QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 12 shkurt 1999, 14:00 CET
Informatori ditor nr. 2329 A
Përmbajtja
 
  Konferencë për gazetarë e këshilltarit për informim e kryetarit Rugova, Xhemail Mustafa


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Vetë organizimi i Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje paraqet një garancë të fuqishme se çështja e Kosovës përfundimisht po hyn në procesin e zgjidhjes me angazhimin e fuqive të mëdha, veçmas të SHBA-ve-,

tha në fillim të konferencës së sotme për gazetarë Xhemail Mustafa, këshilltar për informim i kryetarit të Republikës së Kosovës në të cilën mori pjesë edhe dr. Alush Gashi, përgjegjës për marrëdhënije me jashtë i LDK-së.

Ai shtoi se ky proces do të jetë i vështirë dhe i gjatë, por me këtë konferencë po fillon seriozisht zgjidhja e këtij problemi dhe se ai nuk ka si të ndalet para se Kosova të bëhet e lirë dhe e pavarur.

Këshilltari për informim i kryetarit Rugova tha se delegacioni i Kosovës në Rambuje po e prezenton dhe po e mbron vullnetin e popullit për pavarësi, si e vetmja zgjidhje e qëndrueshme politike që do t'i qetësonte shqiptarët dhe do të stabilizonte gjithë rajonin e Evropës Jugore. Ai konstatoi se delegacioni i Kosovës po insiston se një zgjidhje e përkohshme trevjeçare për Kosovën mund të jetë e pranueshme vetëm nëse definohet qartë statusi i Kosovës, nëse garantohet një referendum pas tri vjetësh dhe nëse garant për implementimin e kësaj marrëveshjeje bëhet NATO-ja me vendosjen e trupave të veta në Kosovë.

Z. Mustafa akuzoi regjimin e Beogradit për obstrukcione si dhe për shantazhe ndaj konferencës së Rambujesë duke thënë se ky regjim po përpiqet ta fragmentarizojë marrëveshjen eventuale në Francë dhe ta devalvojë vetë çështjen e Kosovës.

Ai theksoi se opinioni i përgjithshëm shqiptar po e përkrah fuqishëm delegacionin e Kosovës në negociatat shqiptaro-serbe për një zgjidhje politike të çështjes së Kosovës në Rambuje.

Z. Mustafa u bëri thirrje shqiptarëve në Francë e në vendet e tjera të Evropës që masivisht të marrin pjesë në tubimin që do të mbahet nesër në Rambuje, e ku do t'i jepet përkrahja delegacionit të Kosovës dhe ku do të mbështetet pavarësia e Kosovës.

Pasi përkujtoi varrimin dinjitoz të 40 viktimave të masakrës serbe në Reçak, z, Mustafa në emër të kryetarit Rugova u shprehu ngushëllime të thella familjeve të viktimave. Ndërkaq, ambasadorit Uliam Uoker, i cili mori pjesë në varrimin e viktimave në fshatin Reçak, i shprehu falënderimin më të thellë për kurajon e tij të pashoqe njerëzore e diplomatike për ta thënë e për ta përkrahur hapur të vërtetën dhe për t'i ndihmuar banorët e Reçakut dhe gjithë popullin e Kosovës.

Duke vlerësuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, z. Mustafa theksoi se gjendja në Kosovë vazhdon të jetë tepër e rëndë dhe e rrezikshme për shkak të forcave policore e ushtarake serbe, të cilat edhe gjatë javës që shkoi u shtuan në numër e në armatime dhe ndërmorën veprime agresive.

Duke folur për dhunën serbe në Kosovë z. Mustafa tha se vetëm gjatë muajit të kaluar u vranë 151 shqiptarë, kurse gjatë dhjetë ditëve të këtij muaji janë vrarë rreth 20 veta. Ai tha se është shqetësuese dukuria e vrasjeve misterioze, prapa të cilave qëndron policia sekrete serbe, e cila nëpërmjet terrorizmit tipik urban, siç ishte vrasja e para një jave në qendër të Prishtinës.

Ai shtoi se është i drejtë insistimi i delegacionit të Kosovës në Rambuje për nënshkrimin e marrëveshjes për armëpushim dhe për vendosjen urgjente të trupave të NATO-s, që do ta mbikëqyrnin atë marrëveshje. Vetëm në këtë mënyrë do të krijoheshin parakushtet për negociata të barabarta dhe frutdhënëse për Kosovën, tha ai.

Gazetari i "Bujkut", përkatësisht "Rilindjes", e cila sot shënon 54-vjetorin e botimit, deshi të dijë mendimin e z.Mustafa se pse regjimi serb vendosi ta ndalojë botimin e kësaj gazete pikërisht në kohën e kur po bëhen masakrime dhe kur filloi punimet Konferenca në Rambuje të Francës.

Duke u përgjigjur në këtë pyetje, z. Mustafa theksoi se regjimi serb që nga fillimi ka dashur që të gjitha krimet në Kosovë t'i bëjë pa dëshmitarë. Sigurisht që një prej dëshmitarëve shumë autentik të këtyre krimeve për dhjetë vitet e fundit ka qenë gazeta "Bujku". Po këtë funksion në këto vitet e fundit, përkatësisht vitin e fundit dhe muajve të fundit e kanë edhe dy gazetat e tjera ditore: "Koha ditore" dhe "Kosova sot". Por meqë "Bujku" është konsideruar si gazetë e institucioneve shtetërore të Kosovës sigurisht që arsyen e ndalimit të kësaj gazete duhet kërkuar pikërisht në këtë fakt. Pra duke ndaluar gazetën "Bujku", regjimi serb ka menduar se do ta dobësojë konceptin për pavarësinë e Kosovës.

Duke u përgjegjur në pyetjen se si e komenton formimin e njëfarë policie lokale serbe në disa vendbanime të Kosovës, z.Mustafa tha se regjimi i Beogradit Kosovën po e mban me vite nën okupim me ushtri dhe polici. Tash kur e din se kjo ushtri dhe polici është komprometuar me masakra masive në Kosovë, Beogradi mendon që regjimin e vet kriminal do ta shpëtojë ose të paktën do t'ia zgjasë jetën nëpërmjetë një policie lokale.

Por, shqiptarët nuk do të mashtrohen me polici të tilla, ngase ata e dinë se sido që të quhen këto polici, ato janë polici të regjimit serb, tha z.Mustafa në fund të konferencës.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Nga Konferenca për Kosovën në Rambuje


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Delegacioni i Kosovës në konferencën e Rambujesë edhe sot po i vazhdon punët rreth aneksit për Kushtetutën, të dokumentit të ofruar nga Grupi i Kontaktit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Bëhet me dije se në studimin e këtij aneksi janë angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë dhe nga Kosova. Pasdite, pritet që sugjerimet dhe mendimet e delegacionit kosovar për aneksin për Kushtetutën t'u paraqiten ekspertëve dhe mediatorëve ndërkombëtarë të Konferencës.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Podujevë: Forcat serbe po granatojnë Llapashticën


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Forcat serbe po granatojnë fshatin Llapashticë sot që nga ora 11:00, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.

Në këtë njoftim thuhet se granatimet po bëhen nga pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe te Tabet e Llapashticës dhe se ato po dëgjohen edhe në qytetin e Podujevës.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Një person i vrarë u gjet dje në rrugën Pejë-Kullë-Rozhajë


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Dje rreth orës 8:00 të mëngjesit afër fshatit Novosellë në rrugën Pejë-Kullë-Rozhajë, është gjetur trupi i një burri të vrarë të moshës mes 40-45 vjeçare. Siç shkruan shtypi serb i ndjeri është qëlluar me dy plumba në kokë. Trupi i tij gjendet në Institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë ku është duke u bërë identifikimi i tij.
  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Lëvizje të mëdha të policisë serbe në Vushtrri


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Dje para stacionit të policisë serbe në Vushtrri, u stacionuan forca të mëdha të policisë serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Sot rreth orës 8:00 të mëngjesit, një konvoj i policisë serbe hyri në shkollën e mesme të kadetëve në Vushtrri, ndërsa më vonë shumë policë serbë defiluan nëpër rrugët e kësaj qyteze me vetura private.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Mitrovicë: Lëvizje të policisë serbe drejt Skënderajt dhe anasjelltas


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Dje rreth orës 8:00 të mëngjesit, 2 kamionë të blinduar, 1 llandrover dhe 1 veturë e markës "Niva" të mbushura me policë serbë nga Skënderaji arritën në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

I njëjti burim njofton se sot rreth orës 9:00 të mëngjesit, 3 pizgauerë dhe 1 xhip në të cilin ishte vendosur një mitraloz i rëndë, nga Mitrovica shkoi në drejtim të Skënderajt.

Po ashtu sot rreth orës 11:00, 1 autoblindë, 3 pizgauerë të blinduar dhe 1 xhip ku ishin të vendosur shumë policë serbë nga Mitrovica shkuan në drejtim të Stantërgut.

Po ashtu sot rreth orës 11:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe arrestoi Basri H. Hysenin (26) dhe Isa H. Hysenin (28) nga lagja "Ura e gjakut" në Mitrovicë. Ata u dërguan në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë dhe u keqtrajtuan fizikisht.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Prizren: U shty seanca gjyqësore kundër 12 shqiptarëve nga komuna e Rahovecit


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Dje në gjykatën e instaluar serbe të qarkut në Prizren, me pretekst se kanë kryer vepra terroriste, para këtij gjyqi u nxorën edhe 12 shqiptarë nga komuna e Rahovecit, njofton KI i Degës së LDK-së në Rahovec.

Bëhet e ditur se para trupit gjykues serb u nxorën Hazir Krasniqi (1960) nga Malësia e Vogël, Gani Morina (1937), Qemajl Bytyçi (1964), Sali Bytyçi (1962), Hidaim Morina (1973) dhe Ehat Bytyçi (1979) nga Denja, Asim Morina (1978), Besim Kastrati (1973), Ramadan Morina (1969), Zenel Rrustemi (1939) dhe Agim Morina (1963) nga Malësia e Vogël.

Të gjithë janë arrestuar më 12 maj të vitit të kaluar derisa po ktheheshin nga fusha, apo si kalimtarë të rastit.

Njoftohet se mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan nga eksperti serb Sllavisha Jovanoviq që të jepen prova dëshmuese, ndërsa me kërkesë të mbrojtësve seanca kryesore u shty për datën 15 mars të këtij viti.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Në gjykatën serbe në Prizren 2 shqiptarë u dënuan me 7 vjet burg


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Dje në gjykatën e instaluar serbe në Prizren, me pretekst se kanë kryer vepra terroriste, dy shqiptarë u dënuan me 7 vjet burg, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Bëehet e ditur Isuf Berisha (1958) u dënua me 5 vjet burg, ndërsa Zeqir Berisha (1957) u dënua me 2 vjet burg.

Njoftohet se e njëjta gjykatë liroi Lulzim Gashin nga Suhareka.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Prizren: Policia serbe keqtrajtoi disa shqiptarë


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Dje në orët e mëngjesit, policia serbe arrestoi Asllan Fanën nga Grazhdaniku ndërsa në orët e mbrëmjes u arrestuan të rinjët Fadil, Muhamet e Rrustem Kryeziu, si dhe Elbush, Ahmet e Din Berisha, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Të gjithë qytetarët e arrestuar u liruan në orët e vona të mbrëmjes. Ata u keqtrajtuan fizikisht dhe u urdhëruan që sërish të paraqiten në stacionin e policisë në Prizren.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Prishtinë: Një civil i panjohur serb tentoi të hedh bombë në banesën e një shqiptari në lagjen "Dardania"


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Mbrëmë rreth orës 01:10 pas mesnate në lagjen "Dardania" në Prishtinë, përkatësisht në hyrjen SU IV\7 D1 banesa nr. 1, një civil serb që kishte mjekërr hapi dritarën e banesës së Shefki Rafunës dhe tentoi që ta hedh një bombë dore, derisa në dorën tjetër ai po e mbante një revolver.

Z. Rafuna i tha sot QIK-ut se bashkëshortja dhe dy vajzat e tij e hetuan këtë person, i cili më pas shkoi te banesa e një fqinji tjetër shqiptar, i cili tentoi që edhe atij t'ia hapë dritarën e banesës, por nuk mundi. Më pas z. Rafuna arriti që ta tërheq civilin serb, në xhepin e të cilit ishte një bombë, derisa revolen po e mbante në bel. Gjatë kësaj kohe midis z. Rafuna dhe civilit serb pati kacafytjeje, ndërkohë që serbi arriti të ikë dhe të hyjë në një hyrje tjetër.

Gjatë kësaj kohe z. Rafuna e ka parë civilin serb tek shoqërohej me dy policë serbë, njëri nga të cilët quhet Ivo, ndërsa tjetri Zharko, të cilët banojnë në një hyrje tjetër të të njëjtës ndërtesë ku është strehuar një person i panjohur.

Shefki Rafuna theksoi se dy policët e lartshënuar serbë ditë më parë i kanë provokuar fëmijët e tij dhe e kanë pyetur për vëllain e tyre Dritan Rafunën se mos është pjesëtar i UÇK-së. Po ashtu dy policët serbë pothuaj çdo natë po shtijnë me armë zjarri dhe po i provokojnë në mënyra të ndryshme banorët e kësaj lagjeje.

Lidhur me këtë rast z. Shefki Rafuna e ka njoftuar edhe Misionin Verifikues të OSBE-së në Prishtinë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Shtime: U arrestuan dy familjarë të viktimave të masakrës


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Dje rreth orës 9, në Shtime janë arrestuar Ragip Hafir Emini (32) dhe Shemsie Sahit Emini (30), që të dy nga fshati Reçak i kësaj komune, njofton Kosovapress.

Këta qytetarë, janë pjesëtarë të familjeve të të masakruarve dhe ishin nisur për të marrë pjesë në varrimin që u bë dje në Reçak të Shtimes.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Të hënën fillon mësimi në dy shkolla të Shtimes


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Prej të hënës, më 15 shkurt 1999, fillojnë nga puna në Shtime shkolla fillore "Emin Duraku" dhe shkolla e mesme "Naim Frashëri".

Inspektori komunal i arsimit, Shaban Halimi, i tha QIK-ut se për shkak të gjendjes tepër të rëndë në këtë komunë, shkolla e mesme do të punojë me orar të shkurtuar. Ndërrimi i pasditës përfundon në orën 16:00, tha ai.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Istog: Arrestime dhe keqtrajtime të qytetarëve shqiptarë


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Dje rreth orës 15:00 në qendër të Istogut një patrullë e policisë serbe arrestoi Avdi Salihajn (42) nga Shushica e Poshtme dhe ai ende po mbahet në lokalet e policisë serbe në Istog, njofton KI i Degës së LDK-së në Istog.

I njëjti burim thekson se po në të njëjtën kohë nga policët serbë u rrah Valdet Hasanaj (22) nga Cerca komuna e Istogut i cili më vonë u dërgua në stacionin e policisë në Istog dhe më vonë u lirua.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Në Skënderaj hapet qendra koordinuese e OSBE-së


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Në Skënderaj është hapur qendra koordinuese e Qendrës rajonale të OSBE-së nga Mitrovica. Në këtë qendër janë angazhuar 25 verifikatorë nga 10 vende. Ata janë vendosur në pjesën jugore të qytezës në një shtëpi private.

Pas disa ditësh qendra e Mitrovicës do të hapë edhe në lagjen periferike të Shipolit një qendër. Deri më tash në Mitrovicë kanë arritur 171 verifikatorë nga 196 sa është planifikuar.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Klinton do të dërgojë trupa në Kosovë edhe pa pëlqimin e Kongresit


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Administrata e presidentit amerikan, Bill Klinton, kumtoi se ka autorizime kushtetuese që trupat amerikane t'i dërgojë në Kosovë edhe pa pëlqimin e Kongresit, bën të ditur "Koha ditore".

Nënskeretari shtetëror amerikan, Tomas Pikering, duke përmendur shembullin e Bosnjës, deklaroi para Komitetit të Kongresit për marrëdhënie me jashtë se për këtë aksion ekziston presedan i gjerë kushtetues.

Anëtarët më të lartë të Komitetit kërkuan nga adminsitrata e presidentit që menjëherë të përkrahë pavarësinë e Kosovës, në vend të promovimit të zgjidhjes kalimtare trevjeçare, pas së cilës do të merret vendimi mbi statusin e Kosovës.

"Nëse ushtarët e NATO-s duhet të shkojnë diku për një periudhë të gjatë kohore, ata duhet të shkojnë jo në Kosovë, por në Beograd, atje ku fillojnë problemet", deklaroi Dejna Rorbaher, kongresist republikan nga Kalifornia.

Ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-ve, Strob Talbot, deklaroi se presidenti Klinton shqyrton mundësinë e dërgimit të forcave evropiane, të përkrahura nga forcat ajrore dhe detare, të cilat do të mund të kontrollonin realizimin e marrëveshjes së Kosovës. "Forcat paqësore do të ndihmonin policët lokalë për mbikëqyrjen e marrëveshjes", tha Talbot, duke theksuar se njësitë e ushtrisë "jugosllave" mund të qëndrojnë vetëm në kufi.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Uilliëm Koen: Sulmet e NATO-s në rast të bllokimit të procesit paqësor


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Ministri amerikan i Mbrojtjes, Ullliëm Koen përsëri ia tërhoqi vërejtjen pushtetit në Beograd se NATO-ja do të godasë caqet e caktuara në rast që "RFJ"-ja bllokon procesin paqësor të Kosovës, transmeton "Koha ditore".

"Kemi disa caqe. Ato janë të përcaktuara për situatën kur goditjet ajrore janë të domosdoshme", i deklaroi Kohen "BBC-së".

Po ashtu, ai ia tërhoqi vërejtjen Millosheviqit që mos të përpiqet të bllokojë bisedimet në Rambuje dhe shtoi se në rast se e bënë këtë "sulmet e NATO-s do të bëhen opcion mjaft real". Sipas z. Koen, Aleanca Ushtarake Perëndimore është e gatshme të "paaftësojë kapcitetet për rrezikimin e popullsisë së Kosovës".

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Rubin Kuk: Pala serbe pengon bisedimet


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Sekretari birtanik i Punëve të Jashtme, Robin Kuk, tha dje se bisedimet paqësore duket se do të zgjasin edhe javën tjetër, sepse pala serbe është duke i penguar ato.

Sipas gazetës "Kosova sot", z. Kuk u ka thënë gazetarëve se pala serbe insiston që kundërshtarët e tyre shqiptarë të nënshkruajnë listën e 10 parimeve të paraqitura nga Grupi i Kontaktit për ish-Jugosllavinë. Shqiptarët refuzojnë të nënshkruajnë, duke u frikësuar se kjo mund të prejudikojë qëllimin e tyre afatgjatë për pavarësi nga Beogradi.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  M. Ollbrajt: Në rast se dështojnë negociatat paqësore në Rambuje, bombardohen objektivat serbe


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Sekretarja amerikane e shtetit Medlin Ollbrajt deklaroi se është marrë vendimi që të bombardohen objektivat serbe në rast se negociatat paqësore në Rambuje dështojnë me fajin e palës serbe.

Zonja Ollbrajt paralajmëroi edhe shqiptarët se mund të bartin konsekuenca në qoftë se minojnë negociatat paqësore. "Nëse UÇK dhe shqiptarët bëhen përgjegjës, ata atëherë do të humbin mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nga e cila varen në kërkimin e qëllimeve të veta", tha ajo.

Zonja Ollbrajt ka emëruar Xhim Dobinsin për emisar special të sajin për Kosovën.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Delegacioni serb ka nënshkruar 10 elementet e Grupit të Kontaktit


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Dje në konferencën e Rambujesë delegacioni serb ka nënshkruar një deklaratë me të cilën thuhet se pranon të gjitha elementet që i ka përcaktuar Grupi i Kontaktit si bazë për gjetjen e zgjidhjes politike për vetadministrimin në Kosovë. Agjencitë e lajmeve theksojnë këto elemente:

1. Domosdoshmëria e ndërprerjes urgjente të dhunës dhe respektimi i ndërprerjes së zjarrit.

2. Zgjidhja paqësore përmes dialogut.

3. Marrëveshja kalimtare.

4. Mekanizmi për zgjidhjen definitive pas periudhës kalimtare prej tri vjetësh, pa ndryshimin e njëanshëm të statusit kalimtar.

5. Sovraniteti dhe integriteti i RFJ-së dhe i vendeve fqinje.

6. Mbrojtja e të drejtave të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive nacionale, ruajtja e identitetit të gjuhës dhe arsimit, e veçanërisht mbrojtja e institucioneve të tyre fetare.

7. Zgjedhjet e lira e të ndershme në Kosovë, komunale e krahinore, nën mbikëqyrjen e OSBE-së.

8. Asnjëra palë nuk do ta ndjekë penalisht askend për shkak të veprave penale në lidhje me konfliktin e Kosovës, duke përjashtuar krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe shkeljet e tjera serioze të të drejtës ndërkombëtare.

9. Amnestia dhe lirimi i të gjithë të burgosurve politikë.

10. Pjesëmarrja ndërkombëtare dhe bashkëpunimi i plotë i palëve në zbatimin e marrëveshjes.

Pala serbe ka insistuar që edhe pala shqiptare të nënshkruajë këto 10 elemente.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Malishevë: Një ekspert i OSBE-së për çmontimin e minave kontrolloi disa vende të dyshimta


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) - Në fshatrat Carrallukë, Balincë dhe Dragobil dje ka qëndruar Manfred Heger, ekspert për çmontimin e minave në qendrën rajonale të Misionit Verifikues të OSBE-së në Prizren.

Sipas burimeve të "Kohës ditore", z. Heger ka bërë kontrollimin e një vendi të dyshimtë afër pompës së benzinës "Paçarizi" në Dragobil dhe ka konstatuar se fjala është për një inskenim policor që kishte mbajtur në ankth një kohë të gjatë pronarin e pompës. Merret vesh se pas Dragobilit, z. Heger ka kontrolluar edhe disa lokacione në fshatrat Carralukë e Balincë.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]