|
Qendra për Informim e Kosovës
Kosova Information Center |
|
Pauzë në Rambuje: Hill në Beograd, Thaçi në takim me Demaçin, Petriçi shprehet: "Jemi afër"
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Kanë mbetur më pak se 24 orë nga koha e caktuar për përfundimin e Konferencës për Kosovën në Rambuje, ndërkohë që gjërat edhe më tutje duket të jenë pezull. Mediatori kryesor, amabsadori amerikan Kris Hill, aktualisht ndodhet në Beograd për bisedime me kryetarin e "RFJ"-së Millosheviq dhe kjo është një nga arsyet pse situata në Rambuje i ngjan më shumë një pauze. Intermediatori tjetër, i dërguari i BE-së, Volfgang Petriç, në një takim joformal me gazetarë u shpreh se "jemi afër, por nuk jam i sigurt se konferenca do të ketë rezultat pozitiv". Petriç nuk deshi të përgjigjej në pyetjen a do të ketë sulme ajrore, duke thënë se ai është vetëm mediator. Ndërkohë, bëhet e ditur se Hashim Thaçi ka biseduar mbrëmë me zëdhënësin e Stejtdepartamentit amerikan, Xhejmz Rubin. Po kështu, thuhet se Thaçi ka dalë nga kështjella e Rambujesë dhe ka shkuar në takimin e paralajmëruar dje me z. Adem Demaçi. Në Rambuje pasdite pritet të vijnë ministrat e jashtëm të Francës e Britanisë së Madhe, Yber Vedrin e Robin Kuk, ndërsa për natën vonë ose nesër është paralajmëruar edhe ardhja e sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt. Në fund, të theksojmë se nga burime diplomatike të panjëjtësuara, është përmendur sot edhe mundësia e vazhdimit të punimeve të konferencës në Rambuje edhe për dy ditë. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Suharekë: Në afërsi të Grejkocit u gjet kufoma e një të riu
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Sot në orët e mëngjesit, në rrugën magjistrale Suharekë-Prizren, në të kthyer të rrugës për Grejkoc është gjetur kufoma e një të riu të moshës rreth 25 vjeçe, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë. Trupi i të vdekurit është dërguar në morgun e spitalit të Prizrenit. Deri tash nuk ka të dhëna për identitetin e viktimës e as për rrethanat e vdekjes së tij. Banorë të Grejkocit kanë thënë se i vdekuri nuk është nga fshati i tyre, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë dalë pjesëtarë të Misionit Verifikues të OSBE-së dhe policia serbe. I njëjti burim ka bërë të ditur se sot mbi Suharekë fluturoi ulët një helikopter i forcave serbe, i cili shkoi në drejtim të Prizrenit, ndërsa gjendja e përgjithshme në komunë është shumë e rëndë. Subjektet politike dhe jopolitike të Suharekës u kanë bërë apel qytetarëve që të mos lëvizin pa pasur nevojë dhe të mos bien pre e provokimeve serbe. Ndërsa Këshilli Komunal i Arsimit apelon tek nxënësit dhe arsimtarët që të jenë më të kujdesshëm. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Vushtrri: Forca të policisë serbe po i bastisin disa familje shqiptare në Pestovë
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Sot rreth orës 12:00, forca të mëdha të policisë serbe po e kontrollojnë shtëpinë e Refik Ramiqit, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Pestovë, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri. Bëhet e ditur se forcat e policisë serbe kanë ndërhyrë edhe në shtëpi të tjera shqiptare. I njëjti burim bën të ditut se deri tash në Pestovë janë arrestuar Nehat Osmani (35), Ruzhdi Ferizi (42), Hasan Selmani (19), Mumahet Selmani (15) dhe Mensur Ademi (30). Ndërsa, po sot në orën 13, policia ndaloi autobusin që qarkullonte nga Nevolani për Vushtrri dhe keqtrahtoi fizikisht Fetah Jetullah Halitin nga Shallci. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Identifikohet njëra nga viktimat të gjetura në afërsi të Rahovecit
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Në morgun e Spitalit të Prizrenit, të enjten u bë identifikimi i njërës nga dy kufomat që janë sjell të mërkurën në mesditë nga rajoni i Rahovecit. Fjala është për trupin e pajetë të Milaim Morinës, 33 vjeçar nga Astrazubi i Malishevës. Sipas njoftimeve të NKMDLNJ-së në Prizren, kufoma tjetër ende nuk është identifikuar. Të dy kufomat janë gjetur të mërkurën paradite, katër kilometra larg Rahovecit, ndërsa policia i ka sjell në morgun e spitalit të Prizrenit. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Malishevë: Fluturime avionësh luftarakë dhe të shtëna me armë zjarri nga forcat serbe
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Sot që në orët e mëngjesit, mbi hapësirën ajrore të disa fshatrave të komunës së Malishevës kanë fluturuar shumë ulët disa avionë të ushtrisë serbe, me ç'rast kanë shkaktuar panikë te popullata e këtushme shqiptare, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë. I njëjti burim bën të ditur se forcat serbe të pozicionuara në Kijevë, rreth një orë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të fshatit Bubavec. Aktivistët e fshatit Bubavec kanë njoftuar se dje në këtë fshat nuk kanë hyrë civilë serbë, por policë të veshur me rroba civile. Po ashtu njoftohet se përgjegjësit e policisë serbe, policët e tyre i kanë shpallur si "rebelë" dhe ata janë nga familja Spasiq nga Kijeva. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Pejë: Gjykata serbe dënoi një shqiptar me 1 vit e 6 muaj burg
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Më 16 shkurt të këtij viti, në gjykatën e instaluar serbe të qarkut në Pejë, me akuzën për "veprimtari armiqësore", Çaush H. Ahmeti (1965) nga fshati Sheremet i Gjakovës u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, njofton KI i Degës së LDK-së në Pejë. I njëjti burim bën të ditur se më 17 shkurt të këtij viti në të njëjtën gjykatë serbe u nxor para trupit gjykues edhe Marash M. Merturi (1970) nga Ramoci i Gjakovës u lirua si i pafajshëm. Të përkujtojmë se Marash Merturi nga forcat serbe qe arrestuar më 21 shtator të vitit të kaluar. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Mitrovicë: Në Gazivodë policia serbe arrestoi dy të rinj shqiptarë
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Dje rreth orës 9:00 në rrugën Mitrovicë-Podgoricë, përkatësisht në Gazivodë, policia serbe ndali autobusin e "Kosovatransit" dhe pasi i legjitimoi të gjithë udhëtarët, ata arrestuan dy të rinj shqiptarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë. Njoftohet se policia serbe arrestoi Ramadan F. Miftarin (19) nga Vllahia dhe Blerim M. Haxhiun (19) nga Maxhera e Mitrovicës. Njoftohet se këta dy të rinj shqiptarë me të zbritur nga autobusi kanë filluar të keqtrajtohen nga policia serbe, pastaj janë arrestuar dhe për fatin e tyre ende nuk dihet asgjë. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Në Mitrovicë policia serbe keqtrajtoi dy shqiptarë
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Sot rreth orës 10:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, dy policë dhe dy inspektorë të sigurimit serb ndalën në rrugë Afrim A. Haxhën (27) dhe Zenel Q. Behramin (20), që të dy nga Mitrovica, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë. Këta dy të rinj janë keqtrajtuar fizikisht, ndërsa njëri nga policët me emrin Mirko, urdhëroi Afrim Haxhën që t'ua paguaj mëngjesin, pastaj janë liruar. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Disa fshatra dhe tri lagje të Mitrovicës janë shkyçur nga rrjeti elektrik
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Drejtoria e dhunshme serbe e "Elektrokosovës" në Mitrovicë tash tri ditë i ka shkyçur nga rrjeti elektrik disa fshatra shqiptare të komunës së Mitrovicës, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë. Njoftohet se nga rrjeti elektrik janë shkyçur fshatrat Koshtovë e Bobit, Koprivë, Broboniq, Lushtë, Pirç, Vërnicë, Vaganicë e Epërme, Zhabar i Epërm, Zhabar i Poshtëm, Vinarc i Epërm, Vinarc i Poshtëm, paralagjën e Shipol dhe lagjet "Tavnik", "Ura e Gjakut" dhe një pjesë e lagjes "Bair" në Mitrovicë. Njoftohet se edhe drejtoria e dhunshme e PTT-së në Mitrovicë tash 20 ditë i ka shkyçur nga rrjeti telefonik lokalet e NKMDLNJ-së, LDK-së dhee KFK-së, ndonëse pagesat telefonike janë kryer me rregull. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Obiliq: Policia serbe legjitimoi disa civilë shqiptarë
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Mbrëmë rreth orës 20:00 në fshatin Dardhishtë, gjashtë policë serbë të pajisur me një veturë të markës "Niva" pa targa, ndalën disa banorë shqiptarë të këtij fshati dhe i legjitimuan, njofton KI i Degës së LDK-së në Obiliq. Të njëjtit policë te Tyrbja e Muratit në Mazgit i legjitimuan edhe Xheladin Berishën dhe babain e tij. Në të njëjtin vend policia serbe rreth një orë ka legjitimuar edhe kalimtarë të tjerë shqiptarë. Pardje nga ora 9:00 deri rreth orës 12:00 në Plemetin, 6 policë të armatosur serbë me veturën e markës "Niva" dhe pa traga kërkuan Isuf Mehmetin (37), Fehmi Hysenin (26) dhe Sadri Mehmetin (49), që të tre nga Plemetini. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Shtime: Një konvoj i ushtrisë serbe shkoi në drejtim të Prizrenit
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Një konvoj i madh i forcave ushtarake serbe kaloi sot rreth orës 12.30 nëpër Shtime dhe shkoi në drejtim të Prizrenit. KI i Degës së LDK-së në Shtime njofton se konvoji përbëhej nga 23 pizgauerë, 2 autoblinda, 1 autobus me ushtarë, si dhe cisterna e kamionë të tjerë. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Dy delegacione zvicerane vizituan PLK-në
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Delegacioni zviceran i Ministrisë së Punëve të Jashtme i drejtuar nga Henrih Maurer dhe ai i Ministrisë së Mbrojtjes i drejtuar nga Peter Reinhard dhe Bruno Moor, me rastin e vizitës së tyre të punës në Kosovë, u takuan me kryetarin e PLK-së z.Gjergj Dedaj dhe bashkëpunëtorët e tij. Drejtuesit e liberalëve kosovar i njohën diplomatët e lartë të Zvicrës me aktivitetin e PLK-së dhe situatën dramatike e cila po mbretëron në Kosvoë. Duke bërë fjalë për Konferencën në Rambuje, drejtuesit e PLK-së theksuan se ajo është në mision të krijimit të paqes në Ksoovë dhe një shans i mirë për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, duke përkujtuar se në marrëveshje duhet të përfshihet e drejta për referendum të popullit të Kosovës pas periudhës tranzitore trivjeçare. Liberalët angazhohen që, nëse arrihet një marrëveshje e përkohshme, në Kosovë të organizohen zgjedhjet e lira të monituara nga OSBE dhe të krijohen institucionet demokratike si rezultat i votës së lirë të popullit të Kosovës, thanë drejtuesit e kësaj partie. Duke bërë fjalë për UÇK-në, drejtuesit e PLK-së theksuan se qëndrimi ynë është i njohur, se nuk ka vend as shoqëri në botë e cila nuk i ka të organizuara forcat e mbrojtjes së rendit, qetësisë, familjes, pronës, individit dhe ligjit, prandaj në këtë rast nuk mund të jetë përjashtim vetëm Kosova. Diplomatët e lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Zvicrës theksuan se vizita e tyre e punes në Kosovë ka për qëllim marrjen e informatave nga dora e parë për zhvillimet në Kosovë dhe kjo dëshmon interesimin e Qeverisë zvicerane për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës e cila është një problem serioz për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Ata shtuan se në këtë aspekt nuk do të mungoj përkrahja e Qeverisë zvicerane për tejkalimin e pengesave drejt një zgjidhjeje të pranueshme të çështjes së Kosovës, thuhet në njoftimin nga takim që e përcjell Shërbimi për Informim i PLK-së. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Sollana: NATO-ja do të veprojë "shumë shpejt" në qoftë se dështojnë bisedimet për Kosovën
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, ka paralajmëruar të enjtën se NATO-ja do të veprojë me një shepjtësi në qoftë se serbët dhe shqiptarët nuk arrijnë marrëveshjen paqësore në bisedimet në Francë. I pyetur në një konferencë shtypi se sa shpejt do të veprojë NATO-ja po qe se bisedimet dështojnë, Solana u përgjigj: "Do të veprojë ajo shumë shpejtë". Solana ka bërë komentin pas bisedimeve që kishte pasur me kryeministrin maqedonas Ljupço Georgjevski, takim ky në të cilin Solana ishte së bashku me komandantin suprem të NATO-s, Vesli Klark. "Në qoftë se nuk arrihet ndonjë marrëveshje, po qe se dështojnë negociatat, NATO-ja di shumë mirë se çfarë të bëjë", ka thënë Solana në Shkup. "Ne jemi shumë afër kohës së finalizimit". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Jelcin: "Duart larg Kosovës"
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Presidenti rus Boris Jelcin, deklaroi të enjtën se i ka thënë presidentit amerikan, Bill Klinton, se Rusia nuk do ta lejojë NATO-n të përdorë forcën kundër Jugosllavisë si qasje të saj ndaj krizës në Kosovë, njofton "K. ditore". "Ia komunikova Klintonit mendimin tim, përmes një telefonate dhe një letre, se kjo (sulmet ushtarake të cilat i kërcënohen Jugosllavisë) nuk do të bëjë punë... Nuk do t'u lejojmë ta prekni Kosovën", tha Jelcini në komentet e tij në televizion. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Shtëpia e Bardhë: Klinton nuk ka biseduar me Jelcinin
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjtën se presidenti Bill Klinton nuk ka folur gjatë ditëve të fundit me presidentin rus, Boris Jelcin, mirëpo kundërshtimi i Moskës që NATO-ja ta përdorë forcën në Kosovë njihet mirë. "Kjo pozitë nga pala ruse po mbahet për një kohë të gjatë", tha zëdhënësi P.J.Crowley. "Ajo që po na habit është se nuk ka pasur thirrje telefonike apo komunikim të shkruar ndërmjet dy presidentëve gajtë ditëve të fundit". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Ollbrajt: Kjo është vërejtja e fundit
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt, tha se dje ka biseduar me presidentin "jugosllav", Sllobodan Millosheviq, dhe ia ka tërhequr vërejtjen përsëri për kërcënimet e NATO-s me sulme ajrore, në qoftë se nuk arrihet marrëveshja paqësore për Kosovën, njofton "K.Sot". "Ai (Millosheviqi) duhet të kuptojë se në qoftë se ndodhin sulmet ajrore, ai do të goditet fuqishëm dhe ai do të mbesë pa gjërat e rëndësishme. Kam biseduar me të në mëngjes, dhe mendoj se ai e kupton se ky është momenti vendimtar për ardhmërinë e "Jugosllavisë", tha Ollbrajt. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
J. Fisher: "Beogradi do të përballet me ndarjen e Kosovës nga Serbia"
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fisher, pas bisedave në Rusi, u shpreh të enjtën se Beogradi është duke rrezikuar që të mbetet pa gjithë Kosovën në qoftë se nuk pajtohet që t'i japë autonominë rajonit, njoftuan mediat e huaja. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Igor Ivanov, theksoi pas bisedimeve se në qoftë se arrihet marrëveshja gjatë bisedimeve paqësore në Francë, Moska do të ofrojë forca për ta monitoruar atë. Mirëpo, ai theksoi se në qoftë se nuk arrihet asnjë marrëveshje, nuk bën të ndërmerret asgjë përderisa Grupi i Kontaktit të mblidhet sërish. Ndërkaq, Fisher shtoi se "në qoftë se Beogradi e vazhdon politikën e tij të deritashme, atëherë Beogradi do të përballet me ndarjen e Kosovës. Në qoftë se Kosova mbetet në Federatën e 'Jugosllavisë', atëherë duhet të shfrytëzohet rasti për një autonomi të gjerë për Kosovën". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Në Rambuje u ndaluan demonstratat
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Autoritetet franceze kanë ndaluar mbajtjen e demonstratave të rivalëve serbë dhe shqiptarë të shtunën në Rambuje, kur kalon afati për arritjen e marrëveshjes paqësore për Kosovën. Prefekti, përfaqësuesi qeveritar në rajonin afër Parisit, tha dje se demonstratat mund të shkaktojnë probleme derisa po përfundojnë bisedimet ndërmjet serbëve, shqiptarëve dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. Prefekti u bëri thirrje organizatorëve që të anulojnë tubimet. Ai tha se demonstruesit do të dërgohen në gjyq ose do të ballafaqohen me sanksionet administrative - largimin nga Franca, njofton "K.Sot". |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Partitë politike serbe rreth konferencës së Rambujesë për Kosovën
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - "Me negociatat e Rambujesë Kosova me siguri do të fitojë statusin e shtetit në shtet", tha Vesna Peshiq, kryetare e Aleancës Qytetare të Serbisë. Gjatë periudhës së ardhshme mbi Serbinë do të ushtrohen presione të mëdha por nuk priten bombardime, tha ajo. Sipas saj Millosheviqi do të orvatet me çdo kusht t'i shmanget bombardimeve, sepse kjo do të thotë shkatërrim i federatës, kështu që Millosheviqi më nuk do të kishte ku të sundojë. Vesna Peshiq thotë se trupat e huaja do të vijnë në Kosovë, por regjimi serb atyre trupave do të provojë t'ua vërë maskat, duke manipuluar me emërtimin dhe përbërjen e tyre. Ajo thotë se regjimi i Millosheviqit nuk do të mund ta përjetojë disfatën katastrofale në Kosovë. "Partia Radikale Serbe në asnjë variantë nuk do të pranojë që trupat e NATO-s, e as trupat e tjera ushtarake të huaja të vijnë në Kosovë", deklaroi Vojisllav Sheshel, nënkryetar i qeverisë serbe. Shesheli thotë se partnerët e koalicionit në qeverinë e Serbisë "kanë një unitet të plotë" lidhur me këtë çështje. Ai tha se "popullit duhet t'i themi qartë se gjendemi në momentin vendimtar historik. Kosovën do ta mbrojmë me çdo kusht", duke shtuar se delegacioni serb në Rambuje nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje e cila është në kundërshtim me konkluzionet e Kuvendit të Serbisë. "Çdo ardhje e forcave ndërkombëtare do të ishte agresion ndaj vendit tonë dhe ne do të mbrohemi si nga çdo agresor", deklaroi në një konferencë për shtyp zëdhënësi i socialistëve serbë Ivica Daqiq. Ai tha se nuk ka arsye për kërcënime të bashkësisë ndërkombëtare me intervenim ushtarak. Ndërkaq Zoran Gjingjiq, lider i Partisë Demokratike, thotë se Serbia Kosovën mund ta mbajë edhe pas marrëveshjes kalimtare, por vetëm nëse bëhet "vend demokratik" dhe hyn në organizatat ndërkombëtare. Sipas Gjingjiqit gjatë kësaj periudhe mund të ndërrohet Millosheviqi dhe satelitët e tij Shesheli e Drashkoviqi dhe në këtë mënyrë Serbia do ta mbajë Kosovën. "Por, nëse për tri vjet me botën përsëri do të bisedojë Millosheviqi, jo vetëm që do ta humbim Kosovën por presioni i bashkësisë ndërkombëtare dhe bllokada ndaj vendit tonë do të vazhdojë", nënvizoi Gjingjiq. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
NATO i bëri thirrje Moskës të dërgojë një kontigjent ushtarësh në Kosovë
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Ministri i punëve të jashtme të Rusisë, Igor Ivanov deklaroi dje se Rusia mund të dërgojë forcat e veta tokësore në Kosovë në rast se në Rambuje arrihet një marrëveshje paqësore. Këshilli i NATO-s i ka dërguar zyrtarisht një thirrje Moskës që një kontigjent ushtarësh rusë të kyçet në forcat ndërkombëtare në Kosovë. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Prizren: UNICEF-i dhuron 1000 çanta për nxënësit e varfër
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - Organizata ndërkombëtare UNICEF ka dhuruar 1000 çanta me pajisje komplete për nxënësit e varfër të shkollave fillore në rrethin e Prizreni. Siç njofton shtypi serb, këto çanta i kanë marrë nxënësit e fshatrave, por nuk njofton se cilët janë ato fshatra. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] | |
|
Manifestim përkujtimor me rastin e vdekjes së dr. Rexhep Krasniqit
Prishtinë, 19 shkurt (QIK) - PNDSH organizoi këto ditë në Prishtinë një manifestim në përkujtim të dr. Rexhep Krasniqit, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare shqiptare, i cili vdiq ditë më parë në Nju Jork të SHBA-ve. Në këtë manifestim, një fjalë rasti për jetën dhe veprën e dr. Krasniqit e mbajti Rexhep Abdullahu, i cili theksoi në fillim se lajmi se më 12 shkurt ndërroi jetë dr. Rexhep Krasniqi, një nga nacionalistët të kulluar të kombit shqiptar, tronditi thellë shpirtërat e shqiptarëve. Ai theksoi se Rexhep Krasniqi lindi në Gjakovë më 1906, ku kreu katër klasë të fillores, shkollën e mesme e mbaroi në Vjenë, ku kreu edhe studimet e larta dhe doktoroi shkencat e historisë. Më 1941 kthehet në Kosovë dhe caktohet drejtor i gjimnazit shqiptar në Prishtinë. Më 1943 zgjedhet Ministër i Arsimit në Qeverinë e Mehdi Frashërit. Pas Luftës së Dytë Botërore detyrohet të largohet nga Atdheu së pari në Siri, pastaj në Austri. Me ftesën e Ministrisë së Jashtme Amerikane më 1956 shkon atje të marrë drejtimin e Komitetit Shqipëria e Lirë, shtoi Abdullahu. Në vazhdim ai tha se "në historinë e re të shqiptarëve, nuk mund të gjindet personalitetet, as në fushën e kulturës, as në fushën e shkencës, apo letërsisë, si personaliteti i atdhetarit Rexhep Krasniqit, figura e të cilit është mohuar dhe atakuar për motive ideologjike e antikombëtare. Ka qenë kështu, sepse porosia e veprës së tij shkencore dhe kombëtare është konsideruar e rrezikshme për armiqtë e shqiptarëve për ideologjitë e huaja. Porosia e veprës shkencore dhe kombëtare, dimensionesh e interesimesh të gjata, e Rexhep Krasniqit, ka qenë si një demonstratë masive kulturore, një revoltë aktive kombëtare, të cilën nuk kanë mundur ta ndalin e ta përdhosin, as gënjeshtrat më perfide të përgatitura në kuzhinat politike të komunistëve në Kosovë dhe atyre në Shqipëri. Rexhep Krasniqi vazhdimisht punoi për realizimin e çështjes së çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Ai gjatë jetës së tij ishte njeri i palodhshëm i shkencës por edhe i politikës, ai ishte njeri që çështjen kombëtare me argumente në bazë shkencore e ngriti në vend të duhur, sepse ishte njohës i mirë i kulturës, i historisë kombëtare. Në Amerikë shpesh u takua me politikaj dhe njerëz të kulturës. Rexhep Krasniqi ishte njeri i idealeve të larta, vizioneve të mençura dhe punës së palodhshme. Mbi të gjitha ai ishte njeri që kishte për të huaj ideologjitë çfarëdo ngjyre qofshin ato që prore mbjellin mbrapshti në mendimin dhe kulturën tonë politike përgjithësisht, e të cilave edhe sot po ua shohim sherrin. Këtu qëndron baza mbi të cilën ngritet madhësita e figurës së Rexhep Krasniqit, mbi këtë të vërtetë është ngritur shpirti i tij i guximshëm, mbi këtë aspiratë është ndërtuar vepra e tij kuptimplote. Rexhep Krasniqi ka qenë dhe mbetet figurë ku janë të gërshetuara, pjekuria kombëtare dhe largëpamësia politike, puna shkencore dhe vizioni demokratik. Porosia e idealit dhe veprës së tij të urtë e kuptimplote për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, duhet të jetë libër i shenjtë në bagazhin e atyre që kanë marrë rrugë për të biseduar me serbët në Rambuje. Është koha që porosia e Rexhep Krasniqit të vijë në shprehje, "se shqiptarët do të dinë të jenë unik". Kjo u vërtetua, se: delegacionit tonë i shkoi për dore, që të shkojë në Rambuje në çastet e fundit unik, e mira e së mirës do të jetë që nga Rambuje delegacioni ynë të kthehet edhe më unik - të mbetet unik për ta vazhduar rrugën gjithësesi të rëndë drejt pavarësisë, tha në fund të fjalës së tij në manifestimin përkujtimor për dr. Rexhep Krasniqin, Rexhep Abdullahu. |
|
| [Komenti juaj] [Kosova Home Page] [Përmbajtja] |