Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Sfidat e sigurisë para zgjidhjes së statusit politik të Kosovës

Shkruan: Mr. Burim Breznica

Kosova gjendet në një periudhë shumë të rëndësishme dhe historike para zgjidhjes së statusit dhe realizimit të pavarësisë së mbikëqyrur që pritet të ndodhë tash në fillim të vitit 2008 (me gjasë, diku në shkurt). Institucionet kosovare, qoftë ato politike apo të sigurisë si dhe faktori ndërkombëtarë, në rend të parë KFOR i, pastaj policia e UNMIK ut, por edhe udhëheqja politike ndërkombëtare duhet të jenë të përgatitur dhe të gatshëm për t'u përballur dhe për të menaxhuar me sfidat e sigurisë që mund të paraqiten me këtë rast.
Pas (ri)shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga parlamenti dhe kërkesës për njohje ndërkombëtare, e cila me gjasë do të bëhet shumë shpejt, institucionet tona dhe ato ndërkombëtare mund të përballen eventualisht me situate jostabile dhe kriza të mundshme që do të mund të paraqiteshin veçmas në veri të Kosovës por edhe në pjesët tjera të Kosovës të banuara më shumicë serbe si psh. në Graçanicë etj.
Në aspektin politik, UNMIK u dhe parlamenti/qeveria kosovare duhet të tregojnë vendosmëri dhe të paralajmërojnë serbët për krijim trazirash eventuale në Kosovë. Këto organe do të duhej që eventualisht të shpallin të pavlefshme dhe ilegale çdo tentim serb apo marrje vendimi nga ta "për pavarësi të veriut të Mitrovicës ose bashkim me Serbinë" dhe të thirren në integritetin territorial të shtetit të Kosovës, eventualisht edhe të njohur ndërkombëtarisht.
Në aspektin ushtarako policor dhe të sigurisë, KFOR i, SHPK ja dhe policia e UNMIK ut (në rast nevoje edhe TMK ja) duhet të bëjnë sigurimin e objekteve me rëndësi strategjike për Kosovë si psh. sigurimin fizik të kufijve të vendit, sigurimin dhe kontrollin e burimeve ujore (liqeni i Gazivodës, hidrocentralin e Ujmanit dhe burime të tjera) dhe atyre minerare si psh. termocentralet Kosova A dhe B, pastaj minierën e Trepçës, aeroportin e Sllatinës, ndërtesat e qeverisë dhe të parlamentit dhe sigurinë fizike të liderëve dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Qeveria kosovare dhe faktori ndërkombëtar duhet të jenë të përgatitur që në rast të ndonjë bllokade eventuale nga Serbia për shkak të shpalljes së pavarësisë, të sigurojnë rezerva ushqimore dhe eventualisht të gjejnë rrugë alternative të furnizimit me ushqime dhe mallra të domosdoshme për jetë, nëse veç ndodh bllokada e paralajmëruar nga serbët
Gjithashtu, faktorët ndërkombëtarë dhe vendorë duhet të jenë të përgatitur dhe të kenë plane reagimi kundër çdo incidenti apo trazirash eventuale të tipit të marsit 2004 apo të ngjashme por edhe kundër aksioneve eventuale terroriste të organizuara nga elemente të shërbimeve sekrete serbe që mund të operojnë si në veri të Kosovës poashtu edhe në pjesët tjera të vendit.
Me rëndësi të veçantë mund të jetë edhe siguria shtesë për qytetarët shqiptarë të Mitrovicës së Veriut por edhe të jugut si dhe sigurimi për shqiptarët që banojnë në zonat me shumicë serbe dhe ku ata mund të jenë të rrezikuar eventualisht.
Nga qytetarët e Kosovës kërkohet të jenë vigjilentë, pastaj që të përcjellin zhvillimet politike, të dëgjojnë dhe të jenë në koordinim me liderët e vendit dhe të mos bien pre e provokimeve apo aksioneve të ndryshme të dhunës që eventualisht do të mund të mirreshin nga serbët lokalë apo shërbimet sekrete serbe dhe të tjera, gjë që nuk mund të përjashtohet tërësisht duke njohur mentalitetin dhe praktikat kriminalo ilegale të këtyre shërbimeve në të kaluarën.
Ndoshta institucionet tona dhe specialistët e sigurisë do të duhej të përgatiteshin për një kundërargumentim dhe demantim eventual të makinerisë propaganduese serbe në rast "të ndonjë ikje apo shpërnguljeje masive serbe" nga enklavat serbe dhe paraqitjes së skenave dramatike të asaj propagande në media të ndryshme me qëllim të krijimit të një imazhi negativ dhe jostabil të një Kosove të pavarur.
Përfundimisht, të shpresojmë dhe të besojmë se institucionet kompetente kosovare dhe ato ndërkombëtare të sigurisë të kenë hartuar plane dhe strategji konkrete për kundërreagim në varianta të ndryshme, ndaj veprimeve dhe provokimeve eventuale serbe, e ato plane natyrisht që edhe mund të jenë sekrete por megjithatë disa gjëra apo sfida potencialisht të mundshme ndoshta është mirë të diskutohen dhe debatohen edhe publikisht për tu përgatitur sa më mire për çdo eventualitet.
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks