Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

KOSOVA PAS 10 DHJETORIT 2007

Shkruan: Romeo Gurakuqi


Më 1 nëntor 2007, nënsekretari amerikan i shtetit, i treti në rangun e këtij institucioni, Nicholas Burns, zhvilloi një leksion të hapur publik në një nga auditorët e London School of Economics and Political Sciences, një ndër shkollat pararojë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Perëndim në fushat e Studimeve Europiane, në të cilin ai foli për prioritetet e politikës së jashtme amerikane. Një vend të veçantë në tërësinë e çështjeve të trajtuara, zuri çështja e Kosovës. Në gjykimin tim, ato çfarë ambasadori Burns tha për çështjen më të nxehtë të Europës së vitit 2007, përbëjnë një zhvillim të ri që hap para politikës europiane një sprovë të re, të cilës ky bashkim do të duhet t’i bashkëngjitet. Nga ana tjetër, konteksti i prezantimit të ambasadorit Burns për aktorët e politikës kosovare dhe shqiptare krijon “detyra të ngutshme” për lexim të kujdesshëm dhe për trajtim po aq të matur të periudhës pas datës 10 dhjetor 2007. (shih për këtë: http://london.usembassy.gov/ukpa_press64.html).
Më konkretisht, ambasadori Burns fillimisht deklaroi se “në qoftë se bisedimet e parashikuara për të përfunduar me 10 dhjetor nuk arrijnë në një marrëveshje, atëherë ne duhet të përgatitemi per lëvizjen e radhës. Por SHBA natyrisht, do të mbështesin planin e propozuar nga Mr. Ahtisaari, ish president i Finlandës, plan që përfaqëson një këndvështrim shumë definitiv për të ardhmen”. Më pas, duke folur për politikën konstante amerikane të aleancës dhe përkrahjes së lirisë dhe paqes në Europë, ai u shpreh se, “interesat tona më të thella, në kuadrin e interesave globale amerikane, janë këtu në Europe: dërgimi i 50000 trupave amerikane dhe europiane nga presidenti Klinton në qershorin e vitit 1999, për të shpëtuar një milion kosovarë shqiptare nga pastrimi etnik, është një tregues për këtë …. Ndërhyrja në Bosnjë dhe Kosovë është një gur themeltar i aleancës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës dhe aleancës sonë trans-Atlantike”.
Burns shtoi më pas se: “Europa është kontinenti i parë në botë që po gëzon paqen dhe frytet e saj… Një prej mrekullive të epokës sonë është krijimi i Bashkimit Europian dhe zhvillimet që ka bërë ky bashkim në 25-30 vitet e fundit. Ne besojmë.. se jo çfarë ne do të duhet të bëjmë së bashku me ju, është të mbështesim këtë progres në Europë dhe të sigurohemi dhe kujdesemi për të përfunduar këtë biznes të papërfunduar në Ballkan, në mënyrë që e gjithë Europa të jetë e lirë dhe në paqe: pjesa perëndimore, pjesa qendrore tani të përfshijë edhe Ballkanin, dhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm, ose kështu pak a shumë, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, si anëtarë të ardhshëm të BE dhe anëtarë të ardhshëm të NATO-s. Ajo çfarë po ndodh është ajo që Ronald Reagan, Margareth Theacher, François Mitterrand dhe Helmut Kohl, me vizionin e tyre kishin projektuar në fund të viteve 1980’ dhe fillim të viteve 1990’: një Europë e tërë e lirë dhe në paqe është duke u krijuar tani”.
Sfidës së një pyetjeje të bërë nga të pranishmit mbi mundësinë e një çarjeje të aleancës mes BE dhe SHBA, për shkak të presionit rus në sfidat e politikës globale, posaçërisht për rastin kosovar, Burns iu përgjigj: “SHBA nuk do të bëjnë asnjë hap përpara në çështjen e Kosovës pa bashkëpunimin me aleatët europianë të NATO-s dhe në këtë drejtim nuk ka asnjë ballafaqim. Në rastin e Kosovës, aktorët drejtues të forcave në fushen kosovare të veprimit janë: Britania e Madhe, Gjermania, Franca, SHBA, Italia, ata që kanë forcat e tyre dhe kanë financuar zhvillimin dhe paqen e Kosovës për 8 vite e gjysëm. Rusia e lëshoi Kosoven tetë vite më parë. Shtetet kryesore të NATO-s janë ata që i drejtojnë bisedimet. Në qoftë se bisedimet mes palëve deri me 10 dhjetor nuk arrijnë në një përfundim, atëherë zgjidhja e problemit është më së shumti një çështje, një projekt amerikan dhe europianoperëndimorë”.
Sa më sipër përbëjnë pak a shumë linjat e përgjithshme mbi të cilat drejtohet Uashingtoni në çështjen kosovare. E solla të plotë fjalën dhe diskutimin e ambasadorit Burns, sepse në këndvështrimin tim prezantimi i tij përbën një lajm të mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë e më gjërë për rajonin. Pa dashur të bëj sqarime mbi këto thenie krejt të qarta, më duhet të nënvizoj se vizioni amerikan për Kosovën dhe Ballkanin e pas 10 dhjetorit është vizioni i një Kosovë të lirë dhe i një Ballkani në paqe. Rindërtimi institucional i Kosovës do të jetë i kornizuar sipas projektplanit të propozuar prej presidentit Ahtisaari. Në hapjen e këtij procesi njohjeje ndërkombëtare dhe rindërtimi të orientuar proeuropian, rolin kryesor do ta luajnë SHBA dhe BE. E ardhmja e këtij entiteti dhe përspektiva e këtij vendi do të orientohet mbi të njejtën rrugë me të gjitha shtetet ballkanike (pra edhe e njëllojtë me ato nga pikpamja statutore), që ecin në linjën integruese në BE, përfshirë edhe Serbinë.
Me pak fjalë, SHBA do të ndjekin edhe më tutje rrugët e tjera ligjore të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare në njohjen e shtetësisë së Kosovës. Por bazuar në kriteret ligjore të së drejtës ndërkombëtare, kush do ta bëjë njohjen e shtetësisë së Kosovës? Fillimisht, pretendimin e parë për ekzistencen e shtetit de facto të Kosovës do të duhet ta bëjë vetë Kosova, nepërmjet organeve të saj të ligjshme, të zgjedhura demokratikisht në zgjedhjet e fundit, organe të cilat do të duhet të shpallin se Kosova është de facto shtet dhe dëshiron të konsiderohet i tillë edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Organet përfaqësuese të Kosovës, me kohë e kanë bërë një gjë të tillë dhe e kanë vullnetin për ta përsëritur serish, por janë përmbajtur në këtë drejtim nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar. Ky faktor, nën frikën e precipitimit të situatës ballkanike, vazhdon ta mbajë të frenuar rishpalljen dhe kërkesën, në pritje të ezaurimit të mundësive për marrëveshje dhe për të kontrolluar situatën nepërmjet hapave të kujdesshëm. Domëthënë, pozicioni ligjor për sa i përket çështjes së njohjes, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, nuk ndryshon nga çështje të tjera ligjore: dmth, vendimi fillestar duhet të bëhet nga secili shtet individualisht në mirëbësim, në një kohë që njohja kolektive nepërmjet OKB mbahet në mënyrë të pajustifikuar, e bllokuar nga Rusia. Mirëpo në rastin e Kosovës ndodh që një shtet, Serbia ka një qendrim të kundërt me entitetin pretendues mbi ekzistencën e shtetësisë. Në bazë të të drejtës ndërkombëtare hapi i parë për ta zgjidhur këtë ndryshim qendrimesh, është rruga e paqtë e bisedimeve. Bisedimet për këtë çështje mbyllen me 10 dhjetor 2007 dhe sipas të gjitha gjasave, qendrimet e ndryshme nuk kanë shanse të përafrohen. Pas datës 10 dhjetor, afatit i fundit i lënë nga bashkësia nderkombëtare, hapet mundësia ligjore e shteteve perendimore për ta njohur Kosovën individualisht, ose nëpërmjet një deklarate të njëkohshme SHBA, BE, të cilës, sipas të gjitha gjasave mund t’i bashkëngjiten shumë shtete të tjera, përfshirë Republikën e Shqipërisë. Nga ky moment çështja e zgjidhjes së mosmarrëveshjes në mes Kosovës dhe shtetit të interesuar për të kundërtën, Serbisë, do të mund të orientohet drejt mekanizmave institucionalë ligjorë ndërkombëtarë që merren me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Një mundësi e tillë është përdorur shumë rrallë në praktiken e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare, por gjithsesi ekziston si mundësi hipotetike. Kjo zgjidhje e marrëveshjeve në rrugë ligjore përdoret shumë rallë për shkak të mungesës së mekanizmave për zgjidhjen e mosmarrëveshjve dhe mungesë së kritereve të përgjithshme zbatuese për përcaktimin e shtetësisë, për rastet specifike. Kështu po mendojmë se Serbia i ka të gjitha shanset, pas këtij momenti, për t’iu drejtuar një gjykate ndërkombëtare me juridiksione mbi shtetet. Mirëpo, a mund ta bëjë një gjë të tillë ky shtet, kur mbi atë (pavarësisht se aktorët e sotëm drejtues janë të tjerë) rëndojnë përgjegjësi të mëdha për masakra shtetërore kolektive ndaj shqiptarëve të Kosovës, për shpërngulje të mbi një milion banorëve të këtij entiteti më 1999? Udhëheqja e sotme e Serbisë ka pak shanse për të bërë një recurs të tillë ligjor në një gjykatë ndërkombëtare për të ndaluar ligjërisht procesin e mevetësimit të Kosovës, mbasi çështja normalisht do të ishte një çështje, që me pak kujdes profesional juridik prej palës së qeverisë kosovare, mund të shndërrohej në një çështje kundër shtetit të Serbisë. Këtu kam parasysh jo vetëm reperkusionet në çështjen e integritetit të Serbisë mbi Kosovën, por edhe dëmshpërblimet individuale dhe kolektive që do të duhej të paguante për dëmet humane dhe materiale të luftës së zhvilluar atje më 1998 dhe 1999. Mjafton të kujtojmë rastin e statusit të Kroacisë para Gjykatës Ndëkombëtare të Krimeve për Jugosllavinë, kur çështja e shtetësisë së Kroacisë u ngrit si një çështje incidentesh dhe u shndërrua në një precedent për njohjen e shtetësisë së ketij vendi. Kësisoj, Serbia edhe më tutje mund të jetë e shtërnguar të përdorë jo mekanizmat ligjorë për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjes, por vetëm mekanizmin e presionit politik, mbështetur në vicklat hapësinore të lëna në mënyrë të papërcaktuar në të drejtën ndërkombëtare, mbështetur nga aleati i saj historik, Rusia. Mekanizmi politik mbështetet para së gjithash në veton ruse në Këshillin e Sigurimit. Mirëpo tashmë, votimi në Këshillin e Sigurimit mund të jetë një fazë e kapërcyer dhe hapi i ardhshëm i bashkësisë ndërkombëtare do të jetë pranimi individual pavarësisë së mirëfilltë. Në këtë rast, Plani Ahtisaari nuk do të ishte gjë tjetër veçse një instrument përfekt tashmë për implementimin e përshtatshëm dhe të gjithanshëm të kësaj pavaresie.
Një aspekt tjetër shumë delikat për Serbinë është edhe dobësia që ajo ka në lidhje me ndryshimin e vazhdueshëm të statusit të saj ndërkombëtar në një përiudhë që fillon me inicimin e procesit dezintegrues jugosllav më 1990 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Madje çështja e Jugosllavisë, pjesë e së cilës barazimtarisht nga pikpamja konstitucionale federative ka qenë Serbia edhe Kosova, përbën një casus të tejzgjatur kundërshtish në trajtimin e të drejtës ndërkombëtare. Në fillesë, Serbia dhe Mali i Zi pretenduan se përbënin të njëjtin shtet si ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, por tani thirrur ndryshe: Republika Federative e Jugosllavisë. Ky pretendim u hodh poshtë prej shteteve të tjera dhe prej OKB, të cilët këmbëngulën se Republika Federative e Jugosllavisë (Serbia e Millosheviqit ndërkaq kishte hequr përdhunisht statusin federal të Kosovës, ndërsa Kosova kishte shpallur pavarësinë nga ish Jugosllavia dhe kishte ndërtuar organet e veta indipendente të qeverisjes) ishte një prej pesë shteteve pasuese, deri më tani, të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Madje përfaqësuesit e qeverisë qendrore të Beogradit, nuk u lejuan të zinin vendin e Jugosllavisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York. Republika Federative e Jugosllavisë u pranua në OKB në vitin 2000 me statusin e një shteti pasues. Duhet të kujtojmë serish në këtë kontekst, se më Rezoluten 1244 të vitit 1999, OKB kishte krijuar tashmë paraprakisht një regjim të posaçëm të protektoratit ndërkombëtar mbi Kosovën. Më pas Republika Federative e Jugosllavisë ndryshoi kushtetutën dhe emrin e saj në Serbi dhe Mali i Zi. Pas këtij ndryshimi fshiheshin pikëpyetje serioze të indentitetit, pyetje të cilat shkaktuan mjaft mëdyshje edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në vitin 2006, pas referendumit të mbajtur në Mal të Zi, edhe ky vend u shkëput nga Bashkësia dhe të dy shtetet janë tashmë të pavarura nga njëri tjetri dhe zënë vende të ndryshme në OKB.
Pra, siç shihet, kemi të bëjmë me një përiudhë 18 vjeçare krejtësisht të paqendrueshme të statusit ndërkombëtar të Serbisë dhe të territorit mbi të cilin ky shtet e ka shtrirë sovranitetin. Dezintegrimi mund të themi se është një punë ende e papërfunduar. Vjecka e fundit juridike e këtij ndryshimi mbetet Kosova (e cila u integrua nga Fuqitë e Mëdha më 1913, në këtë shtet së bashku me Maqedoninë Veriore që sot është shtet më vete), që është një territor de facto i shkëputur dhe de jure protektorat i OKB-së, protektorat që nuk mund të zgjasë pambarimisht, por që normalisht do të ndjekë shembullin e të gjitha protektorateve të tjera, dmth do të shkojë drejt pavarësisë. Njohja e kësaj dialektike të dezintegrimit deri në elementin e fundit zhvillimor nga ana e shtetit të sotëm demokratik të Serbisë do të mund të përbënte një shans shumë të rëndësishëm përshpejtues të procesit të vendosjes së lirisë dhe paqes në mënyrë të qendrueshme në Europën Juglindore dhe rrugës së njëkohshme të të gjitha vendeve të rajonit në proceset integruese europiane dhe atlantike. Por aksioni i ndërtimit të paqes dhe lirisë së vertetë nuk përfundon këtu: udhëheqësia legjitime e Kosovës ka nga ana e saj mbi vetë përgjegjësinë historike të ndërtimit të themeleve të sigurta të një shteti të njimendtë europian, të hapur dhe të lirë për të gjithë shtetasit e Kosovës, pa dallim kombësie dhe religjioni, të orientuar nga Perëndimi dhe të mbyllur ndaj mbrapshtive të Lindjes, të pangjashëm me atë çfarë pasqyrohet nga shteti amë. Do të më duhet të them se Kosova e sotme dhe e neserme, me një sipërmarrje aq të rëndësishme historike për mevetësim paqësor dhe rindërtim të vertetë demokratik, nuk mund të drejtohet më nga udhëheqës diletantë të pashkolluar, por nga një brez i ri iluministësh kosovarë të edukuar në kolegjet më të mira perëndimore dhe që ky vend i ka me shumicë. Kosova do të duhet të ruhet medoemos nga sëmundjet postdiktatoriale që kanë kapërthyer shtetin amë, që e kanë origjinën në një sërë faktorësh ekonomikë, politikë, socialë e kulturorë por edhe në mungesen e burrave të shtetit, të cilët do të duhet të punonin për lehtësimin dhe orientimin e përshtatshëm drejt lirisë, demokracisë, laicizmit të pastër dhe Perëndimit. Liria mund të themi që ka ardhë tashmë për Kosovën. Por lirinë nuk mjafton që ta fitojmë, por atë do të duhet ta dimë që ta mbajmë me dinjitetin e një populli të lashtë të kontinentit të vjetër. Kjo është pjesa më e vështirë e biznesit të ardhshëm shtetformues.

Shkodër, më 1 dhjetor 2007

(autori është Profesor i Universitetit Europian të Tiranës)
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks