|
|
TEMATOLOGJIA: THEMA E LOGOS
Shkruan: Kujtim M. Shala
I. Libri Tematologjia
Tematologjia është libri më i ri i S. Hamitit.1 Tematologjia është titull edhe i tekstit të parë të këtij libri. Titulli do të nënvizojë këtë tekst të parë, në të cilin propozohet një dije letrare. Në anën tjetër, libri Tematologjia jep një poetikë historike të letërsisë shqipe.
Teoria Tematologjia është sintezë e dijes teorike mbi “shkencën e temave” dhe tekst që promovon ide autoriale lidhur me këtë dije e me objektin e saj.
Pjesa tjetër e librit artikulon, në diskurs teorik, rezultatet e kërkimit empirik të fenomeneve letrare, formave e autorëve të veçantë.
Kërkimi i Hamitit lëviz nga shkollat letrare shqipe, nëpër kodet e diskurset, format e figurat, shkallët e letërsisë, gjen fenomenin e avangardës, pastaj lidhet për autorë të veçantë: Lasgushi, Pashku e Rugova. Më tej, trajtohet statusi i shkrimtarit si krijues (homo poeticus) e si figurë që ilustron modelin social (homo politicus). Rrjetit të tillë të kërkimit i bashkohet çështja e komunikimeve letrare/kulturore ndërshqiptare; një pamje e letërsisë shqipe të shek. XX dhe ideja për domosdonë e një shekulli të ri letrar në letrat shqipe.
Tematologjia, duke njohur një objekt kaq të gjerë, provon edhe një herë domosdonë/fuqinë e kërkimit empirik e fuqinë e kërkuesit empirik. Hamiti vetëmsa ka shndërruar në diskurs (teorik) këtë kërkim. Është vetë letërsia shqipe, fenomenet letrare që bëhen provë për diskursin e tillë. Si gjithnjë në kërkimet moderne, prova (letërsia) shtrihet përpara, diskursi (kërkimi) vjen prapa, duke e njohur të parën si amëz të veten.
Te Tematologjia takojmë S. Hamitin e Sprovave për një Poetikë, tash duke provuar Poetikën e shqipes.
Tekstet me radhë duken:
Shkollat letrare shqipe evidenton konstantet letrare, si bërthama të shkollave letrare, dhe shpërthimet e normave, si bërthama të poetikave personale. Shkollat letrare shqipe vihet përballë idesë së periodizimit, rri larg frymës së historisë së letërsisë dhe pranon frymën e historisë letrare. Del se ky tekst ndjek, përshkruan e interpreton procesin/sistemin letrar dhe jo historinë e prodhimit letrar. Si përherë, edhe këtu, historia letrare provon se koha lineare thotë pak për kohën e letërisë, se një vepër ose një fenomen ekziston kur bëhet pjesë e sistemit, përcakton ose përcaktohet nga ai, dhe jo posa shkruhet/lindet.
Shkollat letrare shqipe ka për mbështetje: format e strukturat letrare, autorët ilustrativë, teoricienët e shkollave dhe figurat (si shenjë e diskurseve). Duke pasur për referencë kriteret e tilla, Hamiti propozon këtë pamje/rrjet shkollash: Shkolla filobiblike, Shkolla e vjershëtarëve, Shkolla romantike, Shkolla kritike, Shkolla moderne, Shkolla socrealiste, Shkolla disidente, Shkolla moderne (e Kosovës).
Ky projekt është një argument për natyrën akronologjike të procesit/sistemit letrar.
Kodet e diskurset është rezultat i kërkimit empirik në shtrirjen totale të letërsisë shqipe. Nocioni kod këtu është identifikuar me nocionet model e temë, ndërsa nocioni diskurs me retorikën e modelit/temës.
Autori ka identifikuar katër kode e katër diskurse të pëlqyeshme me kodet: Kodi e diskursi heroik, Kodi e diskursi biblik, Kodi e diskursi popullor, Kodi e diskursi historik. Kodi e diskursi i parë shtrihen përtej një kohe dhe hyjnë në rrjetin e dominanteve/karakteristikave të letërsisë shqipe. Kodi/diskursi biblik, universal, ka pamje të veçantë në shkrimin shqip. Kodi/diskursi oral është shenjë e kulturës dhe ekzistencës etnike. Ndërsa, ai historik ka mallin të identifikohet me dokumentin. Në këtë frymë, autori i Tematologjisë rezymon: “Pra, letërsia shqipe, ashtu dhe kultura shqipe, niset nga legjenda për ta zbuluar dokumentin.” Pastaj, duke njohur natyrën e kërkimeve letrare, ai lë mundësinë e leximit të përkundërt: nga dokumenti te legjenda.
Kodet e diskurset është një tematologji e shkrimit shqip, në të cilën historia e temave lexohet bashkë me retorikën e tyre (diskurset).
Te Format e figurat Hamiti jep pamjen e transformimeve të formave në letërsinë shqipe, duke ndjekur rendin e shfaqjes së tyre: poezia, proza, drama e kritika letrare. Kërkimi u referohet formave dominante e autorëve ilustrativë. Këtu, si gjetiu, Hamiti provon format shqipe si shfaqje të fenomeve universale, por edhe si produkt të sistemit letrar të shqipes, të lidhur me modelin sociokulturor. Duke njohur zhvillimin specifik të këtij sistemi, autori bën bashkë kërkimin historik e strukturor, gjegjësisht tipologjik. Në këtë princip, Hamiti nënvizon transformimet atipike e të ndryshme të formave të ndryshme dhe njeh për shkak “lëvizjet në sistemin e mbrendshëm letrar”, më parë se lëvizjet në sistemin letrar universal.
Si rezultat të kërkimit, Hamiti evidenton si forma themelore të poezisë shqipe: poezinë okazionale, personale, sociale, poemën lirike, narrative, të strukturuar, epopenë, parodinë, lirikën moderne, albumin poetik, librin e poezisë, poemën socrealiste propagandistike, ciklin e lidhur, sistemin e madh poetik. Del se autori nën nocionin e formës vë: kategoritë letrare, strukturat, statuset e sistemet.
Format e prozës: proza poetike, tregimi, novela, tregimet e lidhura dhe romani. Ky është edhe rendi i transformtit të prozës shqipe.
Hamiti kërkon format e dramës duke pranuar natyrën kanonike të saj, lidhjen e përhershme me teatrin, e nga këtu, me mjedisin kulturor/social. Kushtëzimi i tillë ka bërë që ajo të ketë zhvillim e transformim të varfër në letërsinë shqipe.
Si rezultat i përshkrimit të sistemit të formës dramatike, evidentohen: drama epiko-heroike, shoqërore, drama e familjes, tragjikomedia, farsa tragjike, tragjedia klasike, melodrama, tragjedia moderne (A. Pashku), monodrama, drama e realizmit socialist.
Duke u lidhur me kuptimin modern të kritikës letrare, Hamiti shenjon si fillim të kritikës letrare shqipe shkrimet e F. Konicës dhe revistën Albania. Pamja që jepet shtrihet në gjithë shek. XX. Format e evidentuara janë: shënimi, paraqitja, vlerësimi, trajtesa, introdukta, interpretimi, studimi letrar, psikanaliza, kërkimi formal e i temave, eseja, shënimet estetike, studimi monografik, recensioni.
Duke prekur format e autorët, S. Hamiti evidenton natyrën e hapur të kritikës shqipe të katër dekadave të para të shek. XX, mbylljen e mbytjen e saj nga dogma socrealiste në gjysmën tjetër të shekullit dhe modernitetin e kritikës letrare shqipe në Prishtinë, nga vitet ´70.
Ndërkaq, kur kapërcen te çështja tjetër: figura, Hamiti njeh gjuhën për esencë të veprës letrare (jo mjet) dhe figurën si krijuese të domethënies. Fjala e motivuar prodhon figurën. Diskutimi mbi motivimin e fjalës ka traditë nga Kratili i Platonit. Zh. Zheneti, në fushë të letërsisë, diskuton e provon thellë pikëpamjen e Kratilit mbi fjalët si „fytyrë“ e pëlqyeshme për sendet. Është Zheneti që udhëheq Hamitin për te Figura. Pushtetin e figurës, autori ynë e kërkon nga Titulli i veprës, Fillimi i saj, tek Emri i personazhit, duke nënvizuar esencën prej figure/përfaqësimi të tyre. Titulli jep esencën e veprës. Fillimi determinon ritmin e tekstit. Emri vihet në rrethanë motivimi të lartë.
Figura shtrihet në gjithë strukturën letrare dhe ka dy trajta themelore: metafora / metonimia. Gjuha është esencë e veprës letrare; kjo gjuhë krijon botën e veprës, „duke u bërë gjuhë e figurës“.
Gjuha - esencë e veprës letrare. Figura - esencë e gjuhës së veprës letrare.
Shkallët e letërsisë është një Rikujtesë e letërsisë shqipe (e prekur në shtatë pika); e matur edhe me modelet universale të krijimit. Hamiti njeh lidhjen e fortë të letërsisë shqipe me jetën shqiptare, për ta konsideruar si manifestuese të kulturës, madje të identitetit nacional. Letërsia kësofare, s´do mend, lidhet me idetë dominante dhe afishon ato. Ky status reflekton fuqishëm te strukturat letrare e te sistemi letrar i shqipes.
Përkrah natyrës së tillë, letërsia shqipe, si letërsia përgjithësisht, njeh tri modele të krijimit: imitimi (mimesis), krijimi (poiesis), rikrijimi (metapoiesis). Modeli i parë i referohet natyrës/botës dhe do ta japë atë të gjallë. I dyti lidhet me autorin, me fantazinë dhe do origjinalitetin. I treti rimerr modele të mëhershe letrare, për t´i imituar ose transformuar. Modeli i parë kartakterizon Letërsinë në shkallën zero (imitimi i natyrës/botës). I dyti, Letërsinë në shkallën e parë; Hamiti e përcakton si letërsi pa model paraprak në Natyrë e Literaturë. I treti, Literarturën në shkallën e dytë, palimpsestin (tekstin e shkruar mbi një tekst tjetër).
Modelet dhe shkallët e tilla të letërsisë S. Hamiti i koncepton si shfaqje letrare përtej një letërsie, kohe, një stili, autori etj.
Tek Avangarda letrare, Hamiti trajton avangardën si akt/fenomen letrar, i cili vihet përballë Normës, duke qenë vetë thyerje e kësaj norme. Duke ndjekur këtë princip, autori avangardën në letërsinë shqipe e ilustron me Milosaon e De Radës, Bukurinë e Naimit, Dr. Gjëlpërën… e Konicës, poezinë e L. Poradecit, Vargjet e lira të Migjenit, romanin Oh të A. Pashkut.
Avangarda shoqërohet me dëshminë e vet, me teorinë. Aty janë: Konica, Kuteli, Trebeshina, artikulli Vox Clamantis in Deserto, Zorba.
Krahas avangardës, si rebelim përballë Normës, trajtohet Disidenca/Alternativa letrare, si fenomen i rebelimit dhe daljes nga Norma, duke qenë më parë pjesë e saj. Disidenca/Alternativa letrare shqipe, si çarje e socrealizmit, ilustrohet me poezinë e Z. Zorbës (Me buzë të ngrira në gaz, botuar më 1994, pas vdekjes së autorit, por e shkruar shumë më parë), veprën e Xhaferrit dhe me Pallatin e ëndrrave të Kadaresë.
Përballë Avangardës përjetë vihet Përshtatja, si rrugë e hyrjes në traditë, si kapërcim te Norma, qoftë ajo një “normë e re”.
Metafora e Lasgushit është teksti që i bashkohet jetës së Hamitit me veprën e madhe të L. Poradecit. Duke parë metaforën (figurën mbretëreshë) si esencë ligjërimi e strukturimi të poezisë/librave të Poradecit, Hamiti lexon rishtas Lasgushin, me fuqinë e pasionit të vjetër e të ri për të.
Duke u shtrirë nga vargu, në strofë, në titullin e poezisë, titujt e cikleve të librave metafora bën esencën e shenjën (përfaqësimin) e poezisë së Poradecit. Duke provuar këtë, Hamiti jep një çelës për ta lexuar poezinë: hapjen e figurës/metaforës.
Pas mikut të poezisë (Lasgushit), Hamiti lexon mikun e letërsisë e të jetës, Anton Pashkun. Teksti ka titullin Nyjat e Antonit dhe përcaktohet si “ligjërim personal për letërsinë e mikun, nëntë vjet pas shkuarjes së tij, duke pasur përpara nëntë veprat e tij, duke lidhur apo zgjidhur nëntë nyjat e Anton Pashkut”. Nyjat, të cilat lidh e zgjidh autori, janë: Biografia, Figura, Tematika, Tregimi, Historia, Moderniteti, Identiteti, Autoideografia, Betja. Janë këto nyjat e jetës e të letërsisë së Pashkut. Sa dalin nga interpretimi, aq ofrohen si pika prej nga mund të interpretohet vepra e A. Pashkut.
Edhe ky është një tekst i ri për veprën e zbuluar e të dashuruar që herët. Ky zbulim e kjo dashuri bëhet shenjë edhe e këtij ligjërimi të ri të Hamitit. Komunikohet hapur. Emocioni pranohet e funksionon si trajtë e njohjes. Diskursi buron fuqishëm nga kjo trajtë. Kur lidh e zgjidh nyjat, Hamiti ligjëron për Antonin personal.
Radha i takon mikut të mendimit e të përpjekjes jetësore, I. Rugovës. Tash, përpara Hamitit është një vepër kërkimore, kritika/metakritika e Rugovës. Sado që teksti vihet nën titullin Ibrahim Rugova: Kritik letrar, diskursi takon edhe Njeriun Ibrahim Rugova, projektuesin e Qarkut kulturor të Prishtinës dhe prijësin historik të shqiptarëve të Kosovës.
Shkrimi i Hamitit thuret si evidencë, përshkrime, komente e rezymime, të cilat u referohen librave: Kah teoria, Strategjia e kuptimit, Vepra e Bogdanit 1675-1685, Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983 dhe Refuzimi estetik. Si finalitet i kërkimit fitohet profili prej kritiku i I. Rugovës.
Rugova ka nisur jetën letrare duke shkruar e përkthyer poezi. Te Prekje lirike leximi/interpretimi pothuajse identifikohet me tekstet letrare të lexuara/interpretuara. Te Kah teoria shkrimi do abstrakimet e argumentimet për letërsinë si sistem i veçantë (differentia specifica). Strategjia e kuptimit dhe Refuzimi estetik janë përmbledhje esesh e kritikash. Te këta libra, veçantinë e bëjnë kritikat për autorët e brezit të Rugovës. Vepra e Bogdanit 1675-1685 e Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983 janë libra monografikë; i pari mbi veprën e autorit të madh shqiptar, P. Bogdanit (një lexim analitik/semiologjik), i dyti sistemon e trajton kritikën (si domen, mendim) e kritikën letrare shqipe (si zhanër), duke e parë në planin e orientimeve metodologjike (kahe) e të bazës teorike (premisa). Duke iu referuar Bibliografisë së gjerë dhe Treguesit historik të termave, Hamiti e konsideron Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983 një Enciklopedi të kritikës shqiptare.
Eseja Homo poeticus / Homo politicus prek e trajton statusin e dyfishtë të shkrimtarit si krijues e si veprues në kontekstin letrar/kulturor e social shqiptar të dekadës së fundit të shek. XX. Është kjo koha e lëvizjeve/ndryshimeve të mëdha; por edhe e përplasjeve të mëdha në shoqërinë shqiptare. Shkrimtari ka prapa letërsinë e rrethanës; vetë nodhet në rrethanë tjetër/ndryshe; lëkundjet e jashtme, prishja e një skeme dhe prova se skemat bien përherë, hapin para tij letërsinë si vepër të vetmisë, të lidhur me personin/jetën në të gjitha shfaqjet e saj dhe jo me idetë/skemën. Po përmbysjet në jetën nacionale, hapin komunikimet e letërsisë nacionale me letërsitë e tjera. Shqipja duhet ta shfaqë autencitetin, duke u provuar me universalitetin.
Duke lexuar kontekstin e tillë dhe statusin e letërsisë përbrenda tij, Hamiti flet për kohë sprovimesh të shoqërisë, shkrimtarit e të shoqërisë, pa paragjykuar statuset e ardhshme të tyre. „Zhvillimet e mëtejshme do t´u takojnë vetëm brezave që vijnë, të cilët nuk do ta kenë ngarkesën e paraardhësve, por përvojën e tyre do ta marrin si një përvojë tanimë të tejkaluar.“
Se dekada e fundit të shek. XX ka ndryshuar statusin e letërsisë shqipe theksohet e provohet edhe tek eseja Shkrimtari (shqiptar) / Studiuesi (kosovar), për të shtuar se letërsia ka rastin të bëhet e vetes dhe që interpretimet të jenë të natyrës letrare, të paushqyera nga jashtësia. Autori gjykon që ky raport i dyfishtë të ketë ngelur ende vetëm rast dhe se trashëgimia vijon të ketë peshë të madhe përcaktuese në botën letrare e kulturore shqiptare: në Shqipëri vijojnë të lexohen autorët e rikthyer, ndërsa janë ende gjallë autorë ilustrativë të socrealizmit; Kosova vijon ta jetojë dramën e vetënjohjes e të vetëpërcaktimit. Ndërsa, bota shqiptare, si e tërë, vijon ta jetojë mosnjohjen e një pjesëve ndërmjet vete, ndaj vijon ta jetojë paragjykimin për atë që nënkupton një pjesë përkrah tjetrës. Autori njeh një rrugë shpëtimi: „Këtu duhet një proces i vërtetë i njohjes letrare. Një qarkullim normal i botimeve të Prishtinës në Tiranë. Një komunikim i pastër letrar përtej pragmatizmit politik. Një ndërkomunikim krijues.”
Por, autori ka shkruar esenë nën titullin Shkrimtari (shqiptar) / Studiuesi (kosovar), formulë (e ndeshur aq shumë në komunikimin mbi letërsinë) që thekson ndarjen e krijuesit (shqiptar) nga lexuesi (kosovar), duke vlerësuar krijuesin. Hamiti e njeh këtë si ndarje cinike. Një shenjë se në komunikimet letrare shqiptare ekziston problemi.
Fraza e pambaruar përbëhet nga dy tekste rasti: i pari, pjesë e një projekti promovues të shtatë shkrimtarëve të Kosovës; i dyti është fjala e S. Hamitit e mbajtur me rastin e promovimit të kompletit të tij, në dhjetë vëllime, më 2002.
Teksti i parë, Jeta e poezisë, është rrëfim personal mbi jetën e autorit në letërsi.
Teksti i dytë, Fraza e pambaruar, shenjon botimin/promovimin e kompletit të veprave si çast të rrallë të lumturisë, të përshkruar nga droja për frazën e pambaruar. Teksti përcillet nga poezia Paskajore (Dashunia paskajore me shqipen), që lakon “temën e frazës së pambaruar, si paskajore”.
Letërsia e shekullit 20 jep një pamje të përgjithësuar të letërsisë shqipe prej një shekulli, duke evidentuar fakte letrare, ide dhe duke klasifikuar. Së pari jepet, në vija të trasha, konteksti sociokulturor, kulturor e historik, pastaj konteksti letrar, për të kaluar te teksti letrar e të ligjësitë e brendshme letrare. Teksti mbyllet me evidentimin e vlerave, si argument për formulimin karakterizues e vlerësues Shekulli i madh i letërsisë shqipe.
Hamiti i rikthehet konstatimit të tij të mëhershëm: se ai që e shkruan historinë e letërsisë shqipe të shek. XX, e ka në dorë historinë e kësaj letërsie.
Teksti me të cilin mbyllet Tematologjia është Shekulli i ri letrar. Tash, Hamiti i jep fund principit historik të strukturimit të poetikës së shqipes dhe kthehet nga e ardhmja e letërsisë. “Çka tash? A ka kohë zero në letërsi? Cila është e ardhmja?”
Formulimi Shekulli i ri letrar shenjon daljen e letërsisë shqipe nga moderniteti dhe hyrjen në një kohë tjetër letrare, e cila do të shoqërohet nga ndryshime e prerje, të cilat “do të prekin domosdoshmërisht temat e prosedetë, domethëniet letrare, më tutje statusin e letërsisë dhe me siguri statusin e shkrimtarit.”
II. Dija Tematologjia
Thema e Logos
Tematologjia është kompozitë e përfituar nga Thema (gr. temë) dhe Logos (dije/ligjërim). Tematologjia bëhet dije mbi temat letrare. Kjo është dija që propozon Hamiti, duke e definuar më tej si kushërirë të Historisë së ideve e bijë të Historisë letrare. Vetë koncepti i Tematologjisë si produkt i Historisë letrare lë të kuptohet natyra historike e kërkimit të temave.
Tematologjia (teoria) është ndërtuar si diskutim e përkufizim në pesë pika themelore: Studimi i temave, Tema, Tematika, Kritika tematike, Tematologjia. Ky, njëherit, është rendi i kapërcimit nga historia e studimeve të temave (të padiferencuara) te propozimi i Tematologjisë si dije e diferencuar mbi temat letrare. Ky rend, vetiu, ka shtruar kërkesën për ridefinimin e objektit (Temës) e të domenit (Tematologjisë). Ridefinimi përherë kërkon ballafaqimin me referencat, me “traditën” e teorisë së domenit. I vënë përballë kësaj, Hamiti zgjedh ta pranojë dijen e verifikuar si të veten dhe ia shton asaj pikëpamjet autoriale, për ta pasuruar. Po ashtu, vihet përballë referencave që kanë prodhuar keqkuptimet lidhur me Tematologjinë, pasi i përshkruan ato. Del se teoria e propozuar nga Hamiti është produkt i dijes universale mbi temat letrare, produkt i grindjes me pikëpamjet përjashtuese dhe produkt i leximit autorial të çështjes së quajtur Temë letrare.
Në përshkrimin e historisë së studimeve të temave, Hamiti jep statusin e tyre në kohë. Në këtë pamje, Tematologjia është disiplinë e nënkuptuar nga fusha të tjera ose e përbuzur dhe e përjashtuar. Shkak për këtë autori gjen objektin e lëvizshëm të saj. Ndaj, bëhet e domosdoshme që ky objekt të përkufizohet rishtas.
Tema / Tematika
Secili definim i Temës, duke qenë i lidhur me kuptimin bazë të termit (thema, rast, bazë, lëndë, objekt bisede), e pranon atë si një esencë letrare. Por, kur teori të caktuara njohin për esencë letrare strukturën, ndërsa Temën e përkufizojnë si lëndë, ajo humbet statusin e esencës. Tema është përkufizuar edhe si strukturë. Është identifikuar me invariantet semantike, si shenjë që përmbajtja nuk ka si ndahet nga struktura. Pastaj është parë e determinuar nga struktura, produkt i saj. Edhe si “mundësia e parë për të folur për veprën e për t’i folur veprës”.
Për të dalë nga ky qerthull, Hamiti njeh si rrugë shpëtimi përkufizimin e Temës duke e vënë ballas Mitit, Motivit e Toposit. Përveçimi i temës nga kategoritë e nënvizuara dhe përshkimi i relacioneve bëhet një nga detyrat e Tematologjisë. Ajo duhet të tregojë sot cili është objekti i saj.
Diskutimi i Hamitit edhe në këtë plan është problematizues; kjo çështje ka një histori, prandaj më shumë pikëpamje lidhur me të. Diskutimi pranon se letërsia e kultura perëndimore burojnë nga mitologjia greke e ebraike. Prandaj, “ndodhitë” mitologjike janë bërë tema letrare, ndërsa heronjtë mitikë - personazhe letrare. Tashmë, Prometeu është mit, temë letrare apo mit letrar? Hamiti i referohet R. Trusonit, i cili dallon mitin letrar si rrëfim që autori e mbush me domethënie të reja pa ndonjë kufizim, nga tema që rimerret pa u plotësuar me domethënie të reja. Por, kur duket se mbyll çështjen, Hamiti e rihap atë, duke nënvizuar lëvizjen e përkundërt të trashëgimisë letrare: “Fausti, Don Zhuani e Hamleti, më parë janë tema (letrare), por me plotësimet e domethënieve shkojnë kah mitet letrare”.
Diskutimi mbi objektin e Tematologjisë vijon duke u diferencuar motivi e tema. Hamiti njeh motivin për materie të letërsisë, derisa tema kristalizon, individualizon motivin. Diferencimi i tillë mban jashtë motivin dhe saktëson temën si objekt të Tematologjisë.
Tash, vihen përballë tema e toposi. Të parën autori e lidh me substancën dhe domethënien, ndërsa të dytin me formën e bindjes. Toposi, “vendi i përbashkët”, njihet i ngjashëm ose i barazvlershëm me klishenë.
Duke pasur në dorë temën e diferencuar rishtas, Hamiti kalon te çështja tjetër: Tematika. Relacionin e temës me tematikën ai e njeh si relacion të elementit/përbërësit me sistemin. Tematika është fusha e të dhënave prej nga del tema. Një konceptim ndryshe i tematikës, e cila vijimisht është konsideruar shumë e temave.
Tematika, sistemi i temave letrare, për autorin, mund të ketë karakter universal (përtej një vendi, kohe e kulture), kulturor (tematika që lidhen me besime mitologjike e kultura të veçanta), nacional, si tematika shqiptare; tematikat nacionale rrinë përballë atyre universale, duke qenë të lidhura e të kushtëzuara nga jeta, historia nacionale, dikur edhe nga gjuha.
Kritika tematike / Tematologjia
Kritika tematike është tip kërkimi. Tematologjia është dije, fushë/domen.
Kritikën tematike Hamiti e lidh dhe ilustron me Pulenë, Bashlarin e Risharin. Puna e këtyre autorëve njihet e rëndësishme për të argumentuar mundësitë e Tematologjisë, qoftë edhe në trajtimin e vlerës estetike të veprës.
Kritika tematike ka për objekt organizimin tekstor të temës (temën si strukturë), temën si intencë autoriale në një vepër.
Tematologjia, në anën tjetër, definohet si dije mbi temat letrare, historinë e evolucionit të tyre. Ajo, në pikën finale, duhet të zbulojë se si dhe pse tema të caktuara për shekuj me radhë kanë prekur ndërgjegjen njerëzore. Duke buruar nga kërkimet krahasimtare, roli i tillë e situon atë te këto kërkime; tash, me pretendimin për të qenë dije e veçantë.
Përfundimisht, Tematologjia është studim i temave letrare në shfaqjet historike e strukturore të tyre. Dhe studim i funksionit të temave.
(Autori është profesor i Estetikës dhe i Formave letrare
në Universitetin e Prishtinës)
|
|
|