosllav nuk e përkrah kërkesën e Grupit të Kontaktit

për ndërmjetësimin ndërkombëtar për Kosovën.

Të gjashtë ministrat e jashtëm të Grypit të Kontaktit, përveç Rusisë, ishin unanim për zbatimin e sanksioneve për ndalimin e investimeve të huaja në Serbi, apo edhe për masën e mëparshme për bllokimin e pasurive të Jugosllavisë në bankat huaja.

Sanksionet do të zbatohen edhe nga Japonia, ndonëse ajo nuk është anëtare e Grupit të Kontaktit. Ndalimi i investimeve të huaja vlen vetëm për Serbinë dhe nuk do të prekë Malin e Zi, thuhej në një njoftim të transmetuar sot në "Zërin e Amerikës"

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  U bë varrimi i dy pleqve në Balincë


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Sot në Balincë u bë varrimi i Mahmut dhe Nazif Kelmendit, të cilët u vranë dje nga forcat serbe gjatë një sulmi kundër fshatit Balincë..

Në varrim morën pjesë 5000 qytetarë nga fshatrat e Malishevës.

Varrimin e përcoli policia serebe nga një helikopter që fluturonte mbi rajonin dhe përmes patrullave që lëviznin vazhdimisht afër varrezave.

Situata në komunën e Malishevës pas mesditës duket më e qetë pas sulmeve të forcave pushtuese dje dhe kërcënimeve të tyre sot në mëngjes.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  I vrari që gjendet në morgun e spitalit, është Ramë Ali Neziri (88) nga Ponosheci


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë njofton se

në morgun e spitalit të Gjakovës ndodhet trupi i pajetë i Ramë Ali Nezirit (88) nga fshati Ponoshec.

Trupi i tij është sjellë në spital mbrëmë nga policia serbe.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Në Lëbushë të Deçanit u varros me nderime Haki Dinë Kamberaj


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Sot, në varrezat e fshatit Lëbushë të Deçanit me nderime të mëdha dhe në prani të rreth dy mijë qytetarëve u varros me nderime Haki Dinë Kamberaj, i cili u vra dje nga policia serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Deçan.

Në ceremoninë e varrimit fjalën e përmortshme e mbajti Ymer Zeqiraj, kryetar i Nëndegës së LDK-së në fshatin Lëbushë, i cili ndër të tjera theksoi se "jemi tubuar këtu për t'i dhënë lamtumirën e fundit, birit tonë të dashur dhe luftëtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e këtyre trojeve".

Mbi varrin e dëshmorit të njëzetë me radhë në komunën e Deçanit, u vunë kurora lulesh.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Këshilli Organizativ e vlerëson shumë të suksesshme protestën e sotme


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Protestat gjithëpopullore, të tridhjetat me radhë, që u mbajtën sot në Prishtinë, në Prizren, në Mitrovicë, në Vushtrri, Suharekë, Kaçanik, Shtime, Kamenicë, dhe në disa qytete të tjera të Kosovës, që janë jashtë shtetrrethimit të egër ushrtarak- policor serb, u karakterizuan nga një masivitet i jashtëzakonshëm, thuhet në fillim të kumtesës së

Këshillit Republikan për Organizimin e Protestave.

Në Prishtinë pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht e madhe, me mbi 100.000 pjesëmarrës dhe mund të thuhet se ishte njëra nga protestat më të fuqishme që është mbajtur ndonjëherë në kryeqytetin e Kosovës.

Protestat e sotme gjithëpoullore, që u mbajtën në një ditë të vështirë, kur ka eskaluar agresioni ushtarak-policor serb kundër disa zonave të Kosovës, përcollën fuqishëm mesazhin tonë në adresë të Grupit të Kontaktit, që të ndërmerrë masa më të vendosura për të ndalur agresionin barbar serb kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Këshilli Republikan për Organizimin e Protestave vlerëson se edhe kësaj here protestat u karakterizuan nga prezenca masive e popullsisë, nga vendosmëria e tyre për të fuqizuar realizimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe nga kultura e pjesëmarrësve. Brenda një muaji të plotë të defilimeve dhe të protestave, pjesëmarrësit kanë dëshmuar kulturë dhe u kanë ikur provokimeve të shumta policore dhe të civilëve serbë, thuhet në kumtesë.

Këshilli Republikan për Organizimin e Protestave fton edhe një herë Grupin e Kontaktit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OKB-në, që të ndërmarrin hapa më të fuqishëm për të ndalë agresionin serb në Kosovë, kundër popullit shqiptar, dhe për të evituar një luftë që mund ta rrezikojë mbarë rajonin dhe Evropën.

Këshilli Republikan për Organizimin e Protestave mendon se defilimet protestuese duhet të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, sipas konceptit të njohur, pra nga ora 12 deri në 12,30 minuta, nëpër rrugët kryesore të qyteteve, pa brohoritje e pankarta.

Për protestën e ardhshme dhe konceptin që do të përgatitet për të, opinioni do të informohet me kohë, thuhet në komunikatën e Këshillit Republikan për Organizimin e Protestave.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Rreth 15000 qytetarë protestuan sot në Malishevë


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Prej orës 12 deri në 12:30 në Malishevë u mbajt sot tubimi gjithëpopullor i qytetarëve. Vendosmëirinë për Republikën e Kosovës e dëshmuan afër 15000 qytetarë.

Dhjetë minuta pa përfunduar tubimi, protetsuesit lexuan tekstin në panonë e ngritur lart. Ndërsa pesë minutat e fundit masa brohorit "Liri, pavarësi", "Rugova, Rugova", "UÇK, UÇK" e tjerë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Protesta popullore u organizuan edhe Kamenicë, Vushtrri e Ferizaj


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Në protestën e sotme gjithëpopullore në Kamenicë morën pjesë rreth 10 mijë qytetarë shqiptarë. Edhe në Kamenicë, qytetarët shqiptarë përsëritën sloganet "Liri, pavarësi", "Drenica, Drenica", "Kosova, Rugova" dhe slogane të tjera, ndërsa njoftohet se para fillimit të protestës, policia serbe nuk lejoi që ato të organizohen në qendër të qytetit.

Protesta gjithëpopullore u organizua sot edhe në qytetin e Vushtrrisë, në të cilën morën pjesë disa mijëra qytetarë. Njoftohet se edhe në këtë protestë janë brohoritur sloganet: "Liri, pavarësi", "Rugova, Rugova", "Drenica, Drenica", "Deçani, Deçani" etj.

Protesta gjithëpopullore u organizua edhe në qytetin e Ferizajt, ku KI i Degës së LDK-së në Ferizaj njofton se morën pjesë rreth 80 mijë veta. Njoftohet se protesta u zhvillua nën përcjelljen e një numri të shumtë policësh e snajperistësh serbë. Protesta ka përfunduar pa incidente.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Aqif Shehu bisedoi me Susan Vods, këshilltare politike në Ambasadën amerikane në Beograd


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Sot në Zyrën amerikane në Prishtinë z. Susan Vods, këshilltare politike në Ambasadën amerikane në Beograd, priti Açif Shehun, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Në këtë rast z. Shehu e njoftoi z. Vods me zhvillimet dramatike në Kosovë, veçmas me ato në komunat e Gllogocit, Klinës, Malishevës, Deçanit, Gjakovës si dhe me situatën që po mbretëron në zonën e Drenicës.

Në deklaratën dhënë QIK-ut, z. Shehu tha se zonjën Vods e ka njoftuar edhe me agresionoin e forcave ushtarako-policore serbe, të cilat sot po i granatojnë me armë të rënda dhe nga helikopterët fshatrat e komunës së Gllogocit dhe ato të Malishevës. Ai tha se janë bllokuar rrugët që qojnë në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit dhe nuk po lejohen gazetarët e huaj në zonat e rrezikuara. Z. Shehu theksoi posaqërisht faktin senë zonat e rrezikuara nuk lejohet as shkuarja e veprimi i organizatave humanitare, edhepse kamungesë të ushqimeve e barërave në zonat që po mbahen një një shtetrrethim të hekurt nga forcat ushtarako-policore serbe.

Në këtë takim, z. Shehu ka kërkuar që SHBA-të që të ndërmarrin masa urgjente për tejkalimin e gjendjes tepër të rëndë në Kosovë dhe fillimin e dialogut shqiptaro-serb me ndërmjetësues ndërkombëtar.

Z. Vods theksoi se SHBA-të po punojnë në shumë drejtime diplomatike me qëllim të tejkalimit të gjendjes së tashme në Kosovë dhe në zgjidhjen e problemit me mjete paqësore.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Gelbardi dhe Hollbruku gjatë këtij uikendi në Beograd


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Jozyrtarisht njoftohet se Robert Gelbard dhe Riçard Hollbruk, pas konsultimeve me sekretaren e shtetit Ollbrajt në Londër, do të merret vendimi për të shkuar në Beograd gjatë këtij uikendi.

Thuhet se pala amerikane edhe njëherë është e gatshme që në kontakt të drejtpërdrejtë me Millosheviqin të provojë të realizojë konkluzionet e Grupit të Kontaktit për fillimin e pakusht të bisedimeve për Kosovën.

Vendimi definitiv varet nga gatishmëria e Millosheviqit që të pranojë ndërmjetësimin e të dërguarit të OSBE-së Gonzales në dialogun e kërkuar mes palës serbe e shqiptare, njofton "Nasha borba" nga Uashingtoni.

Ndërkaq zyrtari i MPJ të "RFJ" Dragomir Vuçiqeviq gjatë takimit të djeshëm me gazetarë as nuk e konfirmoi as nuk e hodhi poshtë këtë vizitë të diplomatëve amerikanë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  I ngarkuari i veçantë të Presidentit francez, François Delattre i shkruan Isa Dërmakut


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Publicisti dhe kryeredaktori i revistës shqiptare "Spektri", Isa Dërmaku, me rastin e masakrave të policisë dhe ushtrisë serbe mbi popullin shqiptar të Repubilkës së Kosvoës ka informuar hollësisht presidentin e Konfederatës Zvicerane, Flavio Kottin dhe Presidentin e Francës Zhak Shirak dhe u ka bërë apel atyre që të shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të ndihmuar popullin shqiptar që të lirohet nga okupimi serb i kriminelit Milosheviq. Në këtë mënyrë do të ndihmohej rruga e mençurisë politike të presidentit të Republikës së Kosovës dr.Ibrahim Rugova, e si rezultat do të shpëtohej nga një luftë e përmasave ndërkombëtare.

Nga presidenti Kotti është marrë përgjigja më herët, ndërsa këto ditë Isa H.Dërmaku, ka marrë përgjigje edhe nga presidenti francez Shirak, përmes të ngarkuarit të veçantë të Presidentit francez, François Delattre. Në përgjigjje paraqiten qëndrimet franceze.

Kryetari i Republikës me një interesim të veçantë ka lexuar letrën tuaj të 20 marsit, me të cilën ju keni informuar hollësisht për gjendjen në Kosovë, për të cilën gjendje ju edhe keni shprehur pakënaqësinë tuaj.

Përvoja nga Bosnja na mëson se vetëm një veprim këmbëngulës dhe i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare mund të evitojë një shpërthim të ri të urrejtjes etnike në kontinentin tonë dhe të ndërpresë vazhdën e një lufte që do të kërcënonte stabilitetin e tërë Evropës.

Në letër thuhet se kjo është përmbajtja e thirrjes së presidentit Shirak që nga 8 marsi, ndërsa kjo linjë këmbëngulëse udhëheq iniciativën e ndërmarrë nga Franca, në kuadrin kombëtar dhe në Grupin e Kontaktit e në kuadër të Bashkimit Evropian, për të ushtruar të gjitha trysnitë e mundshme mbi autoritett e Beogradit për të gjetur një zgjidhje politike të bazuar në iniciativën e përbashkët të lansuar nga Franca dhe Gjermania që nga muaji nëntor i fundit, thuhet në letrën e nënshkruar nga François Delattre.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Vushtrri: Policia serbe keqtrajtoi disa udhëtarë shqiptarë


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Sot, në tregun e Mitrovicës, policia serbe keqtrajtoi fizikisht Faik Morinën nga Okrashtica, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Njoftohet se Faik Morina u dërgua edhe në stacionin e policisë në Mitrovicë dhe sërish u keqtrajtua pa kurrfarë preteksti.

Dje, në postbllokun e policisë serbe në Nedakoc, policia zbriti nga autobusi disa udhëtarë shqiptarë dhe i keqtrajtoi Arben U. Beqirin (16), nxënës dhe Agim Përçukun (24), nga Cecelia. Më pas ata u detyruan nga policia që të kthehen në shtëpi, ndërsa udhëtarët tjerë i kërcënoi dhe i futi në kabinën e postbllokut policor ku për fatin e tyre nuk dihet asgjë.

Dje, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, ishte në shtëpinë e Ramë Q. Berishës në Stanoc të Poshtëm. Njoftohet se policët serbë e ofenduan bashkëshorten e tij, e cila kohë më parë qe keqtrajtuar nga policia serbe.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Bajrush Xhemaili u dërgua në burgun e Mitrovicës së Sremit


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Sot, Shahadije Xhemailit, bashkëshortes së të burgosurit politik disavjeçar Bajrush Xhemaili nga Komogllava e Ferizajt i arriti një telegram nga bashkëshorti i saj, përmes të cilit ajo njoftohet se bashkëshorti i saj është transferuar në burgun e Mitrovicës së Sremit, njofton KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Njëkohësisht përmes këtij telegrami, Bajrush Xhemaili kërkon nga bashkëshortja e tij që të mos i shkojë në vizitë, deri në një lajm të ri.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Policia serbe bën terror propagandistik edhe përmes Internetit


Prishtinë, 9 maj (QIK)

Regjimi serb krahas aksioneve të dhunës e të terrorit mbi shqiptarët në Kosovë po orvatet që të bëjë edhe terror propagandistik.

Sipas gazetës proqeveritare "Politika", policia e Serbisë ka hapur faqen e vet edhe në Internet në gjuhën serbe dhe angleze. Duke cituar burimet e policisë, kjo gazetë shkruan se "të interesuarit" çdo ditë të njihen me shënimet e policisë serbe mbi "terrorizmin në Kosovë". Poashtu jipet edhe adresa e saj: http//wwwmup.sr.gov.yu.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]