Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Diaspora e harruar shqiptare

Shkruan: Akad.Hivzi Islami

Si diasporën historike, ashtu edhe diasporën bashkëkohore shqiptare, veçanërisht pjesën më të re të saj, përveç vështirësive të tjera, e kanë përcjellë edhe dy fatkeqësi të mëdha. Fatkeqësia e parë ka të bëjë me mos konsolidimin e trungut gjeoetnik edhe në rrafshin politik shtetëror, si pasojë e copëtimeve të njëpasnjëshme dhe të dhunshme politike të territorit etnik shqiptar. Në mungesë të këtij trungu rezultuan tragjedi të mëdha në rrafshin kombëtar, politik, ekonomik, social, familjar etj. dhe rrjedhimisht një ndikim tepër i vogël apo asfarë i "amave" kombëtare në organizimin e diasporës sonë.
Pas shumë pazarllëqeve midis vendeve ballkanike dhe evropiane, me vendimet e Konferencës së Londrës (1913), tërësia e pakëputur etniko demografike e shqiptarëve u copëtua. Shqipëria bëhet shtet i pavarur në kufijtë e sotëm, por e pakonsoliduar në pikëpamje shtetërore, prandaj nuk kishte asnjë influencim në diasporën shqiptare, kryesisht të hershme (arvanitasit, arbëreshët). Ndërkaq Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare në vitin 1912 u okupuan nga Serbia me forcë ushtarake. Këtë gjendje e verifikoi Konferenca e Versajës (1919). Midis dy luftërave botërore, territori shqiptar jashtë Shqipërisë copëtohet në tri banovina (e Moravës, e Zetës dhe e Vardarit), ndërsa gjatë Luftës II Botërore ndahet në tri zona okupuese (italiane, bullgare dhe gjermane). Pas kësaj lufte nuk bëhet bashkimi i hapësirës etnike shqiptare në një shtet të vetëm në frymën e Rezolutës së Bujanit (1943 1944), por Kosova, përkundër vullnetit të popullit shumicë, futet me forcë ushtarake nën Serbi/Jugosllavi si "krahinë autonome", me status konstitucionalo politik më të ulët se Vojvodina (ku mbi 50% ishin serbë). Me këtë pozitë mbetet deri në Kushtetutën e tretë të Jugosllavisë (1963), kur edhe barazohet me Vojvodinën, ndërkaq territoret e tjera shqiptare nuk iu bashkuan Kosovës, por mbetën në kuadër të tri republikave të tjera (Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi). Në rrethana të tilla, ishte i pamundshëm ndikimi pozitiv i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare ne' mërgatën shqiptare.
Fatkeqësia tjetër, që i përket pjesës së dytë të shekullit XX, lidhet me "përqafimin" e regjimeve komuniste në të gjitha "amat" kombëtare, që patën ndikim vetem negativ për mërgatën tonë. Sistemet komuniste, shqiptare e jugosllave, deri në fillim të viteve të 90 ta të shekullit XX, kryesisht për shkaqe ideologjike, nuk kishin inicativa dhe përpjekje - sistematike institucionale për organizimin e diasporës. Përkundrazi, ishin ndjekës të paskrupullt të bashkatdhetarëve kudo që gjendeshin, duke i konsideruar kryesisht si elementë të dyshimtë dhe armiqësorë. Edhe Shqipëria, edhe ish Jugosllavia, përmes organeve të tyre konsullare diplamatike e policore, që vepronin shpeshherë se bashku, gjithë angazhimin e kishin të orientuar në përçarjen e bashkatdhetarëve tanë, duke ushtruar presion dhe shantazh mbi ta për t'i vënë në funksion spiunimi. Ndikimi i tyre madje shkonte në drejtim të shkatërrimit të organizimit të jetës kulturore e kombëtare të mërgatës sonë: agjenturat policore, Sigurimi i Shqipërisë dhe UDB a Jugosllave, duke u infiltruar thellë në shoqatat dhe klubet shqiptare në Turqi (Stambolli, Bursa, Izmiri etj.), në vendet evropiane (Brukseli, Parisi, Londra, Shtutgarti etj.) dhe në SHBA (Nju Jorku, Vashingtoni, Bostoni, Çikago, Detroiti etj.) ngulfatën apo rrënuan në tërësi edhe ato pak organizime kulturore, shoqërore e politike të bera nga vetë bashkatdhetarët. Misioni i Shqipërisë në OKB në Nju Jork në kohën e monizmit ishte përçarësi më i madh i shqiptarëve të Amerikës!
Këto dy shtete, Shqipëria dhe ish Jugosllavia, ndihmonin dhe financonin shumë organizata e shoqata marksiste leniniste dhe projugosllave, të cilat i drejtonin vetë shqiptarët. Drejtuesit dhe organizatat nxiteshin dhe përkraheshin nga segmente të caktuara diplomatike policore të Shqipërisë zyrtare dhe të agjenturave policore të ish Jugosllavisë zyrtare. Të gjithë mërgimtarët që nuk inkuadroheshin në skemën e interesave të këtyre dy shteteve dhe ideologjive të tyre komuniste policore ndiqeshin në mënyra të ndryshme, madje edhe likuidoheshin fizikisht. Pothuajse në këtë funksion, veçanërisht ndaj shqiptarëve në Turqi, në kohën e komunizmit ishte dhe e ashtuquajtura "Ama e të Shpërngulurve", që vepronte në Kosovë.
Shqipëria e transicionit vetëkuptohet se nuk mund të luajë më një rol të tillë, por nuk mund të thuhet se ka një rol aktiv e konstruktiv ndaj diasporës sonë, sepse atë do ta shohë më tepër nga prizmi i përfitimeve të drejtpërdrejta materiale të administratës dhe elitës politike, e jo edhe nga aspekti i investimeve në ekonomi dhe i përfitimit të përvojave të saj në organizimin e jetës ekonomike e demokratike. Në fillim të fazës së tranzicionit bashkatdhetarët treguan gatishmëri që të investonin në Shqipëri, por korrupsioni i aparatit shtetëror bëri që të largoheshin menjëherë, duke lënë madje edhe teknologjinë e sjellëë. Megjithë mundësitë që ka (shtet i pavarur, me plot ambasada, konsullata e shërbime të tjera), Shqipëria dhe diplomacia e saj as sot nuk bën gjë të mirë për diasporën, madje as për mërgimtarët dhe qytetarët e vet në botën e jashtme, të ikur pas shembjes së komunizmit. Ambasadat e Shqipërisë kudo në Evropë dhe jashtë saj, të gjitha veprimet e paligjshme të qytetarëve të saj (prostitucioni, droga, vjedhjet etj.) nuk i pranon si të qytetarëve të saj, por të gjitha këto ua mbath shqiptarëve të Kosovës!
Në vitin 1992 Qeveria e Berishës ngriti një drejtori për diasporë, duke e vënë në krye të saj një kosovar, por që nuk bëri gjë të dobishme për të (diasporën). Ndërkaq pas vitit 1997, në kohën e Qeverisë Nano, brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme vepronte Instituti Kombëtar për Diasporë, i cili nuk bëri ndonjë ndryshim pozitiv ne krahasim me drejtorin e Berishes, sa i perket diaspores.
Nga vitet e 90 ta të shekullit të kaluar, me formimin e partive politike në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, nisi një organizim më i mire i diasporës shqiptare nga Kosova, si në Evropë, ashtu edhe në Amerikë. Mirëpo, dobësitë në sektorin e organizimit politik dhe lufta për pushtet, ishin reflektuar mjaft keq të bashkatdhetarët tanë në diasporë, ndërsa disa përpjekje për një organizim të ri të diasporës nga gjysma e këtyre viteve ishin po kështu në funksion të liderizmit dhe të privilegjeve politike dhe materiale të individëve dhe grupeve të caktuara. Pas intervenimit të NATO s dhe ndjekjes së forcave serbe nga Kosova, diaspora jonë, pas gjithë kontributit që kishte dhënë për çlirimin e Kosovës, sikur mbeti nën mëshirën e fatit: ndonjë vizitë të rrallë që i bëjnë liderët politikë janë më tepër në funksion të promovimeve të tyre dhe përfitimeve partiake politike e financiare. Një bërthamë për diasporën (Departamenti për Çështje Jorezidente) në kuader të Ministrisë së Kulturës të Qeverisë së Kosovës dhe pastaj në kuadër të Kryeministrisë, është vetem një dekor e asgjë më tepër, sikundër edhe do fantomë institute apo qendra për migrime. Ajo dhe instancat e tjera kosovare, përveç tjerash, nuk bënë asgjë për përfshirjen e shqiptarëve në regjistrimin civil dhe votues në Kosovë, ku vetëm në Evropë mbetën jashtë procesit votues të paktën 200.000 shqiptarë.
Njohuritë për diasporën tonë as sot nuk janë të plota, duke u nisur nga shkaqet e formimit të saj dhe pasojat për trungun gjeokombëtar e deri te numri dhe shtrirja territoriale e pjesëtarëve të saj, pozita sociale dhe ekonomike në vendet e ngulitjes dhe në shoqëritë e tyre, problemi i adaptimit, i nostalgjisë, i integrimit, i asimilimiti, i identitetit, i sjelljeve, i lidhjeve me vendlindjen dhe mundësive të mërgatës për t'i ndihmuar trojet e para etniko gjeografike etj. Për disa pjesë të komunitetit, qoftë në Evrope, qofte në "Botën e Re" (SHBA, Kanada, Australi) mungojnë madje edhe informatat elementare; të dhëna dhe fakte të bollshme, përmes intervistave, reportazhave, portreteve, kronikave dhe shënimeve të tjera për jetën e disporës sonë në SHBA na ka dhëne Vehbi Bajrami në një botim voluminoz, i botuar në Nju Jork (2003), "Shqiptarët e Amerikës". Është kjo më shumë se një gazetari hulumtuese sui generis, shumë e dobishme dhe për shkencën e historisë.
Territoreve amë dhe pushteteve të tyre qendrore (Shqipëria dhe Kosova), si dhe qendrave të policentrizmit subjektor (Shkupi, Tetova, Presheva, Ulqini etj.) u mbetet që sa më shumë qe të jetë e mundur, me përpjekje sistem atike e aktive, të punojnë ne njohjen, studimin, organizimin institucional dhe kanalizimin e angazhimit të diasporës, duke e mbajtur ne lidhje permanente me vendlindjen dhe duke e konsideruar faktor dhe kapital të rëndësishëm për interesin e përgjithshëm kombëtar dhe shoqëror në të gjitha pjesët e trungut tonë gjeoetnik (gjëqë u deshmua në kohët më kritike për "amat"), përfshirë sidomos sferën e investimeve, që kërkon siguri ligjore dhe institucionale.

Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks