Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center

RUGOVA NË DY PAMJE

Shkruan: Kujtim M. Shala

Formulimi Rugova në dy pamje u referohet dy nyjave mbretërore të jetës së Ibrahim Rugovës: Letërsia e Veprimtaria. Janë këto dy pamje/faqe të një fytyre, dy pamje të një jete, dy pamje të një vepre. E para, thellësisht kulturore, mbetet nën shenjën e Rugovës meditans; e dyta, kulturë, veprim e trashëgimi politike bashkë, ka shenjën e Rugovës militans, shenjën e Prijësit të madh të Kosovës. Si një e tërë, këto pamje japin Rugovën meditans et militans.



1. Rugova meditans

I. Rugova ka nisur jetën letrare si Krijues, e ka vazhduar si Rikrijues dhe e ka mbyllur si Klasifikues/Sistematizues.
Ky përgjithësim u referohet shenjave themelore të diskursit të Rugovës: së pari fiksioni; së dyti diskursi i hapur; së fundi diskursi konceptual. Kjo është rruga që nis me pasionin, vijon me gjetjen/leximin e autorëve të dashur dhe mbyllet me krijimin e sistemit vetanak, tashmë në shkallë të lartë konceptualiteti. Tipi i parë i diskursit nënkupton vjershat e tij të hershme. Tipi i dytë kritikën letrare, sidomos diskursin e hapur të librit Prekje lirike. Tipi i tretë identifikohet me punën në fushë të teorisë letrare e të sistematizimit tipologjik të mendimit teorik/kritik shqiptar.
E artikuluar edhe më ndryshe, kjo është rruga e kapërcimit nga diskursi (fiksional) te diskursiviteti.

Prekje lirike (1971) është libri që hap rrugën për ta lexuar gjithë veprën e Rugovës. Diskursi i Rugovës aty pothuajse barazohet me fiksionin. Idetë autoriale gjenden e projektohen tek autorë të tjerë, pak për të ikur nga artikulimet eksplicite/definitive të ideve (idelogemës) e më shumë për të sprovuar e provuar kritikën letrare si një shkallë/fytyrë të letërsisë, përherë të lidhur e të kushtëzuar fuqishëm nga Subjekti kërkues.
Tekstet e këtij libri janë përplot me citate, vargje e tërësi teksore të autorëve të lexuar, që prishin kufijtë ndërmjet diskursit e diskursit të rikrijuar. Aty dialogojnë kërkuesi e krijuesi, duke pranuar si kohë dialogu kohën e kërkuesit. Gjithë ç’japin tekstet e djeshme sot, bëhet shenjë për vlerën e gjallë të tekstit letrar (larg dokumentit) ose, siç Rugova e quan, shenjë e vlerësisë së tekstit, e vlerës që zgjat, që i bashkohet traditës, që krijon traditë. Vlerësia, në parimin që përshkon më vonë gjithë interpretimin e veprës së P. Bogdanit nga ana e Rugovës, bën që teksti ta ruajë ideologjinë e vet, të kohës së shfaqjes, pa dashur ta aktivizojë sot. Ky mosaktivizim neutralizon edhe ideologjitë e secilës kohë, bashkëkohëse të leximit. Teksti letrar jeton i gjallë, i ringjallur në lexim, dhe rri përballë dokumentit, për të ofruar një njohje tjetër të jetës e të botës, prandaj një pamje tjetër të tyre.
Kah teoria (1978) teston diskursin e Rugovës në tehun e hollë të kapërcimit nga eseja te sistematika teorike. Tash, shkrimi braktis figurën letrare dhe gjen ligjëratën konceptuale. Rugova shqyrton çështje të djeshme, të sotme, të përhershmë të letërsisë, nga natyra e saj te dija/disiplina/aparatura që studion atë. Diskursi i Rugovës te ky libër është problematizues. Zgjidhjet që jep ai janë të hapura, ndaj principi i vlerësisë mbulon fuqishëm këtë libër. Univrsaliteti i çështjeve të problematizuara/të trajtura merr një zgjidhje dhe kërkon të tjera.
Strukturalisht, Rugova kalon nga definimi i letërsisë, te definimi i disiplinës që studion atë, pastaj kthehet te letërsia shqipe. Kështu, dija universale e kërkimit gjen një letërsi të veçantë.
Nëse te Prekje lirike Rugova vetëm sa diferencohej nga fiksioni total, këtu ecën drejt shenjave të një sistemi: nga kah teoria te teoria. Ky sistem nënkupton veprat e tjera diskursive të Rugovës, me objekt të parë letërsinë shqipe: tekste, autorë e fenomene.
Strategjia e kuptimit (1980) shtron e provon procedurat e interpretimit të tekstit, duke kërkuar kuptimet, domethëniet. Rugova ka riformuluar e ka aplikuar principin lingusitik të N. Çomskit në princip për interpretimin e tekstit letrar. Strategjia e kuptimit njeh diskurin eseistik, kritik e teorik. Që të tre kanë një objekt: kuptimin, i cili te diskursi i parë hapet e problematizohet si çështje, tek i dyti kërkohet si manifestim te tekste e autorë të caktuar, tek i treti merr statusin e një fenomeni, ndaj bëhet objekt i abstrakimit teorik, të shoqëruar nga argumentime.
Me një fjalë, ky libër shtron e aplikon kërkimin semantik. Aplikimi më lucid e më i fuqishëm nënkupton tekstet në të cilat Rugova interpreton autorët bashkëkohës, në leximin e parë, që gjithnjë është më i vështiri. Rugova shpëton nga grackat e procesualitetit duke analizuar tekstin. Sa herë nuk bën pa vlerësimet direkte, ai kualifikon duke pasur për bazë rezulatet e analizës.
I ngjashëm në strukturë e në pretendime me Strategjinë e kuptimit është edhe Refuzimi estetik (1987); një libër që vijon atë. Ky libër ka për objekt letërsinë bashkëkohëse të autorit dhe rritet në komunikmin e gjallë me tekstet. Librin e dominon vlerësimi për vepra e fenomene. Gjithë librin e përshkon vetëdija mbi refuzimin estetik, si proces që siguron qenësinë e letërsisë, duke buruar nga vetë kjo qenësi. Letërsia është tjetër nga fusha e ideve, e ideologemave, e politikës, ndaj funksioni i saj është i ndryshëm. Rugova kërkon e do letërsinë si sistem autonom, si ekzistencë që refuzon estetikisht hyrjen në shërbim.
Si te Strategjia e kuptimit, te Refuzimi estetik Rugova kërkon strukturat, interpreton, pastaj vlerëson.
Vepra e Bogdanit 1675-1685 (1982), kryevepra e Rugovës, shenjon shkallë të lartë të diskursit konceptual. Kjo ngjet meqë objekti i kërkimit është konceptual. Rugova kërkon/analizon e interpreton sistemin filozofik/teologjik të Bogdanit një herë në shtratin e dijes që e ka prodhuar veprën, pastaj në qarkun e veprave me tema univesale, në qarkun e veprave gjithnjë moderne, do të thotë të përjetshme.
Rugova së pari ndërton Gjenetikën e veprës, pastaj Poetikën/Analitikën e saj. Në fazën e parë kërkon dokumentin filologjik; në të dytën tekstin e gjallë përherë.
Pjesë themelore e studimit të Rugovës është Analitika e veprës, një analizë e interpetim struktural/semiotik, që buron sa nga teksti i Bogdanit, aq sa nga teoritë moderne të kërkimit, saktësisht nga modeli strukturalist/semiotik i R. Bartit. Në leximin e Rugovës, teksti i Bogdanit ringjallet, për ta provuar Bogdanin bashkëkohës. Këtë e mundëson jo vetëm metoda e kërkimit, por, në radhë të parë, moderniteti i veprës klasike të Bogdanit, universalieti i çështjeve që shtrohen e zgjidhen, në rrugën e përjetshme të zgjidhjeve të hapura.
Rugova ndjek e interpreton Bogdanin në tri pika/nyja themelore: Praktika filozofike, Praktika teorike-letrare e Praktika poetike. Që të tri fushat janë pjesë të një sistemi; që të tri fushat provojnë të vërtetat e njëjta në trajta të ndryshme, ndaj nuk vihen në shërbim të njëra-tjetrës, por në shërbim të sistemit të argumentimit të së vërtetave që kërkon e plason Bogdani.
Bogdani unversal, ndaj bashkëkohës, është autori që do Rugova; derisa e di që edhe Bogdani e do atë, i ngjan atij. Duket paradoksale, por jo edhe për adhuruesit e H. L. Borhesit, të cilët e dinë që gjyshërit u ngjajnë nipërve dhe jeta letërsisë. Për të dalë nga figura, ky koncept u referohet çështjeve e temave universale, tejkohësia e të cilave bën që të vijnë para e prapa, më saktësisht t’i nënshtrohen principit/procesit të fotologjisë derridiane. Është ky proces që temat e Bogdanit i nxjerr nga skolastika dhe i rihap për ne ndryshe dhe si tema të ndryshuara, të transformuara. Diskursi i Bogdani prodhon dhe jeton në diskurset që vijnë prapa.
Për nga manifestimi formal i kërkimit të së vërtetave, vepra e Bogdanit analizohet si manifsstim i sistemit argumentues të retorikës së Mesjetës.
Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983 (1986) është një tipologji teorike/historike e kritikës shqipe; jep një dimension të metapoetikës historike shqipe. Siç e shenjon edhe vetë titulli i librit, Rugova kërkon orientimet (kahe) themelore dhe pikënisjet (premisa) teorike të kritikës shqipe. Në këtë ecje, teoria e kritikës është kthyer në praktikë kërkimi. Rugova bashkon teorinë e historinë e kritikës, për të studiuar kahet e premisat në kohë, në principin e poetikës historike.
Diskursi i Rugovës te ky libër është sistematizues. Ai së pari paraqet, pastaj përshkruan, më tej karakterizon e komenton, së fundi vlerëson. Në secilin nivel diskursiv, Kahe dhe premisa… është libër sistematizues.
Kërkimi shoqërohet nga një Bibliografi me komente. Edhe në këtë nivel, Rugova paraqet e karakterizon. Bibliografia bëhet një tip ilustrimi/argumentimi i kërkimit, i rezultateve, në fillin e përhershëm argumentues të tekstit të Rugovës.


2. Rugova militans
(Retorika e shoqërimit)

Mendimi dhe Veprimi janë dy nyjat e jetës së Rugovës. Edhe pse në fushë pragamatike, Rugova, së pari, është politikan meditans; ai është prijës, pra krijues, ideolog. Siç krijoi një model kulturor, Rugova krijoi një model politik, me parabazë humanitetin e thellë, fillin nacional të ideve dhe me kërkesë-bosht pavarësinë e Kosovës. Mendimtari Rugova, tash ideologu Rugova, ndërton e fuqizon diskursin veprues: fjala projektuese/përcaktuese e veprimit, fjala si veprim. (Vetiu, ky diskurs prodhon veprimin.) Rugova krijoi e zhvilloi diskursin për Shtetin/Republikën e Kosovës dhe ky diskurs bëri Shtetin/Republikën e Kosovës në dekadën e fundit të shek. XX. Jeta politike e Rugovës identifikohet me diskursin projektues (ideologjia) e me veprimin politik (pragmatika).
Kapërcimi nga Poetika te Politika, është kapërcim nga fusha e ideve te veprimi. Ndërmjet tyre prerja është e ashpër. Rugova ka relativizuar këtë prerje, jo duke e vënë njërën fushë në shërbim të tjetrës, por duke zbutur e përqendruar diskursin e të dytës (Politika) në shembullin e të parës (Poetika). Kështu, modeli politik, sjellja politike, komunikimi politik i Rugovës, ka rrënjët te sjellja e te komunikimi kulturor. Të rikujtojmë edhe një të dhënë: Rugova u bë prijës, duke qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Ideologjia rugoviane ka shenjën e filozofisë rugoviane të lirisë e të shtetit.
Kush s’e kujton diskursin e tij, fjalinë e përqendruar, pothuajse formulative, mendimin e hapur? Secili ka jetuar retorikën e tij të shoqërimit, secili ka parë veten të gjallë në atë retorikë, secili ka folur me gojën e Rugovës, sepse ai ka folur me gojën e secilit. Krejt e pritshme, meqë Rugova kurrë s’e njohu retorikën si bindje, as si përjashtim, por bindjen (e nënkuptuar, marrëveshjen, kontratën, bashkëfajësinë retorike, besimin e përbashkët) si retorikë.
Diskursi politik i Rugovës është karakterizues, substancial dhe asnjëherë përjashtues. Këto veti ruajti ai pavarësisht rrethanës, edhe atëherë kur Kosova u shty në zgripc të ekzistencës. Rugova mundi egërsinë me maturinë e butësinë e tij; përjashtimin me natyrën e hapur, me projektin e diskursin që bashkojnë.
Krejt e pritshme: Ai ishte Krijuesi e Prijësi Krijues…


3. Vepra e trashëgimia

Diskursi i Rugovës, me amëz çështjet që shtron e zgjidh, tashmë po kalon në diskurs-prodhues intensiv. Diskurset e tilla shpejt bëhen klasike dhe gjithnjë mbeten moderne, duke u shtrirë në diskurse të tjera, në rrjetin që prodhojnë vetë.
Diskurset e tilla kanë karakter determinues, krijojnë traditën në principin e vlerësisë.
Vepra letrare e Rugovës është mbyllur; procesi, që ka burim këtë vepër, është i hapur, i gjallë.
Ne, sot, këtu, vetëm sa po provojmë këtë, duke hyrë me mall në rrjetin rugovian të diskursit, të frymës e të dijes.
Kur kohën tonë kam quajtur Shekull të Ibrahim Rugovës, kam pasur parasysh një empiri e një projeksion. Kjo figurë, e lexuar si Empiri, thotë: I. Rugova është shenja identifikuese e shekullit të Kosovës, njeriu që ndërtoi një model kulturor, figura më e madhe e historisë së re të Kosovës, ikona e saj. Ndërsa, projeksioni merr krahët e ëndrrës: Të jetojmë sa më gjatë në Shekullin e Ibrahim Rugovës, për të qenë vetja, të vetes. Rugova këtë do ta quante Vlerësi.


Prishtinë,
janar 2007
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2012 — Prishtinë, Kosovë
Mundësuar nga VEVI Networks