Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Qasje e gabuar që shkel një varg të ligjeve

Shkruan: Hasan Zekaj

Në muajt e fundit u fol e u përfol shumë për Kosovafilmin. Kosovafilmi ishte një organizatë për prodhimin, distribuimin dhe shfaqjen e filmave në Kosovë. Kjo organizatë edhe me ligj trajtohej si institucion i rëndësisë se veçantë kulturore, përkatësisht kinematografike kosovare. Në Ligjin për Kinematografinë të vitit 2004, për shkak të disa “presioneve” të themi “interesash të ngushta” Kosovafilmit, në tekstin final të miratuar në Kuvendin e Kosovës, iu kushtua vetëm Kreu VIII dhe Kreu i IX , me gjithsej 4 nene e me 15 paragrafe.
Në Kreun e VIII, në nenin 51 thuhet: “Organizimi dhe funksionimi i Kosova Filmit përcaktohet me një akt të veçantë, nga Ministria për Kulturë”. Ç’është e vërteta ky tekst nuk prejudikon statusin e kësaj shtëpie të mirënjohur filmike, por në asnjë variantë nuk nënkupton shuarjen e tij si institucion.
Në Kreun e IX, parashihet Kinoteka neni 52, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e saj, por të njejtat nuk parashihen me Kosovafilmin.
Me Vendimin e MKRS, neni 51 nuk respektohet, me fjalë tjera nuk zbatohet ashtu si duhet, sepse ky nen do te thotë të caktohet statusi i Kosovafilmit e jo të shndërrohet/zbritet prej një institucioni me interes të veçantë sociokulturor në, “njësi” të padefinuar të QKK. Kosova filmi është themeluar në v.1969, ndërsa në vitet e shtatëdhjeta është ngritë më Ligj mbi themelimin e Organizatës për prodhimin, distribuimin dhe shfaqjen e filmave “Kosovafilmi”. Kosovafilmi kishte depërtuar si emër në shumë festivale evropiane e botërore. Kosovafilmi deri ne vitin 1990, ka (bashkë)prodhuar rreth 45 filma artistik, filma dokumentar, filma të porositur ose edhe filma televiziv. Kjo shtëpi filmike kishte marrë fizionomi të një shtëpie dinjitoze filmike të njohur të kinematografisë në përgjithësi, ndërsa me emrat e mirënjohur siç ishin Abdurrahman Shala, Azem Shkreli e shumë të tjerë e ndriçojnë edhe me shumë këtë institucion.
Ligji i vitit 2004 e rregullon çështjen e Kosova filmit që të “organizohet dhe funksionalizohet me një akt të veçantë”.Vendimi i fundit i MK, për shëndrrimin e Kosovafilmit në njësi të QKK ka çasje të gabuar dhe përfundimisht injorues e tjetërsues .
1) Në preambullë përmendët Komisioni punues, i cili ka propozuar zgjedhje, por, në hartimin e tij nuk kanë marrë pjesë ekspertet e administrates e as punonjësit e Kosovafilmit ose të QKK si edhe as kineastet;
2) Vendimi thirret ne nenet 51 e 52, ndërsa nenet 53 e 54, me 11 paragrafe, nuk përmenden, thua se nuk përkojnë me këtë veprimtari.
3) Nuk është”organizuar as funksionalizuar Kosova filmi”siç kërkon neni 51, por praktikisht “rregullohet” në tërësinë e kinotekës. Këtë kompetencë Kosovafilmi e kishte edhe me parë, derisa tani zhvishet nga te drejtat tjera parësore siç janë prodhimi (distribuimi e shfaqja).
4) Habitë fakti kur ne të njejtin vendim statusor juridik/administrativ edhe punonjesit sistemohen, pa përfillur procedurat.
Gjithashtu mendoj se është bërë zgjedhja e keqe statusore e institucionit kinematografik - Kosovafilmit, për keto arsye:
a) Nuk është zbatuar neni 51 i LK ose është interpretuar gabimisht, mbase, interpretimin mund ta bëjë vetëm ai që ka nxjerre Ligjin, në këtë rast Kuvendi i Kosovës;
b) MK si hartues kishte paraparë që Kosovafilmi të mbetet, të ruhet Organizatë e mvetsishme për P.D.Sh. e filmave, bashkë me Kinoteken, në Kosovë, ngase kishte një identitet dhe historik të fuqishem, bashkë me institucionet dhe kulturën tone në përgjithësi;
c) Gjatë hartimit te Ligjit kishte ide që QKK të quhet QKK “Kosovafilmi”
d) Mendoj se Vendimi është shtruar joprofesionalisht e gabueshëm, artistikisht i dëmshëm, sepse “shkrirja” në një organizatë me trashëgimi (përvojë, histori, pasuri materiale etj.) me identitetit të afirmuar ne vend, rajon e Evropë, derisa shumë energji, dije e para janë hargjuar për të ngritë atë ;
e) Po ashtu, janë ngatërruar fushë veprimtaria dhe personeli.
f) Nuk është konsultur as Ligji per Institucionet e Kulturës (Ndryshimet statusore, Bashkimi i institucioneve, pjesa për shuarjen e institucionit), ku parashihen qartë rrethanat. Dua t’i përmend disa prej tyre:
Për të qenë në nivel të detyrës zyrtare Ligji duhet zbatuar saktësisht ose nuk duhet të zbatohet fare. Zbatimi i gabueshëm çon në drejtim të gabueshëm dhe në dëm të politikave zhvillimore, të përkrahjes institucionale dhe respektimit të standardeve evropiane. “Vendimi për ndërimet statusore i merr themeluesi i institucionit” (neni 61.2.), në rastin tonë Kuvendi i Kosovës;
2) Institucionet me pelqimin e themeluesit, mund të bashkohen në bashkësi të institucioneve” (neni 62.1);
3) “Veprimtaria e institucionit ndërpritet përkatësisht pushon se vepruari” (neni 64) : me vendim të plotëfuqishem; me vendim te themeluesit etj.
Në fund mendoj se ligjin dhe ligjet duhet të zbatohen përpikmërisht, në rast të paqartësisë interpretimin duhet kërkuar nga ligjdhënësi. Në rast të pamundësisë së zbatimit të Ligjit, kështu si është, duhet kërkuar ndryshimin dhe plotësimin e tij.

(Autori është zyrtar i lartë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve)
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks