Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center

"Misioni" i Sabri Hamitit në frengjisht

Drama u promovua në Qendrën e njohur kulturore Zhorzh Pompidu në Paris

Paris/Prishtinë, 5 dhjetor - Drama e Sabri Hamitit "Misioni", botuar para dhjetë vitesh në Prishtinë, doli në frengjisht muajin e kaluar, botuar nga shtëpia botuese "L'Espace d'un Instant" në Paris, nën përkujdesjen e Dominique Dolmieu (Domink Dolmje).
Drama u përkthye nga gjuha shqipe prej Anne Marie Autissier së (Anë Mari Otisje) dhe Fatime Neziroskit.
Brenda këtij botimi përfshihen edhe dy tekste dramatike të Sabri Hamitit: "Dialogu" dhe "Dialogu i gjahtarëve barbarë", të shkruara në vitin 1999. Këto tekste nga shqipja i përktheu Christiane Montécot (Kristianë Monteko).
Libri shoqërohet me një shënim biografik për shkrimtarin Sabri Hamiti, kurse parathënien e ka shkruar Chatherine Bédarida (Katrinë Bedarida), kritike e gazetës prestigjioze "Le Monde".
Kritikja Bedarida, në parathënie bën një portret letrar dhe kulturor të autorit, duke theksuar që veprat e tij dramatike janë një dëshmi e ndodhive të rënda në Kosovë në deceniet e fundit. Ajo vlerëson që përkthimi në frengjisht i "Misionit" bën të mundur që "në Francë të zbulohet një shkrim fluid dhe preciz i këtij autori rreth temës së ekzilit, edhe para se ai ta kishte përjetuar vetë. Aty janë të pranishme të gjitha elementet që e copëtojnë zemrën e të ekziluarit: përballja që të jetë i dyshuar që jeton një jetë të qetë e egoiste nga militantët e mbetur në vend; akuzat e tradhtisë rreth çështjes; qërimi i hesapeve në mënyrë mizore dhe të marrë; ringjallja politike e fituesve. 'Misioni' është një tekst i guximshëm që shfaq plagët e rënda të shkaktuara nga degradimi i situatës të imponuar nga regjimi i Serbisë".
Kritikja franceze nënvizon në parathënie të librit që klika e diktatorit serb gjykohet në Tribunalin Penal Ndërkombëtar, kurse Sabri Hamiti ka rimarrë punët e shkrimtarit dhe të profesorit universitar. "E ardhmja e Kosovës është në diskutim, por artistët dhe intelektualët kanë rigjetur një frymim - ende të brishtë - të lirisë", përfundon Katrinë Bedarida.
Libri "Misioni" më tutje karakterizohet: "Ngjarjet e 'Misionit' ndodhin në Kosovë, në Shqipëri dhe në Evropën Perëndimore, dhe paraqesin fatin e personazheve të ndrydhura ndërmjet lidhjeve të tyre me atdheun - motor i ekzistencës së tyre" dhe tokës së panjohur dhe armiqësore, ku janë të mërguar. Në fillim të intrigës, vrasja politike e një idealisti, Isa, të cilin angazhimi për lirinë e shpie deri në sakrificën e jetës së tij. Në sfond profilohen ngjarjet politike që kanë përfshirë regjionin në fund të shekullit, nën shenjën e një tensioni ekstrem politik".
Promovimi i dramës "Misioni" të Sabri Hamitit në frengjisht u bë më 1 dhjetor në qendrën e famshme kulturore "Zhorzh Pompidu" të Parisit para një auditori të zgjedhur, në kuadrin e programit vjetor të kësaj Qendre për letërsinë e mërgimit.
Programi i promovimit përfshinte bisedën e hapur me autorin për veprën e tij letrare dhe leximin e tekstit dramatik në skenë nga trupa Théâtre de Syldavie e Parisit.
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2012 — Prishtinë, Kosovë
Mundësuar nga VEVI Networks