QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 24 maj 1998, 15:00 CET
Informatori ditor nr. 2068-B
Përmbajtja
 
  Takim i drejtuesve të nëndegëve e aktiveve të LDK-së në Degën e Dytë në Prishtinë


Prishtinë, 24 maj (QIK)

Mbrëmë nën organizimin e Degës së Dytë të LDK-së, Qyteti i Vjetër u mbajt në shkollën fillore "Nazim Gafurri në Prishtinë një takim me anëtarët e kryesive të nëndegëve e të aktiveve me temën: "Zhvillimet më të reja politike në Republikën e Kosovës".

Takimin e udhëhoqi, Qemail Ahmeti kryetar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Qytetin e Vjetër në Prishtinë. Në takim morën pjesë Faruk Spahiu, anëtar i Kryesisë së LDK-së e Rexhep Osmani anëtar i KP të LDK-së dhe deputetët e kësaj zone Dr. Salih Gashi e Shefki Ukaj.

Duke folur për zhvillimet e fundit politike, Faruk Spahiu tha se se situata e tashme në Republikën e Kosovës është e rëndë dhe e rrezikshme. LDK si forcë e madhe politike me aktivitetin e saj është e pranishme në të gjitha zonat e rrezikuara dhe po bënë përpjekje të jashtëzakonshme për tejkalimin e kësaj gjendje.

Z. Spahiu tha se LDK me rezistencën e saj edhe mëtej gëzon autoritet të pakontestueshëm në mesin e popullatës kosovare, por edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, e cila po angazhohet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës me mjete politike dhe me dialog. Ai theksoi se nga SHBA-të, të cilat pranuan rolin ndërmjetësues, ka garanca të forta për angazhimin e tyre që të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për Kosovën.

Rexhep Osmani tha se LDK me programin e saj është afirmuar si forcë e rëndësishme politike, e cila në kontinuitet po angazhohet në zgjidhjen e drejtë të problemit të Kosovës në bazë të referendumit për Kosovën e pavarur. Në dy mbledhjet e fundit të KP të përgjithshëm, temë qendrore ishte situata dramatike në Kosovë dhe mundësitë e tejkalimit të saj. Në këto mbledhje ka dominuar kërkesa nga të gjithë anëtarët e KP të LDK-së për konstituimin e shpejtë të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Z. Osmani tha se Kuvendi do ta miratojë platformën për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në bisedimet shqiptaro-serbe. Ai shtoi se nuk mirret në konsiderim kurrëfarë kompromisi politik që bie ndesh me pavarësinë e Kosovës.

Z. Osmani theksoi se me konstiuimin e parlamentit të Kosovës do të zgjidhen shumë probleme dhe se vetëm në këtë mënyrë krijohet vija institucionale në të gjitha nivelet shtetërore.

Një mendim të ngjashëm e shfaqi edhe deputeti Shefki Ukaj, deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Ai tha se në rrethanat e tashme politike, kur populli shqiptar i Kosovës është përcaktuar për pavarësi, nuk beson se dikush guxon të bëjë çfarëdo kompromisi që bie ndesh me interesin e popullit shqiptar të Kosovës të shfaqur në referendum.

Kontributin e tij në këtë takim e dha edhe deputetët Dr. Salih Gashi dhe pjesëmarrësit e shumtë në diskutim.

Gjatë diskutimeve, aktivistët e LDK-së u interesuan për negociatat e filluara shqiptaro-serbe, për mosfunksionimin si duhet të Këshilit Republikan të Emergjencave, për hutinë që po krijon TVSH në opinionin shqiptar të Kosovës me disa informacione të pamatura politike.

Aktivistët kërkuan konstituimin e ngutshëm të Parlamentit të Republikës së Kosovës.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Më 26 maj defilim protestues i maturantëve të shkollave të mesme


Prishtinë, 24 maj (QIK)

Këshilli Republikan i Protestave lëshoi sot një komunikatë për opinion në të cilën thuhet:

Defilimet protestuese "Kosova - burgu më i madh në botë" që shprehin protestën ndaj okupimit serb dhe kërkesën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, janë penguar të mbahen në shumicën e qendrave të Kosovës. Policia serbe, së fundi ka pamundësuar mbajtjen e tyre, dje dhe sot, edhe në Gjilan me ç'rast ka ndërhyrë në masën e pjesëmarrësve. Këshilli Republikan dënon veprimet e këtilla dhe konsideron se defilimet do të vazhdojnë atje ku ka mundësi, ndërkaq për ndërprerjen e tyre nëpër qendra të caktuara vendosin subjektet lokale konform rrethanave të krijuara.

Ndërkaq, në bashkëpunim me subjektet e arsimit, më 26.05.1998 në kuadër të defilimeve protestuese "Kosova - burgu më i madh në botë" nga ora 12:00 deri në 12:30 do të mbahet defilimi i maturantëve të shkollave të mesme, të cilët shkollimin e tyre për këto vite e kanë ndjekur dhe mbaruar jashtë objekteve të tyre që janë mbajtur të okupuara nga pushteti serb. Ky defilim protestues do të jetë protestë ndaj shkeljes së të drejtave elementare që i gëzojnë të gjithë moshatarët e tyre në botë dhe protestë ndaj dhunës, terrorit, vrasjeve dhe masakrimit të fëmijëve dhe nxënësve të ekzekutuara nga forca militare serbe.

Në Prishtinë manifestimi i protestës do të mbahet në sheshin "Nëna Terezë". Tubimi i maturantëve bashkë me kujdestarët e klasave bëhet para Teatrit Popullor në ora 11.50. Renditja e pjesëmarrësve do të jetë sipas kësaj radhe: Gjimnazi "Sami Frashëri", SHMT "28 Nëntori", Gjimnazi i Filologjisë "Eqrem Çabej", SHMB "Abdyl Frashëri", SHMM "Prenk Jakova", Gjimnazi "Xhevdet Doda", SHME "Gjin Gazulli", SHMM "Shtjefën Gjeçovi", SHMM "Dr. Ali Sokoli", SHMTH "7 Shtatori", SHME "Hoxhë Kadri Prishtina" dhe medreseja e mesme "Alauddin".

Në ballë të kolonës do të jenë koret e shkollave: "Prenk Jakova", "Eqrem Çabej" dhe "Xhevdet Doda".

Maturantët e korit do të jenë të veshur me bluza të bardha e pantollona të zeza (meshkujt), përkatësisht me fustane të zeza (vajzat). Maturantët e tjerë do të jenë të veshur me bluza të bardha, ndërsa ngjitur për bluza në anën e majtë do të mbajnë emblemën e shkollës përkatëse. Secila shkollë do ta ketë parullën e vet identifikuese dhe emblemën e shkollës në të.

Parulla kryesore ballore në shqip, anglisht dhe gjermanisht do të jetë: "Lapsi për të gjithë".

Defilimi do të nisë në orën 12:00 nga Teatri Popullor drejt Hotelit "Grand" dhe pastaj pason kthimi anasjelltas. Në orën 12:20 kori këndon strofën e parë dhe të fundit të këngës latine "Gaudeaumus" (Kënga e maturantëve), në përcjellje të maturantëve të tjerë. Teksti i këngës latine "Gaudeamus" do të jetë i shkruar në një pano të madhe në latinisht dhe shqip.

Pjesëmarrësit e tjerë të defilimeve protestuese do të qëndrojnë në trotuar në heshtje dhe me dy gishta të ngritur duke përshëndetur marshin e maturantëve.

Në orën 12:25 të gjithë pjesëmarrësit e defilimeve protestuese brohorisin slloganet "Liri - Pavarësi". Në orën 12:30 pjesëmarrësit shpërndahen të qetë.

Defilime të këtilla të maturantëve, nëpër qendra të tjera të Kosovës, mbahen atje ku ka mundësi dhe në organizim të subjekteve lokale.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Paraqitje e suksesshme e ansamblit kosovar në Stamboll


Prishtinë, 24 maj (QIK)

Ansambli Akademik i Universitetit të Kosovës, nën udhëheqjen artistike të prof.Fahri Beqirit, mori pjesë në festivalin e 21-të ndërkombëtar në Marmara të Turqisë.

Koreografi i këtij ansambli Dilaver Kryeziu, i tha QIK-ut se paraqitja e ansamblit kosovar u prit mjaft mirë nga publiku, si dhe pati publicitet të madh në mediat turke.

Anëtarët e Ansamblit gjithashtu u pritën nga kryetari i Bashkisë së Stambollit, ndërsa u ftuan të marrin pjesë në festivalin internacional në Bajrampashë të Stambollit, në korrik të këtij viti.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, Ansambli Akademik i Universitetit të Kosovës dha një koncert humanitar me moton "Ta ndihmojmë Kosovën". Koncerti u organizua nën përkujdesjen e Zyrës së Kosovës në Stamboll.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Kaçanik: Policia keqtrajtoi nxënësin Rrahman Dashi


Prishtinë, 24 maj (QIK)

Pardje rreth orës 17.30 policia arrestoi në stacionin e autobusvëe Rrahman Ali Dashin (18) nga fshati Stagovë, maturant i shkollës së mesme "Skënderbeu" në Kaçanik.

Rrahmani u dërgua në polici, ku edhe u keqtrajtua fizikisht.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Gazetari kroat demanton gazetën "Politika" të Beogradit


Prishtinë, 24 maj (QIK)

Gazetari i njohur kroat, Sërgjan Shpanoviq nga e përditshmja e Zagrebit "Jutarnji list" nëpërmjet një deklarate dhënë QIK-ut, përgënjeshtron një shkrim tendencioz të botuar dje në gazetën "Politika" të Beogradit, në të cilin thuhet se kinse ai paska deklaruar sesi UÇK e paska ndaluar atë dhe ia paska futur tytën e automatit në gojë dhe se i kanë marrë disa gjësende dhe para.

Gazetari kroat shpreh habinë me trillimet e gazetarit të "Politikës" (Millan Llaketiq), i cili duke shfrytëzuar faktet dhe mngjarjet edhe i shtrembëron ato.

"E vërteta është se pjesëtarët e UÇK-së na janë kërcënuar me armë, na kanë marrë disa gjësende dhe para, por për shikime shtazarake në sy nuk është thënë asgjë", thotë gazetari kroat. "Z. Laketiq duhet të ulet me personat nga "Media centar" në Prishtinë të cilët ishin prezentë kur pas paraqitjes së rastit në polici në Prishtinë, kemi dhënë deklaratë identike sikur edhe para inspektorit të MPB së Kosovës".

Gazetari kroat thotë se Llaketiqi ka shfrytëzuar miqtë e tij në "Media centar", e ka marrë deklaratën e Shpanoviqit dhe e ka shtrembëruar atë.

Shpanoviq mohon se ka përdorur shprehjet për njerëzit e UÇK-së se janë shtazë ose diçka të ngjashme, siç shkruan "Politika".

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]