|
|
Për një Kongresi Kombëtar
Shkruan: Dr. Korab R. Sejdiu
Unifikimi thonë bën forcën. Shqiptarët gjatë historisë së tyre e panë një unifikim total vetëm në kohën e Skënderbeut, që për këtë arsye përballoi stuhitë osmane për një çerek shekulli. Suksesi i Skënderbeut flet për vetveten. Përveç gjatë asaj kohe, shqiptarët shpesh kanë humbur sepse nuk kanë qenë të gatshëm të abdikojnë fuqinë personale për një të mirë të popullit. Shembujt janë tepër të shumtë për t'i numëruar, duke filluar nga kohët ilire e deri më së voni me degëzimin e LDK së. Prandaj edhe kemi qenë të ndarë me shekuj në një shoqëri fisnore apo klanore, e jo të bashkuar si një komb - për atë edhe kemi qenë të shtypur. Falë asaj, sot jetojmë të ndarë në gjashtë shtete a jo nën një kulm.
E them atë që të tregoj se tash është koha më e rëndësishme që interesat personale të lihen prapa dhe të mendohet në aspektin makro dhe afatgjatë. Kombi ynë ka nevojë jetike për unitet kombëtar që të konservon këtë pak territor që na ka mbetur. Falë gabimeve trashanike, sot gjendemi pranë edhe një humbjeje tjetër territoriale. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se negociatorët tanë kanë gabuar që nga fillimi. Pavarësia e Kosovës është dashtë të jetë një koncesion, e jo kërkesë e parë - është dashtë të jetë mesi ku takohen dy palët, e jo pozita fillestare e palës sonë. Për këtë arsye, sot në prag të negociatave të reja 120 ditëshe po flitet për ndarjen e Kosovës si koncesion, realitet të cilin negociatorët tanë nuk po e kuptojnë. Është e mundur që këta zëra të bëhen edhe më të fuqishëm gjatë negociatave të 120 ditëve të ardhshme. Ne nuk guxojmë ta pranojmë një gjë të tillë për hir të bashkëpunimit me ndërkombëtarët dhe gjetjes së një zgjidhje të shpejtë.
Që të kundërvihet çdo zgjidhjeje që përbën copëtimin e Kosovës dhe të na kthehet sado pak fuqia negociuese, është paraqitur nevoja që të mbahet një Kongres Kombëtar që do të mbledhë reprezentuesit e shqiptarëve nga të gjitha trojet. Ky nuk do të ishte Kongres për shpalljen e unifikimit të Shqipërisë etnike. Larg asaj! Qëllimi i tij do të ishte që t'i tregojë botës, e sidomos Europës, se shqiptarët për herë të parë do t'i vendosin interesat kombëtare para interesave personale. Ky Kongres do të tregojë se mbrojtja e territoreve dhe kombit tonë ka më tepër rëndësi për ne sesa bashkëpunimi me të huajt, anëtarësimi në NATO dhe BE, apo investimet e huaja. Në fakt, ky do të jetë një Kongres që do t'i tregojë botës prioritetet e kombit shqipëtar, nga të cilat vetëprezervimi si komb radhitet i pari.
Pas debatit, ky Kongres Kombëtar do të aprovonte një rezolutë në të cilën do të parashtroheshin disa vendime që kanë të bëjnë me mbijetesën kombëtare. Disa sygjerime do të ishin:
Përqëndrimin e të gjitha trojeve shqiptare që të inkuadrohen në organizatat euro atlantike;
Vendosmërinë e shqiptarëve të jenë faktor stabiliteti ekonomik dhe politik ne Ballkanin Perëndimor;
Pajtimi se Flamuri dhe Himni i Shqipërise janë Flamur dhe Himn i tërë shqiptarëve;
Se, në këtë moment historik, Kosova dhe udhëheqja e saj kanë përkrahjen e plotë dhe të pakushtëzuar të të gjithë shqiptarëve anembanë botës;
Insistimin kombëtar që çdo ndryshim i kufijve në Ballkan në baza etnike do ta ndezë dhe legjitimojë kërkesën e Shqipërisë që t'i kthehen tokat e aneksuara (lexo okupuara) në vitin 1912;
Shkelja e të drejtave njerëzore të shqiptarëve jashtë vendeve ku janë shumicë do të konsiderohet shkelje e të drejtave të gjithë shqiptarëve dhe do t'i cenojë marrëdhëniet e atij vendi me te gjitha vendet qe popullohen nga shqiptarët;
Një Kongres i Gjuhës do të mbahet çdo vit me qëllim që ta konservojë gjuhën unike shqipe;
Arsimimi i ahqiptarëve kudo që ndodhen do të jetë interes primar kombëtar.
Kjo listë natyrisht se nuk është e plotë, mirëpo do të ishte një fillim i mirë. Besoj se një mbledhje e tillë kombëtare gjatë ketij 120 ditëshit të ardhshëm negociator do t'i eliminonte të gjitha mendimet e huaja edhe për një aneksim të trojeve tona dhe përdhunimin e mëtejshëm të kombit tonë. Përveç kësaj, do të tregonte për një vendosmëri të shqiptarëve që më në fund t'i tregojnë botës se ata janë unikë në mbrojtjen e të drejtave të tyre - që më në fund ata janë NJE.
(Autori është Doktor i Jurisprudencës, i shkolluar në SHBA. Ka qenë Ndihmësgjykatës në Gjyqin Suprem të New Jersey it dhe në Gjyqin Kancelar të shtetit Delaware. Aktualisht është avokat në një ndër firmat më prestigjioze të avokaturës në qytetin Philadelphia).
|
|
|