QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 2 gusht 1998, 17:30 CET
Informatori ditor nr.2138-C
Përmbajtja
 
  Forcat serbe vranë katër e plagosën katër anëtarë të tjerë të familjes Zeqiri në fshatin Shtuticë të Gllogocit


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Sot në fshatin Shtuticë të Gllogocit forcat serbe vranë katër dhe plagosën katër anëtarë të tjerë të familjes Zeqiri, njofton KI i degës së LDK.

Tragjedia mbi këtë familje ndodhi derisa forcat serbe po granatonin në drejtim të fshatrave Polac, Kryshec, Morinë e Shtuticë. Gjatë këtyre momenteve familja Zeqiri derisa po dilte nga shtëpia, për t'i ikur granatimeve të parreshtura të ushtrisë serbe, në oborrin e kësaj familjeje ra një granatë që ishte fatale. Me atë rast u vranë: Sofije Zeqiri (60), Vahide Zeqiri (20), Kada Zeqiri (17) dhe gruaja e Halimit, Emine Zeqiri. Ndërkaq u plagosën: Halim Zeqiri, (flitet se ka vdekur), Besim Zeqiri, Sherif Zeqiri dhe Rizah Zeqiri.

Gjithashtu sulmet serbe shkaktuan dëme të mëdha materiale, duke shkatërruar shtëpi, makina bujqësore, shtalla, e të tjera.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Dihen emrat e dy shqiptarëve të vrarë e gjashtë të plagosur në komunën e Klinës e të Skënderajt


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Vazhdojnë sulmet serbe kundër fshatrave të Drenicës në të gjitha drejtimet e saj. Nga fshati Polac forcat serbe po i slumojnë fshatrat Kryshec, Morinë, Llaushë, ndërkaq nga fshati Runik po sulmohen fshatrat Rakinicë, Vitak, Kllodernicë dhe Vojnik, ndërsa nga Klina po sulmohen fshatrat që ndajnë Drenicën me këtë komunë, njofton KI i Degës së LDK-së në Skëndëraj dhe Nënkëshili i KMDLNJ-së.

Granatimet e forcave serbe kanë filluar në orët e hershme të mengjesit me armët më të rënda artilerike, duke shkatërruar e djegur shtëpi dhe grunaja. Njoftohet se në luftimet e sotme janë vrarë dhe plagosur dhjetëra civilë shqiptarë.

Deri më tash dihet se forcat serbe kanë vrarë këta shqiptarë: Fatmir Hoti (1974) nga Jashanica, Fatmir Veliqi (1980) nga Polaci, ndërsa janë plagosur rëndë dhe lehtë edhe shtatë civilë shqiptarë: Sofije Veliqi nga Polaci, Fehmi Dobra nga Krusheci, Xhelal Durmishi nga Rakinica, Brahim Krasniqi nga Ceroviku, Naser Gashi nga Krusheci dhe një person tjetër.

Njoftohet se njësitet e UÇK-së së bashku me forcat e rezistencës nuk po i lejojnë forcat serbe që të depërtojnë në fshatrat e tyre.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Deçan: Sulme të egra mbi fshatrat Prejlep, Rastavicë e Junik


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Sot forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe sulmuan fshatrat Prejlep dhe Rastavicë të Deçanit. Ky ështe njëri nga sulmet më rrufeshme kundër fshatit Rastavicë, njofton KI i Degës së LDK në Deçan. Njoftohet se janë duke u granatuar fshatrat Junik, Gramaçel, Shaptej dhe Hereç. Deri më tash përveç dëmeve të mëdha materiale, supozohet të ketë të vrarë dhe të plagosur.

Bëhet me dije se në Junik ende po vazhdojnë luftimet mes forcave shqiptare dhe serbe, ndonëse pozicionet e shqiptarëve nuk kanë lëvizur dhe rezistenca e tyre po vazhdon. Ndërkohë Juniku vazhdon të mbahet nën një rrethim të hekurt.

Njoftohet se dje në fshatin Hereç janë rrëmbyer së paku 5 persona të cilët po larhgoheshin nga Juniku me familjet e tyre. Deri më tash dihet se këta persona ishin nga fshati Junik e Hereç, por për fatin e mëtjeshëm të tyre nuk dihet.

Ditëve të fundit përgjatë magjistrales Gjakovë-Deçan, në afërsi të pompës së benzinës, në fshatin Hereç është vendosur edhe një postbllok i policisë serbe, i cili ka për qëllim të pengojë të vetmin korridor që lidhë fshatrat e Deçanit me rajoninn e Rekës së Keqe dhe të pamundësojë në tërësi qarkullimin e këtyre fshatrave.

Banorëve të zhvendosur i kanoset rreziku i urisë dhe nëse orgaanizatat humanitare nuk ndërmarrin urgjentisht diçka në këtë drejtim, kërcënohet katastrofa humanitare.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Forcat e ushtrisë serbe po granatojnë e djegin fshatrat e Shtimes


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Nga orët e mbrëmjes dhe gjatë ditës së sotme, forcat e ushtrisë serbe të pozicionuara në pishnajat e Shtimes dhe në fshatin Zborc, po i granatojnë me armë të rënda artilerike fshatrat Belincë, Carralevë, Pjetërshticë, por edhe në drejtim të Jezercit e Pllanishtit, njofton KI i Degës së LDK-së në Shtime.

I njëjti burim njofton se banorët e këtyre fshatrave i kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe ata tashmë gjenden në male.

Gjendja e banorëve shqiptarë nga fshatrat e granatuara të Shtimes po pëson katastrofë humanitare. Një banor shqiptar nga Krojmiri deklaroi se tash katër ditët gjendet në male së bashku me anëtarët e familjes së tij dhe në mungesë të bukës, fëmijëve të tij ua ka përtypur grurin, pastaj i ka ushqyer.

Bëhet e ditur se përveç mungesës së artikujve elementarë ushqimorë, banorët që kanë braktisur vatrat e tyre janë edhe në një gjendje të rëndë shëndetësore, pasi tash disa ditë mungojnë ilaçet.

Fshati Zborc tashmë i ngjet Vukovarit. Ushtarët dhe paramilitarët serbë pasi kanë plaçkitur shtëpitë shqiptare, më pas i kanë djegur ato dhe në këtë fshat tashmë nuk ka mbetur asnjë shtëpi shqiptare e pëdëmtuar.

Dëshmitarët okularë i deklaruan QIK-ut se sot rreth orës 9:00 forcat ushtarako-policore serbe kanë hedhur tri granata në lagjen e Jakupajve në fshatin Reçak të Shtimes. Nuk ka dëme materiale, por këto granatime kanë shkaktuar panik në mesin e popullatës së këtij fshati. Granatat kanë ardhur nga vendi Belincë ku janë stacionaur forcat serbe.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  LDK dënon ofensivën agresive të forcave serbe dhe i bën apel popullit shqiptar të qëndrojë dhe të organizohet sa më mirë


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës nëpërmjet një komunikate për opinion, dënon ofensivën e forcave të armatosura serbe kundër zonave të tëra në Kosovë, që ka hyrë në ditën e dhjetë të saj, dhe e cila është vazhdim i mizorive të militaristëve serbë kundër popullit të pambrojtur shqiptar. Kjo ofensivë agresive ka shkaktuar vrasjen e dhjetëra civilëve shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë, gra dhe pleq, si dhe ekzekutimin e shumë të tjerëve, që nuk kanë mbërritur t'i shmangen urrejtjes bestiale të paramilitarëve dhe njësive speciale serbe.

Ndjekja e banorëve nga shtëpitë e tyre, pamundësimi që atyre t'u ofrohen ndihma nga organizatat humanitare, thuhet në këtë komunikatë, ka shkaktuar një katastrofë humanitare, të padëgjuar deri sot në Evropën e pasluftës së Dytë Botërore. Edhe shkatërrimi i vendbanimeve shqiptare po bëhet sipas taktikës së tokës së djegur, për të mbyllur mundësinë e kthimit të banorëve shqiptarë në vatrat e veta, duke realizuar politikën serbe të gjenocidit dhe të spastrimit etnik të Kosovës.

Më tutje theksohet se sgjerimi dhe intensifikimi i ofensivës në zonat e Drenicës, Klinës dhe të Junikut, është dëshmi e fanatizmit iracional të politikës serbe, e cila përpiqet që përmes terrorit dhe gjenocidit të gjunjëzojë aspiratat për pavarësi dhe rezistencën e popullit shqiptar.

Heshtja e udhëheqjeve të fuqive të mëdha, heshtja e institucioneve relevante të vendosjes ndërkombëtare, ndaj këtij gjenocidi serb, duket se i ka dhënë kurajo politikës serbe të agresionit.

Kryesia e LDK-së fton bashkësinë ndërkombëtare që definitivisht të braktisë pozitën indiferente të saj dhe të reagojë e ta detyrojë Millosheviqin që të ndërprejë ofensivat shkatërruese kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës i bën apel popullit shqiptar që edhe në këto momente dramatike, të qëndrojë dhe të organizohet sa më mirë për të shpëtuar nga pasojat e sulmeve serbe dhe të ridëshmojë përcaktimin e tij të vendosur për pavarësinë e Kosovës, thuhet në fund në fund të kësaj komunikate.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  LDSH: Forcat serbe po lën pas tokën e djegur


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Kryesia e Lëvizjes Demokratike Shqiptare (LDSH) në mbledhjen e sotme lëshoi një komunikatë për opinion përmes së cilës dënon ashpër ofensivën e policisë dhe të ushtrisë serbe kundër Drenicës., LDSH vlerëson se forcat ushtarako-policore serbe po lënë pas tokën e djegur dhe se qëllimi i tyre kriminel është i qartë: ta bëjnë të pamundshëm kthimin e të zhvendosurve në vendlindjen e tyre dhe të rrënojnë bazën e mbajtjes së UÇK-së.

Marrëveshja Jelcin- Millosheviq, vlerëson kjo parti, po i krijon hapësirë zjarrtarit të Ballkanit që të zgjerojë zjarrin në Kosovë dhe ta pakësojë numrin e shqiptarëve. Sjellja e disa faktorëve ndërkombëtarë ndaj dramës së popullit shqiptar në Kosovë vazhdon të jetë sjellje indinjuese.

Krimet më të reja ushtarako-policore serbe në Kosovë me gjuhën tragjike i përkujtojnë subjektet politike e kombëtare shqiptare që sa më shpejt të krijohet organi i përbashkët udhëheqës i përbërë përfaqësuesve të të gjithë faktorëve të rëndësishëm politikë e kombëtarë, duke përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e UÇK-së, thuhet veç tjerash në këtë komunikatë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Nuk dihet për fatin e Nazmi Ramadanit nga Godanci i Shtimes


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Të martën që shkoi në rrugën Lipjan-Shtime, forcat e policisë serbe kanë arrestuar Nazmi Ramadanin (38) nga Godanci i Lartë i Shtimes dhe që nga kjo ditë, nuk dihet asgjë për fatin e tij, njofton KI i Degës së LDK-së në Shtime.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Mitrovicë: Policia serbe keqtrajtoi një qytetar shqiptar


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Më 29 korrik, mbi urën e Ibrit në Mitrovicë, disa policë serbë Nebih H. Haxhiun (54) nga Mitrovica, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë. Njoftohet se pas legjitimit, policët pa kurrfarë shkaku e keqtrajtuan Nebihun fizikisht, pastaj e dërguan në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, me ç'rast nga një inspektor i sigurimit serb është pyetur për djemtë e tij, për UÇK-në dhe e kërcënoi që të shkojë edhe vetë në Gjermani.

Më pas Nebih Haxhiu u dërgua në një kthinë të stacionit të policisë, ku u fotografua dhe iu morën shenjat e gishtërinjve. Nebih Haxhiu pasi u lirua, nga policët u kërcënua me vrasje.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Në Mitrovicë persona të panjohur dëmtuan tri shtëpi shqiptare


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Sot rreth orës 4:00 të mëngjesit, në lagjen "Kroi i Vitakut" në Mitrovicë, persona të panjohur ua dëmtuan çatitë dhe xhamat e dritareve të shtëpive të Ragip Abdullahut, Kurtesh Pecit dhe të Asllan Asllanit, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se këto shtëpi gjenden në afërsi të kafenesë së njëfarë Rade Stefanoviqit, në të cilën qëndrojnë civilë të armatosur serbë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Nga Mitrovica për në Skënderaj shkuan dy konvoje të ushtrisë serbe


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Sot në orën 4:30 të mëngjesit nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt shkuan forca të motorizuara të ushtrisë serbe, në mesin e të cilave edhe tanksa e kamionë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ashtu sot rreth orës 10:00, nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt kanë shkuar edhe 20 kamionë, në mesin e të cilëve edhe kamion të markës "Skania", të cilët dërgonin thasë të mbushur me rërë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Vazhdon vala e të ikurve në drejtim të Mitrovicës


Prishtinë, 2 gusht (QIK)

Edhe sot ditën e katërt me radhë nga fshatrat e Drenicës në Mitrovicë, vazhdon të arrijë një numër i madh i banorëve shqiptarë, që kanë ikur nga vatrat e luftës, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Veprimtarët e LDK-së së bashku me ata të Këshillit komunal për Emergjencë, apelojnë te banorët e Mitrovicës dhe të fshatrave përreth, që t'u ndalin në ndihmë banorëve të ikur nga vatrat e luftës, pasi ata përbëhen kryesisht nga pleq, gra e fëmijë.

Dega e LDK-së në Mitrovicë apelon edhe te shoqatat humanitare që t'u dalin në ndihmë më shumë se 20 mijë të ikurve, pasi dihet se në qytetin e Mitrovicës, qindra familje shqiptare janë në asistencë sociale.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]