QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 3 gusht 1998, 11:00 CET
Informatori ditor nr. 2139 A
Përmbajtja
 
  Edhe sot, në zonat e përfshira nga lufta në Kosovë


Vazhdon ofensiva e forcave serbe

Prishtinë, 3 gusht (QIK)

Forcat serbe kanë vazhduar edhe sot sulmet e rrepta në shumë anë të Kosovës. Njoftimet nga terreni bëjnë me dije se po granatohen fshatra të komunës së Deçanit, Gjakovës, Skënderajt, Klinës, Lipjanit, Suharekës etj.

Deçan: Fshatrat e komunës së Deçanit prej sot në mëngjes janë vënë në një rrethim të hekurt të forcave serbe dhe po granatohen. Popullata ka ikur nga fshatrat e sulmuara dhe ajo rrezikohet nga masakrat e forcave serbe.

Dega e LDK-së në Deçan bën apel për ndërhyrje të ngutshme ndërkombëtare për të shpëtuar banorët e rrezikuar.

Gjakovë: Rreth orës 3 të mëngjesit forcat serbe kanë filluar granatimin e fshatrave të rrethit të Dushkajës, Smolicës e fshatrave deri në Junik të Deçanit. Granatime ka edhe në fshatrat e anës së Hasit.

Skënderaj: Sulmi i forcave serbe ka vazhduar sot edhe në fshatrat e komunës së Skënderajt. Para orës 7 të mëngjesit forcat serbe kanë filluar granatimet në Polac dhe në fshatrat përreth.

Bëhet me dije se po sulmohen edhe fshatra të tjera të kësaj komune, por tash për tash nuk ka informacioner më të plota.

Klinë: Sulmi i forcave serbe vazhdoi sot edhe në komunën e Klinës. Mbi 30 fshatra të kësaj komune përjetuan deri tash nga ofensiva shkatërrimtare e forcave serbe.

Dje u dogjën dhe u shkatërruan fshatrat Cerovik, Qabiq, Zabërgjë, Dobërdol, Ujmir, Shatricë. Deri tash dihet për dy të vrarë, por dyshohet se ka edhe të tjerë.

Është vështirë të përshkruhet për të gjitha ato që kanë ndodhur dje në fshatrat e komunës së Klinës. Fshatrat e mbuluara nga tymi dhe flaka nga shpërthimet e fuqishme të granatave dhe gjyleve dhe nga zhurma e dhjetra tanksave e autoblindave dhe kolonave të panumërta të njësiteve të motorizuara. Kjo ofensivë shkatërruese dhe më e rënda deri tash u ndërmorrë kundër fshatrave Cerovik, Çabiq, Dobërdol, Siqevë dhe Ujmirë. Ndërkaq në shënjestër të ushtrisë jugosllave ishin edhe fshatrat Gllarevë, Rixhevë, Stapanicë, Jashanicë, Pogragjë, Dush, Gjurgjevik i Madh, Kërrnicë, Jellovc, Resnik, Gjurgjevik i Vogël, si dhe fshati Açarevë i Skënderajt.

Sulmi ka filluar dje rreth orës 5,00 të mëngjesit dhe ka vazhduar gjatë tërë ditës por shkrehje armësh ka pasur edhe gjatë natës por edhe në orët e sotme të mëngjesit.

Operacionet shkatërrimtare të forcave të ushtrisë dhe policisë serbe të cilat kanë qëlluar fshatrat e lartëshënuara nga Kijeva, Dollci, Gllareva dhe nga punkti ushtarak në Jashanicë.

Fshatrat që i cituam më lartë edhe sot nuk shihen nga tymi e flaka që i ka mbuluar ato. Pas plaçkitjeve dhe granatimeve ushtria serbe po i djeg ato.

Në fshatin Jashanicë është vrarë Fatmir Hoti, kurse në fshatin Çabiq Hysni Arif Gashi rreth 80 vjeçar.

Në disa fshatra të komunës ka edhe mjaft civilë të plagosur shqiptarë. Në po këto fshatra gjatë ditës së djeshme janë stacionuar shumë tankse dhe autoblinda, ndërsa vetëm në fshatin Çabiq janë stacionuar 12 sish.

Popullata duarthatë shqiptare e cila ndiqet vazhdimisht nga qindra granata të artilerisë serbe, tash disa javë po qëndron nën qiellin e hapur pa ushqime dhe pa barna. Popullata e këtushme shqiptre është e rrethuar nga të gjitha anët dhe ekziston frika e një masakri të mundshëm.

Në këto fshatra nuk dihet për fatin e shumë shqiptarëve.

Lipjan: Që prej orës 3,00 të mëngjesit po dëgjohen granatime të forta nga Carraleva në drejtim të Magurës dhe Shalës së Drenicës. Policia serbe ka ndërprerë çdo qarkullim në linjën Lipjan-Magurë dhe Lipjan-Shtime. Kjo do të thotë se prej orëve të mëngjesit në këto drejtime nuk qarkullojnë as autobusët urbanë e as makinat tjera private, njofton KI i Degës së LDK-së në Lipjan.

I njëjti burim konstaton se organet policiore serbe sot nuk kanë lejuar hapjen e tregut të bagëtive që mbahet për çdo të hënë në këtë lokalitet.

Disa informacione të paverifikuara mirë thonë se granatimet serbe kanë filluar në orët e mëngjesit edhe kundër fshatit Kleçkë.

Suharekë: Sot është dita e katërt me radhë kur policia serbe e pozicionuar në fshatin Bllac dhe Duhël, po i plaçkit shtëpitë e qytetarëve shqiptarë në mënyrën më barbare. Vlera e gjësendeve të plaçkitura kalon dhjetra mijëra marka. Forcat e policisë serbe gjësendet e plaçkitura po i bartin me traktorë, kamionë e mjete tjera transportuese. Pas plaçkitjes, policia serbe shtëpive shqiptare po u hedh benzin dhe më pas po i djeg ato. Dje forcat serbe shtinë me armë në drejtim të disa banorëve të këtyre fshatrave që tentuan të kthehen në shtëçitë e tyre.

Ndërkohë është gjithnjë më i madh numri i banorëve për fatin e të cilëve nuk dijet asgjë. Kështu, Ibrahim Hamëz Hoti kërkon të dijë për familjen e vet, Xhemile Ibrahim Hotin, Rrahim Hamëz Hotin, Mehmet Tahir Hotin, Sylejman Ibrahim Hotin, Litafete Hotin etj.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]