QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 27 gusht 1998, 18:30 CET
Informatori ditor nr. 2163-D
Përmbajtja
 
  Gjendje dramatike në fshatin Senik


Forcat serbe sulmuan popullsinë civile në luginat e këtij fshati

Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Sot në orën 16.30 forcat e policisë e ushtrisë sebre, të cilat janë vendosur në fshatin Kleçkë, sulmuan popullsinë civile që gjendet në luginat e fshatit Senik.

Sekretari i Degës së LDK-së në Suharekë i deklaroi QIK-ut se ka të vrarë e të plagosur. Ai tha se kishte parë vetë nje grua që nuk mund të ndihmonte fëmijët e saj dhe të ëmën plakë.

"Popullata civile në luginat e Senikut është në gjendje kritike. Ajo nuk ka asnjë shteg për largim nga këto lugina. Në të dy anët është e bllokuar mha forcat serbe", tha z. Zekolli.

Ai kërkoi ndihmën e kujtdo që mund të bëjë diçka për shpëtimin e popullsisë së pambrojtur nga masakrat eventuale të forcave serbe.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Forcat serbe sulmuan Kleçkën


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Sot rreth orës 14.00 një konvoj i forcave serbe sulmoi fshatin Kleçkë, nga i cili po del tym e flakë, njoftoi një burim i LDK-së nga Ngucati i Malishevës.

I njëjti burim bën me dije se forcat serbe shtinë me armë në disa banorë të fshatit Lladroviq, të cilët po udhëtonin për në Ngucat, dhe plagosën dy prej tyre, ndërkohë që për dy të tjerë nuk dihet asgjë.

Abdyl Murtez Berisha (65) u plagos lehtë, ndërsa bashkëshortja e tij, Sanija (53) u plagos rëndë. Bashkë me ta ishte edhe vëllai i Abdylit, Ramadani (75) dhe bashkëshortja e tij Ajshja, për fatin e të cilëve nuk dihet.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Deçan: Vazhdon djegia e shtëpive dhe pasurisë së shqiptarëve


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Djegia e shtëpive dhe pasurisë së shqiptarëve në komunën e Deçanit nuk ka të ndalur. Gjatë tri ditëve të fundit në Deçan, në fshatrat e regjionit të Vokshit dhe në Junik policët dhe paramilitarët serbë dogjën shumë shtëpi, në të cilat nuk jeton njeri që nga fundi i muajit maj.

Gjatë ofensivës së fundit policia dhe ushtria serbe shkatërroi pos tjerash edhe këto objektet e shkollave fillore në Deçan, Prejlep, Restavicë, Baballoq, Gramaçel, Junik, Strellc të Epërm, Irzniq, Gllogjan, Drenoc, Pobergjë dhe Voksh, në të cilat vjojnë mësimin nxënësit e 28 fshatrave. Ndërkaq, shkolla e mesme "Vëllezërit Frashëri" në Deçan me 7 punktet e saj është i bllokuar nga forcat serbe.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Deçan: Kërkesë për unitet në skenën politike kosovare


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Në një komunikatë për opinion, të nënshkruar nga të gjitha shtabet e fshatrave të komunës së Deçanit, shprehet shqetësim për mospajtimet në skenën politike shqiptare dhe përkrahet ndërtimi i institucuioneve shtetërore të Kosovës.

Në këto kohë të vështira nëpër të cilat po kalon populli ynë në rrugën e lirisë, po përjetojmë shumë rëndë përçarjet në skenën politike shqiptare. Ne jemi përcaktuar për rrugën e lirisë, rrugën e fitores, andaj kërkojmë nga partitë politike dhe individët e ndyshëm që të lënë anash mospajtimet dhe të kenë qëndrime unike për çështjen madhore. Të punojnë në jetësimin e institucioneve shtetërore të Kosovës.

Përkrahim presidentin, parlamentin dhe organet që do të dalin nga ai. Është kërkesa jonë që të jemi më të ndërgjegjshëm para brezave që po vijnë, thuhet në mes tjerash në këtë komunikatë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  U promovua libri "Poezi dhe uratë" i Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Sot, në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë, në kuadër të manifestimit "Java kulturore për Nënë Terezën", u promovua libri i Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës, me titull "Poezi dhe uratë", e cila u botua në kuadër të SHSHK-së dhe audiokaseta me vargjet e Nënë Terezës, që u editua nën përkujdesjen e shoqatës "Motrat Qiriazi".

Pasi i luti të pranishmit për një minutë heshtje për martirët e vrarë shqiptarë nga forcat e terrorit serb dhe në 1-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, manifestimin e shpalli të hapur Frrok Kristaj, gazetar, ndërsa për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës fjalën e hyrjes e mbajti don Lush Gjergji.

Me rastin e botimit të përmbledhjes "Poezi dhe uratë", foli mr. Sali Bashota, ndërsa për audiokasetën me të njëjtin titull, foli Mustafë Statovci.

Në manifestim u lexuan vargjet e disa poetëve kosovarë kushtuar Nënë Terezës, ndërsa vargje nga përmbledhja "Poezi dhe uratë", deklamuan aktoret Safete Rugova e Kumrije Hoxha.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Emma Bonino: Të ndalet hovi i spastrimeve etnike të Millosheviqit


Gjenevë, 27 gusht

Ka varreza masive në Kosovë, sepse sulmet nga forcat serbe kundër shqiptarëve etnikë, kanë shkaktuar masakra masive dhe kjo është e ngjashëm me "varrezat masive". Të masakruarit mund t'i varrosësh në një varr ose një nga një veç e veç, tha Komisionerja e Lartë e BE-së për Çështje humanitare znj. Emma Bonino, në një intervistë për të përditshmen italiane "La Republika".

Regjimi i Beogradit vret shqiptarët, djeg shtëpitë e tyre për t'u bërë ato të papërdorshme, masakron popullatën civile, me pretekst se i lufton "terroristët" e UCK-së, por e gjithë kjo dhunë sistematike e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi bëhet për qëllim të spastrimeve etnike.

Në Bosnjë, karakteristikë e kësaj dhune ishte përdhunimi etnik plus varrezat e përbashkëta. Ndërsa në Kosovë tentohet të zhvillohet ndezja etnike plus varrezat e përbashkëta e të veçanta, konstaton diplomatja e BE-së në "La Republika", duke bërë komparacion të terrorit serb në Kosovë me atë në Bosnjë. Pamë çfarë ndodhi në Çeçeni. Shikuar juridikisht, Kosova aktualisht është një krahinë në "Jugosllavi". Por, nëse analizojmë dhe shpërblehen këto formalitete juridike, atëherë qenja njerëzore është pjesë e botës humanitare dhe mu për këtë çështja e Kosovës tashmë është bërë një problem ndërkombëtar. Është obligim moral i diploamcisë botërore të merret me këtë çështje, për zgjidhjen e krizës së saj, thotë në vazhdim Emma Bonino për të përitshmen italiane.

Ajo shfaqi bindjen se interevnimi ushtarak në rajon është i domosodshëm për ndërprejen e makinerisë ushtarake kundër popullatës civile shqiptare. Një mosintervenim do t'ishte një hipokrizi për diplomacinë ndërkombëtare.

Sa i përket zgjidhjes së krizës së Kosovës, ajo tha se bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përdorur ende të gjitha "armët" e veta diplomatike kundër Beogradit. Ajo tha se duhet të vendosen sanksione diplomatike dhe ekonomike në të gjitha sferat, të pezullohen të gjithë ambasadorët jugosllavë në botë, të ngrihen pasuritë serbe në vendet perëndimore, të mos lëshohet asnjë vizë për diplomatët jugosllavë, e tjerë. Besoj se këto masa do të kenë efektin e vet, tha ajo.

Në pyetjen e gazetarit italian se a është e vërtetë se qeveria e Prodit bëri shumë në jetësimin e stabilitetit politik të Millosheviqit, ajo u përgjigj duke thënë se pas fjalës "satabilitet" qëndron një perde dhe aty mund të fshihen shumë gjëra si terrori, dhuna, interesat ekonomike, finaciare etj...

Derisa NATO përgatit plane e projekte për një interevenim në rajon, Millosheviqi po realizon qëllimet e veta. Prandaj, sipas Boninos, bota gabon nëse nga Millosheviq kërkon paqe e zgjidhje të problemeve, nga ai i cili vetë është problemi numër një i ballkanit dhe i mbarë rajonit.

Ajo kritikoi neglizhencën e komunitetit ndërkombëtar, sidomos të atij evropian ndaj kësaj çështje mjaft të ndjeshme.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  PLK dënon sulmin në ndërtesën e USIS në Prishtinë


Akt kundër angazhimit amerikan për zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Partia Liberale e Kosovës (PLK) dënon sulmin në ndërtesën e zyrës së SHBA-ve në Prishtinë dhe e konsideron si akt kundër angazhimit amerikan për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës.

Hapja e Zyrës së USIS në Prishtinë, vlerëson PLK, ishte një ngjarje e shënuar në Kosovë, të cilën e ka përshëndetur mbarë populli shqiptar. Kjo Zyrë shënon një etapë të re për Kosovën dhe qytetarët e saj që me vite po përballen me dhunën e diskriminimin e pushtuesit serb.

SHBA-të janë të mirëseardhura në Kosovë. Flamuri amerikan është simbol i paqes, lirisë dhe demkoracisë edhe për Kosovën. Populli i Kosovës i është mirënjohës administratës amerikane Presidentit Klinton për mikrëkuptimin dhe ndihmën që do të japin për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, thuhet ndër të tjera në kumtesën e PLK-së.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Nga mbledhja e shoqatave shqiptare në Slloveni


Përkrahje e fuqishme popullit të Kosovës

Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Në Lubjanë u mbajt një mbledhje e përbashkët e 10 shoqatave të shqiptarëve që jetojnë në Slloveni. Ata shqyrtuan gjendjen në Kosovë, shprehën dhembjen e thellë për tragjedinë e popullit të Kosovës dhe gatishmërinë për të ndihmuar për evitimin e katastrofës njerëzore që po i kanoset popullit të Kosovës.

Në këtë mbledhje u theksua se shqiptarët që gjenden në Slloveni përkrahin pa rezervë luftën e popullit shqiptar në Kosovë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, iu bë apel subjekteve politike e shtetërore të Kosovës, si dhe përfaqësuesve të UÇK-së, që të bashkohen e të bashkëveprojnë për realizimin e vullnetit të popullit për liri e pavarësi.

Përfaqësuesit e këtyre shoqatave theksuan se bashkëkombësit tanë në Slloveni dëshmuan shkallë të lartë solidariteti me popullin e Kosovës në aksionin e qeverisë së Republikës së Kosovës "Për pavarësinë e Kosovës", por kontribute të mëdha dhanë edhe për fondacionin "Vendlindja thërret". Ndërsa ditët e fundit shoqatat shqiptare në Slloveni po zhvillojnë një aksion të gjerë për grumbullimin e ndihmave humanitare për popullsinë e zhvendosur të Drenicës, Llapushës, Anadrinit, Rekës së Keqe, e cila po kalon momente shumë të vështira.

Shqiptarët që jetojnë në Slloveni u shprehin mirënjohje qeverisë, organizatave humanitare dhe popullit slloven për përkrahjen e zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës dhe për ndihmat humanitare për popullin e rrezikuar të Kosovës, e cila kalon 120.000 dollarë amerikanë.

Në mbledhjen e përfaqësuesve të shoqatave shqiptare që veprojnë në Slloveni u tha se në fund të muajit gusht do të niset një konvoj i ndihmave humanitare për popullsinë e rrezikuar të Kosovës.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Gjermania ndihmon armatën e Maqedonsië


Shkup, 27 gusht

Ministri i Mbrotjes i Maqedonisë Lazar Kitanovski prej sot e deri më 29 gusht do të qëndrojë në Gjermani, ku do të takohet me homologun e tij gjerman Folke Rye dhe me zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie. Dy ministrat pritet të bisedojnë për bashkëpunimin ushtarak në mes të dy vendeve dhe do të bisedojnë për gjendjen aktuale në jug të Ballkanit.

Do të bisedohet edhe për ndihmën ushtarake prej 60 autoblindave të tipit BTR 70, prodhim i Gjermanisë Lindore që janë kompatibil me teknologjinë ruse. Sipas planeve këta transporterë do të arrijnë në Maqedoni në muajin tetor.

Armata e Maqedonisë para disa kohësh ka blerë edhe 12 transporterë të këtij lloji nga Kazastani. Transporterët BTR 70 i jepen si ndihmë armatës maqedonase.

Minsitri Kitanovski, gjatë takimit me homologun e tij gjerman Rye do të orvatet të ndikojë tek ai për të ndryshuar qëndrimin e tij ndaj zgjidhjes së problemit të Kosovës. Sic dihet, Rye disa herë është prononcuar për ndërhyrje ushtarake ndaj Serbisë.

Para disa kohësh javorja "Puls" në Shkup botoi një reportazh ku flitej se ambasadori i Maqedonisë në Gjermani, Serxhan Qerim ka marrëdhënie të ngushta miqësore me ministrin e jashtëm Klaus Kinkel. Reportazhi shoqërohej me fotografi të ambasadorit Qerim dhe të Klaus Kinkelit duke luajtur bashkë tenis.

Ambasadori Qerim para emërimit të tij ambasador i jashtëzakonshëm e fuqiplotë në Gjermani ka qenë në Beograd ku ka pasur edhe një firmë të madhe biznesi.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Suedia nismëtare për ndihmë Kosovës


Malme, 27 gusht

E shqetësuar shumë për gjendjen në Kosovë dhe katastrofës që po i kanoset popullsisë civile të zhvendosur me dhunë nga vatrat e veta, Suedia këto ditë ka ndërmarrë një inisiativë për organizimin e një konference ndërkombëtare me qëllim të vetëm për grumbullimin e ndihmave humanitare për Kosovën. Në një takim që ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Lena Hjelm Walen, pati në Vesteros me homologët e vet të vendeve nordike e baltike, në të cilën mori pjesë edhe ndihmësministri rus i Punëve të Jashtme, Aleksandër Avdejev, u tha se në Kosovë gjithsesi duhet të pushojnë armët dhe se patjetër duhet të gjindet një zgjidhje e problemit.

Kjo mund të arrihet vetëm përmes bisedimeve, nëpërmjet së cilave Kosova gjithsesi duhet të fitojë një autonomi të zgjeruar, por jo edhe pavarësinë.

Tash për tash ende nuk është caktuar vendi se ku do të mbahet kjo

konferencë, por mund të ndodhë që ajo të organizohet në Kosovë.

Ndihmësministri rus, Avdejev ishte gjithashtu i mendimit se konflikti mund të zgjidhet me dialog dhe pa përdorimin e dhunës. Kjo duhet të bëhet sa më parë që është e mundur.

Mjetet e informimit suedez që kanë përcjellur këtë takim theksojnë se në konfliktin e Kosovës, Rusia mbështet Serbinë. Rusia ka kundërshtuar gjithashtu propozimin për një ndërhyrje ushtarake të NATO-s në Kosovë për të zgjidhur problemin.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Një grup ekstremistësh suedez mori përgjegjësinë për vënien e zjarrit në shoqatën "Kosovarja"


Malme, 27 gusht

Një grup ekstremistësh suedez, i quajtur "Ne që kemi ndërtuar Suedinë", ka marrë përgjegjësinë për atentatin në ambientet e Shoqatës së Gruas Shqiptare "Kosovarja" në Malmes të Suedisë, e cila, në mëngjesin e së hënës, nga një sulm me "koktej molotovi" është djegur tërësisht me gjithçka që kishte brenda.

Njoftimin për përgjegjësinë e dha gazeta e mbrëmjes "Kvellsposten" që botohet në Malmë. Pos këtij sulmi në shoqatën "Kosovarja", grupi në fjalë, i pakënaqur me politikën e shtetit suedez ndaj të huajve, kërcënohet se do të ndërmarrë edhe aksione e atentate të tjera të këtij lloji. Madje, ata i kërcënohen edhe zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të vendit, Pjer Shori, i cili që ditën kur ndodhi ngjarja në ambientet e "Kosovares", vizitoi këtë shoqatë dhe dënoi atentatin në emër të qeverisë suedeze dhe premtoi se po në këtë vend së shpejti do të ngriten ambientet e reja për gratë shqiptare. Në letrën që boton "Kvellsposten", thuhet gjithashtu se zjarri shkatërrimtar në shoqatën "Kosovarja" është "pasojë e lodhjes së qytetarëve të Suedisë me ndihmat materiale për shumë projekte që u dedikohen të huajve".

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Në Mal të Zi janë regjistruar 6.698 familje nga Kosova


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Kryqi i Kuq i Malit të Zi ka regjistruar 6.698 familje refugjatësh nga Kosova, me gjithsej 34.701 anëtarë. Nga ky numër 18.396 janë gra, ndërsa persona më të rinj se 18 vjeç gjithsej ka 19.425. Supozohet se në Mal të Zi ja.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Sindikatat e Mitrovicës kërkojnë ndihmë nga organizatat humanitare


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Trupi koordinues i Sindikatave të Mitrovicës kërkon nga organizatat ndërkombëtare humanitare, por edhe mekanizmat relevantë të vendosjes politike përkatëse të intervenojnë duke hapur koridor humanitar në Kosovë.

Mos intervenimi i menjëhershëm do të kishte si pasojë marrjen e përgjegjësisë për thellimin e katastrofës, jo vetëm humanitare si dhe dështimin përfundimtar të parimeve fundamentale të drejtave të njeriut për jetë, liri e paqe njerëzore.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Geremek kërkoi nga Rusia qëndrim konstruktiv për Kosovën


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Udhëheqësi i radhës së OSBE-së Bronisllav Geremek në Alba të Austrisë, kërkoi dje nga Rusia qëndrim konstruktiv për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai tha se Rusia aktualisht është duke bllokuar aksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën ku janë vrarë me qindra vetë, ndërkohë që janë shpërngulur më shumë se 200 mijë shqiptarë. Geremek tha se akoma ka shanse për zgjidhje politike të çështjes së Kosovës, por kjo do të varet nga distancimi i Rusisë nga arroganca triumfaliste e Milosheviqit. Në këtë situatë Rusia do të duhej të ndryshonte qëndrimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nga ajo varet nëse zgjidhja do të gjendet nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, ose në ndonjë formë tjetër. Mbështetja e OKB-së është e dëshirueshme për shkak të mbështetjes morale, tha Geremek. Mirëpo, pyeti ai në fund, si mund të pranohet që aksionet e NATO-s të varen vetëm nga vullneti i mirë i Rusisë. Kjo pyetje nënkupton edhe mundësinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë pa ndonjë mandat të Këshillit të Sigurimit.

Në fund të fjalimit të tij Geremek tha se zgjidhja për Kosovën do të ishte ajo që Kosova të ketë Kushtetutën e saj, mundësinë e vetadministrimit dhe policinë e vet, njoftuan radiot e huaja.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Zhak Shirak kërkoi trusni për fillimin e negociatave për statusin e Kosovës


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Presidenti francez Zhak Shirak në takimin e tij vjetor në Paris me ambasadorët francezë ka vlerësuar se është e nevojshme një politikë e ashpër ndaj Kosovës dhe se Grupi i Kontaktit duhet urgjentisht të bëjë trysni në fillimin e negociatave shqiptaro-serbe dhe që të angazhohet për një autonomi maksimale për Kosovën në kuadër të kufijve aktualë, njoftoi mbrëmë radio RFI.

I njëjti burim citonte zotin Shirak të ketë thënë se intervenimi ushtarak i NATO-s me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Kosovë do të kishte kuptim vetëm nëse është në shërbim të interesave politike. Rusia do të mundte dhe duhet të luajë një rol pozitiv nga e cila të gjithë partnerët presin diçka të tillë dhe se në këtë drejtim kam biseduar disa herë me presidentin rus Boris Jelcin, tha Shirak.(sh.u.)

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Volfang Shysel kërkon një Dejton për Kosovën


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Ministri i Jashtëm austriak dhe kryesues aktual i radhës së Unionit Evropian, Volfang Shysel, është angazhuar që problemi i Kosovës të zgjidhet në një konferencë ndërkombëtare të ngjashëm me atë të Dejtonit.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Ambasadorët e Unionit Evropian vendosin të bojkotohen aeroplanët jugosllavë


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Ambasadorët e Unionit Evropian do të vendosin të premtën për bojkotimin e aeroplanëve jugosllavë që udhëtojnë për në vendet e tyre, në shenjë proteste ndaj ofensivës ushtarake të Beogrdit në Kosovë.

Një zëdhënës i Unionit Evropian tha se 15-shja evropiane do të aprovojë këtë vendim pasi me këtë rast kërkohet shumica e votave. Pëveç ndalimit të fluturimeve të aeroplanëve jugosllavë, në vendet e Unionit Evropian, 15-shja do të konfirmojë edhe ngrirjen e llogarive bankare të kompanive jugosllave në bankat e vendeve të tyre, si dhe rivendosjen e sistemit të vizave, njoftoi mbrëmë Radio BBC.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Reagime të shumta ndaj propozimit të Qeveria malazeze për hapjen e një korridori për shqiptarët e Kosovës


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Para disa ditësh qeveria malazeze shqyrtoi mundësinë për hapjen e një korridori për shqiptarët e Kosovës në një vend të tretë, thuhej në një raport të transmetuar mbrëmë në Zërin e Amerikës. I njëjti njoftim citonte disa burime qeveritare të kenë thënë se ato po zhvillojnë bisedime me disa shtete ekonomikisht të zhvilluara në Evropë që t'i pranojnë të ardhurit nga Kosova ku në Mal të Zi, sipas të dhënave zyrtare, gjenden afro 40 mijë vetë. Këtë veprim të Qeverisë zyrtarët malazezë e arsyetojnë me probleme sociale me të cilat sipas tyre po ballafaqohet kjo republikë dhe nga frika se eksodi i vazhdueshëm i të ardhurve nga Kosova mund ta destabilizojë Malin e Zi. Komisari për Refugjatë Gjorgje Shqepanoviq, mundësinë e hapjes së korridorit e sheh si një veprim që ka për qëllim "evitimin e një krize humanitare" në Mal të Zi. Sipas tij, Mali i Zi duhet të shndërrohet në një qendër transitore për një numër të madh të të ardhurve nga Kosova të cilët më pastaj, siç tha ai, do të vendoseshin në një vend të tretë.

- Me këtë rast Mali i Zi do të ishte në njëfarë mënyre si një lloj qendre transitore për një numër të madh të të ardhurish nga Kosova të cilët më vonë do t'i vendosnim në një vend të tretë dhe të zhvilluar ekonomikisht të cilat do të mund të përkujdeseshin në mënyrë të duhur për të ardhurit nga Kosova, - tha Shqepanoviq.

Ndërkaq hapja e një korridori të mundshëm për depërtimin e të ardhurve nga Kosova në një vend të tretë shkaktoi reagim të ashpër tek ashpër të forcat politike shqiptare në Mal të Zi dhe tek këshillat emergjente që po përkujdesen për të ardhurit nga Kosova.

Kryetari i partisë së koalicionit qeveritar në Mal të Zi, Unioni Demokratik të Shqiptarëve, z.Bajram Rexha, hapjen e korridorit për depërtimin e të ardhurve nga Kosova e cilësoi si një përpjekje për pastrim etnik.

- Hapja e korridorit për refugjatët nga Kosova është diçka jo e ndershme, është një mendim keqadashës i një pjese udhëheqësish të ndryshëm qofshin të partive politike joshqiptare, apo edhe të udhëheqjes qeveritare malazeze. Ne si parti politike jemi kundër hapjes së këtij korridori për refugjatët nga Kosova, sepse ajo do të ishte një pastrim etnik i popullatës shqiptare nga ajo tokë e djegur. Mendojmë që t'i sigurohen kushtet minimale këtu në Ulqin, të merren masa ligjore ndaj matrapazëve që merren me këtë shërbim të flliqur dhe të pritet ndonjë marrëveshje në mes shqiptarëve e Jugosllavisë së mbetur e të kthehen prapa andej kah kanë ardhur.

Edhe kryetari i Këshillit Emergjent të komunës së Ulqinit, z.Gjokë Shkreli, shfaq të njëjtin mendim. Hapja e një korridori për depërtimin e të ardhurve nga Kosova në një vend të tretë, sipas tij, do të paraqiste një akt antishqiptar që ka për qëllim pastrimin etnik të Kosovës.

- Ne jemi kundër hapjes së një korridori të tillë. Këtë akt e çmojmë si antishqiptar, sepse hapja e një korridori për neve është tentim për spastrimin etnik të Kosovës. Prandaj me siguri që neve do të bëjmë çmos që ky korridor të mos hapet, sigurisht aq sa është mundësia jonë, e ne kemi fuqi pak, por ne do t'i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona që ai korridor të mos hapet.

Edhe shoqatat e pavarura dhe Komiteti Malazez i Helsinkit e kundërshtojnë hapjen e një korridori të mundshëm për depërtimin e të ardhurve ng Kosova në një shtet të tretë. Ata mendojnë se një vendim i tillë do të ishte një krim i pafalshëm për Malin e Zi dhe, sipas tyre, qeveria malazeze duhet të interesohet vetëm për problemet humanitare me të cilat po ballafaqohen të ardhurit nga Kosova në këtë republikë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Studiuesja britanike Antonia Jang për gjendjen në Kosovë


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Zgjidhja e krizës së Kosovës do të ishte pavarësia, por me gjendjen tepër të turbullt në Ballkan, konflikti në rajon mund të acarohet edhe më tej, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë dhe më gjerë.

Si edhe shumë dijetarë të tjerë perëndimorë të çështjes shqiptare që e shikojnë me shqetësim dhe interes çështjen e Kosovës, studiuesja britanike Antonia Jang thotë se gjendja në Kosovë ende mbetet e paparashikueshme.

Dr.Ibrahim Rugova ka bërë vizita në mbarë botën, vuri në dukje ajo për të shpjeguar gjendjen, por politikanë të ndryshëm vetëm e kanë dëgjuar atë dhe e kanë lavdëruar atë për politikën e tij paqësore, duke mos u thelluar se çfarë mund të ndodhte në Kosovë dhe ç'masash duheshin marrë për të parandaluar konfliktin midis shqiptarëve dhe serbëve.

- Të paktën gjatë dhjetë vjetëve të fundit është ngritur pyetja se çfarë mund të ndodhë në Kosovë dhe me sa duket janë bërë shumë pak përpjekje për ta parandaluar krizën që shpërtheu para disa muajsh dhe ende vazhdon. Ngjarjet në Kosovë tregojnë se strategjia e rezistencës pa dhunë nuk është më e dobishme dhe në skenën kosovare korelacioni i forcave po ndryshon, siç është rasti me Adem Demaçin i cili ka kaluar në anën e UÇK-së, tha zonja Jang.

Ajo nënvizoi se nuk është aspak e drejtë të akuzohen për terrorizëm njerëzit që përpiqen të vetëmbrohen, vë në dukje studiuesja britanike.

- Është tepër indinjuese që të mbështetet dhuna e ushtruar nga ushtria jugosllave duke mos e konsideruar atë veprimtari terroriste, ndërsa një grup njerëzish që po përpiqen vetëm të mbrojnë të vërtetën dhe pragun e shtëpive të tyre etiketohen si terroristë.

Zonja Jang konstatoi se vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare është përqëndruar tani te Shqipëria për shkak të shtimit të të ardhurve nga Kosova në zonat veriore të vendit, gjë që ka tërhequr edhe agjencitë humanitare për t'u dalë në ndihmë banorëve të shpërngulur nga Kosova.

Studiuesja britanike Jang theksoi se ndonëse Kosovën dhe Shipërinë e ka kapluar një krizë është njëkohësisht edhe një rast që mund t'i shërbejë botës për ta njohur më mirë Shqipërinë dhe shqiptarët, tha ajo.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  BBC për arrestimet e veprimtarëve shqiptarë


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Në një vështrim të gazetares britanike, Karen Kollman, e cila këto ditë ndodhet në Kosovë, i cili u transmetua sot në radio BBC ku bëhet fjalë për arrestimet e veprimtarëve shqiptarë dhe për likuidimin e tyre nga regjimi serb, veç tjerash thuhet:

Aktivistë e të drejtave të njeriut në Kosovë thonë se tre shqiptarë u torturuan për vdekje ndërsa ishin ndaluar nga policia në këtë vit. Një prej tyre është Rexhep Bislimi, aktivist i të drejtave të njeriut nga Ferizaj. Ai u arrestua më 6 korrik. Familja e tij thotë se të nesërmen policia serbe e solli atë në shtëpi për të kërkuar armë.

Sipas Xhelal Bislimit, vëllai i Rexhepit, ku nuk gjetën armë policia e rrahu dhe shtoi se Bislimit nuk iu lejua as të kishte mbrojtësin e tij.

Të afërmit e z. Bislimit thonë se ai u rrah për vdekje kur ishtë nën arrest. Më 19 korrik ai u dërgua në spitalin e Prishtinës nga policia. Raportet mjekësore tregojnë se gjendja e tij ishte shumë e rëndë kur mbërriti në klinikë. Tri ditë më pas ai vdiq. Fotografitë e trupit të tij janë të llahtarshme.

- Krahët i kishte të djegur me yjti dhe brinjët i kishte të thyer, këmbët i kishte të mavijosura...

Me një rast të veçantë një tjetër shqiptar, Cen Dugolli i cili u mor në arrest dhe u keqtrajtua rëndë në polici e më vonë u dërgua në spitalin e Prishtinë më 17 gusht. Ai vdiq të nesërmen. Fotografitë e trupit të tij tregojnë se ai ishte krejt i mavijosur. Avokati i z. Dugolli u përpoq ta mbronte, por iu mohua e drejta të shihte gjithë dokumentet e gjyqit. Si rezultat avokati i tij, Destan Rukiqi u grind me gjykatësen dhe u arrestua për këtë. Ai u dënua me 60 ditë burgim. Në ditën e tretë në burg në Prishtinë, z. Rukiqi thotë se dy roje të burgut e rrahën gati për vdekje.

- Më sulmonin me shufra gome duke me shtrirë në tokë, - thotë z. Rukiqi dhe shton se policët e rrahnin deri sa ai humbaste vetdijën. Kur e rrifinin ata e puesnin: "a do të vazhdosh t'i përkrahesh terroristët?" Kështu që z. Rukiqi u desh të dërgohet në spitalin e Prishtinës pasi atij i shkaktuan një krizë të madhe të veshkëve. Ai u lirua të dielën e kaluar pasi bëri 30 ditë burgim. Ai thotë se po të mos ishte burgosur klienti i tij, Cen Dugolli do të ishte sot gjallë.

Amnesti International u ka bërë thirrje autoriteve të Beogradit për hetimin e vdekjeve të të dy të burgosurve. Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq nuk i lejohet të kontaktojë të burgosurit në Kosovë.

- Ne i dimë akuzat por nuk mundemi t'i kontaktojmë ata dhe kjo na shqetëson. Ne kemi kontakte sporadike, por për shkak të kufizimeve ligjore koj është e pamjaftueshme. Po shtohet shqetësimi se policia serbe do të arrestojë shumë më tepër shqiptarë me akuza të paqëndrueshme, ndërsa kërkon të hakmerret për veprimet e UÇK-së.

Disa kanë frikë se të burgosurve do t'u mohohen të drejtat e tyre ligjore dhe do të torturohen rëndë gjatë arrestimit, - përfundon kjo gazetare kronikën e saj nga Prishtina. (sh.u.)

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Është krijuar një grup i gjerë për hulumtime në Kosovë


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Zëvendësprokurori i Gjykatës së Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Blert, deklaroi se Gjykata e Hagës ka formuar një grup hetimor për Kosovën, ku gjenden juristë dhe analistë ushtarakë. Ky grup po vepron në identifikimin e njerëzve, të cilët janë përgjegjës për rrëmbime dhe vrasje të civilëve në Kosovë, shumica e të cilëve janë shqiptarë.

Kosova është në prioritetet tona, deklaroi Blert në gazetën "Nju-Jork tajms" dhe shtoi se ky grup hetimor po heton të dy palët në konflikt dhe sjelljet e tyre që shkelinkonventat e Gjenevës dhe të drejtën humanitare në përgjithësi, njofton "Bujku".

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Sot në Shqipëri fillojnë manovrat ushtarake "Drini '98"


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, bëri të ditur se sot, më 27 gusht, në veri të Shqipërisë, në afërsi të kufirit me Kosovën, do të mbahen manovra ushtarake, njofton "Bujku".

Këto manovra që u emërtuan "Drini '98" mbahen në rajonin e qytetit të Kukësit, 210 kilometra në verilindje të Tiranës. Këtu do të marrin pjesë njësitet e llojeve të ndryshme të ushtrisë si edhe trupat lokale paraushtarake, thuhet në kumtesë dhe shtohet se në këto ushtrime do të shfrytëzohet municioni luftarak.

Hajdaraga, ndërkaq, nuk përmendi të dhënat lidhur me numrin e ushtarëve që do të marrin pjesë në këto manovra.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Qeveria e Serbisë urdhëron regjistrimin e veturave në Serbi


Prishtinë, 27 gusht (QIK)

Qeveria e Serbisë konfirmoi mbrëmë se me një urdhëresë të veçantë u jep afat qytetarëve të saj që deri më 30 të muajit ardhshëm t'i regjistrojnë në Serbi automjetet të cilat i kanë regjistruar në Mal të Zi për shkak të normave më liberale të importimit në këtë republikë. Sipas të dhënave më së paku disa qindra mijëra qytetarë kanë regjistruar automjetet e tyre në Mal të Zi. Qeveria e Serbisë tani kërcënohet se do t'i konfiskojë automjetet nëse pronarët e tyre ato nuk i regjistrojnë në Serbi, për të cilat duhet paguar nga disa qindra dhe mijëra marka gjermane taksa, varësisht nga vjetërsia e motorëve dhe moshës së automjeteve.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]