Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

SHPK nuk është mbi ligjin

Shkruan: Blerim Kuçi

Institucionet e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Shërbimi Policor i Kosovës janë mekanizma të krijuar pas luftës për lirinë e Kosovës që përfundoi në vitin 1999 dhe si të tilla janë institucione të reja, derisa eksperienca e tyre është rreth tetë vjeçare. Filozofia bazike mbi të cilën janë ndërtuar këto institucione është filozofi demokratike e ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës sipas standardeve evropiane dhe Perëndimore. Për të arritur përparim në këtë aspekt, vlerësoj se është investuar mund, angazhim dhe financim i konsiderueshëm.

Shërbimi Policor i Kosovës është një ndër tregimet më të suksesshme të angazhimeve dhe punës së vendorëve dhe përkrahjes së bashkësisë ndërkombëtare prezente në Kosovë. Tashmë SHPK-ja ka 7 mijë e 300 policë të trajnuar në bazë të një programi koncepti Perëndimor të policimit demokratik. Sukseset e SHPK-së janë të konsiderueshme dhe për këtë dua të marr si shembull aktivitetet e katër ditëve të kaluara. Më 19 tetor 2007 (e premte) SHPK-ja ka pasur sukses në gjetjen e armëve dhe municionit në rajonin e Prishtinës; po ashtu ka arrestuar dy të dyshuar për sulm me mjet shpërthyes në shtëpinë e këngëtarit Ramadan Krasniqi; ka arrestuar personin e tetë në lidhje me rastin e prostitucionit në Prizren. Më 20 tetor 2007 (e shtunë), SHPK-ja ka arrestuar dy persona në flagrancë në vjedhjen me thyerje në Prishtinë; ka konfiskuar 10 kilogramë heroinë në Han të Elezit; ka arrestuar 5 persona të dyshuar për rrëmbim në Prizren. Më 22 tetor 2007 (e hënë) ka konfiskuar afër 4 kilogramë drogë në kufi me Serbinë. Pra, këto janë disa nga sukseset e SHPK-së vetëm brenda katër ditësh.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se SHPK nuk duhet të punojë edhe më shumë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Unë kam kërkuar më parë dhe tashmë jemi në fazën finale të ndryshimeve në Strukturën Organizative dhe lëvizjeve në nivelin e lartë menaxhues të SHPK-së me qëllim të vetëm funksionalizimin sa më të mirë të Shërbimit. Po ashtu, ne kemi arritur që përmes një Pakoje për Mirëqenien Sociale të pjesëtarëve të SHPK-së të ngrisim nivelin e të ardhurave të tyre për 25 euro në disa nivele. Ne së bashku me SHPK-në jemi duke punuar në mënyrë intensive në procedurat për bartjen e përgjegjësive nga UNMIK-u në institucionet vendore, përkatësisht MPB dhe SHPK. Shërbimi Policor i Kosovës është i gatshëm të merr përgjegjësitë që i takojnë secilës Polici në botë. Projektligji për Polici së shpejti pritet të dal në Kuvendin e Kosovës, gjë që ndihmon edhe më shumë në rrugën e progresit të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Bashkëpunimi me Komisarin e tashëm të Policisë dhe me autoritetet e larta menaxhuese të SHPK-së është në nivel të përparuar dhe korrekt më bazë të përgjegjësive të rregulluara me kornizën ligjore aktuale në Kosovë.

Porse, në situatën në të cilën ndodhemi, vlerësoj se është shumë e mundshme që struktura të ndryshme të jashtme e të brendshme të tentojnë të sulmojnë tregimet e suksesshme të Kosovës në pika të ndryshme. Nuk dua të paragjykoj nëse i tillë ka qenë edhe rasti i fundit i një letre anonime që kam pranuar të hënën në lidhje me përfshirjen e disa eprorëve të SHPK-së në aktivitete ilegale dhe krim të organizuar. Unë apeloj tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe tek të gjithë ata që jetojnë qoftë edhe përkohësisht në Kosovë që të kontribuojnë në rritjen e efikasitetit të shërbimeve institucionale të Kosovës, në këtë rast edhe të Shërbimit Policor të Kosovës. Kontributi dhe bashkëpunimi i qytetarëve është mëse i domosdoshëm në mënyrë që të arrijmë të kemi sukses në të gjitha sferat e jetës dhe sidomos në sektorin e sundimit të ligjit. Të gjithë ata që kanë çfarëdolloj informate që mund të çojë në zbulimin e rasteve nga më të ndryshme, qoftë krimit të organizuar apo edhe aktit më të thjeshtë kundër rregullave në fuqi, kanë për obligim qytetar dhe patriotik të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe mekanizmat mbikëqyrës të tyre. Konfidencialiteti i tyre do të mbetet i plotë nëse një e gjë e tillë kërkohet nga ta dhe kjo është pjesë e aktiviteteve të përditshme që bën Shërbimi Policor i Kosovës.

Mekanizmat kontrollues mbi Shërbimin Policor të Kosovës janë funksionalë. Ministria e Punëve të Brendshme kohë më parë ka themeluar Inspektoratin Policor të Kosovës, që ka për detyrë të kontrollojë të gjitha veprimet e dyshuara të pjesëtarëve të SHPK-së. Ky Inspektorat ka dëshmuar se është profesional dhe i pavarur, përmes raporteve dhe inspektimeve të jashtëzakonshme që ka bërë në disa raste, shumica prej të cilave me kohë janë bërë publike. Komisioni Parlamentar për Siguri i Kuvendit të Kosovës është një mekanizëm tjetër që mbikëqyr Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Shërbimin Policor të Kosovës. Agjencia Anti-Korrupsion është një mekanizëm tjetër që kontribuon në këtë mes. Po ashtu, Shërbimi Policor i Kosovës ka njësitin e veçantë që merret e mbikëqyrjen e sjelljes së pjesëtarëve të SHPK-së, i njohur si “Njësiti i Standardeve”. Të gjithë këta mekanizma, sikurse edhe mekanizmat juridik të tjerë sikurse Prokuroria, kanë adresë të bërë publike dhe janë të hapur për informatat e qytetarëve vullnetmirë të vendit. Unë jam i bindur se të gjithë ata që kanë informata të vlefshme do të trajtohen në mënyrë të duhur dhe serioze nga mekanizmat mbikëqyrës, duke përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Nuk mendoj se çdo gjë është e perfeksionuar në institucionet vendore, sikurse besoj fuqishëm se aktivitetet e mundshme në kundërshtim me ligjin janë individuale dhe jo-strukturore. Edhe pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës janë subjekt para drejtësisë dhe si të tillë nuk përjashtohen nga qytetarët tjerë. Vërtetimi i çfarëdo veprimi të tyre në kundërshtim me ligjin në Kosovë do të pasojë me ndëshkim në bazë të ligjit. Ministria e Punëve të Brendshme dhe unë jemi plotësisht të interesuar që ligji në Kosovë të funksionojë. Nëse dëshmohet nevoja për ndryshime ligjore, kjo është çështje që rregullohet në Kuvendin e Kosovës në bashkërendim me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë. Prandaj, edhe për rastin e fundit, edhe për çdo rast të mundshëm në Kosovë, apeloj për bashkëpunim të plotë me qytetarët. Ligji është i njëjtë për të gjithë dhe këtu nuk bëjnë përjashtim pjesëtarët e SHPK-së, sikurse edhe të institucioneve tjera. Krejt çka na duhet, është bashkëpunimi me njerëz të ndërgjegjshëm në Kosovë, të cilët mund të ofrojnë informata të vlefshme në raste të ndryshme.


(Autori është Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës)

Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks