|
|
Rendi i ri botëror apo fundi i OKB së?
Shkruan: Edita Kuçi Ukaj
Paaftësia, apo në rastin më të thjeshtë, divergjencat thelbësore në Këshillin e Sigurimit për të zgjidhur drejt çështjen e Kosovës, shtrojnë edhe njëherë pyetjen e dilemën: cili është roli i këtij mekanizmi dhe a është i aftë Këshilli i Sigurimit të kryejë misionin e tij, apo në rastin tjetër, afërmendsh, a ndjehet fundi i OKB së?
Teoricienë dhe filozofë të ndryshëm që janë marrë me marrëdhëniet ndërkombëtare kanë theksuar nevojën për të patur një fuqi që ruan rendin botëror. Së këndejmi, nevoja për të patur një mekanizëm global për sigurinë, rendin dhe zgjidhjen e konflikteve eventuale, asaj që Hobsi do t'i thoshte një polici ndërkombëtar, është ndjerë kaherë dhe për të është punuar shumë. Në shekullin që lamë pas, kemi pasur disa tentativa. Pra është e qartë se nevoja e ekzistimit të një organizimi politike në nivel ndërkombëtar, ka arsyetuar formimin e OKB së dhe misionit të saj, që do të përkujdesej për sigurinë dhe rendin global. Sidomos kjo çështje është theksuar pas dy luftërave botërore me përmasa shkatërruese. Andaj, pas këtyre dy luftërave formimi i një organizimi mbishtetor dhe mbikombëtar u pa si diçka e domosdoshme. Kështu, Kombet e Bashkuara i krijuan me 1945. Arsyet ishin të shumta, ndërsa pika qendrore që i lidhte shtet, si ato superfuqi, po ashtu ato të vogla, lidhej me vendimin për të mos patur luftëra të përmasave botërore. Madje, Lufta e Dytë Botërore, u pa si një rast i mirë që bota të merr mësim. Që këndej roli i Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit, edhe përkundër aspekteve pozitive dhe ndërhyrjeve eventuale për të ndaluar ndonjë konflikt, nga prizmi teorik e analitik, shihet me shumë skepticizëm, sepse të shumtën e herëve ka dështuar. Menjëherë pas Luftës së dytë botërore, bota u nda në dy ideologji kundërshtuese, mes Komunizmit dhe Perëndimit (kapitalizmit). Në shumë raste të mirënjohura, Këshilli i Sigurimit nuk arriti të ndikojë në parandalimin e ndonjë konflikti apo lufte, sidomos Këshilli i Sigurimit me dy anëtarët e përhershëm ish Bashkimin Sovjetik dhe Kinën që çdo herë kanë kundërshtuar idetë, nismat perëndimore, madje nganjëherë vetëm e vetëm pse duhet kundërshtuar. Këto divergjenca te thella në pikëpamje, që kanë përcjellë këtë institucion të madh botëror, kanë penguar që të marrë kjo organizatë ndonjëherë ndonjë vendim të rëndësishëm që ia vlen të mbahet mend. Pas rënies se bllokut sovjetik si dhe komunizmit, në marrëdhëniet ndërkombëtare u mendua se tashmë ishte koha që të funksionalizohej Këshilli i Sigurimit, duke shpresuar në një rend të ri botëror, ku OKB do të mund të luante rol të fuqishëm në botë, sidomos në parandalimin e konflikteve, zgjedhjen e tyre, etj. Por, luftërat e fundit në Ballkan dëshmuan sheshazi se OKB është me tepër një institucion sa për të qenë, ku bëhen retorika dhe ku merren pak vendime të drejta. Ndodhën shumë gjakderdhje në Somali, Ruand, Kroaci, Bosnje, Kosovë dhe së fundi në Irak dhe OKB asnjëherë nuk arriti të ndikojë për të ndaluar apo zgjidhur një konflikt. Këshilli i Sigurimit dhe vetoja e disa shteteve mundësuan që të zhvilloheshin disa luftëra. Ndonëse për të dëshmuar burokracinë dhe moralin e dyfishtë, për shembull në rastin e Kosovës, vetëm pas përfundimit të bombardimeve të NATO së i japin mandatin asaj në mënyrë që të shfrytëzojnë pasluftën për të instaluar administratë politike në Kosovë. Por, OKB, si dhe KS ishte kundër intervenimit në Kosovë. Si pasojë e kësaj, edhe sot e gjithë ditën shumë procese në Kosovë janë sabotuar, penguar dhe kanë marr kahe jo aq të dëshirueshme. Kjo gjë u vërejt sidomos këto muajt e fundit me lojën e pafund që bëhet me fatin e një rezolute për të definuar statusin e ardhshëm politik të saj. Sidomos kjo bëhet më absurde, nga fakti se në këtë proces që tashmë ka një histori, Këshill i Sigurimit ka pasur përfaqësuesin e saj që ka paraqitur një projekt.
Për të kuptuar se OKB nuk funksionon në misionin e saj, mund të përmendim edhe rastin e Irakut. Ata e kanë ditur rrezikun e diktaturës, kanë qenë në dijeni për vrasjet e panumërta që ka bërë diktatori i tyre dhe asnjëherë nuk arritën konsensus elementar për të parandaluar atë. Nga ky pozicion në opinionin e gjerë politik anekënd, tashmë ka zëra që thonë se OKB nuk funksionon, ai ka dështuar dhe do të dështojë në çdo konflikt. Së këndejmi disa shohin një super OKB tek G8, apo në rastin e Kosovës të Grupi i Kontaktit.
Procesi politikë rreth Kosovës ka hyrë në fazën me delikate dhe atë falë vetëm institucionit, i cili është dashur të rregullojë këtë çështje, që është angazhuar në këtë çështje dhe që ka shpenzuar aq shumë për këtë çështje. Kjo tashmë nuk ndodh, ndërsa në lojë do të hyjë varianti tjetër, ai i zëvendësimit të institucionit të OKB së nga fuqitë demokratike, që edhe në të kaluarën e kanë shpëtuar Kosovën nga kthetrat millosheviciane.
Edhe tash kur në Këshillin e Sigurim kanë qarkulluar disa rezoluta, gjasat që ky institucion të kryejë misionin në përkim me atë për të cilin është ngarkuar, duken minimale. Mbetën rrugët e tjera, sikur në raste të shumta. Është SHBA ajo që luan këtë rol dhe kryen këtë mision në partneritet me Unionin Europian.
(Autorja është analiste në drejtimin e shkencave për paqe dhe konflikte në Malme të Suedisë)
|
|
|