Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Kosova nuk është një vrimë e zezë dhe nuk është një territor i shkretë

Shkruan: Arben Qirezi


Fillimisht më lejoni që të përshëndes Asamblenë parlamentare të NATO-s për ftesën që si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës të marr pjesë në Seminarin e 67 Rouz-Roth, këtu në Beograd.

Duke pasur kënaqësinë të pranoj ftesën tuaj, dëshiroj të them se Qeveria e Kosovës është plotësisht e angazhuar dhe përkushtuar të punojë për krijimin e një bashkëpunimi, paqeje dhe stabiliteti të qëndrueshëm në rajon.

Për këtë arsye nuk mund të theksoj mjaftueshëm se sa I rëndësishëm është që vendet e rajonit të punojnë bashkërisht për vendosjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat, në mënyrë që të fillojmë procesin e arritjes së synimit tonë të përbashkët evropian: zhvillimit të qëndrueshëm, demokraci funksionale në vendet tona dhe tregti e lirë me njëri-tjetrin. Këto do të jenë, ndër të tjera çështje për të cilat duhet të punojmë bashkërisht, përfshirë infrastrukturën, transportin, energjinë, instrumentet kyçe në proceset tonë të integrimeve euro-atlantike.

Ne mund të jetojmë ndaras, por duhet të bashkëpunojmë. Dhe përderisa të mos I marrim vendimet e duhura, në këtë moment vendimtar, ne do të vazhdojmë të endemik pa cak dhe të humbasim kohën e çmueshme derisa të tjerët përfitojnë nga integrimet. Për këtë arsye, status-kuoja në Kosovë nuk paraqet qëndrueshmëri dhe nuk krijon funksionalitet në situatat në të cilat ndodhen vendet tona.

Rruga e Kosovës gjatë nëntë viteve të kaluara nuk ka qenë e lehtë. Dhe besomëni, është një kohë shumë e gjatë për njerëzit që jetojnë atje. Megjithatë, Kosova ka arritur rezultate të mëdha falë përkushtimit të saj dhe duke punuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare.

Prej Dhjetorit 2004 kur u formua Qeveria e koalicionit është bërë një punë madhore për implementimin e standardeve.
Fatkeqësisht, shumica dërrmuese e serbëve të Kosovës bojkotuan zgjedhjet pas thirrjeve të lidershipit të Beogradit. Serbët nuk përfituan nga ky bojkot. Përkundrazi, ata humbën rastin që të jenë të përfaqësuar sa duhet në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri.

Nën udhëheqjen e ish- Kryeministrit të Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, Kosova filloi të përparojë me shpejtësi në implementimin e standardeve. Për herë të parë u krijuan strukturat efektive implementuese, raportuese dhe llogaridhënia. Si rezultat I kësaj, këshilli I sigurimit I OKB-së bëri për herë të parë vlerësimin pozitiv të standardeve në Prill 2005. Dorëheqja e Z. Haradinaj dhe shkuarja e tij vullnetare në Hagë e ngadalësoi deri diku implementimin, por klima e volitshme politike të cilën e krijoi ai e në të cilën populli I Kosovës I pranoi standardet, jo si e keqe e domosdoshme, por si mënyrë në të cilën duhet jetuar, mundësoi vazhdimin e suksesshëm e zbatimit dhe vlerësimin pozitiv të njëpasnjëshëm në këshillin e sigurimit të OKB-së. Kjo klimë bëri që të realizohen rezultate të jashtëzakonshme në terren.

Qeveria e Kosovës ka financuar rindërtimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara gjatë 17 Marsit 2004. Qeveria po ashtu ka financuar të gjitha programet e kthimit të të zhvendosurve, duke përfshirë rindërtimin e shtëpive dhe financimin e projekteve të zhvillimit lokal.

Takimet me komunitete nuk përfshijnë vetëm diskutime me liderët lokal dhe këtu më duhet të shpreh mospajtimin tim të thellë me fjalën e djeshme të Ambasadorit të nderuar Kai Aide. Këto takime kanë të bëjnë me ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe krijimin e vetëdijes së multietnicitetit në mesin e komuniteteve, që d.m.th se si shqiptarët, ashtu edhe serbët janë banorë të barabartë të Kosovës dhe se institucionet e Kosovës janë të të gjitha qytetarëve të Kosovës, pavarësisht prej përkatësisë së tyre etnike.

Fatkeqësisht, pa një qasje konstruktive të Beogradit, disa prej standardeve që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e serbëve nuk mund të implementohen. Mbajtja e serbëve në paqartësi nuk u sjell atyre asgjë të mirë. Përderisa Serbia të vazhdojë të mbajë dhe financojë strukturat paralele dhe thërret për bojkot, janë disa standarde të cilat ne nuk mund t’i implementojmë në tërësi.

Fatmirësisht, serbë e Kosovës janë duke shfrytëzuar gjyqet e Kosovës gjithnjë e më shumë. Agjensia kosovare e pronës është duke zgjidhur me sukses kontestet pronësore. Megjithatë, duhet ndërprerë maltretimin psikologjik, injektimit të frikës artificiale të cilën e bën Beogradi, në mënyrë që të rritet numri i atyre që dëshirojnë të kthehen dhe të ndajnë fatin me popullin e Kosovës.

Bisedimet që janë mbajtur me ndërmjetësimin e OKB-së gjatë dy viteve të kaluara kanë qenë një proces intensive i kompromiseve dhe koncesioneve të cilat I ka bërë Ekipi I Unitetit I Kosovës. Për këtë shkak, Plani i Ahtisarit është shikuar me një dozë dyshimi nga një pjesë e opinionit publik të Kosovës. Vendimet dhe koncesionet e Ekipit të Unitetit ishin të vështira port ë guximshme. Parlamenti i Kosovës miratoi këtë plan me vetëm një votë kundër. Ky plan njeh të gjitha të drejtat e komuniteteve pakicë sipas Kornizës kushtetuese, duke përfshirë edhe mbipërfaqësimin e komuniteteve në parlamentin dhe në Qeverinë e Kosovës.
Ky plan ka mekanizma të posaçëm për mbrojtjen dhe mirëqenien e kishës ortodokse, mekanizma të cilat veç janë në zbatim e sipër. Decentralizimi është pjesë e rëndësishme e planit dhe krijon vetëqeverisje substanciale për komunitetet pakicë duke krijuar komuna të reja në të cilat pakicat përfaqësojnë shumicën lokale. Po ashtu, ky plan mundëson bashkëpunimin ndërmjet këtyre komunave dhe e legalizon lidhjet e këtyre komunave me Serbinë përmes bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe në financim.

Përfaqësuesi i Dumës së Rusisë tha dje se në rast të njohjes së pavarësisë, shqiptarët do t’i përzënë serbët nga Kosova. Kjo, thjesht, nuk është e vërtetë. Ky është një perceptim, një injektim i frikës artificiale që bëhet nga jashtë. Askush nuk duhet të frikësohet nga pavarësia e Kosovës. Aq më pak arsye për këtë kanë serbët e Kosovës, të cilët kanë nevojë jetësore për qartësi, madje njësoj sikurse shqiptarët.

Kosova është një vend që jeton në paqe me vetveten. Aty nuk ka incidente të motivuara politikisht. Kjo është një arritje e madhe për një vend të pasluftës, Për më tepër, Kosova dëshiron të jetojë në paqe me fqinjët e vet.

Nëse shkoni në Prishtinë apo nëpër rrugët e Kosovës, ju mund të shihni vetura me targa të Beogradit apo të ndonjë qyteti tjetër të Serbisë. Mund të dëgjoni gjuhën serbe që flitet në rrugët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjilanit, Dardanës, Vitisë, Burimit, Klinës, Pejës, etj. Ndokush mund të thotë se do të ishte me rrezik të flasësh serbishten në ndonjë vend tjetër në Kosovë. Unë do të përgjigjesha: Çka do t’i ndodhte ndokujt që do të guxonte të fliste gjuhën shqipe në ndonjë qytet të Serbisë?
Por ne mund ta ndryshojmë këtë gjendje nëse pajtohemi me realitetin. Dhe ky realitet është se populli i Kosovës e synon pavarësinë për një kohë të gjatë. Ky nuk është një synim nacionalist, por një synim për të qeverisur veten, për një jetë të dinjitetshme dhe për një respekt nga bota e jashtme. Populli i Kosovës ka qenë i privuar nga këto gjëra gjatë tërë kohës së sundimit të Serbisë në Kosovë. Koha dhe gjërat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë historisë nuk mund të zhbëhen dhe të harrohen. Pavarësia e Kosovës është një rezultat i paevitueshëm i luftës së viteve 1998-99.

Status - kuoja në Kosovë është e paqëndrueshme. Ajo nuk sjell asgjë tjetër përveç frustrimit në të gjitha anët dhe është një recept i përsosur për stagnim politik, ekonomik dhe social, jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi. Prandaj, duhet t’i qasemi vetëm zgjidhjeve realiste. Ne nuk mund të arrijmë prosperitet duke iu shmangur vendimeve që janë të mbështetura në realitetin politik dhe në situatën reale në Kosovë. Kosova nuk është një vrimë e zezë dhe nuk është një territor i shkretë. Kosova është një vend dhe ka të bëjë me njerëzit dhe me popullin e saj, me ata që jetojnë atje. Sot, Kosova është një test madhor për ata që kanë investuar për të arritur përparimet atje. Mosmarrja e vendimeve d.m.th heqje dorë nga progresi dhe nga investimet. D.m.th dështim me pasoja të mëdha për zhvillimet e mëtutjeshme, posaçërisht në Unionin Evropian.
Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për të ndërtuar një shoqëri multietnike, stabile dhe demokratike. Përkushtimi i jonë nuk ndodh për të kënaqur të tjerët. Përkushtimi i jonë është rezultat i mënyrës së jetës të cilën e kanë zgjedhur kosovarët: Pavarësi, demokraci, sundim të ligjit, qeverisje e mirë dhe ndërmarrësi e njerëzve tanë.
Ne jemi të bindur se mund ta arrijmë këtë synim. Ne kemi vizion dhe punojmë intensivisht që këtë vizion ta shndërrojmë në realitet. Populli i Kosovës nuk do ta lëshojë rastin që ta ndërtojë vendin e vet të pavarur së bashku.

(Fjalimi i Arben Qirezit, Këshilltar i parë i Kryeministrit të Kosovës në Seminarin Rouz-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mbajtur më 25-28 Tetor 2007 në Beograd)
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks