|
|
Cuneus prophetarum i Pjetër Bogdanit: Vepra dhe konteksti i saj fetar
Noel Malcolm
Cuneus prophetarum i Pjetër Bogdanit, i botuar në Padovë më 1685, për një kohë të gjatë është i njohur si punim i një rëndësie të jashtëzakonshme në historinë e kulturës shqiptare. Ky nuk ishte teksti i parë i shtypur në shqip, mirëpo ishte shkrimi i parë origjinal i konsiderueshëm i përgatitur dhe i shtypur në këtë gjuhë.
Punimi i Bogdanit është studiuar me kujdes nga linguistët. Është studiuar po ashtu edhe nga historianët, të cilët e theksuan rolin e rëndësishëm që Pjetër Bogdani e kishte në historinë e trevave veriore shqiptare - mbi të gjithat, rolin e tij si organizator i rezistencës së armatosur kundër autoriteteve otomane më 1689, vit ky i fundit i jetës së tij.2 Mirëpo, vetë teksti është, pa dyshim, një traktat fetar; ndaj natyra dhe konteksti fetar i tij nuk janë shqyrtuar më hollësisht nga autorët paraprakë. Në këtë ligjëratë do të doja të përqendrohem në natyrën e projektit të Bogdanit - domethënë në çështjen çfarë lloj libri fetar ai ishte duke u përpjekur të shkruante, për çfarë lloj qëllimi fetar -si dhe në kontekstin në të cilin ky u shkrua. Sepse, më duket se këtu janë disa enigma të cilat kanë nevojë të zbardhen.
E para ka të bëjë me vendimin e Bogdanit që librin ta botonte në Padovë, dhe jo në Romë. Tjetra është enigma që del lidhur me natyrën fizike të librit. E dimë se qëllim kryesor i Bogdanit ishte ta shkruante një tekst që do të mund të shpërndahej në mesin e anëtarëve të grigjës së tij në tokat veriore shqiptare. Ato pak tekste të tjera në gjuhën shqipe që tashmë ishin shtypur për këtë qëllim ishin vëllime të vogla që mund të barteshin nëpër xhepa dhe, po të ishte nevoja, të kontrabandoheshin apo të fshiheshin; mirëpo Cuneus prophetarum i Bogdanit ishte një vëllim i konsiderueshëm i një formati të madh, i punuar shkëlqyeshëm dhe i zbukuruar deri në hollësi. Ky po ashtu i përmbante disa pasuse të shtypura në armenishte dhe siriakishte — gjuhë këto pa ndonjë relevancë të mundshme për banorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Dhe, në dy pjesë të tëra të librit, të gjitha citimet nga Dhjata e Vjetër (Bibla Hebraike) nuk janë të dhëna vetëm në latinishte dhe shqipe, por janë po ashtu të shtypura edhe në hebraishte dhe arabishte; kjo përsëri shtron pyetje enigmatike rreth publikut të cilin libri e synonte dhe për qëllimet fetare të cilave ai ishte menduar t'u shërbente.
Mirëpo enigma mbase më e madhe ka të bëjë me mënyrën në të cilën Pjetër Bogdani e trajton Islamizmin. Edhe pse nuk ka ndonjë trajtim sistematik të kësaj çështjeje, ka pasuse të shpërndara në punim në të cilat Bogdani jep komente negative për doktrinën islamike dhe për vetë Profetin Muhamed. Ajo që Bogdani kishte pikëpamje negative për Islamizmin nuk është aspak befasuese: këto ishin, fare thjesht, pikëpamjet e natyrshme të çdo teologu të krishterë gjatë kësaj periudhe. Mirëpo ajo që mbetet tejet befasuese është se ai qëndrimet e tilla i shpreh aq haptas në një libër që kishte për qëllim të shpërndahej përbrenda Perandorisë Otomane. Ai duhej ta kishte njohur fare mirë që modus vivendi i pakëndshëm i Krishtërimit përbrenda Perandorisë varej nga respektimi i rregullave të caktuara, dhe njëra nga rregullat më të rëndësishme ishte ajo që të krishterët nuk bënin ta denigronin haptas Profetin Muhamed apo vetë Islamizmin. Më 1687, vetëm dy vite pas botimit të Cuneus prophetarum, njërin nga priftërinjtë e vetë Bogdanit, Dom Ndre Kalamashin, e arrestuan autoritetet lokale në
Gjakovë dhe ai u mbyt (ashtu siç raportoi vetë Bogdani) 'sepse e ofendoi Muhamedin'.3 Bogdani i dinte këto kushte përsosmërisht mirë. Kështu që, çfarë ai mendonte se ishte duke bërë, gjatë shkrimit të një libri — për qarkullim brenda Perandorisë Otomane - e në të cilin Profeti Muhamed kritikohej haptas?
Mendoj se çështja e qëndrimit të Bogdanit ndaj Islamizmit duhet të studiohet me kujdes, ashtu që të arrihet një kuptim i duhur i natyrës së librit të tij - megjithëse, ashtu siç do të argumentoj, të kritikuarit e Islamizmit nuk kishte qenë qëllimi i tij parësor, por vetëm një dytësor apo madje edhe tretësor. Kjo çështje mbetet e rëndësishme meqë është aq për së afërmi e lidhur me kontekstin historik në të cilin Bogdani shkruante. Kjo ishte një periudhë konfliktesh të mëdha midis shteteve të krishtera dhe Perandorisë Otomane. Në pjesë të mëdha të jetës së rritur të Bogdanit, shteti Otoman ishte në luftë me një apo më shumë nga fuqitë katolike; më e rëndësishmja, nga viti 1683 e deri më 1699 (dhjetë vjet pas vdekjes së Bogdanit), Perandoria Otomane ishte në konflikt me 'Lidhjen e Shenjtë' të Austrisë, Venedikun dhe Papatin, si dhe me disa shtete të tjera të krishtera. Në këto rrethana, mund të jetë tundosëse të thuhet se feja veproi, thjesht, si një pretekst për Realpolitik: Austria i kishte arsyet e veta gjeopolitike për të dëshiruar t'i mposhtë osmanët, dhe kjo vetëm e ngjalli Krishterimin si një shkas ashtu që t'i arsyetonte politikat e veta, dhe për t'i inkurajuar fuqitë e tjera katolike që ta përkrahnin me njerëz dhe me para. Mirëpo ky është po ashtu një interpretim i njëanshëm; feja shërbeu, jo vetëm si kamuflim për politikën, por po ashtu si motivim i mirëfilltë për veprim. (Ta japim vetëm një shembull: murgu karizmatik kapuçin italian Marco d'Aviano, i cili bënte predikime entuziazmuese ku kërkonte një kryqzatë të re për t'i dëbuar osmanët jashtë Evropës, pati ndikim të qartë në mendimin e Leopoldit I dhe të qarqeve udhëheqëse të Vjenës.)4 Në rastin e vetë Bogdanit, do të ishte po ashtu gabim që të gjithat të reduktoheshin në motivimet politike apo laike. Sikur 'çlirimi kombëtar' nga një fuqi pushtuese perandorake të kishte qenë interesimi i tij i vetëm, ai logjikisht nuk do ta mirëpriste atë lloj pushtimi që do të mund të shpiente në atë që territori i tij të bëhej pjesë e Perandorisë Austriake apo asaj të Venedikut. Mirëpo, ai kishte ëndrra për një pushtim të këtij lloji; dhe arsyet pse mendonte aq ndryshe për një fuqi pushtuese të krishterë ishin, natyrisht, fetare. Qëndrimi negativ i Bogdanit ndaj Islamizmit nuk mund të veçohet nga konteksti i tij politik; mirëpo, në të njëjtën kohë, ky nuk mund të reduktohet në një çështje vetëm të politikës.
Cuneus prophetarum është tekst fetar. Me qëllim që këtë ta kuptojmë duhet të fillojmë duke pyetur cilave qëllime fetare ai synonte t'u shërbente. Qëllimi kryesor, në mënyrë evidente ishte ta ofronte një përshkrim panoramik të mësimeve të Krishterimit në një trajtë e cila mund të kuptohej nga anëtarët e grigjës së Bogdanit. Organizimi i tërësishëm i librit përgjithësisht i përgjasonte rregullimit të Biblës së Krishterë, me ndarjen e vet në Dhjatën e Vjetcr dhe tc Re: kështu pjesa e parë e Cuneus e përshkruante Krijimin, natyrën e Zotit, Rënicn e Adamit, dhe radhën e 'profetëve' fjalët dhe veprat e të cilëve janë të regjistruara në Dhjatën e Vjetër (Mojsiu, Davidi, Solomoni, etj.), ndërkohë që pjesa e dytë e përshkruante jetën e Jezu Krishtit, duke përfunduar (si dhe vetë Dhjata e Re) mc një përshkrim të ardhjes së ardhshme të Antikrishtit dhe të Gjykimit të Fundit. Rëndësia e një teksti të tillë për bashkësinë katolike shqiptare e cila nuk e kishtc një version të Biblës në gjuhën shqipe, nuk bën të nënçmohet. Nga faza e hershme e punfis së tij si klerik katolik në Shqipërinë Veriore, Bogdani, në raportet e tij Romës, e theksonte rëndësinë e asaj që grigjën e tij ta furnizonte me tekste që do t'i paraqisnin parimet themelore të Krishtërimit; mbi të
gjithat, ai e theksonte nevojën që tekstet e tilla të furnizoheshin në gjuhën e vetë shqiptarëve.
Në vitin 1675 Pjetër Bogdani u tregoi së pari autoriteteve në Romë që kishte shkruar një tekst fetar në shqip - versioni origjinal i pararendësit të Cuneus - dhe kërkoi leje ta shtypte atë. Në letrën në të cilën e përshkruante punimin e vet, Bogdani deklaronte që 'Shqipëria e kishte një mungesë të skajshme, pothuaj të plotë, të librave në gjuhën shqipe', që rezultonte në atë që 'jo vetëm që njerëzit rrjedhimisht jetonin, të verbuar nga injoranca, në mesin e një numri të pafundmë të gabimeve dhe të keqtrajtimeve -por, po ashtu, meqë ky komb ndodhet midis turqve, grekëve dhe serbëve, ky është vazhdimisht duke e humbur gjuhën e vet'. Për këto arsye, ai thoshte se ishte i nxitur ta shkruante një libër 'në gjuhën shqipe, në gjuhën e tij amtare [d.m.th. të Bogdanit], për ardhjen e Mesisë, për t'i mënjanuar, mbi të gjitha, ato gabime të cilat kishin gjarpëruar deri në mesin e njerëzve'.5 Titulli i tij, thoshte ai, ishte 'Flavissae Prophetarum de Adventu Messiae Epirotice congestae ubi de Vita et ejus legitima potestate soli Petri tradita abunde consulitur': 'Thesarët e profetëve të ardhjes së Mesisë, të grumbulluara në shqip, në të cilën janë të shqyrtuara tërësisht, jeta e Mesisë, dhe pushteti i tij
legjitim, të dhëna vetëm Pjetrit'.6
Këto hollësi tregojnë se ndërkohë qëllim kryesor i Bogdanit në shkrimin e tekstit i cili u shndërrua në Cuneus prophetarum, ishte që grigjës së tij t'ia mësonte doktrinën e krishterë, ai po ashtu e kishte edhe një qëllim dytësor: mënjanimin e 'gabimeve' të cilat ishin duke 'gjarpëruar deri' në mesin e njerëzve. Këto gabime i përfshinin edhe pretendimet e Kishës Ortodokse: përmendja në titullin e vitit 1675 e autoritetit të Krishtit 'të dhënë vetëm Pjetrit' në mënyrë evidente synonte ta pohonte pozitën katolike kundër pretendimeve të grekëve dhe serbëve. Mirëpo, ndonëse teksti ashtu siç e kemi tash e përmban po ashtu një pjesë që e mbron parësinë e Pjetrit dhe të vijuesve të tij, ky i kushton fare pak vëmendje Krishtërimit Ortodoks.7 Një rol shumë më të spikatur e kanë 'gabimet' e Islamizmit: jo vetëm besimet popullore (të tilla si ideja që 'ylli në rënie' e shënon vdekjen e një qenieje njerëzore), por po ashtu edhe besimet fetare të cilat ai ia mvishte Islamizmit (të tilla si besimi që larja me ujë do t'i hiqte mëkatet), dhe doktrinat e mirëfillta islamike që e kërcënonin besimin e krishterë (mbi të gjithat, pohimi që edhe dikush tjetër pos Jezusë kishte vdekur në kryq).8
Komentet rreth këtyre 'gabimeve' (edhe ortodokse, edhe myslimane) janë armiqësore, mirëpo armiqësia është kryesisht defensive, jo ofensive: interesimi kryesor i Bogdanit është që grigjën e tij ta mbronte nga ai lloj 'gabimesh' të cilat mund t'i nxitnin njerëzit ta braktisnin Kishën Katolike dhe në vend të saj t'u bashkoheshin të krishterëve ortodoksë apo myslimanëve. Ashtu siç e shprehu në një letër të vitit 1669, ai bënte përpjekje të mëdha që grigjës së tij t'ia mësonte doktrinën e mirëfilltë të krishterë, ashtu t'i bënte që t'i shihnin 'hijet e mashtrimit në të cilat ajo ndodhej, për shkak të kontakteve të saj të vazhdueshme me një Babilon të sekteve - mbi të gjithat, myslimane dhe ortodokse'.9 Në të vërtetë, gjatë kësaj periudhe kishte fare pak konvertime nga katolicizmi në ortodoksizëm (e që mund ta shpjegojë pse Bogdani i kushton krahasimisht më pak vëmendje doktrinave ortodokse). Mirëpo, konvertimet në Islamizëm ishin të shpeshta. Kjo, në të vërtetë, ishte ndër problemet kyçe me të cilat ballafaqohej Kisha Katolike, ashtu siç e dëshmojnë shumë nga vetë letrat dhe raportet e Bogdanit.
Pra: nëse qëllimi parësor i Cuneus prophetarum ishte që thjesht t'ia mësonte doktrinën katolike bashkësisë katolike, qëllim dytësor i tij ishte t'i parandalonte ata katolikë të rrëshqitnin në Ortodoksizëm apo në Islamizëm, duke i kritikuar 'gabimet' e këtyre dy besimeve. Kjo e përfshinte, siç e thashë, një lloj armiqësie defansive. Mirëpo, është e domosdoshme që kësaj liste t'i shtohet një qëllim tretësor, konvertimi i njerëzve në Krishtërimin Katolik nga Ortodoksizmi apo Islamizmi; dhe këtu mund të thuhet që strategjia shndërrohej në ofensive. Ajo që Bogdani po ashtu e kishte edhe këtë lloj qëllimi në mendjen e tij sugjerohet nga një koment që ai e bëri në letrën e tij të vitit 1675, kur e informoi Romën për herë të parë për 'Flavissae Prophetarum' të tij: ai shkroi që ky libër do t'i 'kënaqte nevojat e lartpërmendura [të grigjës së tij] duke u ofruar një mënyrë të qëndrueshme të forcimit të të krishterëve në Besimin e Shenjtë, dhe konvertime të panumërta të malësorëve myslimanë'.10 Ajo që konvertime të tilla ndodhnin gjatë kësaj periudhe dëshmohet nga disa pasuse në letrat e Bogdanit.
Disa elemente të një qasjeje konvertuese vërtet mund të gjenden në tekstin e Cuneus prophetarum. Për shembull, në një vend Bogdani shprehet: 'Më mirë të jesh një i krishterë, bir i një turku, se të jesh një turk, i biri i një të krishteri'.11 (Si gjithnjë në shkrimet e krishtera të kësaj periudhe, 'turk' këtu përdoret në kuptimin 'mysliman'.) Dhe pikërisht në faqen e fundit të punimit, ai ngulmon se ndonëse personi i papagëzuar i cili e ka kaluar një jetë përsosmërisht të virtytshme do të shkojë në Limb, dhe jo në Ferr, dhe në këtë mënyrë nuk do të vuaj ndonjë dënim të mirëfilltë, e njëjta nuk vlen edhe për myslimanin, 'ndonëse nuk ka bërë kurrë vepër të keqe, po t'i bëjë edhe të gjitha të mirat e botës'. Natyrisht, është e vështirë të bëhet ndonjë ndarje e qartë këtu midis argumenteve të përpiluara për t'i dekurajuar të krishterët të konvertohen në Islamizëm, dhe argumenteve që e synojnë inkurajimin e myslimanëve për t'u konvertuar në Krishterim: qasjet defansive dhe ofensive, në praktikë rëndom do të përfundojnë duke i paraqitur të njëjtat argumente. Megjithatë, është një fakt i habitshëm që libri i Bogdanit nuk e përcjell strukturën e teksteve standarde anti-myslimane, të cilat argumentimet e tyre rëndom i rregullonin në katër kategori kryesore: një mbrojtje e autenticitetit të Biblës së Krishterë, një paraqitje e doktrinës së Trinisë, një paraqitje e doktrinës të karakterit hyjnor të Krishtit, dhe, përfundimisht, një denoncim i jetës së Muhamedit dhe i doktrinave të Islamizmit.12 Libri i Bogdanit nuk është i organizuar në këtë mënyrë polemike: rregullimi i tij thelbësor është ai i një paraqitjeje të doktrinës së krishterë lexuesve të krishterë.
Në këtë pikë do të doja ta parashtroj një sugjestionim paksa spekulativ për mënyrat në të cilat teksti i Bogdanit mund të ketë ndryshuar gjatë rreth një dekade para botimit të tij. Ashtu siç e thashë, teksti për herë të parë përmendet në verë të vitit 1675, kur Bogdani kërkoi leje për ta shtypur atë dhe e mori përgjigjen që autoritetet duhet që së pari ta shihnin atë në përkthim në italisht. Pas kthimit të tij në Shkodër, më vonë gjatë atij viti, Bogdani njoftoi se ishte duke punuar shumë në përkthimin në italisht.13 Për ta kryer këtë punë mund të kenë mjaftuar mbase disa muaj, apo madje edhe një vit a dy; prapëseprapë, u nevojitën tetë vite para se versioni i plotë i librit, edhe në shqip edhe në italisht, të ishin të gatshëm. (Materialet hyrëse të Cuneus prophetarum e përfshijnë pohimin nga xhaxhai i autorit, Ndre Bogdani, që ai i kishte lexuar dhe krahasuar tekstet në shqip dhe italisht më 1683.)14 Kjo e sugjeron që, gjatë atyre viteve, Bogdani nuk ishte vetëm duke përkthyer, por edhe duke i shtuar mjaft punimit të tij. Referimet e tij të hershme në të (në letrat e tij të vitit 1676) atë e përshkruajnë si 'Jeta e Krishtit Shpëtimtarit'; kjo mund ta sugjerojë që teksti origjinal i korrespondonte kryesisht asaj që, në versionin e shtypur, u shndërrua në pjesën e dytë të punimit, 'De vita Iesu
Christi salvatoris mundi' - 'Mbi Jetën e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të Botës'.15 Shumë nga pasuset që e përmbajnë prozën më të gjallë përshkruese dhe rrëfyese të Bogdanit gjenden në këtë pjesë të dytë të Cuneus - për shembull, pasusi dramatik në të cilin Bogdani e përfytyron Marinë duke dalë nga Tempulli në Jerusalem dhe duke e parë në largësi turmën e cila e përcillte të birin e saj të gozhduar në kryq.16 Këto ishin teknika predikuese, mjete stilistike që shfrytëzoheshin nga predikuesit për ta ruajtur vëmendjen e dëgjuesve të tyre; prandaj, do të doja të sugjeroj që 'Jeta e Krishtit' e Bogdanit, e para nga pjesët nga të cilat u ndërtua Cuneus, ishte e sajuar deri në një masë nga materialet e predikimeve të cilat ai vite me radhë ia mbante grigjës së tij. Prandaj, në trajtën e vet më të hershme, Cuneus e përfaqësonte mësimin që një pastor i krishterë ia jipte bashkësisë së vet të krishterë.
Është e vështirë të thuhet se a përbëhej 'Flavissae prophetarum' vetëm nga ajo që tash e kemi si pjesën e dytë të Cuneus, apo mos ndoshta tashmë kishte edhe elemente në zanafillë të pjesës së parë. Nëse ka qenë ndonjë pjesë paraprake, atëherë do të sugjeroja që gjatë pjesës së vonë të viteve 1670 dhe heret në të 1680-at, kjo u zgjerua në mënyrë të konsiderueshme, duke u shndërruar në fund në pjesën e parë të Cuneus prophetarum. Dhe mund të jetë që ishte gjatë këtij procesi të zgjerimit të tekstit të tij, kur Bogdani shtoi më tepër material që ishte relevant për mospajtimet e tij me Islamizmin. Kështu, pikërisht pas 'ligjëratës' së parë të pjesës I të Cuneus, i gjejmë dy ligjërata të rëndësishme për doktrinën e Trinisë - temë kjo që ishte një nga katër kategoritë bazike të traktateve të krishtera anti-myslimane të kësaj periudhe.
Ideja që argumentimet kundër Islamizmit u rritën për nga rëndësia pasi që Bogdani tashmë e kishte shkruar versionin origjinal të tekstit të tij përkrahet po ashtu nga dëshmitë e letrave të tij të vitit 1675, në të cilat ai e kërkonte një kopje të përkthimit trevëllimësh të Biblës në arabisht të cilin Propaganda Fide e kishte përkthyer kohët e fundit. Në njërën nga to, të shkruar në fundin e vitit 1675, ai thirrej në përkthimin e 'Flavissae prophetarum' në italisht, duke thënë, 'tërë kohën jam duke punuar shumë në të', dhe më pastaj vazhdon: 'Dhe për shkak se, me qëllim që t'i prapësojmë të pafetë më tërësisht, është plotësisht e domosdoshme t'i kemi tekstet për profecitë në arabisht, me përulje e lus Kongregacionin e Shenjtë [de Propaganda Fide] të jetë aq bujar që të ma japë Biblën arabishte; do të jetë po ashtu e dobishme në diskutimet paqesore, që myslimanët janë duke u mësuar gjithnjë e më tepër t'i kenë me mua lidhur me çështjet e fesë'.1
Megjithatë, edhe pse Bogdani e kërkoi këtë Bibël arabishte, dhe, edhe pse pasuse të saj në fund u shtypën në Cuneus prophetarum, duhet të dyshohet nëse ai vetë e kishte ndonjë njohje të arabishtes. Në një letër të vitit 1674 ai shkruante se do të ishte në gjendje të argumentonte kundër Islamizmit 'në turqishte dhe ilirishte [d.m.th. serbo-kroatishte]; po ashtu, di të lexoj dhe të shkruaj në shkrimin e fundit [d.m.th. serbo-kroatishte], dhe veç kësaj, jam në gjendje ta flas të parën [d.m.th. turqishten] fare mirë'.18 Kjo e lë të kuptohet që ndonëse dinte të fliste turqisht, ai nuk dinte ta lexonte apo ta shkruante atë - me fjalë të tjera, ai kurrë nuk e kishte zotëruar shkrimin arabisht.19 Komentimet e bëra për Islamizmin në Cuneus prophetarum gjithsesi sugjerojnë që Bogdani asnjëherë nuk e kishte lexuar Kuranin. Njohja e tij e tërësishme e Islamizmit, në të vërtetë, duket të ketë qenë mjaft e turbullt, dhe kjo në dukje ishte e përftuar nga një kombinim i burimeve të shtypura, të shkruara nga teologët e krishterë dhe i informatave gojore nga informatorët lokalë, disa nga të cilët i kishte kuptuar gabimisht. Gabimi i tij më themelor, pohimi që myslimanët 'e
adhurojnë' Muhamedin, ishte natyrisht një gabim i përbashkët për të gjithë shkrimtarët e krishterë të kohës.20 Por ai po ashtu e bëri pohimin e çuditshëm që myslimanët dhe çifutët 'ndoqën idhujt: Muhamedin, Surullahin e Talmudin', dhe në këtë pjesë të tekstit italisht ai Muhamedin, Surullahin e Talmudin i përshkroi si tre 'hereziarkë', udhëheqës të sekteve heretike.21 Më vonë, në tekst, duke e dhënë një listë të vargut të individëve më të dalluar që e kishin persekutuar Krishtërimin, ai përsëri i dha emrat e Muhamedit dhe të Surullahut.22 Shpjegimi më me gjasë për këtë emër enigmatik është që ky është një shtrembërim i shprehjes arabishte 'Sirr Ullah', 'Sekreti i Zotit' - një shprehje kjo e përdorur për Aliun, dhëndrrin e profetit sipas shkrimeve bektashiare.23 Këtu mbase e kemi një detaj që Bogdani e mblodhi nga bisedat e tij me myslimanët lokalë; mirëpo duket që ai fare pak e kuptonte atë që i ishte kallëzuar.
Besoj që njohja e Bogdanit e Islamizmit vinte kryesisht nga shkrimet e teologëve të krishterë. Në veçanti dy tekste mund të identifikohen burime që u përdorën nga ai. Më 1651 ai kërkoi nga Propaganda Fide t'ia dërgonte një kopje të 'Apologia pro Christiana Religione': ky ishte një traktat anti-mysliman i botuar më 1631 nga dijetari italian Filippo Guadagnoli, i cili ligjëronte në vetë Kolegjin e Propaganda Fides.24 Dhe në një letër të vitit 1674, duke i diskutuar bisedat e tij me myslimanët lokalë, Bogdani shkroi që 'kundër Kur'anit, në shumë pika, unë i shfrytëzoj etërit Malvasia dhe Guadagnoli': 'Malvasia' këtu ishte një prift tjetër italian, Bonaventura Malvasia, i cili më 1628 e kishte botuar një traktat të ngjashëm anti-mysliman, të titulluar Dilucidatio speculi. 5
Në Cuneus prophetarum mund të gjenden disa gjurmë të ndikimit të të dy shkrimtarëve. Për shembull, Guadagnoli e kritikon pohimin e qartë në Kur'an që kur Dielli perëndon, ai zbret në një burim apo pellg të ujit (shprehja që ai e përdor është 'një burim të ujit të valë'). Ai e tall këtë ide, duke e vënë në dukje që Dielli duhet të jetë një trup qiellor i vendosur prapa Hënës, meqë pëmdryshe nuk do të mund ta kalonte eklipsin.26 Bogdani, ngjashëm, e sulmon idenë që Dielli e kalon natën në 'një krua shumë të nxehtë me ujë', dhe paraqet shpjegime, me diagrame, të eklipsit të Diellit dhe të Hënës. Edhe më e rëndësishme, i tërë shqyrtimi i Bogdanit i natyrës së Trinisë duket të jetë i ndikuar fuqishëm nga shkrimet e Guadagnolit dhe Malvasias. Që të dy këta shkrimtarë e paraqitën një mbrojtje filozofike të Trinisë, duke argumentuar që kjo vijoi medoemos nga vetë-kuptimi dhe vetë-dashuria e Zotit, dhe duke shfrytëzuar analogji të nxjerra nga intelekti njerëzor; Bogdani e bën të njëjtën, duke shfrytëzuar analogjinë e kujtesës, intelektit dhe vullnetit (të shfrytëzuar nga Guadagnoli) dhe duke e shtuar analogjinë e Diellit, dritës dhe nxehtësisë së tij (të shfrytëzuar nga Malvasia).28 Malvasia e vuri po ashtu një theks të fuqishëm në pasuset në Dhjatën e Vjetër që dukej ta përmendnin Trininë (për shembull, shprehjet e përsëritura në formë të trefishtë, të tilla si 'Shenjtëri, shenjtëri, shenjtëri'); një pjesë e madhe e këtij materiali po ashtu shfaqet në 'ligjëratën' e tretë të Cuneus prophetarum.
Malvasia dhe Guadagnoli nuk citohen në mënyrë eksplicite në tekstin e librit të Bogdanit. Në të vërtetë, këtu përmenden vetëm dy autorë të shekullit shtatëmbëdhjetë. Njëri është teologu italian, Gioseffo Ciantes, i cili citohet si autoritet për pohimin se shkrimtarë të ndryshëm rabinikë e kishin pranuar doktrinën e Trinisë. Punimi i përmendur këtu është De sanctissima trinitate i Ciantesë, një traktat i vogël në pesë kapituj, i botuar në Romë, më 1667: Bogdani huazon material nga kapitulli i parë, dhe
e përmbledh të dytin dhe të tretin.30 Ciantes, një dominikan nga Roma, ishte i famshëm për konvertimin e çifutëve në krishtërim, gjatë periudhës së tij si 'katekist' i çifutëve në atë qytet (1624-40); pas periudhës si peshkop në Italinë e jugut, ai pjesën e fundit të jetës së tij (midis viteve 1656 dhe 1670) e kaloi në Romë duke ia kushtuar veten përsëri konvertimit të çifutëve - detyrë kjo të cilës libri i tij i vogël ishte menduar t'i shërbejë.31 Shkrimtari tjetër është teologu françeskan portugez, Francisco Macedo, Scholae theologiae positivae (Romë, 1664) e të cilit citohet nga Bogdani lidhur me temat e Ferrit, Limbit dhe Purgatorit.32 Macedo shërbeu profesor i Teologjisë Kontraverse (d.m.th. ai tip i teologjisë që merret me argumentimin kundër të pafeve dhe përçarësve) në Kolegjin e Propaganda Fide në Romë midis viteve 1656 dhe 1667; ai më pastaj kaloi në Padova, ku u bë profesor i Filozofisë Morale, dhe ku vdiq më 1681.33 Scholae theologiae positivae e tij përfshinte sulme kundër luteranëve dhe kalvinistëve, mirëpo caku i tij kryesor ishte Kisha Greke. Duke e patur parasysh natyrën e lidhjeve të afërta të vetë Bogdanit me Propaganda Fide, duket shumë e mundshme që ai ishte njohur me Macedon gjatë njërës nga vizitat e tij në Romë (më 1660 apo 1665). Në të vërtetë, është po ashtu e mundshme që ai mund ta ketë takuar Ciantesin në Romë gjatë atyre vizitave. Bogdani, me aq sa dimë, nuk ishte aktiv në konvertimin e çifutëve në Krishtërim, mirëpo ai pa dyshim e kuptonte që disa nga argumentet që mund të përdoreshin për bindjen e çifutëve do të mund të përdoreshin edhe te myslimanët. Duhet po ashtu të jetë domethënëse që më 1683, Propaganda Fide ia dërgoi Bogdanit (me sa duket me kërkesë të tij) një kopje të një libri tjetër të përgatitur për konvertimin e çifutëve: Via della fede mostrata a 'gli ebrei të Giulio Morosinit, që ishte shtypur në Romë po atë vit nga vetë Propaganda Fide.34 Ky tekst përmbajtësor ishte shkruar nga një çifiit venedikas i cili ishte konvertuar në Krishtërim dhe kishte kaluar në Romë; në Parathënie për Lexuesit, Morosini shkroi që ai i kishte kaluar gjashtë vite në punimin e librit të tij, dhe që ai e kishte patur një ndihmë pothuaj ditore nga Giovanni Pastrizio, Ligjërues i Teologjisë Dogmatike në Kolegjin e Propaganda Fides.35 Ky ishte një referim në teologun dalmat dhe dijetarin çifut Ivan Pastric, një anëtar me ndikim i Propaganda Fide dhe njëri nga udhëheqësit e bashkësisë 'ilirike' në Romë.36 Vëllai i tij, Jeronim Pastric (Girolamo Pastrizio), ishte meshtar i San Girolamo degli Illirici, kishës së kësaj bashkësie, dhe shok i afert i Pjetër Bogdanit; letra në të cilën Bogdani falënderohej për kopjen e librit të Morosinit ishte e adresuar për Jeronim Pastricin, dhe në fund të letrës ai po ashtu kërkonte nga Jeronimi t'ia përcillte përshëndetjet e tij të përulura vëllait të tij Ivanit, 'patronit tim më të dashur'.37
Nga ky grup i vogël, por i rëndësishëm i emrave, fillon të shfaqet diçka si një kontekst intelektual dhe fetar i zhvillimit të punimit të Bogdanit. Temë e përbashkët është konvertimi: Macedo synonte t'i konvertonte ortodoksët; Ciantes dhe Morosini punonin për t'i konvertuar çifutët; Ivan Pastric e përkrahte po ashtu këtë projekt. Bogdani mund t'i ketë njohur të gjithë këta njerëz personalisht. Gjatë vizitave të tij në Romë, institucioni qendror kah i cili kthehej ishte Propaganda Fide (ku punonte Pastrici); në Kolegjin e këtij institucioni ligjëronin edhe Malvasia edhe Guadganoli, dhe është mjaft e mundshme që Bogdani ta kishte hasur Guadagnolin aty gjatë viteve të tij studentore. Propaganda Fide në fakt ishte themeluar me qëllim të dyfishtë: t'i mbante bashkësitë ekzistuese katolike në territoret që sundoheshin nga fuqitë jo-katolike, dhe të fitonte të konvertuar të rinj në Katolicizëm.38 Mirëpo edhe pse, në shumicën e aspekteve praktike (dhe gjithsesi nga aspekti numerik) i pari ishte shumë më i rëndësishëm se i dyti, ishte qëllimi i dytë - konvertimi - ai i cili i mbërthente imagjinimet e atyre që punonin për Propaganda Fide, dhe e mbizotëronte etikën dhe
mentalitetin e këtij institucioni. Pra edhe pse qëllimi kryesor i vetë Bogdanit ishte ta mësonte dhe ta mbronte vetë grigjën e vet, nuk është për t'u befasuar që ai duhet të ketë qenë i ndikuar, deri në një masë, nga entuziazmi i konvertimeve që ekzistonte në institucionin të cilit ai i nënshtrohej gjatë tërë karrierës së tij.
Nëse kjo është e vërtetë për botën e Propaganda Fides, të cilën Bogdani duhet ta ketë hasur gjatë vizitave të tij në Romë, kjo është edhe më e vërtetë për qarkun e Kardinalit Gregorio Barbarigo në Padova, ku Cuneus prophetarum u shtyp së fundi. Ky prelat energjik, i cili ishte peshkop i Padovës nga viti 1664 deri në vdekjen e tij më 1697, kishte lidhje të fuqishme me Romën, pasi që kishte studiuar atje si i ri; dhe pikërisht në Romë, në vitin 1665, Bogdani u njoh me të.39 Familja e Barbarigos (një nga familjet fisnike të Venedikut) kishte interesa në Dalmaci; ai ishte emëruar 'Mbrojtës i Kombit Ilir' më 1663, dhe e mbajti një letërkëmbim të gjatë dhe tejet miqësor me Ivan Pastricin.40 Mirëpo energjitë intelektuale dhe fetare të Barbarigos ishin të orientuara, jo vetëm kah tokat 'ilire', por në të gjitha territoret në të cilat, qoftë Ortodoksia Lindore, qoftë Islamizmi, e luanin ndonjë rol: sepse, ai e kishte obsesion projektin e konvertimit, qoftë të grekëve apo të turqve, ose, veç kësaj, të çifutëve. Seminari ekzistues në Padova gradualisht u transformua nga ai, gjatë viteve 1670 dhe pjesës së hershme të atyre 1680, në një institucion kryesor të projektuar, jo vetëm për përgatitjen e priftërinjve lokalë, por po ashtu edhe për ushtrimin e misionarëve.41 Me inkurajimin e Papatit, ai aty e fliti studimin e gjuhëve orientale (hebraishtes, arabishtes, turqishtes dhe persishtes); synimi i tij, shkruante, ishte t'i ushtronte priftërinjtë ta predikojnë besimin katolik 'kudo që të mund të dërgohen nga Selia e Shenjtë dhe Kongragacioni de Propaganda Fide'. 2 Vetë Barbarigo ishte bërë anëtar i Kongregacionit de Propaganda Fide më 1678.43 Dhe, ashtu siç Propaganda Fide e kishte shtypshkronjën e vet në të cilën ajo i prodhonte materialet misionare në shumë gjuhë dhe shkrime të huaja, Barbarigo e zhvilloi një 'Stamparia' në Seminarin e vet në Padova, duke bërë përpjekje (dhe shpenzime) të mëdha për t'i siguruar, apo prodhuar, shkronjat e greqishtes, hebraishtes, arabishtes dhe të gjuhëve të tjera.44 Qëllimi i tij nuk ishte t'i bëhej rival Propaganda Fides, por ta ndihmonte atë - dhe ajo, më tutje, me kënaqësi i ndihmoi atij, duke ia dërguar matricat e shkronjave greke nga rezervat e veta.45
Prandaj, nuk ka asgjë të keqe apo të dyshimtë në faktin që libri i Bogdanit u shtyp nga shtypshkronja e Seminarit në Padova, në vend se nga Propaganda Fide në Romë. Nuk ka arsye të supozohet që Bogdani në këtë mënyrë ishte duke i shpëtuar ndonjë lloji të kriticizmit apo censure nga autoritetet romane (ashtu siç Injac Zamputi një herë e pat sugjeruar); fakti që ata fillimisht kërkuan ta lexojnë tekstin në përkthimin italisht para se ta lejonin atë ishte përsosmërisht i natyrshëm, meqë vështirë se do të mund të pritej që ata do ta lejonin një punim të cilin nuk e kishin lexuar.46 Me gjasë, duke i patur parasysh kërkesat e shumta nga shtypshkronja e vetë Propaganda Fides, autoritetet në Romë ishin të lumtur që ky punim i konsiderueshëm ishte marrë nga duart e tyre. Dhe kardinali Barbarigo me gjasë ishte po ashtu i lumtur që këtë ta merrte vetë, meqë ky vinte në kohën kur ai e kishte siguruar një grumbull shkronjash orientale, të cilat priste me padurim t'i përdorte. Cuneus prophetarum u shndërrua në të vërtetë në një botim për vitrinë të shtypit padovas: ky ishte libri i parë në të cilin padovasit e demonstruan aftësinë e tyre për të shtypur në një mori shkrimesh orientale. Afër fundit të pjesës së dytë të librit, ata e përfshinë një grumbull profecish për Krishtin që me krenari përshkruheshin të ishin në 'tetë gjuhë': latinisht, greqisht, italisht, shqip, hebraisht, arabisht, armenisht dhe siriakisht. Dhe, në fund të librit, ata e përfshinë
edhe një dhënie tabelare të alfabeteve të gjuhëve të panjohura me udhëzime për shqiptimin.48 Edhe pse disa dijetarë bashkëkohorë në bazë të kësaj kanë supozuar që vetë Bogdani e kishte një njohuri të siriakishtes dhe armenishtes, nuk ka argumente të tjera që e dëshmojnë këtë pohim; më parë duket që punimi i tij ka qenë i shfrytëzuar për qëllime të vetë-reklamimit të shtypit padovas. Në të vërtetë, deri në një masë e njëjta mund të jetë e vërtetë për shtypin në librin e tij të citateve nga Dhjata e Vjetër në hebraishte dhe në arabishte: ky ishte, tekefundit, botimi i parë në të cilin padovasit i përdorën shkronjat arabishte të siguruara rishtas.4 Siç e pamë, është mjaft e dyshimtë nëse Bogdani ishte në gjendje të lexonte arabisht fare. Lidhur me hebraishten, ai mund të ketë patur një njohuri themelore të gjuhës. Është e mundshme që ai ta ketë mësuar pak si student, dhe komentimet e herëpashershme mbi etimologjinë e emrave hebraikë mund të jenë dëshmi të një farë njohjeje të gjuhës (ndonëse këto mund të jenë marrë nga punime dytësore); mirëpo përshkrimi i tij i 'Talmudit' si një 'idhull' dhe 'hereziark', dhe referimi i tij në 'Bereshit Raba, dijetar hebraik' {Bereshit Rabba është, në fakt, emër i një teksti, jo i një personi), e bëjnë të duket me fare pak gjasë që ai ishte një dijetar hebraik.50 Kur Bogdani i shkroi Sekretarit të Kongregacionit de Propaganda Fide në Nëntor 1685, pasi që libri ishte shtypur, ai njoftoi që 'profecitë janë dhënë po ashtu në arabishte dhe hebraishte, për hir të dy kombeve të jobesimtarëve'; mirëpo, duke e patur parasysh mungesën e çfarëdo përmendjeje të konvertimit të çifutëve në raportet e Bogdanit nga tokat veriore shqiptare, mund të supozojmë se ai vetëm shkonte krahas synimit konvertues që ishte imponuar në libër nga miku dhe patroni i tij padovas.51 Libri i tij, deri në një masë, ishte marrë.
Shqyrtime të ngjashme mund të ndihmojnë për të shpjeguar pse ky libër, që fillimisht ishte menduar si diçka që do të mund të qarkullonte në mesin e një popullate të varfëruar në tokat shqiptare, në fakt u prodhua si një libër i bukur i formatit të madh: përsëri, qëllimet vetë-reklamuese të Seminarit ishin të parat. Natyrisht, si edhe çdo autor, Bogdani mund të ketë qenë i kënaqur ta shohë punimin e tij të prodhuar aq bukur; dhe në një mënyrë ai ishte në gjendje t'i shfrytëzonte këto rrethana, duke i fiitur disa ilustrime me madhësinë e faqes së plotë. Në njërën nga to ishin të vizatuara (siç e tha në letrën e tij Sekretarit të Propaganda Fides) Profetet 'të veshura në stilin shqiptar dhe serb, me qëllim që t'i inkurajoj këta njerëz të gjorë dhe t'i ngushëlloj sa më mirë që të mundem'.52 Mirëpo, duhet përkujtuar sa kopje të këtij libri arritën në tokat veriore shqiptare. Është e vërtetë që Bogdani njoftoi, në një letër dërguar Propaganda Fides nga Venediku në janar 1686, se 'dëshira ime më e madhe dhe më e zjarrtë është ta marr me vete në Kishën time, ashtu që tekstet e Besimit të Shenjtë të mund të shpërndahen sa më larg të jetë e mundshme në mesin e atyre njerëzve'.53 Mirëpo, dy muaj më herët ai e kishte informuar Sekretarin e Propaganda Fides që një libërshitës në Venedik e kishte shprehur dëshirën t'i blinte të gjitha kopjet e librit.54 Edhe pse shtypi padovas asnjëherë nuk ishte menduar si një ndërmarrje tregtare, shkalla deri në të cilën shpenzimet e tij tejet të mëdha duhej të ndihmoheshin financiarisht nga fondet e dioqezës u shndërrua vrullshëm në një problem për Barbarigon.55 Bogdani, që ishte fare mirë i vetëdijshëm për falënderimin që ia kishte borxh kardinalit, ofertën e libërshitësit e përshkroi si një 'mrekulli' dhe tha se ishte i sigurt që kjo do ta kënaqte shtypshkronjën.56 Ai nuk e emërtoi libërshitësin; mirëpo kandidati më bindës është libërshitësi Girolamo Albrizzi, i cili e ribotoi librin e Bogdanit në Venedik, më 1691. Ky rëndom është përshkruar si një botim i ri apo një shtyp i ri; mirëpo përshkrimet e tilla janë jo të sakta. Ky ishte vetëm një ribotim, duke e përdorur një rezervë të të njëjtave fleta të shtypura që ishin prodhuar në Padova, më
1685. Më 1691 Albrizzi e shtypi një ballinë të re (duke e quajtur librin L'Infallible verita della cattolica fede); ai po ashtu e shtypi një letër përkushtuese të veten për kardinalin Francesco Maria de' Medici, dhe e la jashtë pjesën më të madhe të materialeve hyrëse që ishin të përfshira në botimin origjinal.57 Më 1702 Albrizzi e ribotoi librin, duke i përdorur përsëri fletat nga shtypi i parë, me ballinën që e kishte datën e re dhe pa letrën përkushtuese. Larg nga ajo që të ishin dy botime të reja që do të mund të ishin dëshmi e shitjes së suksesshme të librit, këto ribotime janë dëshmi që një rezervë e madhe e kopjeve (të palidhura) të shtypit të parë kishin mbetur të pashitura, në Venedik. Kështu duket sikur oferta e libërshitësit më 1685, si është përmendur nga Bogdani, ishte pranuar. Sikur shtypi në Padova të mos kishte shpenzuar aq shumë kohë dhe të holla duke e prodhuar një produkt aq luksoz, Bogdani mund të mos ishte ndjerë nën një obligim të tillë që të lejonte që kopjet të shiteshin ashtu që të shpaguheshin disa nga shpenzimet; prandaj, në mënyrë paradoksale, vendimi i Barbarigos që ta merrte shtypjen e këtij libri - që Bogdanit duhej t'i ishte dukur si një fat i mrekullueshëm - siguroi që, në fund, fare pak kopje t'u shkonin njerëzve për të cilët ai vërtet ishte menduar.
Dëshmi të tjera për mënyrat në të cilat projekti i Bogdanit u mor nga kërkesat dhe aspiratat e Barbarigos mund të gjenden në materialet hyrëse të shtypura në botimin e vitit 1685. Këtu është e domosdoshme të mbahet në mend, jo vetëm entuziazmi i përgjithshëm i Kardinalit për konvertimin e 'të pafeve', por po ashtu ndjenja e një pritjeje të zjarrtë me të cilën ai e ndiqte zhvillimin e luftës Habsburgo-Otomane pas vitit 1683. Ai i studionte raportet e lajmeve të luftës me një interesim të madh, dhe vetë korrespondenca e tij ishte përplot me referime në të.58 Pas mposhtjes së otomanëve në Vjenë, ai i shkruante Dukës së Madh Cosimo III të Tuskanit që shpresonte se Mesha së shpejti do të kremtohej përsëri në Aja Sofia në Konstantinopojë; dhe në verën e vitit 1648 ai pohoi që 'unë gjithnjë kam besuar se marrja e Konstantinopojës është jashtë mase e lehtë dhe jashtë mase e realizueshme'.59 Ai besonte që një pushtim i tillë ishte vërtet i afert, dhe ai ishte në kontakt me shumë njerëz që e kishin të përbashkët këtë besim. Njëri ishte një françeskan nga Loraini, 'Nicolo Arnu' (Nicolas Arnoux, apo Harnoux), i cili e ligjëronte metafizikën në Universitetin e Padovas; një nga gjërat e para që u shtypën nga shtypshkronja e Seminarit ishte një libër i vogël në të cilin Amu i dha interpretimet e veta të një vargu të profecive (kryesisht biblike, por që po ashtu i përfshinin edhe një profeci turke dhe një orakull profetik) duke demonstruar se si Venediku dhe aleatët e tij ishin afër pushtimit të Perandorisë Otomane.60 Një person tjetër i tillë ishte Marco d'Aviano, një kapuçin karizmatik; kur d'Aviano ishte në Austri më 1686 Barbarigo kishte letërkëmbim me të, pasi që, me gjasë, ishte njoftuar me të në Padova, më 1682.61 Besimi entuziast në fitore të tilla të aferta në luftën Habsburgo-Otomane, natyrisht që mbartte me vete disa implikime politike, si dhe disa fetare: Barbarigo ishte fuqishëm në favor të Lidhjes së Shenjtë, e cila dukej t'i kishte tejkaluar armiqësitë e vjetra midis Vjenës dhe Venedikut, dhe midis Venedikut dhe Romës. Më 1689 d'Aviano do ta përshkruante Barbarigon si besnik ndaj Perandorit; dhe dy vite më vonë d'Avianos ju kishte qasur një peshkop që dëshironte të bënte fushatë që Barbarigoja të bëhej Papë i ardhshëm, në bazë të asaj që ai do t'ua jepte austriakëve përkrahjen e plotë të papatit.62
Parashikimet e qarkut të Barbarigos për fitore të plotë kundër otomanëve munden madje t'i shpjegojnë disa nga tiparet e tjera enigmatike të librit të Bogdanit. Është e mundshme që ai ka qenë i inkurajuar të përfshinte kritika të sinqerta të Islamizmit, të
një lloji që kanë mund të marrin dënime të ashpra nga autoritetet otomane, duke u mbështetur në atë që brenda një kohe të shkurtër ato nuk do të ekzistonin edhe më tutje. Dhe është e mundshme që formati i madh i librit ishte përgatitur po ashtu duke e patur ndër mend skenarin e fitores: një herë pasi që Ballkani të jetë pushtuar, nuk do të ketë edhe më tutje ndonjë nevojë për kontrabandim të fshehtë të vëllimeve të vogla.
Ato linja të shpjegimit janë, medoemos, spekulative. Mirëpo, të paktën, mund të thuhet me siguri më të madhe, që zjarri i qarkut të Barbarigos, dhe entuziazmi i tij i veçantë për përpjekjen luftarake të Habsburgut, e ofron kontekstin për disa nga gjërat e shtypura në materialet hyrëse të Cuneus prophetarum. Këto përfshijnë, për shembull, një vjershë në serbo-kroatishte nga 'Pettar Riceiardi' (Petar Ricardi), të shkruar në Vjenë; Ricardi, që me prejardhje ishte nga Dubrovniku, ishte bërë komandant i regjimentit kroat në ushtrinë austriake.63 Kjo vinte me një vjershë të shkurtër latine nga Pavao Ritter Vitezovic, një shok dhe adhurues i Ricardit i cili i ishte bashkuar regjimentit të Ricardit, më 1683.64 Njëri nga kontributet më të gjata ishte një vjershë në italisht nga Dr Silvestro Antonii, i cili ishte Drejtori i parë i shtypshkronjës së Seminarit në Padova: e tërë vjersha ishte mbi shkatërrimin e afert të Perandorisë Otomane, dhe konvertimin e të gjithë myslimanëve, përmbushjen e të cilit libri i Bogdanit do ta ndihmonte. 'Në fund,' Antonii e thoshte me zë të lartë, 'gjysmëhëna do të kthehet në kryq, xhamitë jobesimtare do të kthehen në kisha, dhe sarajet në manastire.'65 Përsëri fitohet përshtypja që qëllimet konvertuese, që për vetë Bogdanin kishin qenë, më së shumti, konsiderata dytësore, nga ata rreth tij janë ngritur në qëllimin kryesor të librit.
Kjo ligjëratë solli prova që Pjetër Bogdani kishte filluar me një grumbull mjaft të ndryshëm prioritetesh, dhe se zhvillimi i tekstit të tij, nga plani i tij i parë e deri në botimin e shtypur përfundimtar, ishte proces që ndodhi nën lloje të ndryshme të ndikimit apo shtypjes, edhe intelektuale, edhe fetare (dhe, madje, politike). Megjithatë, është e qartë se njëri ndër elementet e projektit të tij fillestar (edhe pse, besoj, vetëm një element shtesë) ishte përpjekja për t'i konvertuar myslimanët në Krishtërim; ashtu siç shkroi më 1675, ai shpresonte të bënte 'konvertime të panumërta të myslimanëve malësorë'.66 Në përfundim, do të doja vetëm t'i shtoj disa komente të shkurtra për mënyrën në të cilën ai i qasej kësaj detyre. Shprehjen që këtu e theksova 'myslimanëve malësorë' ishte Turchi montagnoli'; mirëpo mund të vërehet që në disa vende në Cuneus prophetarum Bogdani thjesht i referohet 'malësorëve tanë' ('i nostri montagnioli' në versionin italisht). Kështu në një vend ai shkruante 'për të pajtuar mendimet e malësorëve tanë për atë çka thonë epijureijt dhe makiavelistët'; në një vend tjetër ai i lavdëronte 'malësorët tanë' për shëndetin dhe fuqinë fizike të cilën ata e merrnin nga mënyra e tyre e thjeshtë e jetës. 7 Është e mundshme që fjala e tij 'tanë' këtu i tregon të krishterët në krahasim me myslimanët; mirëpo mënyra e jetës, natyrisht, ishte e përbashkët për të dyja palët. Në paraqitjen e tij të teologjisë së krishterë ai e theksonte që Jezuja u kishte dhënë ndihmë paganëve, njësoj si dhe çifutëve, dhe që mesazhi i krishterë ishte në këtë mënyrë përfshirës, jo përjashtues.68 Ai e theksonte po ashtu që disa nga të vërtetat themelore të teologjisë janë krijuar nga paganët (për shembull, nga grekët e lashtë).69 Dhe ai jepte një vëmendje të veçantë profeteve, që kishin marrë pjesë në zbulesën profetike të krishterë edhe pse këto vetë nuk ishin të krishtera. Në të gjitha këto mënyra, ai përpiqej ta ndërtonte argumentin e vet, jo përmes denoncimit të feve të tjera, por përmes dëshmimit të fushave të përbashkëta midis të krishterëve dhe jo-të-krishterëve - në veçanti aty ku ishte çështja e malësorëve të tij të dashur.
Megjithatë, argumentet kryesore të librit ishin të vëna, jo në nivelin e qenieve njerëzore si të tilla, por në nivelin e atyre qenieve njerëzore që e pranonin trashëgiminë e përbashkët të zbulesës profetike. Me fjalë të tjera, Bogdani e kishte në mendje, ato që i merrte të ishin supozimet e përbashkëta të të krishterëve dhe të myslimanëve (dhe çifutëve). Metoda e tij kryesore e argumentimit e përfshinte kërkimin e profecive. Ai e dinte që shumë nga figurat e Dhjatës së Vjetër përmbaheshin po ashtu në besimin islamik: në një vend ai i përmend myslimanët që thirreshin në shembujt e Abrahamit, Davidit dhe Solomonit.7 Si shumë shkrimtarë të krishterë të kësaj periudhe, duket se ai kishte besuar që i tërë teksti i Dhjatës së Vjetër ishte pranuar disi si i vlefshëm nga myslimanët, dhe se detyra e teologut të krishterë ishte që ata të bindeshin që Dhjata e Vjetër, e interpretuar drejt, shpie kah Krishtërimi dhe jo kah Islamizmi. Argumenti i tij ishte detyrimisht anti-islamik, meqë, si një i krishterë, ai e mohonte që Muhamedi ishte profeti i vërtetë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ai ishte duke e strukturar argumentimin e tij në një asi mënyre për të cilën shpresonte se do të ishte e pranueshme për myslimanët - duke e përdorur idenë e përbashkët të profecisë, dhe duke u thirrur në trashëgiminë e përbashkët të dy feve abrahamike. Në këtë mënyrë, argumenti nga profecia, të cilin ai e përpiloi para së gjithash për t'i siguruar sërish lexuesit e krishterë dhe për ta forcuar besimin e tyre, mund të përdorej po ashtu për t'i sjellë në atë besim ata 'malësorët myslimanë' për të cilët, duket, Pjetër Bogdani asnjëherë nuk i pushoi lutjet e veta.
---------
Ky tekst është ligjëratë inauguruese e studiuesit dhe historianit anglez Noel Malcolm, të mbajtur më 20 mars 2006 në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si anëtar i saj i jashtëm.
|
|
|