QIK - KIC Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center
 
Prishtinë, 17 shkurt 1999 11:30 CET
Informatori ditor nr. 2334-A
Përmbajtja
 
  Podujevë: Forcat serbe po e granatojnë Llapashticën


Prishtinë, 16 shkurt (QIK) - Forcat serbe kanë filluar sot rreth orës 10 një sulm kundër fshatit Llapashticë, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.

Në njoftim thuhet se forcat serbe po e granatojnë fshatin nga pozicioni i tyre te Tabet e Llapashticës.

Detonimet e fuqishme dhe të shtënat po dëgjohen edhe në qytet.

Në Llapashticë, për një takim me komandantin e Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, dje ishte udhëheqësi i Misionit Verifikues të OSBE-së, Uilliam Uoker.

Po ky burim bën të ditur se dje pasdite dhe në orët e mbrëmjes,

në Godishnjak dhe fshatrat e afërta janë zhvilluar luftime të ashpra mes forcave serbe dhe luftëtarëve të UÇK-së.

Nuk dihet më shumë për pasojat e këtyre luftimeve, por dëshmitarët kanë parë tym dhe shtëpi që digjeshin në Godishnjak.

Po dje, policia ka arrestuar pronarët e autobusit të firmës "Mentori turs", Beqir e Arsim Mustafën, të cilët u liruan pasi u mbajtën rreth një orë në stacionin e policisë në Podujevë.

Ndërkohë, policia ka liruar tre nga katër shqiptarët që u arrestuan më 14 shkurt te udhëkryqi i rrugës për Kërpimeh derisa po udhëtonin me veturën e tyre.

PO kështu, janë liruar edhe dy shqiptarë të tjerë të arrestuar të njëjtën ditë Xhezair Govori nga fshati Sfeçël dhe Besnik Rama nga Turuçica.

I pari u lirua pas disa orësh, ndërsa Besniku u mbajt deri të nesërmen në polici, ku edhe iu plaçkitën 200 DM.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Vushtrri: Lëvizje të mëdha të policisë serbe dhe të shtëna me armë zjarri


Prishtinë, 17 shkurt (QIK) - Dje, deri në orët e vona të mbrëmjes në qytezën e Vushtrrisë ka patur lëvizje të mëdha të forcave të policisë serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Gjatë kësaj kohe, policia serbe ka legjitimuar disa qytetarë shqiptarë e në veçanti nxënësit derisa po ktheheshin nga mësimi.

I njëjti burim bën të ditur se pas orës 22:00, në qytezën e Vushtrrisë ka patur edhe të shtëna me armë zjarri.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Prizren: U mor në të ashtuquajturën bisedë informative një shqiptar nga Dushanova


Prishtinë, 17 shkurt (QIK) - Dje rreth orës 9:00 në Dushanovë, policia serbe mori Idriz J. Kryeziun (30), i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Prizren, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Në organet e sigurimit serb, z. Kryeziu u pyet për kinse organizimin e UÇK-së në Dushanovë, se a po organizohen roje gjatë natës në fshatin e tij dhe për çështje të tjera.

Z. Kryeziu u lirua rreth orës 13:00 me urdhër që të paraqitet sërish në polici më 22 shkurt të këtij viti.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]
  Pejë: Policia serbe keqtrajtoi rëndë një të ri shqiptar


Prishtinë, 17 shkurt (QIK) - Më 13 shkurt të këtij viti, në vendin e quajtur "Qerhinet" në afërsi të Pejës, policia serbe keqtrajtoi deri në alivanosje të riun Burim Bardheci (1975) nga Grabanica e Pejës, njofton NKMDLNJ në Pejë.

Njoftohet se policia serbe e kërkoi në shtëpinë e tij edhe babain e Burimit, Abdyl Bardhecin.

  [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja]