|
|
Nacionalizmi dhe simbolet shtetërore/kombëtare në marrëdhëniet ndërkombëtare
Shkruan: Mr. Burim Breznica
Nacionalizmi legjitimon shtetet dhe është promovuar nga shtetet si pjesë e ndërtimit të tyre kudo në botë. Nëse shikojmë ndikimin e nacionalizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare atëherë mund të identifikojmë katër ndikime apo pasoja kryesore, të cilat janë: së pari nacionalizmi ka krijuar vlera të reja, një sistem të ri legjitimimi për sistemin e shteteve në botë. Si pasojë e kësaj shtetet përfaqësojnë interesat e popujve të caktuar varësisht nga vijnë. Së dyti, nacionalizmi ka shërbyer në shumicën absolute të shteteve në botë si një faktor shumë i rëndësishëm dhe esencial i shtetbërjes dhe krijimit të një identiteti të përbashkët dhe një vetëdije të përbashkët. Gjatë tërë historisë njerëz nga vende të ndryshme ne botë kanë thënë dhe thonë se është detyrë patriotike për te mbrojtur dhe vdekur për atdheun. Njerëzit kanë krijuar filma patriotikë për të zgjuar ndjenja patriotike, kanë edukuar dhe edukojnë gjenerata të ndryshme për të dashur vendlindjen, i kanë kushtuar dhe i kushtojnë rëndësi historisë së vendeve varësisht nga vijnë dhe kanë promovuar ndjenjat e solidaritetit dhe përkatësisë nacionale. Së treti nacionalizmi ka ndikuar edhe në ndryshimin dhe rindryshimin e hartës botërore duke krijuar shtete të reja në epoka të ndryshme, duke definuar territoret e shteteve të ndryshme. Por edhe në bashkimin e kombeve që janë ndarë si psh. bashkimi i dy Gjermanive në një etj. Së katërti, nacionalizmi në botë ka shkaktuar edhe konflikte dhe luftëra të përgjakshme gjatë historisë sidomos kur ka qenë i motivuar për dominim dhe shtypje të të tjerëve siç kanë qenë psh. nacionalizmi famëkeq serb, ai sovjetik, pastaj ai gjerman që tentoi për të dominuar Europen dhe ai japonez për të dominuar Azinë gjatë Luftës së Dytë Botërore etj. (The Globalization of World Politics, 2005). Por në këtë analizë timen nuk do të shkruaj për aspektet negative të nacionalizmit veçmas jo atij klasik sepse ai ka sjell shumë probleme dhe konflikte në botë por unë do të fokusohem në nacionalizmin pozitiv qoftë politik dhe ekonomik që sot është prezent edhe në vendet më të zhvilluara në botë si në BE poashtu edhe në SHBA që psh. i shohim në sporte duke puthur flamujt kombëtar, pastaj në filmat amerikan (…“jam krenar që jam amerikan”etj.) por edhe në jetën e përditshme si psh. kur është fjala për diskutime dhe muzikë, pastaj simbole kombëtare, nëpër vila, pushimore dhe autobuse, gjëra që janë prezente edhe në Suedi, një vend që nuk ka pasur luftë për afro 200 vite!
Në vijim, dëshiroj të jap një argument ndërkombëtar ligjor për krijimin e shteteve-kombe: Neni 1.2 i Kartës së OKB-së i përkthyer në shqip tingëllon afërsisht kështu: “Kombet mund të zhvillojnë marrëdhënie miqësore mes vete duke u bazuar në të drejtat e barabarta dhe vetvendosjen e popujve dhe mund të marrin masa të tjera për të forcuar paqen botërore”. Në bazë të këtij parimi Uilsonian (sipas ish presidentit amerikan Uilson) shumë shtete në botë janë krijuar në shekullin e njëzetë duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë edhe pse e përgjysmuar për shkak se ashtu kishin vendosur fuqitë e mëdha të asaj kohe. Mund të themi se nacionalizmi ka qenë norma, morali dhe baza për krijimin e shteteve në këto dyqind vitet e fundit në botë.
Nacionalizmi krijon parime dhe legjitimitet që funksionojnë edhe në shtete moderne europiane dhe kudo në botë. Shtetet duhet të përfaqsojnë popujt e tyre dhe ata marrin legjitimitet dhe përgjegjësi nga ta. Së dyti, nacionalizmi është realizim i parimeve demokratike: është një mjet nga i cili parimet e iluminizmit së qeverisë reprezentative duhet të realizohen në arenën ndërkombëtare. Së treti, nacionalizmi shërben si një faktor i rëndësishëm psikologjik: ai ofron një ndjenjë të përkatësisë së përbashkët, të ciles të gjithë i takojnë dhe nga e cila vijnë, një kulture dhe historie të përbashkët. Së katërti, nacionalizmi pozitiv mund të shërbejë edhe si burim kreativiteti dhe diversiteti dhe ndikimi i tij gjatë historisë është parë në art, në kulturë, në muzikë, në gjuhë, në sport, në kinematografi të vendeve të ndryshme, në ekonomi etj. (The Globalization of World Politics, 2005).
Simbolet kombëtare në përgjithësi
Simbole kombëtare të përgjithshme janë psh. gjuha, flamuri, ngjyrat dhe himni, festat kombëtare, heronjtë ushtarakë dhe historikë, ushqimi dhe pijet, rrobet etj.
Tradita të “zbuluara” psh. në Ishujt Britanik janë: Kërshëndellat, vallëzimi i Morisit, fustanet skoceze, dreka e lavërtarit, bima e tërfilit (që shihet në emblemen kombëtare të Irlandës), sportet e ndryshme tradicionale si futbolli, ragbi etj. Nacionalizmi mund të shihet si një proces i gjatë i zhvillimit historik të një vendi dhe njerëzve apo si një zhvillim i mëvonshëm që iu përgjigjet zhvillimeve të ndryshme moderne si pasojë e proceseve politike pastaj ndikimeve të globalizimit dhe ekonomive të avancuara në botën e sotme dinamike dhe të ndërvarur.
Edhe Kosova sikurse shumica e vendeve në botë ka kaluar dhe po kalon nëpër këto procese dhe zhvillime historike por edhe nacionale dhe tani kur ka ardhur momenti i zgjidhjes së statusit politik duhet krijuar në rend të parë simbolet shtetërore me të cilat do të përfaqësohet në botë por çeshtja është sesi do të duken ato simbole dhe a do të paraqesin multietnicitetin e Kosovës siç kërkohet nga Pakoja e Ahtisarit apo do të paraqesin vlerat nacionale-historike të shumices së popullsisë në Kosovë?. Shumë veta argumentojnë se është jodemokratike të ua imponosh 2 milionë banorëve psh. futjen e ndonjë shenje në simbolin shtetëror apo kombëtar të Kosovës për shkak të minoriteteve që e përbëjnë 5-6% të popullsisë, në flamurin e ardhshëm që do të zgjidhet nga institucionet tona dhe për një gjë të tillë nuk mund të gjindet kurrfarë mbështetje as në ligjet ndërkombëtare. Pyetja që mund të shtrohet (përkundër dallimeve dhe situatave të ndryshme krahasimore por po e marrë si argument demokratik dhe juridik) këtu është se a mundet dikush sot të ndërrojë apo plotësojë psh. flamurin e Spanjës pasi që atë mund të kërkojnë Baskët apo a mundet dikush të ndërrojë flamurin apo simbolin kombëtar të Rumanisë (që po kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës qe një kohë) pasi që pakica hungareze mund të kërkojë? Ose thënë më ndryshe pse nuk po i kërkohet psh. Maqedonisë që të bëjë “ndryshime dhe plotësime” në flamurin e tyre për të përfaqësuar së paku rreth 30% të popullsisë shiptare atje apo ndoshta disa ndërkombëtarë nga vende të ndryshme e kanë “harruar” këtë fakt bazik? Dikush mund të thotë se ato janë shtete kurse ne ende nuk jemi por ama edhe Kosova ka identitet qindravjeçar sikurse edhe flamur dhe simbole nacionale.
Poenta ime është se Kosova dhe institucionet tona natyrisht që duhet të bashkëpunojnë me institucionet dhe shtetet ndërkombëtare në Kosovë dhe shumë gjëra duke filluar prej pavarësisë duhet realizuar bashkërisht, pastaj duhet garantuar me ligje dhe në mënyrë praktike të drejtat e serbëve dhe minoriteteve të tjera por ama Kosova dhe institucionet tona duhet gjithashtu të kenë qëndrimet e qarta të cilat përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat nacionale të të gjithëve, por shumica e popullsisë në Kosovë nuk duhet të bëj gjithë këto lëshime që nuk bëhen tjetërkund në botë përpos tek ne dhe eventualisht në Bosnjë. Në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në përgjithësi duhet të dominojnë parimet demokratike dhe ato ligjore dhe jo të bëhen “intervenime të ndryshme”nga faktorë të ndryshëm për të bërë edhe më tej lëshime bile edhe nga simbolet tona shtetërore-kombëtare që janë me rëndësi të madhe dhe për të cilat simbole me mijëra njerëz kanë dhënë jetën dhe janë dergjur nëpër burgjet e Serbisë.
Mbetet që institucionet e Kosovës të vendosin për këto çështje me rëndësi por sa më parë që ato të vendosin dhe të përgatiten aq më mirë do të jetë për shtetin e ardhshëm dhe përfaqësimin sa më autentik të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Të shpresojmë se institucionet tona do të dijnë edhe të mbrojnë interesat tona por edhe të argumentojnë kundër në raste kur kërkohet nga ta dhe kur është me rëndësi strategjike për Kosovën si psh. në rastin e zgjidhjes së simboleve tona kombëtare dhe shtetërore.
(autori ka specializuar ne Aministrim Publik/Marredhenie Nderkombetare, Universiteti i Stokholmit, Suedi)
|
|
|