QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 19 gusht 1998, 18:00 CET
Informatori ditor nr. 2155-C
Përmbajtja
 
  Kryetari Rugova priti komisioneren Ema Bonino


Prishtinë, 19 gusht (QIK)

Kryetari i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova priti sot pasdite në Prishtinë Komisioneren e Lartë për Çështje Humanitare të Bashkimit Evropian, Ema Bonino me bashkëpunëtorët, të cilët i shoqëronte ambasadori i Austrisë në Beograd, Volvgang Petriç.

Në takim u bisedua për gjendjen e rëndë në Kosovë, e sidomos për gjendjen dramatike humanitare të popullsisë së zhvendosur, si pasojë e ofensivës së forcave serbe.

Kryetari Rugova tha se gjendja në Kosovë vazhdon të jetë tepër e rëndë, si pasojë e ofensivës së forcave ushtarake e policore serbe. Ai kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të kësaj ofensive dhe bëri thirrje për një ndërhyrje preventive ndërkombëtare, me qëllim të mbrojtjes së popullit të Kosovës.

Kryetari Rugova theskoi se gjendja e popullsisë që u detyrua të zhvendoset nga shtëpitë e tyre po bëhet tejet e rëndë, me rrezik që të shndërrohet në një katastrofë humanitare. Ai kërkoi një ndërhyrje të fuqishme humanitare ndërkombëtare në Kosovë për të ndihmuar popullsinë civile dhe për të evituar katastrofën.

Komisionerja Ema Bonino tha se UE-ja gjendjen në Kosovë po e përcjellë me vemendje e me shqetësim të thellë dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar popullsinë e zhvendosur. Ajo theksoi se në Kosovë duhet të ndërmirren hapa preventivë, me qëllim që të mos mirremi më vonë me pasojat.

Kryetari Rugova falënderoi z.Bonino për vizitën dhe i bëri thirrje Unionit Evropian që të intervenojë urgjentisht me ndihma humanitare në Kosovë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Kryetari Rugova priti zyrtarë të lartë të UNHCR-it


Prishtinë, 19 gusht (QIK)

Kryetari i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova priti sot në ndihmësin e Komisioneres së Lartë për Refugjatë pranë OKB-së, Soren-Jesen Peteresen, me bashkëpunëtorët dhe bisedoi me ta për gjendjen në Kosovë.

Kryetari Rugova tha se gjendja në Kosovë është tejet dramatike për shkak të ofensivës serbe. Kjo ofensivë pati për pasojë zhvendosjen e një pjese të madhe të popullsisë, tha dr.Rugova, dhe kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të aksioneve ushtarake e policore serbe. Ai bëri thirrje për një ndërhyrje ndërkombëtare preventive, me qëllim të mbrojtjes së popullit të Kosovës dhe ndërprerjes së spastrimit etnik të saj.

Kryetari Rugova kërkoi një aksion të fuqishëm ndërkombëtar humanitar në Kosovë, që të evitohet një katastrofë humanitare, e cila mund ta godasë popullsinë e zhvendosur me dhunë nga forcat serbe.

Zoti Petersen tha se gjendja tepër e rëndë e popullsisë së zhvendosur në Kosovë duhet të zgjidhet para se të vijë dimri, me qëllim që të evitohet katastrofa humanitare. Ai u angazhua për një veprim urgjent të organizatave dhe asociacioneve humanitare në Kosovë.

Kryetari Rugova çmoi përpjekjet e UNHCR-së për të zbutur gjendjen e rëndë të popullsisë së zhvendosur në Kosovë dhe kërkoi që kjo organizatë të angazhohet edhe më shumë në këtë drejtim.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Luftime në Açarevë, të shtëna në Cerovik


Prishtinë, 19 gusht (QIK)

Në disa fshatra të Klinës e të Skënderajt edhe sot pati luftime e të shtëna armësh.

NMDLNJ në Likoc njofton se të shtëna armësh pati në orët e mëngjesit në Cerovik të Klinës, ndërsa gjatë ditës në Açarevë u zhvilluan luftime mes forcave të UÇK-së dhe forcave serbe. Njoftohet se forcat serbe kanë pësuar humbje në njerëz dhe në teknikë luftarake.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Edhe sot forcat serbe dogjën shtëpitë e shqiptarëve në Bubavec e Drenoc


Prishtinë, 19 gusht (QIK)

Forcat serbe vazhduan edhe sot djegien e shtëpive në fshatrat Bubavec e Drenoc, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Djegia e shtëpive në këto dy fshatra filloi menjëherë pas largimit të një delegacioni të huaj, në të cilin ndodhej edhe komisionerja e lartë e Bashkimit Evropian për çështje humanitare, Ema Bonino, e cila vizitoi sot këtë rajon.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Kamenicë: Fushatë arrestimesh


Prishtinë, 19 gusht (QIK)

Një ekspeditë e policisë serbe bastisi sot shtëpitë e dr. Fahredin Sh. Kryeziut nga Rogaçica, mr. Refik N. Kryeziut nga Rogaçica, të cilit edhe i arrestoi, njofton KI i Degës së LDK-së në Kamenicë.

Bëhet me dije se policia arrestoi edhe dr. Ibrahim D. Rrudhanin nga Rogaçica, dr. Azem E. Spahiun nga Muçiverci dhe dr. Izet Sh. Keka nga Muçiverci.

Nuk dihet preteksti i arrestimit, ndërkohë që nuk ka as njoftime për lirimin e tyre.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Autoritet zvicerane hoqën masat e ndërmarra nga Fondit të Republikës së Kosovës


Prishtinë, 19 gusht (QIK)

Dje më 18 gusht 1998, sipas marrëveshjes paraprake, Zonja Carla Del Ponte, prokurore e Konfederatës së Zvicrës, vendosi të heqë masat që pati ndërmarrë më 23 korrik 1998 ndaj Fondit të Republikës së Kosovës, thuhet në një kumtesë të Ministrisë për Informata të Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, zoti Guy Fontanet, avokat dhe zoti Xhafer Shatri njëri prej administratorëve të Fondit të Republikës së Kosovës, patën rastin dhe mundësinë t'i japin të gjitha shpjegimet e nevojshme lidhur me përdorimin e mjeteve të Fondit.

Në një takim të zz. Fontanet e Shatri me përfaqësuesit e Departamentit federal për çështje të brendshme, që është autoritet mbikëqyrës i Fondit të Republikës së Kosovës, është arritur marrëveshja për masa plotësuese që do të mundësojnë verifikimin në çdo kohë se gjithë aktiviteti i Fondit është në përputhje të plotë me statutin.

Në statut thuhet se Fondi i Republikës së Kosovës "ka për qëllim të marrë pjesë në financimin e të gjitha aksioneve të ndërmarra të natyrës humanitare, sociale, kulturore, arsimore, shëndetësore etj. dhe të natyrës tjetër për t'ju përgjigjur nevojave të popullsisë së Kosovës në vend dhe për t'i siguruar asaj dinjitetin, zhvillimin ekonomik dhe respektimin e të drejtave themelore...(neni 4 i statutit)

Siç dihet Fondet e Republikës së Kosovës kanë luajtur një rol të rëndësishëm për mosgjunjëzimin e popullit të Kosovës dhe kanë qenë bazë e sigurtë për krijimin e një sistemi vetanak financiar, pa të cilin nuk mund të mendohet përpjekjet e një populli për të jetuar i lirë e i pavarur.

Fondet e Republikës së Kosovës jashtë në përgjithësi dhe ky i Zvicrës në veçanti janë një dëshmi e rëndësisë që kanë mërgimtarët tanë në përpjekjet për lirinë e Kosovës; mbështetja e vazhdueshme e fondeve të Republikës është dëshmi e përkushtimit dhe atdhedashurisë së tyre.

Me këtë rast duam të falënderojmë veçanërisht mediat zvicërane dhe botërore për mbështetjen e parezervë që i kanë dhënë Fondit por edhe të përmendim me keqardhje mungesën e profesionalizmit dhe interesimit nga ana e disa mediave shqiptare, të cilat nuk kontribuan në sqarimin e rrethanave të krijuara lidhur me Fondin e Republikës së Kosovës në Zvicër.

Është rendi të falenderojmë miqtë e shumtë zvicëranë që, si gjithmonë, na mbështetën me këmbëngulje. Në radhë të parë falenderojmë avokatët Guy Fontanet dhe Alain Tripod për profesionalizimin, për energjinë dhe kurajon qytetare.

Duam të falënderojmë shumë bashkatdhetarë e veprimtarë kudo në mërgim për shqetësimin e tyre dhe për ndihmesën që na dhanë në mbrojtje të pasurisë së popullit të Kosovës dhe të institucioneve të tij, të ndërtuara me shumë mund e sakrifica.

Me këtë rast kemi kënaqësinë të falënderojnë autoritetet federale për mirëkuptimin. Heqja e masave ndaj Fondit të Republikës së Kosovës është një dëshmi e autoritetit që kanë shqiptarët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre në këtë vend, thuhet në kumtesë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Gjilan: Aksioni për inkasimin e borgjeve ende nuk ka përfunduar


Gjilan, 19 gusht (QIK)

Aksioni për inkasimin e borgjeve, i cili në komunën e Gjilanit pat filluar nga data 10 korrik, dhe atë në kuadër të një aksioni të ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisth KQKF-ja "Gjithçka për pavarësinë e Kosovës", ende nuk ka përfunduar.

Këtë lajm na e verifikuan edhe përgjegjësit e KKF-së të Gjilanit, meqë ende nuk u përmbushën objektivat e synuara - mundësia e shlyerjes së borgjeve nga ana e obliguesve të vonuar.

Ky institucion, njëherësh kishte vendosur që në aksionin për grumbullimin e mjeteve për pavarësinë e Kosovës të mos mund të kyçeshin ata që nuk i kishin kryer më parë obligimet.

Mësojmë se inkasimi i borgjeve deri diku kënaq por, rezultatet e përgjithshme në nivel komunal janë nën parashikime.

Shih për këtë, obliguesve (sërish) të vonuar i u është dhënë edhe një afat shtesë deri në fund të këtij muaji.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Gjilan: Për përgatitjen higjieno-teknike të shkollave - 20 mijë DM


Gjilan, 19 gusht (QIK)

Tash kur po afrohet viti i ri shkollor, përpjekjet e subjekteve arsimore nëpër shkolla për një përgatitje sa më të mirë, janë shtuar dukshëm.

Gjatë muajit gusht, përkatësisht në njëzet ditët e para ishin në vlug përgatitjet higjieno-teknike, të cilat siç mësojmë do të kryhen pak para fillimit të vitit shkollor.

KKF e Gjilanit, në përpjekjet e saja për të ndihmuar diçka më shumë në këtë drejtim, ndau 20 mijë DM. për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme. Mirëpo, kjo masë e mjeteve, edhe pse me kohë është tërhequr nga përgjegjësit e shkollave, duket se është e pamjaftueshme kur dihet gjendja fizike e objekteve shkollore dhe kushtet në të cilat në këto vitet e fundit është zhvilluar procesi edukativo-mësimor.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Pagat e janarit - në gusht


Gjilan, 19 gusht (QIK)

Afro 1200 punëtorë arsimorë si dhe personeli ndihmës i shkollave të komunës së Gjilanit, gjatë këtyre ditëve po i marrin pagat për muajin janar. Për rrethanat kosovare, ky lajm nuk mund të merret si befasi, e as për komunën e Gjilanit. Vonesat janë shtresuar në këtë drejtim, nga kriza ekonomike, nga gjendja e luftës po edhe nga neglizhenca e obliguesve në kryerjen e obligimeve të tyre qytetare.

Në KKF të Gjilanit, na thanë se brenda tetë muajve kanë arritur deri tash t'i shpërndajnë vetëm pesë paga.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]