Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center

Komsioni Qendror Zgjedhor shpalli rezultatet preliminare të balotazhit në 23 komuna

Prishtinë, 10 dhjetor Komsioni Qendror Zgjedhor shpalli dje rezultatet preliminare të balotazhit në 23 komuna, ku përqindja e pjesëmarrjes në votime ka qenë 31.8, ndërkaq procesi i zgjedhjeve është vlerësuar të ketë qenë i qetë dhe demokratik. Rezultatet preliminare të KQZ së për raundin e dytë të zgjedhjeve në 23 komuna tregojnë se kandidatët e PDK së kanë fituar në 14 komuna, ata të LDK së në gjashtë, përfshirë edhe kryeqytetin Prishtinën, ndërsa kandidatët e AAK së do të qeverisin në tri komuna. Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve preliminare të KQZ së ka fituar në gjashtë komuna. Kandidati i kësaj partie Isa Mustafa e ka fituar besimin që ta qeverisë Prishtinën me 59 për qind të votave, në Komunën e Fushës Kosovës ka fituar me 56 për qind Burim Berisha, në Podujevë kandidati i LDK së Ilijaz Pireva ka fituar 54 për qind të votave, Rexhep Kelani ka fituar në Obiliq me 51 për qind, në Suharekë ka fituar Salih Asllanaj me 57 për qind të votave. Fitorja më e thellë e LDK së është arritur në Istog, Fadil Ferati e ka fituar besimin e 63 për qind të votuesve për qeverisjen e komunës. Kandidati i PDK së Bajram Rexhepi ka fituar në Mitrovicë me 56 për qind të votave, Ramadan Muja ka fituar 55 për qind në Prizren, Qemajl Mustafa ka fituar në Gjilan me 67 për qind, në Ferizaj Bajrush Xhemajli me 63 për qind, në Vushtri kandidati i PDK së Bajram Mulaku ka fituar 57 për qin, në Kaçanik Xhabir Zharku me 75 për qind, në Klinë me 58 për qind ka fituar Sokol Bashota, në Rahovec Qazim Qetka me 62 për qind, në Malishevë Isni Kilaj me 55 për qind, në Dragash Salim Jonuzi 55 për qind, në Kamenicë me 70 për qind të votave ka fituar Begzad Sinani, në Lypian Shukri Buja me 63 për qind, në Shtime Naim Ismaili me 71 për qind dhe në Viti kandidati i PDK së Nexhmedin Arifi ka marrë besimin e 52 për qind të votuesve. Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës e ka fituar qeverisjen në tri komuna, Pejë, Deçan e Gjakovë. Ali Berisha ka fituar 68 për qind të votave në Komunën e Pejës, Musa Berisha 68 për qind në Komunën e Deçanit, ndërsa Pal Lekaj ka fituar 56 për qind të votave në Gjakovë. Por ky rezultat është kontestuar nga LDK-ja e cila ka ushtruar ankesë, për shkak të manipulimeve të votimeve në disa fshatra. Kryeshefi i KQZ së Mazllum Baraliu e vlerëson këtë si një pjesëmarrje të kënaqshme. Ai ka vlerësuar se përkundër disa parregullësive, procesi zgjedhor nuk është dëmtuar dhe zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe demokratike.
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2014 — Prishtinë, Kosovë
Mundësuar nga VEVI Networks