|
|
Bujar LESKAJ: Ibrahim Rugova, formula shqiptare më frytdhënëse
Janë shumë të rrallë rastet në Krestomacinë e shqiptarëve të mëdhenj të të gjitha kohrave ku të rrijë krah për krah, kulturologu, politikani që shndërrohet në lider shpirtëror, dhe përmasa humane si tek Ibrahim Rugova.
Jemi sot këtu për të promovuar korpusin e veprave të plota të tij dhe ju bëj të gjithëvë ftesë që këtij akti të përpiqemi t'i gjejmë një sintoni me kohën dhe do të kuptojme se jemi të vonuar. Ajo e ka trajtuar këtë vepër, këtë mendim dhe veprim, duke respektuar ligjësitë që shoqërojnë të pazakonshmen.
Veset e racës vepruan ndaj Rugovës dhe kundër Rugovës. Ishte një reagim meskin, një përballje e kahmotshme e mediokritetit me intelektualitetin, e politikës vizionare e moderne me derivatet negative të saj, të shqiptarësisë së kulluar që kërkon të integrohet me ideologjinë e stepave dhe zëdhënësit e tyre shqiptarë e jo shqiptarë.
Por tubimi ynë është i dobishëm. Këtu gjënden nivele të larta të mendimit intelektual e politik shqiptar që sot bëhen zëdhënës të ndjesisë që Ibrahim Rugova, presidenti i Kosoves, Gandi bashkëkohor, esteti dhe teoricieni i letërsisë është formula shqiptare më frytdhënëse.
Është kështu, sepse ai u ushqye dhe vazhdon ta bëjë me doktrinën e Pjetër Bogdanit, Nënë Terezës dhe Papa Gjon Palit. Ai mbështetet në filozofinë dhe politikën euroatlantike, dhe veçanërisht atë amerikane. Të shkuarën kulturore shqiptare e racionalizoi në bashkëkohësi dhe më tej, duke krijuar kështu një mendim politik të llojit të veçantë. Kosova, trualli i madh, ku prej dekadash është konservuar krimi, po kthehet në tokë paqeje. Kjo ishte metamorfoza sfidë e Rugovës, alkimia e civilizimit shqiptar. Në këtë betejë të madhe, ai ndriçoi, ai fitoi.
Kur kombit shqiptar i qasej ora e ligë andej dhe ketej kufirit, kur perandoria e së keqës shfaqej në format e veta të idhta, atje si pushtim i huaj e këtu si urrejtje klasore dy burra: Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha patën tagrin dhe përgjegjësinë të rrinin brenda përkufizimit kantian "duhet të reagosh ndaj së keqës që të mos bëhesh fajtor për triumfin e saj".
Ju premtoj sot se nga ky moment Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë do të jetë në lartësinë e vëmendjes që kjo veper meriton, duke bërë të njëjtën gjë që po bëjmë sonte edhe në rrethet e tjera të vendit e në auditore më të gjëra. Ftoj të gjithë studiuesit dhe kritikët e veprës së Rugovës që të paraqesin pranë nesh punimet e tyre, sepse shumë shpejt do të përgatisim një botim special përmbledhës.
Dhe së fundi me lejoni të bëj një konsideratë personale si qytetar, djalë i Vlorës dhe deputet i Vlorës: Pas Skënderbeut, në çetën e profetëve të kombit, Ibrahim Rugova zë të parin vënd.
Fjala e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve mbajtur në promovimin e veprës së plotë të Presidentit Ibrahim Rugova
----------
Autori është ministër i Turizmit dhe i Kulturës në qeverinë e Shqipërisë
|
|
|