Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Shqiptarët që mbaheshin dhe po mbahën në kampet serbe të përqendrimit - ishin dhe janë pengje

Shkruan: Nekibe Kelmendi

Shqiptarët që u kidnapuan nga forcat ushtarake-policore e paramilitare serbe nga shtëpitë, kolonat e të deportuarve apo në rrugë duke shkuar për të blerë bukë, që u mbajtën dhe vazhdojnë të mbahe n pa kurrfarë baze juridike në burgjet serbe, të cilat burgje ishin në fakt kampe të përqendrimit, kishin dhe kanë statusin e pengjeve. Për këtë arsye këta ka qenë dashtë që të lirohen e të kthehen të gjithë në atdheun e tyre në Kosovë, menjëherë pas përfundimit të luftës dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, kurse këta që akoma vazhdojnë të mbahen në ato kampe, duhet të lirohen menjëherë.

Pas 24 marsit 1999, përveç masakrave, vrasjeve dhe deportimeve, kishte edhe burgosje masive të shqiptarëve të Kosovës dhe këto ishin bërë përditshmëri e jetës së tyre. Në mesin e të burgosurve kishte meshkuj dhe femra të moshave të ndryshme, madje edhe 30 të mitur, por më së shumti kishte të rinj. Në mesin e shqiptarëve të burgosur, i cili kishte arritur shifrën 2150, në të cilin numër bënin pjesë edhe 1200 të burgosur politikë para fillimit të intervenimit të NATO-s kundër Jugosllavisë, të cilët ishin gjykuar në proceset e montuara politike të zhvilluara kundër tyre nga gjykatat e instaluara serbe në Kosovë. Gjatë mbajtjes së tyre në burgje, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, këta torturoheshin në format më brutale, të cilat përfundonin me vdekje violente në lokalet e burgut, por raste të vdekjeve si pasojë e torturave në burg pati edhe pas kthimit të tyre në Kosovë.

Këta shqiptarë, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, u transferuan në burgjet e Serbisë pa asnjë mbështetje apo bazë ligjore, kështu që këto më nuk ishin burgje, por kampe serbe të përqendrimit.
Gjykata Supreme e Serbisë, duke dashur që ta mbulojë këtë akt kriminal me vendime kundërligjore, kishte marrë vendimin për transferimin e kompetencës vendore (territoriale) në gjykatat e Serbisë, të cilat gjykata organizuan dhe mbajtën procese të montuara politike kundër shqiptarëve. Të gjithë shqiptarët që mbaheshin dhe po vazhdojnë të mbahen në kampet serbe të përqëndrimit në fakt ishin të kidnapuar nga forcat serbe prej burgut, shtëpisë, kolonave të deportuarve, apo në rrugët e qyteteve të Kosovës duke shkuar për të blerë bukë, kështu që këta mbaheshin dhe po vazhdojnë të mbahen atje pa kurrfarë baze juridike, e kjo do të thotë se këta në fakt ishin pengje.
Edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës dhe vendosjes së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-ut), regjimi serb vazhdoi t'i mbajë shqiptarët në ato kampe, duke e arsyetuar këtë lloj të mbajtjes në mënyra të ndryshme: si vuajtje të dënimit, si hetuesi, si pritje për gjykim, etj. Pra, sipas regjimit serb, këta shqiptarë mbaheshin si të dënuar apo të paraburgosur.
Aktualisht, në kampet serbe të përqendrimit vazhdojnë të mbahen mbi 200 pengje shqiptarë, nga gjithsej 2150 sa ishin marrë me vete nga forcat serbe me rastin e tërheqjes së tyre nga Kosova. Kjo do të thotë se deri më tash në Kosovë janë kthyer 1900 pengje shqiptarë, të cilët gjyqet serbe, me qëllim që ta justifikojnë mbajtjen e tyre në kampe, i kanë dënuar për vepra penale të terrorizmit dhe për vepra të tjera politike. Të 1900 shqiptarët e kthyer në Kosovë gjatë periudhës prej qershorit 1999 e deri më tani, janë lëshuar nga burgu "pas përfundimit të vuajtjes së dënimit", gjatësia e të cilit denim, në shumicën e rasteve, përputhej plotësisht me kohën e mbajtur peng, që do të thotë se, në fakt, dënimi i ka shërbyer vetëm si formë e justifikimit për mbajtjen e tyre pengje, por edhe si mënyrë për t'ua humbë këtyre edhe të drejtën në dëmshpërblim.
Por, se çfarë statusi, në fakt, kishin shqiptarët që mbaheshin dhe që po vazhdojnë të mbahën në kampet serbe të përqëndrimit për vite të tëra do të mund të konkludohet nga faktet e rrethanat vijuese:

1. Para rrënimit të dhunshëm dhe antikushtetues të autonomisë së Kosovës, deri në vitet e 90-ta Kosova kishte organet e veta gjyqësore dhe shtëpitë korrektuese. Në vitet 90-ta organet gjyqësore kosovare u shndërruan në organe gjyqësore serbe, të cilat administroheshin nga serbët dhe në të cilat punonin gjyqtarë e prokurorë serbë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia, Bosna e Hercegovina dhe nga Kroacia, nga të cilat vende kishin ardhur dhe ishin vendosur refugjatë bashkë me 50.000 refugjatët e tjerë serbë që ishin vendosur në Kosovë pas fillimit të luftërave në Kroaci dhe Bosne e Hercegovinë, ku qëndruan deri me përfundimin e luftës në Kosovë. Situata qëndronte e njejtë edhe me burgjet dhe shtëpitë korrektuese të Kosovës, të cilat administroheshin ekskluzivisht nga serbët vendorë dhe vepronin sipas direktivave të ministrisë serbe të drejtësisë. Eprorët e burgjeve ishin ngushtë të lidhur me shërbimin sekret të sigurimit shtetëror, me prokurorinë dhe me gjyqtarët hetues dhe gjykues të gjykatave. Kjo lidhje ishte shumë e ngushtë dhe funksiononte në mënyrë përfekte në rafshin e diskriminimit, torturimit, trajtimit çnjerëzor të të burgosurve shqiptarë dhe në rafshin e reketimit, andaj nuk kishte pothuaj asnjë gjykim të drejtë.

2. Gjatë bombardimeve të forcave të Aleancës Veriatlantike në Kosovë u formua prokuroria dhe gjykata ushtarake serbe, në të cilat gjykoheshin të rinjtë shqiptarë të kapur në shtëpi, në rrugë duke shkuar për të blerë bukë, ose nga kolonat e të deportuarëve, pra njerëz krejtësisht të pafajshëm. Këta i veshnin me uniformën e UÇK-së dhe i dërgonin këmbë e me pranga në gjykatën ushtarake (ndërtesën e tashme të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë) nëpër rrugën kryesore të Prishtinës (tash rruga "Nëna Terezë"). Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që ushtronin funksione në organet gjyqësore, për shkak të shpalljes së gjendjes së luftës nga regjimi serb, ishin të mobilizuar dhe të veshur me uniforma ushtarake, kurse shumica prej tyre kishin marrë edhe grada ushtarake. Nga ana tjetër, edhe burgjet ishin stërmbushur me të burgosur shqiptarë, të cilët torturoheshin në mënyrën më brutale. Në ato burgje vendoseshin mijëra njerëz, përkundër kapacitetit të tyre të kufizuar, siç ishte rasti me burgun e Lypjanit, i cili burg mund të pranonte vetëm 150 veta. Përveç torturave dhe trajtimit çnjerëzor të të burgosurve shqiptarë, me qindra sish u vranë dhe u masakruan bizantinçe, siç ndodhi me të burgosurit në Shtëpinë Korrektuese në Dubravë, ku u vranë, përkatësisht u zhdukën rreth 196 të burgosur shqiptarë. Mjerisht që objektet nuk flasin për të dëshmuar se çka ka ndodhur me ta në atë burg, anipse për pjesën më të madhe të atyre ngjarjeve tragjike kanë folur gjërësisht të mbijetuarit e asaj masakre. Se vrasjet dhe masakrat në atë burg kishin elementet e krimit të luftës, anipse sipas mendimit të autorës së këtij artikulli ato kishin elemente të krimit të gjenocidit, vërtetohet me aktakuzën e Tribunalit të Hagës të ngritur kundër kryekriminelit të shekullit 20, Sllobodan Millosheviq dhe të bashkakuzuarve të tjerë, në të cilën aktakuzë është përfshirë edhe krimi i bërë ndaj të burgosurve në burgun e Dubravës. Por kjo nuk mjafton, nga që, për të qenë drejtësia e arritshme, Tribunali i Hagës, lidhur me masakrën e shqiptarëve në burgun e Dubravës, është dashtë ta akuzonte edhe mnistrin e atëhershëm serb të drejtësisë, i cili ishte epror i gjykatave dhe i shtëpive korrektuese në Kosovën e okupuar.

3. Me rastin e tërheqjes së forcave serbe dhe të një numri të madh të civilëve serbë nga Kosova, të cilët më nuk guxonin të qëndronin në Kosovë për shumë shkaqe, por edhe sepse ishin të involvuar në luftë kundër shqiptarëve në forma të ndryshme, ato forca morën me vete 2150 shqiptarë dhe ata i vendosën në burgjet civile e ushtarake në Serbi, të cilat burgje në fakt ishin kampe të përqëndrimit. Në mesin e këtyre shqiptarëve kishte: persona të cilët mbaheshin pa kurrfarë vendimi gjyqësor dhe ndaj të cilëve nuk zhvilloheshin kurrfarë hetimesh; persona ndaj të cilëve zhvilloheshin hetime për vepra klasike, por më së shumti për vepra politike, të cilat cilësoheshin si vepër terrorizmi; persona ndaj të cilëve ishte ngritur aktakuza; persona të cilët ishin gjykuar në shkallë të parë, por që ose nuk i kishin marrë aktgjykimet, ose kishin ushtruar ankesa kundër aktgjykimeve të shkallës së parë, por që nuk ishte vendosur akoma për ato ankesa dhe persona të cilët ishin duke mbajtur dënimet e shqiptuara në formë të prerë. Të gjitha kategoritë e këtyre personave kanë qenë të ngarkuar për vepra penale kinse të bëra në Kosovë.

4. Meqë shqiptarët që mbaheshin dhe po vazhdojnë të mbahen në kampet serbe të përqendrimit janë kosovarë dhe se atje mbaheshin dhe po vazhdojnë të mbahen për shkak se kinse kanë bërë vepra penale në Kosovë, atëherë edhe po të mirret se këta ishin persona të burgosur, këta prapëseprapë do të duhej të mbeteshin, përkatësisht të ktheheshin në Kosovë dhe t'i dorëzoheshin Misionit të Kombeve të Bashkuara këtu për faktin se kompetenca territoriale u takon organeve gjyqësore kosovare, por edhe për shkakun se në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara "Jugosllavisë" i është hequr sovraniteti mbi Kosovën.

5. Shqiptarët e kidnapuar dhe të dërguar në mënyrë të dhunshme në Serbi, pra në vendin e huaj, janë procesuar nga gjykatat jokompetente dhe kanë vuajtur denimin në shtëpitë jokompetente korrektuese, andaj këta assesi nuk mund të konsiderohen ndryshe pos si pengje, kështu që, sipas konventave ndërkombëtare, këta menjëherë pas përfundimit të luftës dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, është dashtë t'i dorëzohen Misionit të Kombeve të Bashkuara të vendosur në Kosovë, për të marrë vendime valide për lirimin apo dorëzimin e tyre gjykatave kosovare për procesim. Kjo aq më parë sepse çdokund në botë, pas përfundimit të konflikteve të armatosura, lirohen dhe u dorëzohen shteteve të origjinës të gjithë robërit e luftës, e lëre më civilët, sikur që ishin shqiptarët e mbajtur pengje. Mu për këtë shkak, bashkësia ndërkombëtare, meqë "Jugosllavinë" e ka mbajtur përgjegjëse për një veprim të këtillë me këtë kategori shqiptarësh, nuk është dashur të nxitojë me heqjen e sanksioneve ndaj saj dhe me pranimin e saj në disa institucione ndërkombëtare para se të ktheheshin të gjithë pengjet shqiptarë në Kosovë. Heqja e sanksioneve para kthimit të të gjithë pengjeve shqiptarëve në Kosovë ka qenë moment kurajues për "Jugosllavinë" që të vazhdojë edhe sot e kësaj dite pengjet shqiptarë t'i mbajë në kampet e përqendrimit në Serbi. Aq më parë meqë tashmë ishte bërë një lëshim i mëparshëm i bashkësisë ndërkombëtare që çështja e këtyre shqiptarëve nuk ishte përfshirë në tekstin e Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, i cili lëshim pati pasoja të rënda për 2150 pengjet shqiptarë të Kosovës. Ky lëshim do të zbutej vetëm po që se bashkësia ndërkombëtare do t'i kushtëzojë lehtësimet e mëtutjeshme dhe përmbushjen e premtimeve për ndihma financiare me lirimin dhe kthimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve shqiptarë në Kosovë.


6. Gjatë mbajtjes së pengjeve shqiptarë në kampet serbe të përqëndrimit Departamenti Administrativ i Drejtësisë, të cilin e bashkëdrejtonte autorja e këtij shkrimi, në mënyrë institucionale, përmes një memorandum të posaçëm dërguar PSSP të atëhershëm z. Bernar Kushner, ka kërkuar të ndërmerren veprime konkrete juridike për kthimin e tyre në Kosovë. Nga ana tjetër, ka mbajtë disa kontakte me zyrtarët e lartë të UNMIK-ut, me përfaqësuesit e Komesariatit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, me përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe me përfaqësues të ndryshëm të organizatave humanitare ndërkombëtare, në të cilat takime është biseduar lidhur me çështjen e pengjeve shqiptarë. Të gjithë këta janë angazhuar lidhur me këtë çështje dhe kanë kërkuar nga "Jugosllavia" që menjëherë t'i lirojë dhe t'i kthejë pengjet shqiptarë në Kosovë, por ajo asnjëherë nuk ka treguar dhe nuk po tregon gatishmëri për marrjen vendimit të drejtë, që do të ishte i mbështetur në konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për t'i liruar këta, gjë që me këtë vetëm sa po e konfirmon atë proverbin popullor se "ujku vetëm qimen e ndërron, kurse hujin jo". Kjo është edhe një arsye më shumë se bashkësia ndërkombëtare asaj duhet t'ia shkurtojë çdo ndihmë financiare dhe pranim në mëtutjeshëm në institucionet ndërkombëtare deri me lirimin dhe kthimin në Kosovë të të gjithë pengjeve shqiptarë nga kampet serbe të përqëndrimit.

Të gjitha të dhënat e cekura më sipër sjellin në përfundim se shqiptarët e transferuar në Serbi pas përfundimit të luftës, ishin pengje, pra mbaheshin dhe po mbahen në kampet serbe të përqëndrimit pa asnjë bazë juridike, meqë këta ishin persona të kidnapuar nga forcat serbe në shtëpitë e veta, nga kolonat e të deportuarve, apo në rrugë duke shkuar për të blerë bukë, prandaj si të tillë ishin dhe janë pengje dhe këta ka qenë dashtë të lirohën e të kthehen në atdheun e tyre - në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, kurse këta që ende po mbahen, duhet të lirohen menjëherë. Sa i pëket çështjes së dëmshpërblimit, këtë një ditë do ta realizojnë të gjithë, por përveç tyre, këtë do ta realizojnë edhe të dëmtuarit e tjerë të luftës, të cilin "Jugosllavia" do të detyrohet t'ua kompensojë.

Prishtinë, më 21 janar 2002. Nekibe Kelmendi, avokate
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks