|
|
Shembull që duhet ndjekur
Shkruan: Ndue Ukaj
Duke e kuptuar përmasën e thellë të fjalëve dhe mesazheve të mëdha të Shenjtëreshës dhe nobelistës me famë botërore, Nënës sonë Tereze, se jeta është një sfidë, të cilën duhet sfiduar në variante e forma të ndryshme, Shoqata Humanitare Bamirëse "Nëna Terezë", ashtu siç ka vepruar tashmë dy dekada me punë të pashembullt, duke sfiduar mizorinë dhe fenomenin më rrënues të shoqërisë, varfërinë, sipas modelit dhe trashëgimisë së Nënës Tereze, do thoshim me përkushtim e dashuri tereziana, pastaj me solidaritet e bamirësi, për dy dekada të rënda për Kosovën, ka demonstruar parimet e vlerat universale të dashurisë, duke aplikuar shembullin e madh e të jashtëzakonshëm se: "Secili nga ne, si një pikë uji duhet të jap kontributin e vet në mirësi, miqësi e paqe. Vetëm atëherë do e formojmë oqeanin e lumturisë". (Nana Terezë). Organizimi i një mbrëmje humanitare, në natën e katër qershorit, për të ndihmuar të varfrit e Kosovës, këtë kategori që për shkak të halleve të mëdha që ka Kosova, ka mbetur në mëshirën e fatit, është një shembull tipik që tregon forcën dhe guximin që ka populli ynë dhe shoqëria jonë për të mëkëmbur vetën dhe për të ecur e lirë në botën e madhe të vlerave universale. Andaj, kjo është një iniciativë e dashurisë dhe mirëqenës, që duhet përkrahur pa asnjë rezervë. Për të duhet shkruar e duhet komentuar, që të mbysim anën e errtë të lajmeve dhe kronikave negative, analizave dhe prognozave skeptike.
Në kohën kur të pakta janë lajmet, komentet, iniciativat, lëvizjet në këso drejtime, në Kosovën e dremitur nga lodhja e pritjes për të zgjedhur statusin e saj, përmes kësaj organizate dhe emrit të madh që mban ajo, na bëhet nder gjithë shqiptarëve dhe po të jemi më koshient në raport me fenomenin Nënë Tereza dhe filozofinë e saj, na hapën apo shkurtohen rrugët drejtë integrimit në vlerat e qytetarisë dhe perspektivës.
Shoqëria kosovare dhe populli shqiptar përgjithësisht, në këso momente delikate dhe vendimtare, duhet të demonstroj kulturën e dialogut për të mirat e përbashkëta, këtë sistem vlerash, ku gjithë duhet kontribuojmë dhe nga të cilat vlera, gjithë duhet trashëgojmë, për të ndërtuar një të ardhme ndryshe nga që kemi pasur gjerë më tash. E në këtë konteskt, një shembull me rëndësi paraqet organizata "Nëna Tereze" dhe veprimtarët e saj.
Organizimi i kësaj ngjarje, me kontribute të madh të grupeve të shumta të shoqërisë, nga institucionet, njerëzit e artit e kulturës, është një sekuencë e vogël, por e rëndësishme për nga përmbajtja, pikërisht në kohën kur në Kosovën e dremitur nga politika, pakkush ose askush nuk mendon për këto kategori të deprimuara nga jeta normale-paraqet dhe manifeston kulturën shtetëformuese të popullit të Kosovës.
Kosova sot gjendet në sfondin e numërimit të ditëve të fundit për të sendërtuar kauzën e kamotshme, për liri, demokraci dhe shtetëformim. Ky ideal është shoqëruar me dramcitete të shumta, në të cilën akter të ndryshëm kanë dhënë kontribute, për të ecur drejtë dhe patrembur. Në këtë sens, duhet potencuar kontributi i jashtëzakonshëm i Shoqatës "Nëna Terezë" që ka mundësuar krijimin e një sistemi të fuqishëm paralel në disa segmente me rëndësi: shëndetësi, kulturë, mirëbërsi. Kjo organizatë ishte një forcë shtytëse për të përballuar, për, po thuajse dhjetë vite, një aparat të çmendur politikë që ushtronte Serbia ndaj Kosovës. Ndërsa sot kur po mëkembemi dhe po vëmë konturat e shtetit të ardhshëm të Kosovës, me punën e pashembullt dhe të devotshme po bëhet oguri më i mirë i pavarësisë dhe vizioneve për të ardhme të ndritur për Kosovën. Prandaj është e nevojshme, pa asnjë hezitim që segmentet me rëndësi shoqërore, institucionet, mediat dhe shoqëria civile, njerëzit e penës, kulturës e të biznesit, të ndihmojnë dhe subvencionojnë këto nisma. Mbrëmja humanitare e organizuar në RTK duhet mbështetur, përgëzuar e përkrahur pa rezervë, sepse paraqet modelin më të mirë për të ndërtuar një kulturë të bashkëpunimit, të solidaritetit drejtë eliminimit të veseve dhe shpirtngushtësisë sonë, në mënyrë që të ndërtojmë shtetin e mirëqenies së përgjithshme. Në këtë formë, do të ndërtohet qytetërimi i dashurisë, siç shprehet i dijetari i madh Don Lush Gjergji dhe njeriu i palodhshëm për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj, sipas modelit që na ka lënë trashëgimi kultura dhe mirëbërsia e Nënës sonë Tereze. Madje në këtë formë i tregojmë botës vlerat dhe virtytet tona të lashta, prej ku e ka burimin civilizimi i madh perëndimor, për t'ia shkundur njëherit "hamendjet" për të përkrahur Kosovën.
Pamjet e shumta që paraqiste dokumentari ishin rrënqethëse, por edhe ngazëllimi dhe solidariteti i përgjithshëm lente shpresa se kultura dhe qytetërimi i dashurisë, është mishëruar apo po rritet vazhdimisht tek pasardhësit e Nënë Terezës, të cilët akumulojnë forcat për të ndërtuar Kosovën e re dhe në të, jetën e re.
Motoja e së madhes Nanë Tereza: "Vetëm dashuria mund ta shpëtoj botën", jo vetëm që grish për të ndihmuar të vuajturit që gjenden më mjerimin e skajshëm, pa fajin e tyre, por duhet të jetë një trokitje në ndërgjegjen kombëtare për një përbashkim edhe më të madh në këso aktivitet.
|
|
|