Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center

Sabri Hamiti: Njeriu meditant, njeriu militant


I. QARKU KULTUROR I PRISHTINËS

Ibrahim Rugova i përket brezit të 68 tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës.
Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës. Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit përnjëherësh.
Në këto vite Prishtina, si dhe gjithë Kosova, kishte një gazetë të përditshme, një revistë letrare, një radio, një shtëpi botuese në shqip. Lëvizja kulturore e intelektuale e përqendruar në brezin universitar e bëri gazetën e vet kulturore, revistën e vet kulturore dhe formoi shtëpinë e vet botuese. Kjo, në mënyrë të pashpallur, artikulonte alternativën e njëshit pushtetor në kulturë.
Protagonist në të gjitha këto lëvizje kulturore e letrare, që përqendroheshin në Fakultetin Filozofik ishte Ibrahim Rugova me krijuesit e brezit të tij studentë, kryesisht të gjuhës e të letërsisë shqipe. Disa nga nismëtarët e këtij qerthulli kulturor e letrar janë ngritur tanimë në shkallën më të lartë në fushat e tyre krijuese në shqip. Njëri nga më përfaqësuesit është Ibrahim Rugova, me përcaktim kritik letrar e studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare.
Qerthulli kulturor i Prishtinës, që më vonë do të zhvillohet edhe në një kulturë letrare, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit njëzet kishte përqafuar një program letrar e kulturor, qoftë pa e afishuar: të hyhet sa më thellë në njohjen e trashëgimisë shpirtërore nacionale e në të njëjtën kohë të ketë një hapje ndaj kulturave të tjera perëndimore, sidomos të modernitetit të tyre.
Ibrahim Rugova si krijues e kritik nuk u është larguar asnjëherë këtyre dy kërkesave të qerthullit kulturor të Prishtinës, për dy decenie të plota të krijimtarisë letrare kritike.


II. PROFILI I KRITIKUT

Pak nga miqtë e tij e dijnë që Ibrahim Rugova në moshën e re shkollore ka shkruar lirikë dhe ka përkthyer poezi. Mirëpo, emri i tij letrar publik është bërë i njohur me shkrimet letrare në rubrikën "Zenite letrare" në revistën Fjala. Tekstet, që rimerrnin në një lexim krejt subjektiv e të lirë, vepra të shkrimtarëve botërorë e shqiptarë, lexoheshin me mallin e leximit të letërsisë së vërtetë. Këto shkrime Ibrahim Rugova, pas një rileximi redaktues, i botoi në librin Prekje lirike. Vetë titulli përcakton natyrën e shkrimeve estetike poetike, që nuk i iknin lirizmit në interpretim. Ky ishte një revolt kundër shkrimeve kuaziobjektive që shkruheshin për letërsinë duke zbritur më shpesh në një sociologjizëm vulgarizues.
Në librin e dytë Kah teoria, të botuar shtatë vite më vonë, e gjejmë Rugovën në skajin tjetër të diskursit kritik. Tashmë ai, gjithë dijen e madhe letrare, gjithë mjeshtërinë e shkrimit kritik të argumentuar, e çon kah qëllimi suprem: të artikulohet në nivelin më të lartë teorik letërsia si krijimtari individuale e veçantë, e ndryshme nga të tjerat, që duke pasur praktikë origjinale të krijimit, kërkon edhe kritere të vetat të interpretimit. Tashmë, revolta lirike e librit të parë kthehet në sistem vetanak të mendimit e të argumentimit.
Dy polet kritike, të shfaqura në dy librat e parë, e kanë përcaktuar fuqishëm gjithë krijimtarinë kritike të Ibrahim Rugovës në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë të shekullit njëzet. Ky ndikim në një anë ka prodhuar një diskurs kritik të çlirshëm, shpesh me gjuhë konotative, madje në nivel të metaforës, për t'u kurorëzuar me trajtën e eseut e të kritikës interpretuese; kurse në anën tjetër ka prodhuar diskursin kritik të argumentuar, duke e ngritur në nivel të abstragimit teorik, madje krejt në teori të letërsisë e të kritikës; por gjithmonë me kërkesën për kultivimin e temave abstrakte në shqip, nëpërmjet rindërtimeve terminologjike.
Dy libra të ngjashëm, përmbledhje esesh e kritikash, kapin tekstet kritike të Ibrahim Rugovës të viteve shtatëdhjetë në Strategjia e kuptimit dhe të viteve tetëdhjetë në Refuzimi estetik. Sharmi themelor i shkrimeve kritike, që korrespondojnë në radhë të parë me librat e botuar gjatë këtyre viteve dhe me autorët kryesisht të brezit të tij, është se janë shkruar rëndom si kritika të para (punë tepër e vështirë në interpretimin e vlerësimin e letërsisë), duke prodhuar edhe mendimin e parë publik për veprat, e njëkohësisht duke krijuar aureolën e kritikës së respektueshme.
Në shkrime të tjera, në këta libra, Rugova lëshohet ngadalë në kohë për të studiuar formacione artistike e doktrina letrare shqiptare, po ashtu autorë të njohur të traditës; ashtu edhe fenomene letrare, kryesisht kritike të modernitetit evropian.
Dy libra të tjerë, tani monografikë, që provojnë deri në skaj fuqinë krijuese e intelektuale të Ibrahim Rugovës, janë Vepra e Bogdanit dhe Kahe e premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 1983. Në të parin bëhet interpretimi i fuqishëm i tekstit bogdanian në librin e parë origjinal shqip Çeta e profetëve, duke analizuar të gjitha aspektet e strukturat e tekstit bashkë me domethënien e tij. Rugova këtu ribën gjenetikën dhe bën analitikën e veprës së autorit të madh të vjetër shqiptar, duke e parë atë të njënjëshëm, nëpërmjet temave, strukturave letrare, domethënieve nacionale; duke analizuar sistemin e plasat e tij. Studiuesi, i formuar me dijet moderne letrare, dëshmon që teksti bogdanian nuk është dëshmi por është një qenie e gjallë kulturore, madje bashkëkohëse, një vlerë që jeton. Vepra shpejt u bë paradigmë e studimeve shqiptare, jo vetëm bogdaniane.
Mirëpo, projekti më i ndërliqshëm e më i rëndësishëm studimor i Ibrahim Rugovës mbetet monografia për kritikën shqiptare. Ky libër është dhe kurora kritike e tij. Aty gjejmë një sistematizim të mendimit kritik shqiptar që lidhet me letërsinë dhe kritikën letrare, dhe më thellë një vetëdije kulturore të shqiptarëve. Idetë themelore, duke u fiksuar nga Barleti deri te autorët bashkëkohorë, janë trajtuar jo si rend kronologjik i shfaqjeve, por si vlera në një sistem të sprovuar të mendimit letrar. Rugova lucid këtu informon, analizon, interpreton. Vepra merr vlerën e një projekt enciklopedie për kritikën letrare shqiptare duke u bërë, që nga shfaqja, një pikë reference e pakalueshme për këtë fushë.
Përfundimisht Ibrahim Rugova është një kritik modern që teorinë e ndërton si majë që del nga interpretim i tekstit letrar, kurse vlerësimin e bën si një përqasje me universalitetin e krijimit letrar. Kjo e shpie nga qerthulli i letërsisë kombëtare në universumin e literaturave të tjera.
Një të tillë sprovë e kishte nisur Rugova në shkrimin për rrënjët e degët letrare, pra për trashëgiminë origjinare dhe shpërndërrimet e mëvonshme duke sjellë në relacion krijues Shqipen, Aristotelin e Xhojsin. Kjo aventurë krijuese ishte ndërprerë përnjëherë. Dhe kjo duhet të quhet humbje për kërkimet në letërsinë shqipe.
Vepra e madhe dhe e ndërliqshme kritike e Ibrahim Rugovës e ka bërë autorin njërin ndër mendimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë për letërsinë.
Konteksti sociokulturor, thuhej më parë, por rrethanat nacionale, do të thuhej më vonë, e bënë apo më saktë e detyruan Ibrahim Rugovën që nga njeriu meditant të kalojë te njeriu militant. I pari i përket domenit të kritikës. I dyti domenit të veprimtarisë nacionale.
I lejojmë vetes të mbyllim këtë shkrim me një metaforë: Prekje e Gurit. Brezat e idealistëve (nëse mbeten gjallë) do të tregojnë a u formësua guri nga prekja dhe për sa kohë ndodhi kjo.
--------

Ky tekst është lexuar në promovimin e veprave të Dr.Ibrahim Rugovës në muajin nëntor në Tiranë. Autori është profesor i Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2012 — Prishtinë, Kosovë
Mundësuar nga VEVI Networks