|
Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center |
|
Hordhitë policore e paramilitare serbe vazhdojnë të djegin e të shkatërrojnë fshatrat e Malishevës
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Vazhdon të mbretërojë gjendja e rëndë e popullatës së zhvendosur në komunën e Malishevës, e cila gjendet kryesisht nëpër malet e kësaj ane. Kështu në malet e Ponorcit gjenden mbi 5 mijë banorë, ndërsa në malet e Llapçevës mbi 4 mijë banorë, të cilët tash e sa ditë janë pa strehë mbi kokë. Atyre këto ditë iu kanë bashkuar edhe shumë banorë të rrethit të Gjakovës dhe të Deçanit, njofton KI i Degës së LDK në Malishevë. Popullata e zhvendosur e ka mbijetuar këtë gjendje në saje të ndihmës së pakursyer të disa fshatrave të Rahovecit, si Dejna, Ratkoci, Malësia e Vogël e Guri i Kuq. Njoftohet se hordhitë policore e paramilitare serbe vazhdojnë të djegin e të shkatërrojnë fshatrat e Malishevës. Gjatë ditës së djeshme janë djegur e shkatërruar disa lagje të Bubavecit e Drenocit, pikërisht në momentin kur në to kishin filluar të ktheheshin disa banorë. Përndryshe të gjithë anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK të Malishevës vazhdojnë të qëndrojnë me popullatën e zhvendosur dhe të kujdesen për të, njëherit duke u bërë apel organizatave humanitare për artikuj ushqimorë e ilaçe. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Gjakovë: Bastisje në Osek Hylë, mbi 10 mijë veta ende nën qiellin e hapur
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Sot paradite, një ekspeditë policore serbe ka bllokuar hyrje-daljet në fshatin Osek-Hylë dhe ka ndërhyrë në disa familje me pretekst të kërkimit të armëve, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë. Edhe sot, në Gjakovë kanë vazhduar të vijnë banorë të ikur nga fshatrat e goditura në ofensivën e fundit të forcave serbe. Njoftohet se një pjesë e popullatës, rreth 10 mijë veta, kryesisht gra, pleqë dhe fëmijë, vazhdojnë të qëndrojnë të pastrehuar, pa ushqim dhe pa kujdes mjekësor, në malet e anës së Dushkajës, Anësdrinit dhe në malet e Rekës së Keqe. Gjendja e tyre është mjaft e keqësuar dhe përveç urisë janë të kërcënuar nga sëmundjet e ndryshme. Ndërsa brenda në qytet dhe në paralegjet e qytetit janë rreth 50.000 të ikur nga vatrat e tyre. Edhe më tutje nuk dihet për fatin e shumë qytetarëve. Sot është bërë me dije se nuk dihet për Pjetër Tal Krasniqin dhe Zef Gjon Krasniqin nga fshati Meqë, që të dytë rreth moshës 62-63 vjeç, si dhe për Jusuf Ahmetin nga fshati Stubëll. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Të shtëna në rrugën kryesore të Suharekës - granatime drejt Sllapuzhanit e Qafës së Duhlës
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Dje, duke filluar nga ora 18,00, forcat serbe me rafale të gjata përgjatë tërë Suharekës filluan të qëllojnë shtëpitë dhe lokalet përgjatë rrugës kryesore, pa shikuar se mund të qëllojnë ndonjë klimatar, për të përfunduar rrugëtimin dhe vazhdimin e të shtënave edhe me mitralozë të rëndë dhe me granatahedhës nga tankset, minahedhësit e nga kundërajrorët në drejtim të fshatit Sllapuzhan, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë. Nuk ka njoftime për pasojat eventuale të sulmit. Në fshatin Bllacë policia serbe edhe më tej vazhdon djegien e shtëpive. Mbrëmë rreth orës 21,00 është qëlluar edhe nga Hisari i Suharekës në drejtim të shtëpive poshtë tyre, duke rrezikuar kështu vrasjen e banorëve nëpër shtëpi të tyre. Gjuajtje nëpër Suharekë ka patur herë pas herë edhe gjatë natës e edhe sot në mëngjes, kurse rreth orës 10,00 janë dëgjuar disa granatime në drejtim të Qafës së Duhlës, thuhet në njoftim. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Qe 7 ditë nuk dihet për Ismet Halil Gashin nga Vërnica e Malishevës
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Qe shtatë ditë nuk dihet për Ismet Halil Gashin nga Vërnica e Malishevës. Ai për herë të fundit është parë para shtatë diëtve në fshatin Mamushë të Prizrenit, kur policia serbe e kishte zbritur nga një taksi dhe nuk dihet se çka ka bërë me të. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Malishevë: Apel për ndihmë popullatës së zhvendosur
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Mijëra banorë të fshatrave të komunës së Malishevës tash disa javë po i kalojnë nën qiellin e hapur. Subjektet politike dhe humanitare të kësaj komune përsërisin edhe një herë apelin që t'i ndohmohet popullatës së zhvendosur e cila po jeton nëpër male, në kushte shumë të vështira dhe e rrezikuar nga uria e sëmundjet. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Serbët e Prilluzhës shtinë drejt fshatrave shqiptare
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Parmbrëmë, që nga ora 0.30 deri në mëngjes serbët e fshatit Prilluzhë shtinë pandërprerë me armë në drejtim të fshatrave të Çiçavicës, si dhe në drejtim të Stanofcit të Poshtëm, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri. Nga të shtënat u dogj ushqimi i kafshëve i familjeve të Abdullah e Rifat Durakut në Stanofc të Poshtëm. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Shumë shtëpi të djegura e të plaçkitura gjatë sulmeve serbe në Padalishtë
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Që nga 29 korriku, kur forcat serbe nisën një sulm të ashpër kundër fshatit Padalishtë, në këtë fshat janë granatuar, plaçkitur e djegur shumë shtëpi të shqiptarëve. Siç njofton KI i Degës së LDK-së në Istog, në lagjen Ahmetaj janë granatuar, plaçkitur e djegur gjashtë shtëpi, si dhe janë djegur në tërësi grunajat. Në lagjen Imeraj, tri shtëpi janë dëmtuar rëndë nga granatimet, ndërsa tri të tjera janë plaçkitur, në lagjen Fetahaj është djegur tërësisht shtëpia e Rexhep Hotit, dy shtëpi janë dëmtuar, ndërsa pesë të tjera janë plaçkitur. Në lagjen e re, Loshaj e Shalaj, janë djegur pesë shtëpi, ndërsa të tjerat janë plaçkitur, sikundër që janë djegur edhe grunajat. Në këtë situatë, kur banorët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, forcat serbe pothuaj çdo ditë shtijnë drejt fshatit, duke penguar kështu banorët që të kthehen në shtëpitë e tyre. Përkundër kësaj, subjektet politike u bëjnë thirrje banorëve që të kthehen në shtëpitë e tyre. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Mbrëmë në Dimcë shpërtheu një minë
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Mbrëmë në orën 19.02 në fshatin Dimcë, në brezin e kufirit ndërmjet Kosovës e Maqedonisë, shpërtheu një minë. Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit nuk ka arritur të sigurojë inforrmacion për pasojat eventuale të këtij shpërthimi. Po ky burim njofton se më 13 gusht policia serbe mori në shtëpinë e tij Hebib Thaçin nga fshati Paldenicë dhe e dërgoi në cujatje të dënimit prej 30 ditësh. Ai ishte dënuar nga gjykata e instaluar serbe në Kaçannik për armëmbajtje pa leje. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Dega e LDK-së në Klinë përkrah Grupin negociator
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Kryesia e Degës së LDK-së në Klinë, në emër të anëtarësisë së saj përshëndetë formimin e Grupit negociator, i zgjedhur nga presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kërkon formimin e Qeverisë dhe institucionalizimin e jetës në Kosovë, njofton KI i Degës së LDK-së në Klinë. "Përkundër divergjencave individuale dhe kundërshtimit të ndonjë subjekti pa subjekt, Ju zoti president jeni personaliteti më i pakontestueshëm i të gjitha shtresave të shqiptarëve në Kosovë, prandaj veproni", theksohet në fund të komunikatës së Kryesisë së Degës së LDK-së në Klinë. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Grupin negociator e përkrah edhe Dega e LDK-së në Suharekë
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Kryesia e Degës së LDK-së në Suharekë, përmes një komunikate për opinion, përkrahë formimin e Grupit negociator i zgjedhur nga presidenti Rugova, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë. "Kërkojmë nga Grupi negociator që të jenë pjesëmarrës edhe anëtarët tjerë, të cilët deri tash kanë kundërshtuar pa ndonjë arsye bindëse, meqë konsiderojmë se mospjesëmarja e tyre dëmton çështjen tonë. Njëherësh kërkojmë nga presidenti Rugova, që sa më parë të emërojë Qeverinë e Republikës së Kosovës, bazuar nga zgjedhjet e 22 marsit dhe të angazhohen në të edhe përfaqësues të partive politike, të cilat nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, por pa imponime". Në vazhdim të komunikatës për opinion të Degës së LDK-së në Suharekë theksohet se "kundërshtojmë përpjekjet e disa grupeve, të cilat për të zënë vend në Qeveri, janë të gatshëm t'i sakrifikojnë edhe interesat e përgjithshme të popullit shqiptar të Kosovës përmes veprimeve joinstitucionale". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Dega e LDK-së në Podujevë përkrah formimin e Grupit negociator dhe formimin e Qeverisë
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Kryesia e Degës së LDK-së në Podujevë, në mbledhjen e saj të fundit përkrahu formimin e Grupit negociator i formuar nga presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Podujevë. Kjo Kryesi kërkon që të vazhdohet më me këmbëngultësi puna rreth formimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organeve të tjera shtetërore në nivel republikan e lokal, me qëllim të krijimit të premisave për negociatat shqiptaro-serbe, të cilat duhet të fillojnë menjëherë. Vetëm rruga insitucionale mund të jepë rezultate duke respektuar aktin më të lartë juridik e politik të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe institucionet tona shtetërore, thuhet në kumtesën për opinion të Kryesisë së Degës së LDK-së në Podujevë. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
U riaktivizua Dega III e Forumit të Gruas së LDK-së në Prishtinë
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Pardje në Prishtinë, u riaktivizua sërish Dega III e Forumit të Gruas së LDK-së në Prishtinë, në mbledhjen e të cilës morën pjesë edhe dr. Edi Shukriu, kryetare dhe Melihate Tërmkolli, sekretare e FG të LDK-së njofton KI i Degës III të LDK-së në Prishtinë. Kryetarja e FG të LDK-së, dr. Edi Shukriu foli për gjendjen e rëndë aktuale në Kosovë, si pasojë e ofensivës së egër të forcave të ushtrisë e policisë serbe, si dhe për rëndësinë e riaktivizimit të aktivitetit të Degës III të FG të LDK-së në Prishtinë. Njoftohet se Kryetare e Degës III të FG të LDK-së në Prishtinë u zgjodh Naxhie Bajraktari, Fatmire Keçmezi u zgjodh nënkryetare, ndërsa për sekretare u zgjodh Ardianë Krasniqi. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Kërkohen Kimete e Bukurie Morina nga Astrazubi i Malishevës
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Destan Morina nga Astrazubi nuk di asgjë tash e dy javë për vajzat e tij Kimete (23) dhe Bukurie Morina (20), të cilat gjatë ofensivës së forcave të pushtuesit serb ndodheshin në Llapushnik të Gllogocit. Luten të gjithë ata që dinë diç për to të lajmërojnë familjen ose mjetet e informimit. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Adem Demaçi: UÇK-ja do të ndryshojë mënyrën e veprimit
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Kryetari i Partisë Parlamentare të Kosovës Adem Demaçi, të cilin ditë më parë UÇK-ja e emëroi përfaqësues të saj politik, deklaroi për radio B-92 të Beogradit se UÇK-ja do të ndryshojë mënyrën e veprimit, transmeton gazeta "Blic". - Ata (UÇK) tani gjenden në një situatë që t'i kthehen një metode krejtësisht tjetër (luftës) e cila do të jetë edhe më e vështirë edhe më e papranueshme dhe më e keqe për regjimin serb. Ai tha se rolin përfaqësues politik të UÇK-së e ka pranuar me "dëshirë që të jetë katalizator i zgjidhjes së krizës së Kosovës në të cilën do të marrin pjesë pala shqiptare e serbe dhe bashkësia ndërkombëtare". Në pyetjen nëse e pranon thirrjen e Ibrahim Rugovës që të kyçet në ekipin e posaemëruar negociator të shqiptarëve, Demaçi tha se nuk e di se është ftuar dhe shtoi: "Qëndrimi im është qëndrim i UÇK-së se Rugova është kryetar në letër, se aty ekziston njëfarë parlamenti përsëri në letër, kështu që njerëzit në të vërtetë nuk përfaqësojnë kurrfarë force e cila do të ishte në gjendje të ndryshojë situatën", tha Demaçi dhe shtoi se "nuk ka ndërmend" të marrë pjesë në grupet negociatore "të cilat kanë lidhje me Rugovën". Ai porositi se roli i tij është që bashkësisë ndërkombëtare "t'ia bëjë me dije se mbështetja për Rugovën nuk ka dhënë kurrfarë rezultatesh" dhe se "UÇK-ja është forca e vetme e aftë që të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Rexhep Qosja: "Nuk e kam përshëndetur formimin e Grupit për bisedime me palën serbe"
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Kryetari i Lëvizjes Demokratike Shqiptare, Rexhep Qosja, sqaroi sot në gazetën "Koha ditore" se nuk e ka përshëndetur formimin e Grupit Negociator të Kosovës, siç ka dalë në titullin e një pjese të deklaratës së tij dhënë "Zërit të Amerikës", të botuar nga kjo gazetë. "Në të përditshmen "Koha ditore", më 15.08.1998, është botuar një pjesë e deklaratës sime të emetuar në 'Zërin e Amerikës', mbi Grupin e posaformuar për bisedime me palën jugosllave. Megjithëse edhe prej pjesës së botuar të deklaratës del qartë mospajtimi im, ashtu si edhe i Lëvizjes Demokratike Shqiptare, i PPK-së dhe i UNIKOMB-it, në kumtesën e përbashkët lidhur me këtë hap të dëmshëm politik, redaksia e gazetës ia ka vënë këtë kryetitull: 'Kryetari i LDSH-së përshëndeti formimin e ekipit negociues...'! Formimin e atij grupi për bisedime në këto çaste nuk do të mund ta përkrahja e jo më ta përshëndetja", sqaron z. Qosja, duke paraqitur pikëpamjet e veta lidhur me këtë çështje. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Sot fillojnë manovrat e NATO-s në Shqipëri
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Komanda e NATO-s për Evropën Jugore (AFSOUTH) i bëri të ditura të dhënat esenciale nga plani i stërvitjeve ushtarake në Shqipëri, të cilat zhvillohen në kuadrin e programit "Partneriteti për Paqe", fillojnë sot e zgjasin deri më 22 gusht, njofton "Bujku". Në stërvitje do të marrin pjesë 14 shtete, ndërsa qëllimi kyç i stërvitjes është zhvillimi i kuptimit të përbashkët të operacionit për mbështetje paqes, doktrinës ushtarake e mënyrave të stërvitjeve dhe ushtrimi i bashkëveprimit të forcave të armatosura të shteteve anëtare. Do të ushtrohen operacionet e kërkimit dhe të shpëtimit, mbështetje të afërta ajrore, evakuime sanitare, operacionet ajrore dhe veprimet e këmbësorisë në mbështetje të paqes. Në kumtesën e publikuar në buletinin e Ambasadës amerikane në Beograd thuhet se "këto stërvitje do të ndihmojnë që të përsosen procedurat dhe kërkesat e nevojshme për bashkëpunim efikas të forcave ushtarake të NATO-s dhe vendeve anëtare të programit "Partneriteti për Paqe". Shqipëria do të marrë pjesë na këto manovra me 120 ushtarë dhe me dy aeroplanë të tipit Mig-19 dhe MI-4; Belgjika me dy aeroplanë të tipit F-16A; Kanadaja me 2 aeroplanë të tipit F-16A; Franca me 60 ushtarë dhe dy fluturake "Jaguar"; Gjermania me 140 ushtarë, dy fluturake të tipit "Tornado" dhe një aeroplan C-160; Greqia me 100 ushtarë, një ekip mobil stomatologësh, një fluturake "C-130" dhe tri fluturake për mbështetje të afërt ajrore; Italia me 250 ushtarë, katër fluturake "AMX", dy "AV8B", dy "AB212", dy "SH-3D" dhe dy "AB-205"; Lituania me 40 ushtarë; Holanda me katër aeroplanë të tipit "F-16"; Rusia me 40 ushtarë; Spanja me 130 ushtarë dhe dy fluturake "UH-1"; Turqia me 150 ushtarë, dy fluturake "C-130", dy "GR-7" dhe "CH-47"; SHBA-të me 250 ushtarë, gjashtë fluturake "AV-8B", njëzet "CH-46", katër "CH-53", katër "AH1/2", dy "UH-1", dy aeroplanë "F-16" dhe një "C-130". Kjo manovër do të përcillet nga vëzhguesit e 10 vendeve. Austria, Bullgaria, Çekia, Danimarka, Moldavia dhe Rumania do të kenë nga dy vëzhgues, Maqedonia dhe Suedia do t'i kenë nga tre vëzhgues, Finlanda katër, ndërsa Zvicra një vëzhgues. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Folke Rye deklaroi se NATO duhet të intervenojë në Kosovë edhe pa pëlqimin e Rusisë
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Ministri gjerman i mbrojtjes Folke Rye deklaroi se NATO duhet të intervenojë në Kosovë, madje edhe pa pëlqimin e Rusisë. Në një intervistë dhënë të përjavshmes "Shpigel", Rye tha se është joreale të pritet që Moska të lejojë intervenimin e NATO-s në Kosovë. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Sipas gazetës "Blic" në Junik kanë mbetur vetëm 17 pleq
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Me rastin e aksioneve të forcave ushtarake policore serbe në Junik janë konfiskuar shumë armë: një top i vogël, mina, 6 minahedhës, 5 minahedhës dore, disa qindra pushkë, ndërsa janë arrestuar 9 shqiptarë të cilët nuk dinë asnjë fjalë serbisht, shkruan gazeta "Blic" në një reportazh nga Juniku. Në Junik është rëzuar minarja e xhamisë, ndërsa nëpër tërë fshatin ka pasur shumë bunkerë dhe frengji nëpër shtëpi si dhe qendra të snajperëve, shkruan kjo gazetë. Gazeta thotë se në këtë fshat më parë kanë jetuar 8 mijë banorë, ndërsa gazetarët dje kishin takuar vetëm 17 pleqë të ulur para një çajtore në qendër të fshatit. Ata kishin deklaruar se gjatë luftimeve kishin qëndruar nëpër shtëpitë e tyre, kurse policia pasi kishte hyrë në Junik, i kishte sjellë në qendër të fshatit. Policia u ka deklaruar gazetarëve në Junik se ka vrarë me dhjetra pjesëtarë të UÇK-së, ka konfiskuar shumë armë. Gjithashtu gazetarët kishin parë listat e ndryshme dhe një arkiv të vogël, si dhe disa dëftesa të UÇK-së për Junik në të cilat ishin shënuar shuma të të hollave. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Në Ajvali gazetarëve iu tregua një pjesë e arkivit të UÇK-së
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Pjesëtarët e policisë serbe në Prishtinë të shtunën ua treguan gazetarëve në Prishtinë një pjesë të armatimit dhe të pajisjeve të konfiskuara nga UÇK-ja gjatë luftimeve në fshatin Glloxhan. Para selisë së policisë serbe në Ajvali, gazetarëve iu tregua një pjesë e arkivit të UÇK-së të gjetur në Malishevë si dhe listat e njerëzve dhe të armatimeve, shkruan shtypi serb. Gjithashtu aty ishte libri i kujdestarisë, i raporteve, i njoftimeve për aksionet, renditja e njësive, evidenca e armatimeve, fotografitë nga betimi i ushtarëve, si dhe rregullorja për jetën e brendshme të UÇK-së. Në një qese, e cila sipas pohimeve të policisë është gjetur në Shtabin e UÇK-së në Glloxhan, kishte rreth 200 letërnjoftime, pasaporta dhe dokumente të tjera. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Njazi Aqifi i pandehur për vrasjen e magnatit të njohur hungarez të shtypit
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Njazi Aqifi i pandehur për vrasjen e magnatit të njohur hungarez të shtypit, Janosh Fenje në shkurt të këtij viti, iu dorëzua policisë hungareze. Pas vrasjes policia më 21 maj lëshoi një fletarrest për 3 shqiptarë të Kosovës të pandehur për këtë vrasje. Atëherë u botua fotografia e Njaziut dhe fotoroboti i dy të pandehurve të tjerë. Para se të kalojë kufirin jugosllavo-hungarez afër Horgoshit, ai gazetarëve u deklaroi se po dorëzohet vullnetarisht "për t'u liruar nga dyshimi për vrasje". Avokati i Njaziut paralajmëroi se klienti i tij do të shkojë në Hungari pas premtimeve të organeve hungareze se pas 30 ditësh të paraburgimit do të lirohet nëse ka prova se nuk është fajtor. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Pardje në Voksh të Deçanit u vranë katër oficerë të policisë serbe
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Pardje në fshatin Voksh të Deçanit në përleshje me forcat shqiptare u vranë katër policë serbë, njofton shtypi i sotëm serb. U vra një major, një kapiten dhe dy rreshterë të klasit të parë të policisë serbe. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Në Tetovë ndodhi një incident midis "vojvodëve" dhe grupit të Selim Gucit
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Parmbrëmë rreth orës 2.50 pas mesnate, në mes të Tetovës, në kafiterinë "Kobra", ndodhi një incident i rëndë - rrahje grupore e të rinjve maqedonas dhe shqiptarë, njofton "Bujku". Sipas kumtesës së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tetovës, në këtë rrahje grupore janë lënduar vetëm dy veta, ndërsa janë përdorur armë zjarri, thika e shkopinj bejzbolli. Kjo rrahje ka ndodhur ndërmjet grupit të vojvodëve maqedonas, të rinj të njohur për nxitje të incidenteve dhe për prishje të rendit e të qetësisë publike, dhe grupit të të rinjve shqiptarë, të njohur më shumë me emrin Grupi i Selim Gucit, gjithashtu të njohur për prishje të rendit dhe të qetësisë publike. Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tetovës ka bërë të ditur se deri tani këto dy grupe edhe kanë bashkëpunuar mes veti, ndërsa rrahja e parmbrëmshme ka ndodhur për shkak të marrjes së "një klienti" të tyre. Në kumtesë thuhet se Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tetovës ka ndërmarrë të gjitha masat për ndriçimin e kësaj ngjarjeje dhe kundër kundravajtësve do të ngrisë aktpadi penale. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Çeku i plagosur në kufi, turist e jo gazetar
Prishtinë, 17 gusht (QIK) Televizioni çek kumtoi se Ivan Diken, i cili u plagos në afërsi të kufirit Shqipëri - Kosovë, "është një turist i thjeshtë, e jo gazetar i mediave gjermane", bën të ditur "Koha ditore". "Diken ka ardhur në Tropojë nga pushimi në Greqi dhe menjëherë është nisur në kufi me Kosovën ku, siç është kumtuar, e ka qëlluar plumbi i shkrepur nga territori i RFJ-së", thuhej në njoftimin e këtij televizioni. Sipas këtij mediumi, burimet nga Tirana, kanë pohuar se Diken, i cili është operuar në spitalin e atjeshëm ushtarak "ka ndër mend që, pas shërimit, sërish të shkojë në kufirin shqiptaro-jugosllav, për të parë luftën nga afërsia". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] |