|
|
Kosova dhe statusi i saj i ardhshëm
Shkruan: Akademik Rexhep Ismajli
Tash gjashtë vjet Kosova është e lirë nga shtypja e Serbisë dhe nën protektoratin specifik të Kombeve të Bashkuara po përpiqet të ndërtojë shoqërinë demokratike. Në rrethana shumë të ndërlikuara, në prani të veprimit të instancave të ndryshme (institucionet legale qeverisëse të Kosovës, institucionet ndërkombëtare të UNMIK-ut e të tjera, qendrat diplomatike, institucionet jolegale paralele të Serbisë, shërbimet e ndryshme të huaja), shoqëria kosovare ka arritur tashmë të dëshmojë një shkallë të rritjes demokratike, një kapacitet organizimi dhe një vullnet politik që flasin qartë për pjekurinë zhvillimore drejt një shoqërie dhe vendi të pavarur e të qëndrueshëm në rrjedhat themelore. Ka bërë zgjedhje shumë të mira për rajonin dhe uzuset e tij, e ka konsoliduar legjitimimin politik, ligjvënës e ekzekutiv për aq sa ka qenë në duart e shoqërisë kosovare.
Në këtë përballje të shoqërisë kosovare me probleme nga më të ndryshmet për një shoqëri në transicion, krahas kapaciteteve të saj, kanë dalë në shesh edhe limitet e një situate të padefinuar në aspektin e statusit dhe rreziqet që ajo bart me vete. Ka qëndruar, porse, i gjallë vullneti i jashtëzakonshëm i popullatës për ndërtimin e mëtejmë të shoqërisë dhe për integrimet aq shumë të kërkuara nga ndërkombëtarët. Në të njëjtën kohë, nuk mund të mos shënohet një shkallë jo e vogël e imponimit të mbylljes ndaj Kosovës dhe popullatës së saj pikërisht nga instancat prej nga bëhen vërejtje në këtë drejtim.
Rezultatet e shënuara në shumë fusha dhe aspekte të jetës në shoqërinë tonë, si për shembull ndalja e shtypjes dhe dhunës, krijimi i hapësirës për jetë të lirë, respektimi i të drejtave themelore, rindërtimi i vendit nga rrënimet e luftës, etj., janë të padyshimta. Janë të prekshme dhe rezultatet në ndërtimin e një shoqërie të organizuar e funksionale, të një administrate që vështirë po lëviz përpara, përpjekjet për zhvillimin e vendit, etj. Në këtë pikën e fundit, ç’është e vërteta, mund të shihen më së miri dhe kufizimet e gjendjes aktuale.
Megjithë vullnetin dhe energjinë e madhe të popullatës, të re, mobile dhe me inicime fillestare teknologjike e të punës, nuk mund të themi se Kosova ka arritur të hapë një cikël zhvillimor që do të krijonte vende të reja pune dhe hapësirë në përputhje me energjitë e mëdha njerëzore e resurset e tjera që nuk janë për t’u nënçmuar. Nuk jemi dëshmitarë të investimeve nga jashtë, pa çka vështirë se mund të merret me mend ndonjë lëvizje më e madhe në këtë drejtim. As zhvillimet e proceseve të brendshme që mund të vinin në lëvizje ndonjë levë ekonomike, si procesi i privatizimit, nuk kanë ecur me ndonjë ritëm të lëvdueshëm. Kështu Kosova po përballet me probleme të zhvillimit ekonomik, ndërsa këto po shprehen drejtpërsëdrejti në jetën shoqërore e politike. Me kufizimet e tjera, si ato të qarkullimit të lirë për shkak të dokumentacionit që kemi, me paqartësinë e horizontit që mund të krijojë zgjatja e kësaj gjendjeje, kuptohet që shkalla e frustrimeve do të jetë gjithnjë e në rritje.
Nuk është e vështirë të shihet se për shumë prej problemeve në aspektet e përmendura kufizimet themelore burojnë nga statusi i padefinuar i Kosovës. Është e qartë se prej kësaj nuk duhet të nxirret përfundimi se me zgjidhjen e statusit të Kosovës do të gjenden zgjidhje për të gjitha problemet që kemi sot. Por është po ashtu e qartë se sa më shumë të shtyhet kjo gjendje, aq më shumë do të rriten problemet dhe aq më vonë do të nisë procesi i zgjidhjes së tyre. Problemet që ka Kosova, zhvillimore, societale, e të tjera, nuk zgjidhen dot me një vendim, po me një proces i cili duhet të marrë kahen e vet me përkufizimin e statusit, të perspektivës dhe të horizontit zhvillimor të vendit.
Historia e tërësishme e rajonit, zhvillimet në tërë shekullin 20, kanë përvijuar tashmë një zgjidhje. Kjo është shteti i pavarur i Kosovës i mbështetur në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe në vullnetin politik të shprehur në mënyrë të përsëritur në dy dekadat e fundit.
Mekanizma ndërkombëtarë që, për shkallën e vetëdijes dhe vlerat që ka sot popullata e Kosovës, janë po ashtu shumë të rëndësishëm, theksojnë që çështja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhet përmes një procesi të dialogut dhe të negociatave. Dhe kjo ka krijuar gjendjen në të cilën ndonjëherë supozohet se edhe çështje kaq themelore si e ardhmja e një populli dhe vendi duhet të bëhen objekt negociatash. Dhe kjo nuk është e drejtë, as e moralshme, as e pranueshme.
Meqenëse në Kosovë tashmë dihet se statusi i shtetit të pavarur është kërkesa më e përhapur, është krijuar një si pazar, në të cilin Serbia ofron shkallë të ndryshme autonomish e me këtë synon ta legjitimojë dhe të drejtën për të vendosur për Kosovën, të cilën e ka rrëmbyer me forcë, ndërsa të tjerë diskutojnë për zgjidhje kompromisi, si pavarësi e kushtëzuar, federalizime nga më të çuditshmit, apo diçka tjetër. Dhe në këtë ballafaqim dy kërkesash të vëna artificialisht në pozita ekstreme kërkohet të sprovohet kapaciteti i palëve për dialog dhe kompromis. Sikur harrohet me këtë rast se pikërisht për këtë çështje tashmë është bërë një luftë dhe është krijuar një protektorat. Kosova është delimituar nga Serbia në kufijtë që ka trashëguar nga ish-Jugosllavia dhe të cilët nuk kanë mundur të ndryshoheshin pa vendimin e Kuvendit të Kosovës, praktikisht madje pavarësuar krejtësisht. Kanë ndodhur procese që e kanë përvijuar dhe pozitën e pjesëve të tjera të entitetit shqiptar në ish-Jugosllavi mbase pikërisht në frymën e zhvillimeve që e kanë bërë vështirë të evitueshme kërkesën për Kosovën shtet të pavarur. Në këto rrethana kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës, në mendësinë dhe bindjet e popullatës tashmë të formësuar, nuk mund të zbritet në rrafshin e një kërkese të negociueshme.
Derisa për Shqipërinë, për Serbinë apo për shtetet e tjera fqinje Kosova dhe çështja e statusit të saj janë çështje me rëndësi, madje të dorës së parë, për ne në Kosovë ajo është çështje e ekzistencës dhe në çështje të tilla nuk mund të ushtrohen zejet dhe aftësitë e kompromiseve dhe të dialogëve.
Mendimi për shtetin e pavarur të Kosovës tashmë ka një histori. Mjafton të përmend këtu anëtarët e kësaj Akademie, dijetarët që nuk janë më midis nesh e që tërë jetën e tyre janë shquar për selitjen e frymës së tolerancës, të dialogut e të mirëkuptimit me fqinjët – akademikët Fehmi Agani dhe Gazmend Zajmi. Ashtu si të tjerët në ato kohë e në vijim, ata ishin thellësisht të bindur se zgjidhja që sjell pavarësia e Kosovës në thelb është zgjidhje që imponohet pikërisht edhe për konsideratat për fqinjët.
Sipas F. Aganit , shqiptarëve të ish-Jugosllavisë dhe Kosovës u takon e drejta e vetëvendosjes si e drejtë e popujve, sepse “shqiptarët në ish-Jugosllavi janë popull e jo pakicë kombëtare”; autonomia që kishin gëzuar shqiptarët në ish-Jugosllavi u tregua e ngushtë, sepse “në realitetin dhe zhvillimin politik e edhe kushtetues-juridik të Jugosllavisë shqiptarët dhe Kosova i tejkalojnë suazat për trajtim minoritar dhe të një autonomie”; nga aspekti territorial “Kosova është një tërësi territoriale-ekonomike-shoqërore-politike me identitet të qartë e të lashtë... kufijtë e Kosovës ishin të përcaktuar dhe nuk mund të ndërronin pa pajtimin e saj”; kërkesa për vetëvendosje e shqiptarëve dhe për mëvetësinë e Kosovës nuk është secesionizëm, sepse “Jugosllavia, njësi federale e së cilës ishte Kosova, u dekompozua”; edhe po të trajtoheshin shqiptarët në Kosovë si minoritet, “atyre prapë do t’u njihej e drejta e vetëvendosjes”, sepse “Serbia do të mund të përfitonte nga normat ndërkombëtare mbi ruajtjen e integritetit të shteteve vetëm po të respektonte në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve parimet e barazisë e të vetëvendosjes interne”; “demokratizimi në shprehjen e kërkesës për vetëvendosje është një argument i fortë plotësues në favor të Republikës së pavarur të Kosovës”. Kështu mund të përmblidhej vetëm një prej vështrimeve të Aganit për këtë çështje në vitet ’90 të sh. 20, në kohë kur Serbia kishte ndërmarrë represion në shkallë të gjerë dhe me përmasa aparteidi ndaj shqiptarëve, por kur ende nuk kishte ndodhur gjenocidi i fundit të shekullit ndaj shqiptarëve, në të cilin e pësoi edhe Agani. Shkrimet e tij për këto aspekte janë të shumta dhe do të meritonin vështrim të veçantë, ndërsa veprimtaria e tij e gjerë në drejtim të ndërtimit të konceptit për Kosovën shtet demokratik e gjithanshme.
Refleksioni i thelluar për fatet e popujve dhe për rregullimin e tyre, ashtu si të raporteve midis popujve në hapësira të caktuara, në aspektin juridiko-politik teorik e konkret, e kishin bërë Gazmend Zajmin të merrej me studimin e veçantë të fatit të popullit shqiptar dhe të rrjedhave të konstituimit të shteteve në Ballkan në sh. 20 si përcaktuese të atij fati, e kishin shtyrë atë që qysh në vitet '60 të sh. 20 të ishte ndër elaboruesit juridiko-politikë të idesë për mëvetësimin e Kosovës. Dhe angazhimi i tij në këtë drejtim ka qenë i frytshëm jo vetëm në suaza të refleksioneve. Pikënisje e të gjitha elaborimeve të tij do të ketë qenë vështrimi se çështja e Kosovës në fakt nuk mund të shihet e ndarë nga çështja shqiptare. Ripushtimet dhe ndarjet e imponuara në luftërat ballkanike (1912-1913) kanë shkaktuar digresione e zik-zake në këto zhvillime dhe e kanë bërë të domosdoshme që çështja e Kosovës si çështje integrale shqiptare të shqyrtohet dhe të ndriçohet nga aspektet komplekse të çështjes shqiptare në Ballkan, por edhe në dimensionet e saj të rëndësishme të rapor-teve ndëretnike shqiptaro-serbe. Imponimet, represionet, dhuna e përmasave gjenocidale, tendencat e ricikluara deprivuese-represive të pushteteve serbe mbi Kosovën dhe shqiptarët gjatë tërë shekullit 20 e kanë nxjerrë në pah lakuriq kontradiktën midis përbërjes etnike të Kosovës dhe të hapësirave përreth dhe pushtetit të imponuar aloetnik, duke prodhuar kështu shkelje në shkallë të gjerë të të drejtave elementare njerëzore, kombëtare, juridike, morale e të tjera dhe duke imponuar artificialisht konfrontimin e aspiratave të dy popujve: në njërën anë të drejtat dhe aspiratat themelore të natyrshme të shumicës etnike shqiptare, në anën tjetër të aspiratave ekspansive serbe për dominim mbi hapësirën ku jeton një popull tjetër. Dimensionet juridike, morale, njerëzore, kombëtare të pasojave negative mbi fatin e popullit shqiptar të pushtimeve dhe të vendimeve legjitimuese të tyre në Konferencat ndër-kombëtare pastaj, që nxjerr në pah shqyrtimi i gjithanshëm nga G. Zajmi, theksojnë jo vetëm drejtësinë e kërkesave për korrigjim rrënjësor të shkaqeve të atyre fatkeqësive shekullore, po edhe përgjegjësinë historike të instancave që kanë marrë vendime të atilla.
Nuk është e rastit që në një prej librave të tij të përkthyer dhe anglisht, G. Zajmi përqendrohet: në përdëshmimin jo vetëm të peshës së çështjes së Kosovës në Ballkan, qoftë si realitet demografik-politik, historik-kulturor, qoftë si rrezik potencial për rajonin, po në radhë të parë të domosdosë së respektimit të një realiteti të tillë për të ndërtuar më tej raporte që do të siguronin rrugë prosperuese për të gjithë; në aspektet humane, morale dhe përgjithësisht njerëzore të ndërtimit të raporteve sociopolitike që do të niseshin nga barazia, prandaj edhe në kritikën e johumanizmit, të mungesës së etikës dhe të parimësisë në tendencat që nuk duan ta marrin parasysh realitetin sociopolitik; në identifikimin e momenteve thelbësorë konstitutivë të Kosovës si një entitet historikisht dhe socio-politikisht i krijuar; në zbërthimin e refuzimin e qetë dhe racional të diskursit dhe të pseudo-argumentimit serb që mbi baza juridiko-konstitucionale do të kundërshtonte të drejtat e shqiptarëve për vetëvendosje dhe për gjithçka rrjedh prej saj; në përdëshmimin e tezës teorike dhe të bazës së lëvizjes politike sipas së cilës pavarësimi i Republikës së Kosovës për realizimin e të drejtave të pakontestueshme dhe në angazhimin për realizimin e një programi nacional me mbështetje në këto 7 parime: 1. parimi i vetëvendosjes kombëtare; 2. parimi i lirisë kombëtare; 3. parimi i bashkimit kombëtar; 4. parimi i prosperitetit demokratik të një kombi; 5. parimi i prosperitetit shpirtëror, material dhe mjedisor, me theksim të veçantë në edukimin kombëtar; 6. parimi i solidaritetit kombëtar; 7. parimi i selitjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësore me kombet e tjera, me mbështetje dhe nxitje të veçantë të proceseve integrative; ashtu si dhe për realizimin e të drejtave të të tjerëve në Kosovë.
Në përgjithësi, Gazmend Zajmi çështjet e entitetit të Republikës së Kosovës, të kompleksitetit të vendit të saj brenda botës shqiptare dhe në raportet me të tjerët, i shihte nga një këndvështrim shumë frytdhënës sociopolitik, prandaj edhe në një perspektivë komplekse societale të drejtuar nga raportet që shpien drejt shoqërive që ka ndërtuar Evropa Perëndimore dhe pa ngarkesën që të gozhdon në pozitën e mbrojtjes së izolacionizmit etnik. Edhe pse e drejta e vetëvendosjes, njësia kombëtare, përkatësia e Kosovës dhe e "shqiptarëve të ish-Jugosllavisë" në tërësinë e kombit shqiptar dhe kategori të ngjashme për të janë të padiskutueshme dhe të presupozuara, rrugët për realizimin e këtyre të drejtave ai i shihte në ngritjen subjektore të mjediseve dhe të popullatave shqiptare që nuk i kanë arritur ato, duke evituar kështu disputat e pafrytshme rreth epërsisë së parimeve të së drejtës ndërkombëtare të vetëvendosjes dhe të integritetit territorial (për Zajmin nuk kishte asfarë dileme se rasti i Kosovës nuk paraqiste prekje të integritetit territorial të ndonjë shteti tjetër dhe as secesionizëm, me vetë faktin se ekzistonte entiteti i qartësuar politiko-territorial i Kosovës). Kompleksiteti i societetit shqiptar në vështrimet e tij shihet qartë edhe në diskutimin për policentrizmin subjektor, që me këtë rast nuk është e nevojshme ta diskutojmë.
Me një fjalë, Gazmend Zajmi Kosovën e shihte tashmë si entitet sociopolitik dhe këtë realitet e reflektonte në aspektet e tij qenësore në të dy dimensionet: të ekzistencës së tij, të domethënies së kësaj ekzistence në raport me tërësinë e kombit shqiptar, dhe të domethënies së kësaj ekzistence për mjedisin përreth në raport me shtetin e Kosovës dhe në raport me shqiptarët në
tërësi.
I tërë diskutimi i çështjeve të këtilla në vitet ’90 të sh. 20 këtu arrin. Këtu cituam vetëm dy nga autorët më të shquar.
Për të mos e zgjatur shumë, le të merremi pak dhe me idetë e juristit e profesorit të shquar gjerman, anëtarit të Max Planck Institut, gjykatësit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, profesorit Jochen Frowein, të shprehura në këtë Akademi me rastin e vizitës së tij në vitin 2003. Diskutimet e tij u shtrinë në temën “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në Evropë dhe e drejta e vetëvendosjes”. Sipas tij, “Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike është njëri nga traktatet që mund të zbatohen drejtpërsëdrejti nga autoritetet në Kosovë në bazë të Kapitullit 3 të Kornizës Kushtetuese”. Neni 1 i këtij Pakti thotë: “Të gjithë popujt e kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte ata e përcaktojnë në mënyrë të lirë statusin e tyre politik dhe e sigurojnë lirshëm zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror dhe kulturor”. Parimin e të drejtës së vetëvendosjes e njohin edhe parimet udhëzuese për njohjen e shteteve të reja në Evropë të vitit 1991. Rezoluta 1244 e vitit 1999 për Kosovën nuk e përmend askund parimin e vetëvendosjes, por, sipas Frowein, referimi i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile e Politike tregon se ky parim mund të zbatohet dhe në Kosovë. Edhe në situatat e mëhershme populli i Kosovës e ka gëzuar të drejtën e pakontestueshme nga e drejta ndërkombëtare e vetëvendosjes në suaza të asaj që është quajtur vetëvendosje e brendshme. Deklarata për Marrëdhënie Miqësore e vitit 1970 thotë: “Në bazë të parimit të të drejtave të barabarta dhe të vetëvendosjes së popujve të paraparë me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të gjithë popujt kanë të drejtë të vendosin lirshëm, pa ndërhyrje nga jashtë, statusin e tyre politik dhe të synojnë zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror dhe kulturor, dhe çdo shtet ka për detyrë të respektojë këtë të drejtë në pajtim me dispozitat e Kartës”. Kjo ka të bëjë me shtetet, ndërsa ne këtu kemi të bëjmë me territor.
Të drejtën e pakontestueshme të vetëvendosjes Frowein e diskuton në një mënyrë që duket e ngjashme me ato vështrime që u përmendën te Agani pikërisht në pikat ku ajo shtron çështje të vështira, duke e ndërlidhur dhe me situata konkrete si ajo e Kanadasë/ Kebekut. Në këtë kontekst, “mund të argumentohet se gjatë periudhës 1989-1999 kanë ekzistuar kërke-sat si ato që parashtronte Gjykata Supreme e Kanadasë për të drejtën e vetëvendosjes së jashtme të krahinës serbe të Kosovës. Në atë kohë, autonomia, e cila pat ekzistuar deri më 1989, u revokua njëanshëm dhe populli i Kosovës qe shtypur në mënyrë të vrazhdë nga sistemi i Milosheviqit”. Dhe kjo periudhë ka marrë fund, kështu që tash çështja shtrohet në raport me komunitetin ndërkombëtar.
Sipas Kornizës Kushtetuese të Kosovës, Kapitulli I, “Kosova është entitet nën administrimin e përkohshëm ndërkombëtar që, me popullin e vet, ka atribute unike historike, juridike, kulturore dhe gjuhësore”. Kjo do të thotë se Kombet e Bashkuara e njohin Kosovën si entitet specifik me popull specifik dhe “do të ishte shumë vështirë të mohohet ky fakt. Kosova ka qenë një territor i njohur një kohë të gjatë. Ka popullatën shumicë me identitet të qartë. Ky identitet ndryshon nga ai i popullatës shumicë në Serbi. Populli i Kosovës ka qenë i shtypur mizorisht dhjetë vjet prej vitit 1989 deri më 1999 dhe është nënë administrimin specifik të Kombeve të Bashkuara që nga vitit 1999. Unë mendoj se populli i Kosovës ka të drejtë për vetëvendosje”. Në analizat e Frowein-it më tej del qartë se “çfarëdo zgjidhje politike, e paraparë me Rezolutën 1244 dhe Kornizën Kushtetuese, duhet të respektojë të drejtën e vetëvendosjes. Kjo do të thotë se nuk mund të vendoset kurrfarë zgjidhje përfundimtare pa pjesëmarrjen e popullit të Kosovës. Qoftë me referendum, qoftë me zgjedhje , populli i Kosovës duhet ta japë pëlqimin e vet për cilëndo zgjidhje politike.” Përfundimi tjetër është se organet e Kombeve të Bashkuara duhet të vendosin një zgjidhje politike e cila e respekton të drejtën për vetëvendosje. Natyrisht, mendonte ai, prania ndërkombëtare justifikohet me respektimin e të drejtave të minoriteteve.
Në çështje të tilla po pajtohen, pra, analizat sociologjiko-politike-juridike me analizat thjesht juridike, madje edhe për një kohë më të hershme se viti 1999, ndërsa kthesa e pastajme do të duhej ta kishte vendosur përfundimisht rrjedhën drejt pavarësimit.
Në zhvillimet në terren dhe në vetëdijen e popullatës, projekti i shtetit të pavarur të Kosovës tashmë është bërë historikisht i pjekur në shkallën që zhagitja në procesin e zbatimit të tij sjell rreziqe dhe të panjohura. Pra, në këto aspekte nuk duket se ka çka të negociohet.
Kjo, ndërkaq, nuk do të thotë se nuk ka çështje në të cilat dialogu, bisedimet dhe negociatat janë të nevojshme, madje të domosdoshme. Sa kam mundur të hetoj, në Akademi është e përhapur bindja se mekanizmat e legjitimuar përmes zgjedhjeve, mekanizmat politikë, legjislativë dhe ekzekutivë të Kosovës e kanë vullnetin, por edhe obligimin që me seriozitetin maksimal të hyjnë në proceset e dialogut për çështjet që duhet të zgjidhen në raportet me fqinjët. Mbi të gjitha, më duket se është e nevojshme të jepen më shumë hollësi dhe qartësi juridike rreth modelit të shtetit të ardhshëm dhe raporteve që do të sundojnë në të, rreth pozitës së diversitetit kulturor, etnik e tjetër dhe ndaj minoriteteve, etj.
Po lejohem të përsëris mendimin që të tjerë e kanë thënë shumë herë, se protektoratet zakonisht përfundojnë me një proces pavarësimi, në të cilin shkathtësitë e dialogut e të marrëveshjes kanë rol të veçantë. Gjashtë vjetët e kaluara kanë treguar qartë se edhe në një vend si Kosova, ku shkalla e pranueshmërisë dhe e benevolencës ndaj protektorit, në këtë rast OKB-së dhe NATO-s, ka qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të larta, zvarritja e zgjidhjes së çështjes themelore shkakton më shumë probleme dhe nxit zhvillime të panjohura. Ndërdymjet, hamendësimet dhe kërkesat për t’i shndërruar në objekt negociatash çështjet që në natyrën e tyre dhe kudo në botë trajtohen si jashtë domenit të tillë, vetëm sa e rrisin shkallën e frustrimeve.
_____________
Ky tekst është parathënie e përmbledhjes së kumtesave në tryezën shkencore me titull "Kosova dhe statusi i saj i ardhshëm", të organizuar nga ASHAK në korrik 2OO5 që së shpejti del nga shtypi.
Autori është kryetar i Akademisë Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
1Fehmi Agani, Demokracia, kombi, vetëvendosja, Dukagjini, Pejë, 1994, f. 27 e në vijim.
2 Fehmi Agani, Demokracia, kombi, vetëvendosja, Dukagjini, Pejë, 1994, f. 7-37. Studimet e akademik Fehmi Aganit në fusha të mendimit sociologjik, historik e politik janë përmbledhur në kolane Vepra 1-8, përgatitur nga R. Ismajli e E. Basha, botuar nga Dukagjini, Pejë, 2002.
3 Shih përmbledhjen anglisht të studimeve të Gazmend Zajmit: Dimensions of the
Question of Kosova in the Balkans, Academy of Sciences and Arts of Kosova & Kosova
Information Center, Prishtina 1994, pp. 190. Studimet juridiko-politike të akademik
Gazmend Zajmit janë përmbledhur në Vepra I-IV, përgatitur nga F. Agani, R. Ismajli, H.
Islami dhe E. Stavileci dhe botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës,
Prishtinë, 1997-2004.
4 Jochen Abr. Frowein, The Protection of Human Rights in Europe and the Right to Self-
Determination, Studime 10/ 2003, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2004,
ff. 9-19 dhe shqip 20-27.
5 Këtu ai referon sidomos: J. Kokott, The Development of the Human Rights Situation in Kosovo 1989-1999, në C. Tomuschat (ed.), Kosovo and the International Community, 2002, 1-35.
6 Këtu ai për detaje referonte: A. Zimmermann/ C. Stahn, Yugoslav Territory, United Nations Trusteeship or Sovereign State? Reflections on the Current and Futur Legal Status of Kosovo, Nordic Journal of International Law 70: 423-460, 2001 dhe G. Siedel, A new Dimension of the Right of Self-Determination in Kosovo?, shënimi 15, 203-215.
|
|
|