Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Lufta kundër keqpërdorimeve

Shkruan: Avdulla BYTYQI


Kur para një viti, dy punëtorë të MSHP-së suspendoheshin nga puna, për shkak të keqpërdorimeve në institucionin ku punonin, disa medie të shkruara dhe elektronike merrnin në mbrojtje këta punëtorë, duke vërsulur kritika ndaj MSHP-së, dhe ndaj vetë Ministres Tërmkolli. Kritikat e tilla bëheshin duke vënë në fokus se MSHP-ja, kinse largonte këta punëtorë vetëm se i takonin ndonjë partie politike( në këtë rast opozitare) dhe akuzonin Ministrinë dhe Ministren, për kinse spastrim partiak.
Vetëm një vit e ca, këta dy ish punëtorë të suspenduar të MSHP-së janë vënë nën pranga, me akuza shumë të rënda deri në terrorizëm, në aktin e njohur kundër shefit të ART-së, Anton Berisha. Ajo që më ra në sy, ishte shkathtësia e një gazetare të re të një gazete relativisht të re në Kosovë, e cila publikoi emrin e Artan Nimanit dhe të Fadil Osmanit, në ditën kur ishin arrestuar këta dy ish punëtorë të MSHP-së.
Është e kuptueshme zelli i medieve për të marrë në mbrojtje punëtorët e larguar nga puna, si “ viktimë të politikës”, nëse ka raste të tilla, por nuk është e kuptueshme kur ata merren në mbrojtje edhe pasi ata janë larguar nga puna për shkak të keqpërdorimeve që kanë bërë në institucionin ku kanë punuar. E raste të tilla të largimit të punëtorëve nga MSHP-ja ka pasur mjaft, siç ka pasur edhe akuza të medieve kundër Ministrisë për spastrim partiak. Për fat të keq, kemi raste edhe më eklatante kur punëtorët e larguar nga puna në MSHP, për keqpërdorime janë punësuar në institucionet tjera të Kosovës e edhe më keq në Ekipin Negociator të Kosovës, e që mediet nuk janë marrë fare me këto raste.
Po nisemi nga motivi i parë, ai i “spastrimit partiak”, të cilin asokohe shumë nga mediet e përmendin si faktin kryesor. Cilës parti të Kosovës i duhen njerëzit e tillë, të cilët keqpërdorin detyrën zyrtare, e në rastin më të rëndë akuzohen edhe për terrorizëm, si ky i fundit me Artan Nimanin dhe Fadil Osmanit?. A i duhen njerëzit e tillë shërbimit civil apo edhe politikës?. Është fakt i njohur se këta dy ish punëtorë të MSHP-së janë zyrtarë të PDK-së, parti opozitare në Kosovë, njëri nga të cilët, madje merrej edhe me do farë analiza se kush nga udhëheqësit në Kosovë janë më të respektuar nga populli e kush jo.
Nëse këta ish punëtorë identifikoheshin me një parti politike dhe punonin në shërbimin civil, do të duhej të ishte temë për media, se si është e mundur që në shërbimin civil të Kosovës i ka futur hundët aq thellë politika. Do të duhej të shtrohej pyetja se si janë punësuar këta punëtorë në shërbimin civil të Kosovës dhe pse po i takuakan një partie politike. Për fat të keq, raste të tilla, ku politika ka futur kryet thellë në shërbimin civil të Kosovës ka mjaft e në fakt nuk do të duhej të kishte fare, nëse dëshirojmë të kemi një administratë moderne dhe të ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare.
Fundja, në shërbimin civil, duhet të punojnë vetëm njerëzit të cilët nuk janë të ndikuar nga politika, nuk bëjnë propagandë partiake në vendin e punës dhe nuk janë aktivisht të lidhur me ndonjë parti politike. E drejta e tyre është se ata mund të jenë anëtarë të ndonjë partie politike dhe mund të kenë preferencat e tyre partiake, si kudo tjetër në botë.
Po kthehemi te ajo kryesorja se si mund të luftohet dhe parandalohet krimi në një shoqëri, si kjo e Kosovës, kur pakkush merret seriozisht me të.
Nëse dikush merr guximin ta luftojë atë, të tjerët dalin që ta mbrojnë dhe të vjen keq kur në këtë rast janë mediet ato të cilat luajnë një rol. Roli i tyre, në fakt, duhej të ishte kritik dhe të mos ketë pardon ndaj keqpërdoruesve. Në një shoqëri të lirë, është shumë e rëndësishme të kemi një shtyp të lirë, i cili bazohet në fakte dhe të dhëna të sakta dhe që është kritik ndaj fenomeneve negative në shoqëri, kudo që ndodhin ato.
Në kohën kur ndodhnin këto largime kësodore dhe suspendime nga puna, një vit e më tepër, shumë nga mediet, për fat të keq, as që mundoheshin të merrnin ndonjë prononcim zyrtar në MSHP. Ata ato as nuk shtronin pyetjen cilat ishin shkaqet që personat e tillë nuk mund të ishin më punëtorë të shërbimit civil të Kosovës, por ngarendnin për t’i mbuluar lajmet me kronika dhe për të botuar shkrime sensacionale, kundër MSHP-së dhe udhëheqëses së saj.
Nuk mund të luftohet krimi e as keqpërdorimet nëse dikush lufton e tjetri mbron.
Gjesti më i vogël do të ishte një kërkim falje për MSHP-në dhe Ministren, jo për të nderuar por vetë etikën e medieve.

(Autori është zëdhënës i MSHP-së)

.

Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks