Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Rexhep Ismajli: Për dy dekada Rugova u bë një ndër figurat e rëndësishme të studimeve letrare në albanistikë

Kam nderin që para jush sonte të flas për veprën intelektuale, shkencore, hulumtuese e kritike të personalitetit të shquar të botës shqiptare, anëtarit korrespondent të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, bartësit të shumë çmimeve ndërkombëtare për paqe, doktor honoris causa të universiteteve të Parisit VIII dhe të Tiranës, Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, të botuar në 8 vëllime nga shtëpia botuese e Prishtinës "Faik Konica".
Në dekadën e fundit të sh. 20, për botën shqiptare dramatike e me ndryshime dhe përmbysje shpresëdhënëse, dr. Ibrahim Rugova u njoh ndërkombëtarisht si lideri i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, lideri i lëvizjes së gjerë për emancipim, për çlirim kombëtar e për pavarësi të Kosovës. Personaliteti i tij u çmua lart për shpalosjen dhe begatimin e vlerave evropiane të kohës.
Aktualisht dr. Ibrahim Rugova vepron si Kryetar i Kosovës.
Para se të niste veprimtarinë e gjerë politike, dr. Ibrahim Rugova në kulturën e studimet letrare dhe albanistike për dy dekada të tjera ishte dalluar me studimet, ndërmarrjet, idetë, botimet për letrat dhe kulturën shqiptare në tërësi. Vepra e tij në këto fusha përmblidhet në 6 vëllimet e para të kësaj kolane të bukur të botuar nga shtëpia botuese "Faik Konica" e Prishtinës. Aty është përfshirë pjesa më e madhe e ndihmesës që Rugova i ka dhënë kulturës dhe dijes shqiptare në këto fusha, ashtu si i kishte bërë gati vetë në atë kohë. Kanë mbetur të papërfshira shkrimet e shpërndara nëpër revista dhe parathënie librash.
Vetëm në 2 vëllime të kolanës është përfshirë veprimtaria e gjerë e shkrimtarisë politike të dr. Rugovës. E shpërndarë gjithandej në shtypin e botës, nuk ka dyshim se, kur të përmblidhet, ajo do të mbushë vëllime të tjera, për të folur në mënyrë autentike për idetë e kohës sonë, për ecejaket e mendimit dhe të synimit për pavarësi, për mundësitë e funksionimit të pushtetit me mbështetje në "autoritetin moral", siç thoshte ai, përballë makinerisë shkelëse, despotizmit e diktaturës, për shanset e lëvizjeve paqësore në tërësi, për hapësirat e lirisë.
Me shkrime publike Ibrahim Rugova u shfaq qysh në vitet 1967 1968. Librin e parë Prekje lirike, e botoi më 1971. Qysh me atë libër ai manifestoi qartë mëvetësinë dhe pavarësinë e vështrimit dhe të gjykimit, autonominë personale në fushën e kritikës dhe të interpretimit letrar. Mu sikur të donte një prerje, një ndryshim të sugjeruar qysh në tituj, 7 vjet më vonë (1978) ai botoi librin Kah teoria, me përmbajtje e synime të tilla. Pastaj vetëm dy vjet më vonë (1980) librin tjetër me hyrje teorike dhe me brumë kritik për letërsinë e sotme, me një synim tipologjizues e me vlerësime
normative në fund Strategjia e kuptimit. Rruga e vështrimeve
teorike kritike tashmë po intensifikohej në veprimtarinë e Rugovës dhe më 1982 ai botoi librin monografik Vepra e Bogdanit, që mëton në radhë të parë ta interpretojë atë, por rrugës bën dhe shumë punë të tjera hulumtuese të natyrave të ndryshme për autorin dhe veprën. Në 4 vjetët e ardhshëm (1986) ai arrin ta përfundojë veprën e gjerë Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare, në të cilën ngërthehen hulumtimi historiko letrar albanistik me vlerësimin kritik, tendencat për klasifikime dhe përgjithësime lidhur me
rrjedhat e mendimit dhe të shkrimit shqip në këtë fushë. Librin e fundit të natyrës së studimeve letrare Refuzimi estetik, e botoi më 1987. Në më pak se dy dekada jete të ngjeshur hulumtuese ai arriti të bëhej një ndër figurat e rëndësishme të studimeve letrare në albanistikë, në fushën e kritikës e të interpretimit letrar në përgjithësi në botën shqiptare.
Pas vitit 1972 Rugova pati mundësi ta thellonte më shumë punën e tij hulumtuese sistematike në drejtime të ndryshme për letrat dhe kulturën shqiptare, për idetë estetike dhe për çështjet themelore të studimit të letërsisë. Dhe në këto preokupime shkrihen vrojtimet e tij të natyrës teorike, estetike të letërsisë me kundrimet për fenomene, autorë dhe vepra nga tradita shqiptare dhe nga bashkëkohësia. Në këtë shkrirje natyrshëm ngërthehen fenomenet letrare shqiptare, ndryshe nga një traditë që mund të kërkonte që ato të vështrohen me optikë dhe metoda të posaçme. Tërë aparaturën hulumtuese dhe klasifikuese e zbaton me të njëjtin kut të matjes
në fenomenet e traditës ashtu si te veprat bashkëkohëse. Prodhimin letrar bashkëkohës e vështron në mënyrë njësoj sistematike. Objekt i vlerësimit të tij u bë një numër i madh autorësh dhe veprash që doli në Kosovë deri në atë kohë. Shkonte dhe më tej për ato rrethana dhe, duke shpërnjohur retiçencat e kohës, afirmonte dhe vlerësonte autorë dhe personalitete të së kaluarës.
Rugova ndërthur në vështrimet e tij bagazhin e dijeve teorike, të njohjeve të thelluara albanistike me interesimet bashkëkohëse.
Derisa në shkrimet e para kritike për letërsinë Rugova i jepte hapësirë më të madhe dimensionit lirik e personal të vendosur qoftë dhe vetëm figurativisht në kontekst aktual, në studimet për letërsinë, në veprat teorike e në monografitë e pastajme të tij mbisundojnë dy vija themelore: hulumtimi i të dhënave, krijimi i aparaturës themelore për studime serioze dhe njëherësh studimi, interpretimi e kontekstualizimi i veprave, ideve e fenomeneve letrare në botën shqiptare.
Në studimet letrare Rugova vinte me një anim nga vlerësimi pjesërisht impresionist i veprave dhe fenomeneve letrare, por me frymën e tij të butë liberale, që ia bënte të mundur të gjente çarje në bllokun e mendësisë së atëhershme në këto studime, si mendësi dhe si metodë. Ai thjesht ofronte një tjetër mënyrë interpretimi dhe përmes saj ngjallte kontestime që në themelet
e atyre studimeve. Me kohë aspektet e tilla dhe gjallëria rinore e Rugovës sikur i lanë më shumë hapësirë disiplinës studiuese. Por bindja se në çështje interpretimi gjithnjë ka më shumë se një vështrim e shoqëron atë në tërë veprimtarinë, jo vetëm studiuese. Me këtë gjerësi, në përplasje të vetvetishme me dogmatizmin sundues të kohës, nga fundi i viteve '70, dr. Rugova u bë një nga figurat qendrore të studimeve letrare dhe u bë i tillë me risinë e vështrimeve, me njohjet bazike për rrjedhat dhe me qëndrimin
jopërjashtues për tjetrin.
Ndërkohë ai kishte depërtuar më thellë me informimet dhe me formimin teorik në frymën e kohës, kryesisht në rrymimet që merreshin me interpretimin dhe me teoritë estetike. Kjo ishte afërsisht koha kur tek ne po depërtonin dhe ide moderne të strukturalizmit e të semiologjisë. Dhe gjurmët e kësaj gjerësie idesh, të kombinuara me rreptësinë metodike në një rrafsh me
figurshmërinë gati të mirëfilltë letrare, i gjejmë në studimet e tij për letërsinë shqipe, moderne dhe të traditës. Jo rastësisht ai pikërisht në këtë kohë ngulte këmbë të merrej me studimin e themeltë të veprës dhe të figurës së Pjetër Bogdanit, duke hapur një horizont tjetër sa i përket studimit letrar dhe vlerësimit të traditës së hershme të shkrimit shqip.
Në veprat si kjo, apo në monografinë për zhvillimin e mendimit kritik shqiptar, ai i shkrin njohjet themelore, të dhënat, hulumtimin personal pozitiv me interpretimin, kontekstualizimin dhe ndriçimin e fenomeneve letrare dhe implikimet shoqërore të tyre. Bogdani do të bëhet dhe si një dyshor identifikues i tij për dimensionin e flijimit për të nxjerrë në pah identitetin e ndrydhur kombëtar. Kështu, mu në mes të interesimeve estetike, filozofike, teorike letrare, në mënyrë të beftë vjen e rishfaqet natyra
kontestuese e Ibrahimit dhe kjo ngjet në kohë shumë të rënda të zhvillimeve intelektuale në Kosovë dhe në botën shqiptare. Natyrë jo impulsive, përgjithësisht e qetë dhe e shtruar, kontempluese, më duket se kontestimet e tij vijnë nga brenda, synojnë qenësoren dhe depërtojnë thellë, bëhen kështu radikale.
Ibrahim Rugova vepron me qëndrimin për të mos iu shtruar thjeshtësimeve dhe rrëgjimeve në një interpretim të vetëm. Për arsye të tilla dhe të tjera, ai shpesh e ndien nevojën t'i drejtohet madje esesë, ndonjëherë edhe më shumë se kaq interpretimit të çlirshëm letrar, duke prodhuar vetë një tekst nga
aspekti i gjinisë vështirë i përcaktueshëm. Gjerësia e tematizimeve teorike, kritike, iniciuese, nismat e projekteve hulumtuese, shpesh të pambaruara, na sjellin përpara një vepër që shtron çështje, hap horizonte, josh për ndërmarrje interpretimi. Të gjitha këto aspak papritur, sidomos pasi doli në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, zhyten përnjëherë në projektin që shtroi jeta atë të angazhimit për çlirimin kombëtar.
Vitet e vona '80 i dhanë krih pikërisht kësaj pjese të natyrës së tij dhe ajo gjeti përkrahjen dhe mbështetjen në frymën e gjerë dhe të akumuluar me vite të popullit të Kosovës që po përjetonte momente të rënda të shtypjes.
Kështu fryma shoqërore, e pakënaqur me klasën e atëhershme politike, gjeti tek intelektuali liderin dhe Rugova, kontestues i butë e konstruktiv, mjedisin për idetë e tij vepruese e të padhunshme në drejtim të realizimit të idealeve çlirimtare, përgjithësisht emancipuese. Ajo qe më shumë se lëvizje e padëgjueshmërisë, lëvizje përmes së cilës shqiptarët e Kosovës e
shfaqën veten sërish rrënjësisht dhe fuqishëm në vlerat politike e
shpirtërore të Evropës.
Me natyrën e tij të paimponueshme, me humanizmin, me orientimet liberale, me tolerancën, me dijet e gjera e me finesat, me qëndresën dhe frymën e gjatë në kontaktet, dr. Rugova u bë gjerësisht i pranueshëm në botën shqiptare dhe njëherësh dha një ndihmesë të çmueshme për krijimin e miqësive të botës shqiptare me të tjerët.
Në bisedat e tij me M.F. Allain dhe X. Galmiche, më 1991 Rugova theksonte: "Emri im prej intelektuali, kjo do të mbetet nga unë, po të mbetet diç në historinë shqiptare". Ai qysh atëherë kishte vetëdijen dhe bindjen për trashëgiminë intelektuale që po krijonte. Mbase gjendja e përgjithshme e rëndë, fillimet e vështira, të panjohurat e aksionit të rezistencës konstruktive paqësore, nuk i jepnin shumë optimizëm për të parë qysh atëherë se në historinë shqiptare i rëndësishëm do të mbetet jo vetëm emri i tij prej intelektuali, po dhe nami i prijësit paqësor drejt çlirimit dhe
pavarësimit të Kosovës dhe emancipimit politik të botës shqiptare.
Në vazhdën e ideve për mëvetësimin e Kosovës, që në vitet '60 të shekullit 20 kishin marrë formën e kërkesës për Republikë, e të synimit për realizimin e idealeve të çlirimit kombëtar, në horizontin e shpërbërjes së federatave të mëdha komuniste dhe me kufizimet e tjera të realiteteve aktuale evropiane, kjo lëvizje me Rugovën në krye dhe me mbështetjen e gjithanshme të Aganit nga brezi i mëparmë dhe të tjerëve nga brezi i tij, natyrshëm e
ushqeu më tutje kërkesën e gjithpranishme në popull për pavarësi të plotë të Kosovës dhe për bashkim të mëtejmë kombëtar në suazat e bashkimeve të mëdha evropiane. Projektet e tilla nyjëtohen dhe shpjegohen në mënyrë të përshtatshme për lexues shtresash të ndryshme dhe në dy librat e fundit të kësaj kolane të Rugovës.
Më shumë se dhjetë vjet të shkuara, redaktori i BBC së kërkonte të përmendja një tipar me rëndësi të personalitetit të dr. Rugovës. Nuk kisha menduar shumë dhe papritur kisha thënë: qëndrueshmëria, persistenca. Tani më duket se kjo qëndrueshmëri e tij gati metodike kanë rrezatuar dhe vazhdon të rrezatojë siguri dhe besim, çka vazhdon të jetë me shumë rëndësi për zhvillimet politike, për baraspeshimin e tërësishëm.
Ibrahim Rugova kulturës shqiptare tashmë i ka lënë një vepër me vlera intelektuale, shkencore, të dijes. Një vepër më të rëndësishme, madhore, dimensionet e së cilës mbase nuk i vërejmë për shkak të afërsisë së pandërmjetme, ai bashkë me plejadën e qëndresëtarëve të kësaj kohe, e kanë krijuar me lëvizjen për çlirim kombëtar dhe njëherësh për ndërtim të vlerave demokratike e për emancipim të përgjithshëm të shoqërisë shqiptare, duke krijuar kështu kontekst cilësisht të ri për të gjitha ato vlera dhe për rigjallërimin e tyre në horizonte që s'i kishim më parë.
--------

Autori është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe profesor i Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks