QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 30 gusht 1998, 16:00 CET
Informatori ditor nr. 2166 B
Përmbajtja
 
  Ferizaj: Bilall Shala u mbyt me torturë


Prishtinë, 30 gusht (QIK)

Bilall Shala (47) nga fshati Guncat i Malishevës, me vendbanim në Saraishtë të Ferizajt, vdiq mbrëmë rreth orës 23, nga torturat fizike të ushtruara mbi të në sigurimin serb në Ferizaj.

Ai ishte punëtor në shkollën fillore të fshatit Dremjak.

KI i Degës së LDK-së në Ferizaj, duke cituar vëllain e Billalit, Zenel Shalën, njofton se trupi i pajetë i Bilallit ndodhet në morgun e spitalit të Prishtinës.

Bilall Shala, së bashku me djalin e tij Agronin (19) dhe një person tjetër me emrin Rexhë nga Dremjaku i Ferizajt, u arrestuan më 28 gusht në orën 12 në qendër të Ferizajt nga dy policë dhe një inspektor serb dhe u dërguan në Qendrën e sigurimit serb në këtë qytet, prej ku Agroni u lirua të njëjtën ditë, pasi u keqtrajtua fizikisht.

Varrimii Bilall Shalës bëhet nesër.

Bilall Shala është viktima e katërt e torturës fizike në sigurimin serbe që nga 22 korriku i këtij viti.

Më 22 korrik, si pasojë e torturës fizike, vdiq veprimtari i KMDLNj-së në Ferizaj Rexhep Bislimi, më 17 gusht, po nga torturat, vdiq Cen Dugolli nga Ferizaj, ndërsa vetëm 2 ditë më vonë, pasi qëndroi disa ditë në gjendje të rëndë në spital, vdiq Adem Berisha nga Buqa e Dragashit.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Në Peçan të Suharekës forcat serbe ekzekutuan një shqiptar dhe plagosën një tjetër


Prishtinë, 30 gusht (QIK)

Dje në Peçan të Suharekës forcat serbe vranë një shqiptar dhe plagosën një tjetër.

Në fakt, katër banorë të këtij fshati, të ikur më parë nga shtëpitë e tyre, tentuan të kthehen në fshat, por forcat policore i ndaluan ata në Semetisht e pastaj i dërguan në Peçan ku i vendosën në radhë për t'i ekzekutuar dhe shtinë në ta, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Me këtë rast u vra Hamzi Bytyçi (34), u plagos Naser Fetaj (22), ndërsa vetëm falë fatit shpëtuan dy bashkëfshatarët e tyre Haxhi Fetaj (39) dhe Shefki Fetaj (56), të cilët nuk u qëlluan nga plumbat.

Varrimi i Hamzi Bytyçit u bë sot në Pagarushë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Në Sllapuzhan kanë mbetur të pavarrosur dy trupa të pajetë


Prishtinë, 30 gusht (QIK)

Në Sllapuzhan kanë mbetur pa u varrosur trupat e pajetë të Ymer Latif Jahës (50) dhe të plakut Jetish Shaip Syla, i cili ishte i paralizuar dhe trupi i të cilit u dogj.

Ndërkohë, nuk dihet për fatin e Sahit Isuf Jahës dhe disa banorëve të këtij fshati.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Rritet numri i të vdekurve në mesin e popullatës së zhvendosur


Prishtinë, 30 gusht (QIK)

Moti i lig mori dje edhe një viktimë në mesin e popullatës së zhvendosur nga shtëpitë që po jeton nën qiellin hapur.

Në Shkozë të Malishevës dje vdiq dhe u varros një foshnje nga Dobërdolani i Suharekës.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Podujevë: Defilime të forcave ushtarake


Prishtinë, 30 gusht (QIK)

Sot rreth orës 11, dy tanke dolën nga vendqëndrimi i policisë në fshatin Llaushë dhe defiluan në rrugën Dumnicë-Podujevë dhe pastaj në rrugën Podujevë-Kërpimeh, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.

Defilime të automjeteve ushtarake pati edhe nëpër qendër të Podujevës, ndërsa një helikopter i ushtrisë serbe fluturoi shumë ulët nga drejtimi i fshatrave Pollatë, Metehi, Dobërdol.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Deçan: Apel popullatës që të mos largohet nga Rrafshi i Dukagjinit


Prishtinë, 30 gusht (QIK)

Moti i lig që po mbretëron tash disa në komunën e Deçanit e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e popullatës së zhvendosur nga shtëpitë e veta.

Në situatë më të rëndë sidomos gjenden rreth 10 mijë banorë të kësaj komune, që janë strehuar në bjeshkët e Strellcit, në të cilat këtyre ditëve u shënuan edhe reshjet e para të borës.

KI i Degës së LDK-së në Deçan përcolli sot një komunikatë të Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit me të cilën urdhërohen të gjitha organet ushtarake dhe civile që ta pengojnë largimin e pakontrolluar të popullsisë jashtë territorit të Rrafshit të Dukagjinit.

Popullata civile lutet që t'i përmbahet kësaj urdhërese, sepse duke qëndruar në vatrat tona bëjmë të pamundur realizimin e planeve shoveniste serbe për spastrimin etnik të Kosovës.

Në komunikatë njëkohësisht apelohet te organizatat ndërkombëtare që mirren me çështjet e refugjatëve që ta ndihmojnë këtë popullatë të ndjekur e të shumëvuajtur, për ta bërë kthimin e organizuar në fshatrat e tyre, të cilat u vodhën dhe u dogjën pa mëshirë nga ekspeditat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe.

Po kështu, luten organizatat ndërkombëtare me autoritet, si UNHCR, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, UNESCO etj. që popullatës së zhvendosur t'i dalin në ndihmë më gjëra ushqimore, medikamente dhe veshmbathje, të cilat në këto kushte janë shumë të domosdoshme për kapërcimin e kësaj gjendjeje dramatike.

Kërkohet nga institucionet tona shtetërore dhe subjektet politike që ta vizitojnë Rrafshin e Dukagjinit, në mënyrë që për së afërmi të njihen me situatën e rëndë në të cilën gjendet kjo popullatë, thuhet në fund të komunikatës.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Apel i popullatës së zhvendosur të Lipjanit: Shpëtojeni popullsinë e rrezikuar


Prishtinë, 30 gusht (QIK)

Rreth 20 mijë të zhvendosur shqiptarë nga 16 fshatra të Drenicës së Epërme, i dërguan sot një apel subjekteve politike dhe shoqatave humanitare ndërkombëatre, në të cilin thuhet:

"Ka dy muaj që granatat serbe kanë filluar t'i godasin vendbanimet tona në Drenicë të Epërme. Derisa tash janë vrarë e plagosur dhjetëra shqiptarë, ndërsa qindra shtëpi na janë plaçkitur e djegur nga forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe.

Tash disa ditë jemi 'strehuar' në qiellin e hapur, pa kushte minimale të jetesës, pa ushqim, madje dhe pa ujë. Në vend të shtrojës kemi tokën, ndërsa në vend të mbulesës kemi qiellin e hapur. Granatat e forcave serbe na kërcënojnë edhe në mal. Pardje, granatat serbe u hodhën mbi mijëra të strehuar në malet e Shalës, me ç'rast u vranë 2 dhe u plagosën 16 shqiptarë. Të plagosurit deri tash asnjë organizatë humanitare nuk arriti t'i transportojë për t'u shëruar, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore është në rrezik. Moti i lig, po e kërcëonon edhe më popullatën e këtushme. Nëse kjo gjendje do të vazhdojë kështu, pasojat për rreth 20 mijë njerëz do të jenë katastrofike.

Apelojmë te të gjitha organizatat humanitare të vendit dhe të jashtme, te Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Komesariati i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë dhe tek të gjitha subjektet politike kombëtare e ndërkombëtare, të bëjnë ç'është e mundur për të shpëtuar këtë popullatë. Kërkojmë kthim të sigurt në vendbanimet tona dhe strehim të përkohshëm për shumë banorë që tashmë kanë mbetur pa shtëpi. Çdo vonesë, do të ketë për pasojë katastrofën humanitare dhe vdekjen masive të njerëzve", thuhet në apelin e nënshkruar nga të zhvendosurit shqiptarë të 16 fshatrave të komunës së Lipjanit.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]