QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 14 shkurt 1999
Informatori ditor nr. 2331 A
Përmbajtja
 
  Ferizaj: Pas shpërthimit të djeshëm, policia arrestoi dhjetëra shqiptarë


Prishtinë, 14 shkurt (QIK) - Nga eksplodimi i djeshëm në qendër të Ferizajt deri tash është njoftuar se janë plagosur 13 veta.

KI i Degës së LDK-së në Ferizaj njofton sot për një numër të madh të qytetarëve shqiptarë të arrestuar dje dhe sot nga policia serbe dhe thekson se numri i të arrestuarve deri tash mund të ketë arritur deri në 40.

Dje rreth orës 16 policia arrestoi Jakup Krasniqin (60) nga Ferizaj i cili u mbajt në polici deri në orën 18.30. Po ashtu, u arrestua edhe kryetari i aktivit të LDK-së në Talinoc të Jerlive, Gani Xhemaili, si dhe aktivistët Islam Islami, Sherif Xhemaili dhe Ilaz Neziri. Ata u liruan nga policia, por aty iu ndalën letërnjoftimet me urdhër që të paraqiten sërish të hënën në polici.

Aksione të arrestimit të shqiptarëve policia serbe ka ndërmarrë edhe sot. Në orën 6.30 policia arrestoi në shtëpinë e tij Azem Bakollin (60), anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në qytet, i cili po mbahet ende në arrest.

Nga Ferizaj u njoftua se sot rreth orës 11 një konvoj i forcave policore serbe, i përbërë nga kamionë, pizgauerë dhe automjete të tjera të mbushura me policë serbë, shkoi në drejtim të Shtimes.

Konvoji përcillej edhe nga një helikopter.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Alush Gashi: Ardhmëria e Kosovës është liria e jo dhuna


Prishtinë, 14 shkurt (QIK) - Dr. Alush Gashi, sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i LDK-së, në një deklaratë për QIK-un me rastin e shpërthimit të djeshëm në Ferizaj, gjykoi ashpër dhunën kundër shqiptarëve në Kosovë dhe eskalimin e krimeve kundër njerëzimit.

Ai theksoi se shpërthimet vrasëse dhe shkatërruese kanë për qëllim mbjelljen e frikës dhe panikut dhe përcjelljen e konfliktit në qytete të Kosovës.

Koincidimi i shpërthimeve në Kosovë me Konferencën paqësore për Kosovën në Rambuje nuk është i rastësishëm. Ardhmëria e Kosovës duhet të jetë liria e jo dhuna kundër popullit që kërkon drejtësi dhe qe demonstron vendosmëri për marrje të përgjegjësisë për fatin e Kosovës.

Duke theksuar se Kosova ka mbështetje të fuqishme në përpjekje për zgjidhje politike të konfliktit të armatosur, dr.Gashi konstatoi se ekzekutimet e shqiptarëve nga ana e forcave serbe dhe shpërthimet në qytete të ndryshme të Kosovës e bëjnë të domosdoshme përshpejtimin e zgjidhjes politike të çështjes së Kosovës dhe vendosjen afatgjate të forcave të NATO-së në Kosovë për të mirë të të gjithë banorëve të saj dhe të paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të botës.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Këshilli i Pajtimeve përshëndet delegacionin kosovar në Rambuje


Prishtinë, 14 shkurt (QIK) - Këshilli i Pajtimeve i Republikës së Kosovës ka përshëndetur delegacionin kosovar në Rambuje të Francës, duke e përgëzuar atë për unifikimin e mendimeve për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.

- Ju vëllezër të dashur - përfaqësues ushtarakë e politikë të shqiptarëve të Kosovës po tregoni besnikëri e devotshmëri ndaj popullit duke luftuar me mendjet tuaja për t'i sjellë popullit tonë lirinë e pavarësinë, thuhet në letrën përshëndetëse të Këshillit të Pajtimeve të Republikës së Kosovës, nënshkruar nga dr. Kajtaz Rrecaj, kryetar.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]