|
Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center |
|
Në Duhël e Semetisht të Suharekës forcat serbe kanë masakruar edhe dy shqiptarë
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Më 24 gusht të këtij viti në fshatin Duhël, forcat serbe kanë vrarë e masakruar Ilir Jemin Perteshin (21) nga Duhla, i cili ende nuk është varrosur, pasi është vështirë të depërtohet nga forcat serbe deri në vendin ku i ndjeri është vrarë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Suharekë. Njoftohet se në vendin ku është vrarë Iliri, ka edhe shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe. Ndërkaq më 26 gusht në fshatin Semetisht, forcat serbe kanë masakruar edhe të sëmurin mental Izet Bytyçin (45). Njoftohet se gjatë kohës derisa banorët e Semetishtit po evakuoheshin nga granatimet serbe, qytetarët shqiptarë i kanë dëgjuar të klithurat e tij derisa po masakrohej nga forcat serbe. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Suharekë: Vazhdon djegia e nëntë fshatrave shqiptare
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Edhe gjatë ditës së sotme, po vazhdon djegia e nëntë fshatrave shqiptare nga forcat e ushtrisë, policisë dhe të paramilitarëve serbë, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë. Njoftohet se po vazhdojnë të digjen fshatrat, Reshtan, Peçan, Semetisht, Studençan, Samadraxhë, Duhël, Bllacë, Luzhnicë e Javor. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Vushtrri: Policia serbe arrestoi një shqiptar nga fshati Lum madh
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Dje rreth orës 9:00 të mëngjesit në fshatin Lum madh, policia serbe arrestoi Rizah Durakun (30), derisa ai po udhëtonte me vajzën e axhës së tij Teutë Durakun (18) për në fshatin Breznicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri. Njoftohet se Teuta Duraku është keqtrajtuar fizikisht nga policia serbe, ndërsa për fatin e Rizahut ende nuk dihet asgjë. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Shtime: Deri tash forcat serbe kanë vrarë 2 shqiptarë dhe kanë djegur 465 shtëpi shqiptare
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Nga 14 qershori e deri në ditën e sotme, forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe ndërmorën ofensivën në këto fshatra të Shtimes, Carralevë, Zborc, Reçak, Petrovë, Mollopolc, Pjetërshticë, Belincë, Zukë, Karaçicë, Racë e Petrovë të Re, njofton KI i Degës së LDK-së në Shtime. Deri tash në këtë komunë forcat serbe kanë vrarë 20 shqiptarë, 11 prej të tyre të familjes Selim Asllani nga Ranca. Njoftohet se prej tyre 7 janë fëmijë, 4 nxënës, 3 gra dhe 6 burra. Ndërkaq, në këtë komunë numri i të plagosurve shqiptarë nga forcat serbe arrinë në 23 veta, ndërsa janë arrestuar 3 shqiptarë dhe 4 të tjerë janë zhdukur, për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë. Bëhet e ditur se në komunën e Shtimes, forcat serbe deri tash kanë djegur 465 shtëpi, ndërsa numri i shqiptarëve të zhvendosur arrinë në 11.750 veta, të cilët vazhdojnë të jetojnë nën qiellin e hapur. Njoftohet se një numër i këtyre banorëve është vendosur në komunën e Ferizajt dhe të Lipjanit. Gjendja humanitare në këtë komunë është shumë e rëndë, pasi ndihet nevojë e madhe për ushqim, shtrojë, mbulojë, veshëmbathje e mjete të tjera higjienike. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Klinë: Mbi 10 mijë veta jetojnë në kushte tejet të rënda
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Mbi 10.000 shqiptarë, të larguar nga shtëpitë e tyre, etojnë përkohësisht në fshatrat Sverkë e Volljakë dhe shumica prej tyre nuk kanë as gjërat elementare për jetë, njofton KI i Degës së LDK-së në Klinë. Si pasojë e jetës në kushte të rënda dhe mungesës së plotë të trajtimit mjekësor, kanë vdekur Besnik Brahim Olluri, 2 vjeç, nga Rakovina, Pajtime Xhelal Millaku, 2 vjeçe, nga Ujëmira, dhe Shaban Gashi (72) nga Reshtani. Këta banorë deri tash nuk i ka vizituar askush. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Mitrovicë: Policia serbe keqtrajtoi disa shqiptarë
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Dje në Mitrovicë, nga ora 8:00 deri në orën 14:00, katër policë serbë të cilëve u printe njëfarë Ratko Antonijeviq, i njohur për dhunë kundër shqiptarëve, i keqtrajtuan disa kalimtarë shqiptarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë. Bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik, më së keqi pësuan Naser B. Hasani (32) dhe Bajram E. Ademi, që të dy nga lagja "Tavnik" e Mitrovicës. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Hani i Elezit: Disa qytetarë u keqtrajtuan nga policia
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Dje rreth orës 10 forcat serbe kanë keqtrajtuar fizikisht fëmijët Besnik Sheki, Avdush Suma, Daut Suma, të gjithë nga fshati Vincë, të cilët ishin duke i ruajtur bagëtinë, njofton KI i Degës së LDK-së në Han të Elezit. Njoftohet gjithashtu se pjesëtarë të ushtrisë serbe kanë maltretuar Rauf Sumën dhe Halit Sumës. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Katër kolaboracionistë keqtrajtuan një qytetar shqiptar
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Më 26 gusht rreth orës 18:00 në afërsi të fshatit Stanoc i Epërm, njëfarë Salih Krasniqi, anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë dhe kolaboracionist i njohur nga fshati Breznicë së bashku me tre djemtë e tij, keqtrajtuan fizikisht Hilmi Gashin, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri. Njoftohet se Hilmi Gashi është keqtrajtuar rreth një orë dhe nga kolaboracionistët shqiptarë është kërcënuar edhe me likuidim fizik. Të përkujtojmë se Salih Krasniqi gjatë viteve të fundit ka qenë disa herë i pranishëm në mediat serbe, ndërsa për të dëshmuar lojalitetin e tij ndaj regjimit serb, ai ka martuar edhe vajzën e tij me një serb. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Nuk dihet për fatin e bashkëshortëve Gashi nga Belinci
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Që nga 28 korriku i këtij viti, ende nuk dihet asgjë për fatin e bashkëshortëve Vesel Zenel Gashi (75) dhe të Xhevë Gashit (75) e paralizuar nga Balinci i Klinës, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Pejë. Familja Gashi lut të gjithë ata që dinë diç për fatin e bashkëshortëve gashi, të lajmërojnë në Pejë në numër telefoni: (039) 27-402. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Nuk dihet edhe për fatin e Isuf e Dude Lajçit nga Shtupeqi i Vogël
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Që nga 24 gushti i këtij viti, kur forcat serbe sulmuan fshatin Shtupeq i Vogël të Rugovës, ka humbur pa gjurmë Mustafë Isuf Lajçi dhe motra e tij Dude Isuf Lajçi, i deklaroi KI të Degës së LD në Rozhajë, Ali Muriqi. Njoftohet se Mustafë Lajçi punonte si mirëmbajtës në rrugën Pejë-Çakorr. Atë ditë motra e tij Duda ka shkuar për t'u interesuar për fatin e vëlait pas dëgjimit të rafaleve të automatikëve nga policia serbe në kilometrin e tetë dhe që nga kjo ditë nuk dihet asgjë për fatin e Mustafë dhe Dude Lajçit. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Tash tre muaj e gjysmë nuk dihet për fatin e Haki S. Bacajt
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Haki Smajl Bacaj (32) nga fshati Gremnik, baba i tre fëmijëve, është zhdukur nga data 13 maj dhe për të nuk dihet asgjë. Luten të gjithë ata që dinë diç të njoftojnë mjetet e informimit. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Demaçi: "Regjimi serb është i shkathët në inskenimin e situatave dhe skenave"
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Përfaqësuesi politik i UÇK-së, Adem Demaçi, deklaroi të dielën se "nuk beson që pjesëtarët e UÇK-së e kanë bërë krimin në Kleçkë, për shkak se regjimi serb është i shkathët në inskenimin e situatave dhe skenave". "Vetëm në qoftë se vjen komisioni ndërkombëtar i mjekëve dhe i personave kompetentë që të hulumtojë rastin, mund ta dënoj këtë gjë", i tha Demaçi radios beogradase "Radio B92". Ai tha se nuk beson që "pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë në mundësi të kryejnë këtë krim, për shkak se nuk kanë arsye që të bëjnë një gjë të tillë, që është parimisht në kundërshtim me filozofinë e kësaj ushtrie, e cila nuk lufton kundër popullit serb, por kundër regjimit serb". Demaçi tha se ai mbi pjesëtarët e UÇK-së nuk ka kurrfarë kontrolli dhe se "do të ishte fantastike në qoftë se njeriu do të mund t'i kontrollonte ata". "Unë nuk e kontrolloj UÇK-në, e as ajo nuk më kontrollon mua. Unë jam vetëm përfaqësues politik i asaj pjese që nuk përdor mjete paqësore", tha Demaçi duke shtuar se ai është "dorë e shtrirë për t'u gjetur zgjidhja politike, paqësore dhe demokratike". Duke i komentuar disa deklarata të politikanëve serbë se ai do të duhej të burgosej për shkak të deklarimeve të veta, Demaçi vlerësoi se regjimi serb ia përshkruan atij edhe ato gjëra që nuk i ka thënë. Pyetjes së gazetarit të "Radio B92" se a mos jep ai deklarata provokative, në mënyrë që të provokojë arrestimin e tij dhe kështu të ngritë rejtingun e vet në mesin e shqiptarëve, Demaçi tha: "Dikush, si duket, është i interesuar që të m'i mvesh disa gjëra, të cilat unë nuk i kam thënë. Në qoftë se është në interes të dikujt që të arrestohem, unë nuk ik nga ajo dhe do t'i isha falënderues në qoftë se m'i ndërpren këto vuajtje dhe të më fut në burg", tha Demaçi. Ai shtoi e konsideron veten se është i burgosur, "sepse Kosova është një burg i madh, ku të gjithë thjeshtë janë të lirë të lëvizin brenda tij", transmeton "Koha ditore". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
UÇK: Dy "dëshmitarët" janë kolaboracionistë serbë
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Përfaqësuesi i Shtabit të UÇK-së transmetoi BBC-së në gjuhën shqipe, përmes telefonit, një kumtesë, në të cilën thuhet se lajmi, si duket, i përgatitur për kohë të gjatë dhe me kujdes nga makineria ushtarake dhe propagandistike e okupatorit serb për gjojma ekzistimin e një varri kolektiv të qytetarëve serbë në fshatin Kleçkë, s'është gjë tjetër, pos një gënjeshtër e regjimit serb që ka për qëllim kompromitimin e luftës sonë të drejtë dhe çlirimtare. Kjo mund të shihet - vazhdon kumtesa - nga ndryshimi i disahershëm i lajmit rreth numrit të viktimave, nga 8 në 12 e pastaj në 22, nga konstatimi i shpejtuar se kafkat na qenkan serbe, nga prezentimi i dy dëshmitarëve të rrejshëm që kurrë nuk kanë qenë ushtarë të UÇK-së, por kanë qenë kolaboracionistë dhe kontrabandistë që kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me okupatorin. UÇK nuk është marrë kurrë me vrasjen e qytetarëve serbë e lëre me vrasjen e grave dhe të fëmijëve. Jemi të bindur se skeletet e eksponuara para kamerave televizive janë të qytetarëve të vrarë shqiptarë, kohë më parë. Ky është një insistim për të mbuluar krimin e kryer nga militarët dhe paramiltarët serbë mbi qytetarët e pafajshëm shqiptarë dhe për të akuzuar UÇK-në si terroriste. Ne kërkojmë nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë humanitarë e diplomatikë dhe informativë të mos bien në kurthin e gënjeshtrave të pushtetarëve serbë - thuhet pos të tjerash në kumtesën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të transmetuar përmes BBC-së, njfoton "Bujku". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Olbrajt: "SHBA-ja është për autonomi të forcuar të Kosovës"
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Sekretarja e Shtetit amerikan, Medlin Ollbrajt, gjatë vizitës që dje ia bëri Republikës Serbe të Bosnjës (RS), theksoi se Qeveria SHBA është shprehur se duhet të ndërpritet dhuna në Kosovë, sepse konfliktet vetëm se mund të rezultojnë me konflikte të reja. "Koha ditore" njofton se ajo, në një konferencë shtypi, të mbajtur në Bijelinë, tha se Qeveria amerikane në çështjen e Kosovës është aktualisht duke punuar në nivelin diplomatik, humanitar dhe ushtarak. Ollbrajt më tej tha se ambasadori amerikan në IRJ të Maqedonisë, Kristofer Hill, në kuadër të misionit të tij ndërmjetësues në Kosovë, do të tentojë javën e ardhshme që me përpjekjet intensive të ulë shqiptarët kosovarë në tryezën e bisedimeve. Ajo parlajmëroi edhe mundësinë që Qeveria amerikane të ndajë edhe 20 milionë dollarë të tjerë ndihmë humanitare "për popullatën e rrezikuar në Kosovë" dhe precizoi se në atë drejtim tashmë në Kosovë janë paguar 10 milionë dollarë. Ollbrajt tha se aspekti i tretë "është përdorimi i mundshëm i forcës". Ajo tha se planifikimi i mëtejmë në NATO vazhdon dhe se në këtë moment janë duke u studiuar forcat, të cilat mund të përdoren për atë qëllim. Ajo paralajmëroi se në Sarajevë do të bisedojë me komandantin suprem të forcave të NATO-s në Evropë, gjeneralin Vesli Klark. Duke theksuar se problemet, të cilat kanë ekzistuar në Bosnjë-Hercegovinë dhe problemet në Kosovë janë relativisht të ndryshme, ajo vuri në dukje se, para së gjithash, është për një zgjidhje diplomatike të situatës në Kosovë. E pyetur se a do të rrezikohej shteti multietnik në Bosnjë-Hercegovinë me realizimin eventual të kërkesave të shqiptarëve për pavarësi në Kosovë, Olbrajt tha se SHBA-ja që nga fillimi përkrah "një lloj të autonomisë së forcuar për Kosovën". Ajo tha se një zgjidhje e tillë do të mundësonte që njerëzit e origjinës së ndryshme etnike të jetojnë bashkërisht. "Ndoshta rrjedhimi pozitiv i situatës në Bosnjë do të reflektohej pozitivisht edhe në Kosovë, nëse shihet se njerëzit që kanë luftuar ndërmjet vete me vjet, pa ndërprerë, tani mund të jetojnë bashkërisht", theksoi Medlin Olbrajt. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Klinton sot arrin në Moskë
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Presidenti amerikan Bill Klinton sot viziton Moskën e tronditur nga kriza. Për të martën e të mërkurën janë paraparë takime me presidentin rus Boris Jelcin. Bill Klinton siguroi se "po qe se rusët do të jenë të fortë dhe se vendimet e reformave do të realizohen, ne do të qëndrojmë pranë tyre". Ai, po ashtu, theksoi se SHBA-të nuk mund të zgjidhin vetëm probleme në botë, njofton "Bujku". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Një avokat nga Beogradi bëri kallëzim penal kundër Adem Demaçit
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Avokati nga Beogradi, Vlladan Batiq, i cili njëherit është edhe kryetar i Partisë Demokristiane të Serbisë, i ka dërugar dje prokurorisë publike në Prishtinë kallëzimin penal kundër Adem Demaçit, përfaqësuesit politik të UÇK-së, njofton gazeta "D.Telegraf". Gazetës në fjalë Batiq i deklaroi se "aktiviteti i Adem Demaçit qysh moti ka kaluar nga sferat e luftës politike në kriminalitet të llojit më të keq". Ai thotë se Demaçi është "përfaqësues politik i terrorizmit gjenocidal në Kosovë, sidomos pas zbulimit të krematoriumit të civilëve serbë në fshatin Kleçkë". Ai gjithashtu e akuzon Demaçin se kinse "disa herë, në shumë vende dhe në mënyra të ndryshme, e sidomos nëpërmjet mjeteve të vendit dhe të huaja të informacionit ka nxitur vepra të rënda penale". Batiq gjithashtu kundër Adem Demaçit ka bërë edhe kallëzim penal për vepër penale "kundër rregullimit kushtetues, rrezikimit të tërësisë territoriale, rrënimit të fuqisë ushtarake mbrojtëse dhe kryengritjes së armatosur të terrorizmit dhe gjenocidit". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Regjimi serb ka paralajmëruar në muajin tetor procese gjyqësore kundër 300 shqiptarëve
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Regjimi serb ka paralajmëruar në tetor procese masive gjyqësore kundër 300 shqiptarëve, ndërkohë që janë duke u zhvilluar procedurat hetimore, njofton shtypi i sotëm serb, duke cituar ministrin serb të judikaturës Dragolub Jankoviq. Të gjithë ata akuzohen për vepër penale të "terrorizmit", ndonëse siç pranon edhe vetë ministri serb, nuk janë bërë hetimet në vendin e ngjarjes. Shumica e këtyre shqiptarëve gjenden në paraburgim, kurse një numër i tyre në "arrati", siç shprehen organet gjyqësore serbe, por ata do të gjykohen në "mungesë". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
V. Koshtunica: Për Kosovën nevojitet një arbitrim nga jashtë
Prishtinë, 31 gusht (QIK) Situata në Kosovë do të anojë drejt një mbikëqyrjeje të jashtme, drejt një lloji protektorati të qetë ose të fshehtë, tha Vojisllav Koshtunica, lider i Partisë Demokratike të Serbisë. Sipas fjalëve të tij "po i afrohemi situatës" e cila të përkujton zgjidhjen kushtetuese nga viti 1974, ndoshta me ndonjë autorizim më të madh për Kosovën sesa atëherë. Koshtunica u shpreh se duke marrë parasysh kërkesat e "pangopshme të shqiptarëve", nevojitet një arbitrim nga jashtë në mënyrë që Kosova të ruhet në kuadër të kufijve të "RFJ"-së. Koshtunica thotë se kjo ndërhyrje e jashtme edhe tani ekziston, duke përkujtuar sesi janë zhvilluar dhe kanë përfunduar bisedimet në Dejton. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] |