Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Kundërshtim ndaj dyfishimit të vendimit për statutin e Kosovafilmit

Shkruan: Gani Mehmetaj

Komisioni Punues për caktimin e Statutit të ardhshëm të Kosovafilmit, formuar nga Abdurrahman Zhubi U.D. i Sekretarit të Përhershëm dhe drejtor i AQ së përpiloi një vendim, sipas të cilit Kosovafilmi organizohet dhe definohet si njësi në kuadër të Qendrës për Kinematografi, hiqet atributi i shtëpisë prodhuese filmike dhe i distribucionit; një punëtori i ndërrohet vendi i punës pa paralajmërim dhe dy punëtor pushohen nga puna pa vendim dhe pa arsyetim. Vendimi sipas drejtorit të Zyrës Ligjore, Ejup Bytyçit nuk ka kaluar nëpër këtë Zyrë.
Vendimi ka shumë lëshime prandaj Kosovafilmi, shtëpia për prodhimin, distribuimin dhe shfaqjen e filmave e kundërshton për këto arsye:
E para Statuti i Kosovafilmit është rregulluar me vendim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me 2004, në mbështetje të Ligjin për Kinematografinë (ia bashkangjesim vendimin e ministrisë për statutin e Kosovafilmit).
E dyta, Ligji për Kinematografinë e Kosovës nuk e parashikon shuarjen e Kosovafilmit, përkatësisht humbjen e funksionit kryesor: prodhimit, distribuimit dhe shfaqjes së filmave. Por në ligj thuhet se statuti i Kosovafilmit rregullohet me një akt të veçantë të Ministrisë.
Në bazë të vendimit të ri, të lëshuar me 23 mars 2007, Kosovafilmit i hiqet cilësia e prodhuesit dhe distribuesit dhe shndërrohet në një lloj arkivi "depoje në kuadër të Qendrës Kinematografike. Nga ky akt nuk mund të nxirret ndonjë konkludim i arsyeshëm. Pse një akt i tillë është i drejtë e produktiv, apo ku është përfitimi nga ky akt" Porse janë të qarta humbjet. Kosovafilmit i hiqet funksioni i prodhimit, çfarë është esenca e këtij institucioni, dhe funksioni i distribucionit dhe shfaqjes. Është i njohur historiati i Kosovafilmit si kompani prodhuese. Poashtu, Kosovafilmi ka qenë kompani distribuese me licencë ndërkombëtare. Akti që e privon Kosovafilmin nga këto dy funksione është i pakuptimtë, sepse zhduk një varg aktivitetesh kulturore dhe komerciale, dhe nga ana tjetër, parimisht nuk përfitohet dhe nuk kursehet asgjë. Në rastin e funksionit të produksionit, Kosovafilmi nuk ka pse të privohet nga prodhimi i filmave, sepse ky është funksioni primar, dhe më këtë i ndalohet veprimtaria kulturore dhe profitabile, mundësia e përfitimeve të kooproduksioneve, fondeve të huaja dhe prodhimit të filmit. Askujt nuk duhet t'i prish punë nëse Kosovafilmi është kompani e barabartë me kompanitë private dhe të konkurrojë me projekte, si në fondet e buxhetit të Kosovës, po ashtu edhe në fondet e huaja. Dhe bazuar edhe në periudhën e pasluftës, deri në ditët e sotme, Kosovafilmi në çdo aspekt është treguar më e suksesshme se kompanitë private në prodhimin e filmit. Atëherë, sërish pyetja, përse të mos jetë më Kosovafilmi kompani prodhuese e filmit.
Në rastin e funksionit të distributorit, nuk ka pse të ndërprehet distribuimi i filmave të vjetër dhe filmit "Kukumi", të cilët filma tërë kohën gjinden nëpër revy të ndryshme në Evropë dhe së fundi ka edhe oferta për blerjen e tërë paketit të filmave për shfaqje në televizion. Po ashtu, Kosovafilmi edhe sot njihet në qarqet e distributorëve botëror si logo dhe kompani distribuese dhe si produksion.
E treta, edhe sikur të mos kishte vendim për statutin e Kosovafilmit, Kosovafilmi nuk mund të bëhet njësi e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe as e ndonjë institucioni, sepse Kosovafilmi është pronare e objektit prej 3500 metrash katrore në Dragodan, Film City, që e shfrytëzon komanda Qendrore e KFOR it dhe të katër hektarëve park. Kosovafilmi është po ashtu pronare e ish selisë së LDK së në Prishtinë, përkatësisht tash memorialit "Ibrahim Rugova". Gjithashtu, është pronare e dhjetëra filmave artistikë, dokumentarë dhe të animuar. Për të gjitha këto prona e kemi dokumentacionin, që e kemi dorëzuar edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, prandaj nuk ka të drejtë që pronën ta tjetërsojë dhe as t'ia bartë QKK së apo dikujt tjetër me asnjë dekret a vendim.
E katërta, është e pashembullt që Qendra Kinematografike të bëhet bartëse e pronës, sepse QKK ja është vetëm zyre për stimulimin e kinematografisë, pra ndërmjetëse për dhënien e mjeteve për projekte. As në ligjin për Kinematografinë, të aprovuar në Kuvendin e Kosovës me 08.07. 2004 në asnjë nen nuk parashikohet që prona e Kosovafilmit t'i jipet QKK së. Çfarë do të ndodhë me këtë pronë, çfarë do të ndodhë me shiritat dhe kamerat dhe pjesën tjetër të teknikës që janë në Beograd dhe presin momentin e duhur që të kthehen? Kur të zhduket bartësi i pronës, zhduket edhe prona.
E pesta, në vendimin e ri dy punëtorë të Kosovafilmit Nexhmi Stublla dhe Miftar Balidemaj, punëtorë shumëvjeçarë në Kosovafilm, nuk përmenden fare. Si është fati i tyre? A do të ketë një vendim dhe një arsyetim lidhur me largimin e tyre nga puna dhe a do të transferohen në ndonjë vend tjetër? Ata kërkojnë një sqarim, sepse atë sqarim e kërkuan edhe nga unë.

(Autori është drejtori i Kosovafilmit)
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks