QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 28 gusht 1998, 16:30 CET
Informatori ditor nr. 2164 C
Përmbajtja
 
  Mitrovicë: Policia serbe shtiu me armë në drejtim të fshatit Vaganicë


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Dje rreth orës 16:00, policia serbe nga postblloku i Shipolit shtiu me armë zjarri në drejtim të fshatit Vaganicë dhe vrau një lopë, pronë të Behxhet Gjoshit, si dhe dëmtoi çatitë e disa shtëpive shqiptare, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se vetëm gjysmë ore më parë, të njëjtit policë kanë shtënë me armë edhe në drejtim të Beqir Sh. Shabanit (55) nga Lubaveci i Skënderajt, i cili po udhëtonte këmbë për në shtëpinë e tij, por për fat nuk u qëllua.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Nga Prishtina në drejtim të Skënderajt shkuan disa ushtarë e policë serbë


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Mbrëmë rreth orës 21:00, nga Prishtina në drejtim të Skënderajt, kanë shkuar disa ushtarë dhe policë serbë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se ushtarët dhe policët serbë ishin të pajisur me 1 autoblindë, 12 kamionë dhe 2 landroverë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Në morgun e spitalit në Mitrovicë policia serbe solli trupin e pajetë të një shqiptarë të vrarë


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Dje rreth orës 10:00, në morgun e spitalit në Mitrovicë, policia serbe solli trupin e pajetë të një shqiptari ende të paidentifikuar.

Dëshmitarët okularë i kanë deklaruar KI të Degës së LDK-së në Mitrovicë, se shqiptari i paidentifikuar është vrarë nga policia serbe në postbllokun e policisë serbe në Klinë të Epërme.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Mitrovicë: Policia serbe keqtrajtoi disa qytetarë shqiptarë


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Sot, që nga orët e mëngjesit në Mitrovicë, forcat e policisë serbe keqtrajtuan fizikisht disa qytetarë shqiptarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ashtu sot në postbllokun e policisë serbe në Shipol, policia serbe ka shtënë disa herë me armë automatike dhe me mitralozë në drejtim të rrugës Vërnicë-Mitrovicë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Pagarusha kërkon ndihmë: Forcat serbe mund të sulmojnë gjatë uikendit refugjatët


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Aktivistët e Degës së LDK-së në Pagarushë iu drejtuan sot botës me një apel për shpëtimin e dhjetëra mijëra refugjatëve që kanë gjetur srehim në këtë fshat.

Ata thanë se ka mungesë uji e mungesë buke dhe janë të kërcënuar nga të gjitha anët. Janë të domosdoshme ndihmat humanitare nga organizatat ndërkombëtare.

Gjendja në mesin e refugjatëve është shumë e rëndë. Ka tentime që të hapen kanale të ndryshme nëpër Mamushë, mirëpo këto janë dezinformata me qëllime përfitimesh personale.

Adem Krasniqi, aktivist i LDK-së në këtë fshat, i tha QIK-ut se deri më tash kanë vdekur Islam Bytyçi nga Peçani, Dinore Dikaçi nga Dobërdolani dhe të rinjtë Shaban Islam Gashi nga Peçani e Zenun Mataj nga Baballoqi, si edhe foshnje tremuajshe nga Nishori.

Ai tha se fshatarët e Dragobilit kanë ndihmuar dje refugjatët.

Z. Krasniqi tha se ekziston frika nga granatimet e forcave serbe që jaën fare afër Pagarushës, pasi gjatë uikendeve forcat serbe sulmojnë vazhdimisht, duke ditur se faktorët ndërkombëtarë nuk mirren me gjendjen në Kosovë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Lipjan: Bukë vetëm për fëmijët dhe pleqtë


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Disa mijëra banorë të fshatrave të Lipjanit, të vendosur në Grykën e Shalës, tash disa janë në gjendje tepër të rëndë.

Anëtarja e Kryesisë së Degës së LDK-së në Lipjan, Mevlude Shamolli, e cila është me banorët e ikur nga shëpitë e tyre, ka deklaruar se ata rrezikohen nga kushtet e këqia të jetës dhe nga mungesa e ushqimit.

Ajo gjithashtu ka deklaruar se tash tri ditë, për shkak të mungesës së ushqimit, sasia e pakët e bukës po u jipet vetëm fëmijëve dhe më të vjetërve.

Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan u bën apel të gjitha organizatave humanitare të vendit dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për të ndihmuar këta banorë që janë çdo ditë e më të rrezikuar.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Mbledhje e Komisionit Qendror për Solidaritet të LDK-së


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Sot në Prishtinë, Komisioni Qendror për Solidaritet i LDK-së mbajti mbledhjen e tij të rregullt me kryetarët e komisioneve për solidaritet të degëve të LDK-së, në të cilën u shqyrtua gjendja e rëndë sociale e popullatës shqiptare, veçanërisht pas zhvendosjes së mijëra banorëve shqiptarë nga vatrat e tyre.

Në kët mbledhje morën pjesë edhe Sanije Aliaj e Faruk Spahiu, anëtarë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Hamdi Gërvalla, kryetar paraqiti raportin për gjendjen sociale dhe theksoi se gjendja humanitare në Republikën e Kosovës është dramatike dhe me tendenca te keqësimit të mëtejmë. Këtë gjendje theksoi z. Gërvalla, po e rëndon edhe më shumë bllokada totale nga okupatorit serb. Ai në vazhdim theksoi se gjendja më e rëndë në planin humanitar, tash për tash po mbretëron në zonat e Drenicës, Malishevës, Suharekës, Deçanit, Gjakovës, Lipjanit dhe të Gllogocit dhe shtoi se popullata shqiptare e zhvendosur nga vatrat e tyre ka nevojë për gjësende elementare ushqimore, pastaj veshmbathje dhe ilaçe.

Ndërkaq Sanije Alijaj, anëtare e Kryesisë së LDK-së paraqiti raportin e saj për popullatën shqiptare të zhvendosur nga vatrat e tyre dhe theksoi se pa e përfshirë komunën e Suharekës dhe të Lipjanit, nga vatrat e tyre janë zhvendosur rreth 450 mijë shqiptarë. Ajo foli në veçanti për gjendjen e rëndë të refugjatëve shqiptarë të shpërngulur në Mal të Zi dhe theksoi se përveç ndihmave të popullatës së atjeshme shqiptare, Qeveria e Malit të Zi nuk ka ofruar asnjë ndihmë për ta.

Faruk Spahiu, anëtar i Kryesisë së LDK-së, foli për rëndësinë e komisioneve për solidaritet, të cilat po veprojnë në kuadër të degëve të LDK-së dhe shtroi domosdoshmërinë e formimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, për të cilat siç theksoi ai, do të ndërtohen së shpejti.

Rifat Bejta, kryetar i KS të Degës së LDK-së në Skënderaj theksoi se Drenica po zhvillon front të dyfishtë; atë të luftës dhe të të bukës. Ai apeloi që popullatës së rrezikuar të këtij rajoni t'i ofrohen sa më parë ndihma në artikuj ushqimorë dhe ndihma në ilaçe.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Gjilan: Arrestimet si justifikim për dhunën e ushtruar


Gjilan, 28 gusht (QIK)

Harta e arrestimeve, bastisjeve, keqtrajtimeve si dhe të akuzave serbe për gjoja terrorizëm ndër shqiptarët e me këtë edhe të luftës kundër "terrorizmit", tash në masë më të madhe përfshiu edhe Gjilanin, një qytet në dukje të parë relativisht më i qetë se të tjerët në Kosovë i cili, numëron mbi 110 mijë banorë.

Kjo shtrirje e dhunës serbe, e cila kohë më parë në një masë tepër ashpër u manifestua në Ferizaj, Kaçanik e Viti, këtu zuri fill para një muaji e sa, me arrestimin e një të riu, Ejup Salihu (emër jo i njohur gjithaq ndër veprimtarë), të cilit më pas iu bastis edhe shtëpia. Akuza e organeve të hetuesisë serbe nuk ishte e panjohur; tentim për veprim terrorist duke e ngarkuar Ejupin se kishte shkuar në Tiranë për t'u rekrutuar në radhët e UÇK-së dhe, njëkohësisht në mënyrë të palejuar ishte pajisur me armë të cilën ia montoi vetë policia, bazuar në dëshmitë e familjes së tij.

Pas kalimit të gati një muaji, kur dukej se Gjilani do t'i bishtnonte kësaj radhe arrestimeve dhe akuzave thjeshtë bajate të aparaturës së dhunës serbe, na shfaqet një arrestim i tre të rinjve shqiptarë në hyrje të Ferizajit, ku dy prej tyre janë nga Gjilani dhe nën moshën 20 vjeçare. Masat e burgimit që shqiptohen ndaj tyre justifikohen njëanshëm me etiketën se paskan tentuar të shkojnë në radhët e UÇK-së.

Sa ishin bindëse këto masa serbe, që të thuash në Gjilan, deri tash u bën "ad-hoc", mbetet të shihet, meqë të akuzuarit mbahen në paraburgim, natyrisht duke u përballuar për çdo ditë me testime policore. Të dhëna mbi gjendjen e tyre nuk ka sepse, siç thuhet, "janë nën hetime". E, si kryhen hetimet serbe u pa në rastin e dy viktimave të turturave policore nëpër burgjet serbe gjatë ditëve që i lamë pas, Cen Dugollit dhe Adem Berishës.

Megjithatë, bazuar në arrestimet e mëvonshme që ndodhën në dhjetë ditët e fundit, shihet se arrestimet e para kishin qenë vetëm uvertyrë, parapërgatitje për ndërmarrje më serioze dhe thellim të akuzave të reja.

Këtë e dëshmoi më së miri arrestimi i veprimtarit nga Malisheva, Abdullah Tahirit, ish kryetar i nëndegës së LDK-së e së fundi anëtar i Bashkimit të (disa) Subjekteve Politike të Gjilanit i cili u realizua krejt papritur në rrugën Gjilan-Malishevë. Pastaj vetëm disa ditë më pas, edhe kërkimi i disa të rinjve malishevas për t'i arrestuar, si dhe bastisjet e shtëpive të tyre, duke rezultuar kështu edhe me një arrestim thuaja identik të një ish të burgosuri politik, Ahmet Demirit, që u bë në të njëjtën rrugë dhe tentimit për të arrestuar Nijazi Kolgecin, ish punëtor policie.

Në të gjitha këto veprime të deritashme (arrestime si dhe bastisje), akuza është po e njëjta: terrorizmi që gjoja e përgatitkan shqiptarët kundër serbëve, e cila në thelb s'është asgjë tjetër pos një përpjekje për ta justifikuar dhunën e deritashme si dhe atë që do të pasojë.

Ajo që gjatë kësaj vale arrestimesh më së shumti ka preokupuar popullatën shqiptare të kësaj ane si dhe veprimtarët gjilanas është frika nga montime të proceseve të reja gjyqësore me erë politike që po inskenohet nga organet e instaluara serbe të dhunës, duke u justifikuar njëkohësisht edhe para eprorëve të tyre se me këto masa dhe montime gjendjen do ta kenë edhe më shumë nën kontroll. Kjo frikë nga veprimet e mëtejme serbe, e cila kërcënon hapur veprimtarët politikë shqiptarë, vie nga shkaku i keqtrajtimeve të mëdha policore dhe detyrime për t'i pranuar edhe të pabërat deri në gjykimin publik. Andaj, edhe mundësia për arrestime të reja, siç propagandoi edhe shtypi serb para dhjetë ditësh, mbetet çështje e hapur, anise siç u shprehëm në fillim, Gjilani mbahej si një qytet i qetë në kohën kur afro gjysma e Kosovës ishte në luftë. Llogaritej i qetë, meqë drejtpërsëdrejti nuk ishte i infiltruar në luftë.

Prandaj, në kohën kur nëpër pjesë të tjera të Kosovës kishte vrasje, masakrime e djegie masive të një skenari serb për pastrim etnik, është krejt normale që edhe këtu të jetë menduar për ndonjë preventivë të mundshme për të parandaluar të keqen, pse jo edhe për të mbrojtur vetën kur je i rrezikuar.

Kjo është e drejtë e ligjshme dhe e pranuar për botën e civilizuar.

Karshi kësaj, "preventiva" e organeve të instaluara serbe të komunës së Gjilanit, bie ndesh me veprimet e veta.

Të arrestuarit që po mbahen në paraburgim dhe të tjerët që u kërkuan nga policia s'janë asgjë tjetër pos viktimë e politikës serbe që vazhdon të ushtrohet kundrejt shqiptarëve. Prandaj, kjo duhet kuptuar kështu, meqë edhe është kështu, për të mos u zmbrapsur nga qëllimet finale si dhe për të mos i thelluar hendeqet brenda vetë subjekteve politike shqiptare.

Përkundrazi, masat e fundit serbe, duhet t'i ofrojnë edhe më shumë shqiptarët, edhe në Gjilan, rreth një sistemi të ngritur e të legjitimuar institucional.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Shtypi i Tiranës për protestën e mbajtur të Partisë Demokratike e Shqipërisë me moton "Vdekje komunizmit"


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Shtypi i sotëm i Tiranës njofton se në protestën e mbrëmshme të cilën e organizoi Partia Demokratike e Shqipërisë me moton "Vdekje komunizmit" dhe kundër arrestimit të gjashtë ish-udhëheqësve të lartë shqiptarë pati protestues të lënduar dhe policë, njoftoi sot radio "Dojçe Vele".

Gazeta e sotme 'Albania' shkruan se të paktën tre vetë janë plagosur rëndë në gjendje kome dhe 23 protestues të tjerë janë arrestuar. Policia ndërhyri mbi protestuesit duke i goditur ata barabarisht. Njëri prej protestuesve - Osman Manoka (47) - është në gjendje të rëndë dhe po shërohet në një klinikë private për shkak të frikës të shtrimit në spital, ndërsa dy të tjerë, Përparim Beqiri dhe Baton Hoxha (16) kanë marrë plagë të rënda në fytyrë dhe në pjesë tjera të trupit. Policia i qëlloi ata ndërsa po protestonin në bulevardin "Dëshmorët e kombit". Dëshmitarët thonë se demonstruesit u qëlluan para vilës së kryeministrit Nano e cila ruhej nga ushtarët e trupave speciale dhe ushtarë grekë të ndodhura në Shqipëri që nga trazirat e vitit 1997.

Ndërkohë "Gazeta Shqiptare" njofton se 6 policë janë plagosur dje gjatë konfrontimit të shkurtër me pjesëmarrësit e tubimit politik të Partisë Demokratike. Sipas kësaj gazete, burimet zyrtare të Ministrisë së rendit kanë konfirmuar se qindra qytetarë nga Tirana por edhe nga disa rrethe të veriut kanë protestuar për disa orë nëpër rrugë në një miting që nisi nga ora 17,00 në qendër të kryeqytetit dhe që përfundoi në afërsi të villës rezidenciale të kryeministrit Fatos Nano.

Zëvendësministri i rendit Ilir Çano, i cili citohet nga gazeta "Koha Jonë", ka thënë se për mitingjet e paligjshme të opozitës është bërë kallëzim penal në prokurori nga organet e rendit. Sipas tij personat që janë paditur janë Pjetër Arbnori, Azem Hajdari, Genc Pollo, Rexhep Karratici, Shaban Memija... Akuza për ta është se kanë organizuar një miting të paligjshëm.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Përfaqësuesi i OSBE-së kritikon UÇK-në


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Përfaqësuesi i OSBE-së për liritë e mediave, Frajmut Duve, kritikoi dje UÇK-në për shkak të gjoja rrëmbimit të gazetarëve serbë dhe "pengimin" e tyre për të raportuar nga terreni.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në Nju Jork kërkon ndihmën e Demaçit


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me seli në Nju Jork, i ka dërguar një letër liderit politik të UÇK Adem Demaçit, në të cilën shprehet "shqetësimi i thellë" për shkak të zhdukjes së gazetarit të serb të Radio Prishtinës dhe vozitësit, njoftuan mediat e huaja.

Komiteti i përkujton Demaçit se po qe se ata janë rrëmbyer kjo do të ishte shkelje e normave ndërkombëtare.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Sipas komesares së qeverisë serbe për refugjatë, në Kosovë nuk paska krizë humanitare!


Prishtinë, 28 gusht (QIK)

Sipas komesares së qeverisë serbe për refugjatë Bratisllava Morina, në Kosovë nuk ka krizë humanitare! Ajo hodhi poshtë edhe pohimet e përfaqësuesve të vendeve perëndimore se Kosovës i kërcënohet katastrofa humanitare, njofton shtypi serb. B. Morina gjithashtu mohoi se në Kosovë ka 200 mijë persona të zhvendosur!

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]