|
|
MEMENTO PËR RUGOVËN
Shkruan: Kujtim M. Shala
1. Memento...
Në vjeshtë të vitit 2002, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në një sallë e nga një foltore me I. Rugovën, promovuam Veprën letrare (në dhjetë vëllime) të S. Hamitit. Sot, kam përpara librin e S. Hamitit për Rugovën, pas shkuarjes së Rugovës.
Nga vjeshta e vitit 2002, kam vijuar ta lexoj e rilexoj veprën e madhe të S. Hamitit. Kam punuar në një tavolinë me të, në Universitetin e Prishtinës. Ditë pas dite kam ndjekur ligjërimin e tij për letërsinë.
Vepra e Hamitit paprerë më ka takuar me veprën e Rugovës.
I. Rugova, edhe në këto vite, udhëhoqi Kosovën. Vijoi të jetë figura identifikuese e jetës së saj. Përherë ruajti dashurinë për letërsinë e kulturën; duke ringjallur shenjat e kulturës së vjetër dardane, në një semiologji historike, e duke studiuar e jetuar kulturën shqiptare. Vitin e shkuar, Rugova shkoi.
S. Hamiti i shtoi opusit të vet edhe disa libra, poetikë e diskursivë. Vijoi të jetë në krye të Shkollës letrare (kërkimore) të Prishtinës e të kërkimeve shqipe. Përherë mbeti përkrah Rugovës në fushën e pëlqyer/ zgjedhur të dijes (nga të dy) e në fushën e ashpër të veprimit (që zgjodhi të dy).
Diskursi im determinohet nga këto shenja jete e letre. Duke folur për njërin, flas për të dy, ndërsa vetë provoj (të) gjallë trashëgiminë e veprës së tyre.
Libri i S. Hamitit, Memento për Rugovën, është strukturuar në tërësitë: Kritika letrare, Politika, Kujtesa. Këto, njëherit, janë nyjat e jetës dhe të veprës së Rugovës. Rugova i pjesës së parë është Rugova mendimtar, i lexuar sistematikisht nga dijetari që e do shumë, meqë ngjajnë shumë. Këtu po rikujtoj, Rugova e Hamiti edhe shkruan libër bashkë (Kritika letrare, 1979). Në pjesën e dytë, Hamiti ka objekt Rugovën militans, njeriun e ideve dhe të veprimit politik; njeriun të cilit përherë i ndenji përkrah. Pjesa e tretë është krejt personale, një rrëfim për Mikun (Ibrahimin), për Krijuesin (Ibrahim Rugovën), për Prijësin (Rugovën), me një fjalë: rrëfim për Njeriun, në të gjitha variantet e njohjes me të.
Memento për Rugovën mbyllet me tekstin e Rugovës, Xhojsi, shqipja, Aristoteli, për të prekur fushën e re të kërkimit që hapi ai e që s’arriti ta vijonte. Duke u mbyllur me këtë tekst, libri i Hamitit sugjeron kthimin te vepra e Rugovës, për ta lexuar e rilexuar, tashmë si trashëgimi, si klasikë, prandaj si determinuese të dijes shqiptare.
Libri si i tërë është një Memento, një Dëshmi e një Akt i stolisur me shenjën e kujtimit për Rugovën.
2. Kritika letrare
Kritika letrare është pjesa më e gjerë, pjesa themelore e këtij libri; aty lexohet sistematikisht vepra e Rugovës.
Nën formulimin Qarku Kulturor i Prishtinës, që është edhe kapitull i parë i pjesës, Hamiti jep profilin e Rugovës si determinues të qarkut dhe të determinuar nga ai. Më tej, sjell kontekstin e modelin nacional/kulturor të këtij qarku.
Kapitujt e tjerë u kushtohen librave me radhë, në një lexim që ndërtohet duke prekur nyja themelore të veprës kërkimore të Rugovës. Janë kapituj sistematikë, që shoqërojnë diskursin e Rugovës, paraqesin, karakterizojnë, vlerësojnë e problematizojnë çështje, për t’u mbyllur me thurjen e profilit të Rugovës si kritik.
Vetë titujt e këtyre teksteve shenjojnë natyrën e diskursit të Hamitit, herë duke karakterizuar përnjëherë librat e Rugovës, herë duke shenjuar metodën e tij e herën tjetër duke shenjuar zgjedhjet e Hamitit, çështjet që ai i lexon si themelore te vepra e Rugovës: Shkrimi kritik i argumentuar, Teoria e poezisë, Kërkimi i kuptimit, Kritika letrare shqiptare, Refuzimi estetik.
Librin Kah teoria të I. Rugovës Hamiti e lexon nën titullin Shkrimi kritik i argumentuar, e karakterizon si libër që hap çështje dhe i lë të hapura, pa artikuluar zgjidhje finale. Rugova argumenton fuqishëm, por nuk mbyll asnjë rrugë për argumente të tjera. Kështu, Rugova i ikën dogmës, i udhëhequr nga vetëdija: kritika si rrugë për të ndërtuar, pasi të kesh kontestuar e shkatërruar. Rugova përherë ka vetëdijen që të kritikosh, do të thotë të vësh në krizë. Duke pasur këtë vetëdije, ai definon letërsinë si specie të veçantë, të ndryshme nga aktivitetet e tjera “krijuese, shpirtërore e intelektuale”.1
Hamiti lexon shenja e nyjëton fuqishëm ide-bosht të librit të Rugovës. Këto ide lidhen me statusin e veprës letrare/artistike, metodat e kërkimit, natyrën e interpretimit.
Teksti me objekt librin Strategjia e kuptimit, që në titull shenjon artikulimet teorike si nyjë themelore. Edhe vetë teksti i Hamitit i referohet kryesisht pjesës që teorizon poezinë shqipe.
Diskursi i Hamitit është përshkrues, karakterizues, vlerësues, në disa pika edhe problematizues, meqë ai artikulon edhe ide të vetat për çështjet që studion Rugova.
Edhe këtu Hamiti identifikon nyja të punës së Rugovës dhe thur tekstin rreth tyre.
Vepra e Bogdanit 1675-1685 lexohet nën titullin Kërkimi i kuptimit. Titulli karakterizon tekstin e Rugovës në planin e metodës: kërkim i kuptimit, prandaj interpretim i tekstit, për të hapur domethëniet e rrjetin e ideve të veprës së Bogdanit.
Këtu, Hamiti, duke lexuar librin e Rugovës, lexon paralelisht Bogdanin, ndaj teksti dialogon gjallë me Bogdanin e me interpretuesin e tij.
Në tekstin që i referohet direkt studimit për Bogdanin, Hamiti çmon dijetarin Rugova te pjesa e parë e studimit (Gjenetika e veprës), do interpretuesin te pjesa e dytë (Analitika e veprës).
Monografinë Kahe dhe premisa tё kritikёs letrare shqiptare 1504-1983 Hamiti e njeh si projektin themelor kërkimor të I. Rugovës.
Hamiti niset nga eksplikimi i objektit dhe i domenit, pastaj përshkruan strukuturën e librit, gjithnjë duke karakterizuar kërkimin. Në pjesët themelore të tekstit të tij, përshkruan e vlerëson, duke ditur se tekstit eksplikues të Rugovës i duhen pak eksplikime të tjera. Teksti i Rugovës e teksti i Hamitit jetojnë në një shkallë: si metakritikë.
Refuzimi estetik është objekt i një teksti me shenjë dominante paraqitjen, parafrazën e nyjave themelore të librit, me pretendimin për të mbajtur vëmendjen tek eseja me të njëjtin titull.
Në fund, në një tekst rezymues, Hamiti ndërton profilin e Rugovës kritik letrar. Profili i thurur këtu është artikulim i përqendruar i rezultateve të teksteve paraprake, të shkrura për një kohë të gjatë. Ky profil, vërtet, është profili që bëjnë librat e tij. Kështu, Prekje lirike buron nga lexime subjektive dhe determinohet e përcjell revoltën e Rugovës për tipin e kritikës sociologjike/ideologjike. Kah teoria ndërton sistem vetanak argumentimi dhe, në relacion me librin e parë, rri në cepin tjetër të shkrimit kritik. Strategjia e kuptimit dhe Refuzimi estetik janë libra eseistikë e vlerësues, që përherë synojnë teorizimet. Vepra e Bogdanit... e Kahe dhe premisa... janë projekte monografike.
Në këtë fill, Rugova është dijetari e kritiku modern, “që teorinë e ndërton si majë që del nga interpretimi i tekstit letrar, kurse vlerësimin e bën si një përqasje me universalitetin e krijimit letrar”.2
3. Politika
Derisa te Kritika letrare Hamiti pozicionohet, duke iu referuar ideve të veta lidhur me fenomenet e problemet që studion Rugova, te Politika identifikohet me të në disa pika. Kjo sepse pikëpamjet letrare diskutohen përherë; ideja politike e veprimi politik përqafohen ose jo, gjithnjë të determinuar nga natyra e tyre pragmatike.
Tipike për këtë pjesë të librit është se Hamiti i referohet veprimit të Rugovës, duke e parë atë si produkt të projektit politik, të ndërtuar nga vetë Rugova. Hamiti rrëfen e komenton empirikisht, prandaj teksti i tij është një dëshmi.
Rugova i politikës është Presidenti/Kryetari e Shqiptari, njeriu i besimit, miku, prijësi që krijoi një identitet politik, që bëri shenjat e këtij identiteti, që la trashëgimi një politikë me burim sjelljen kulturore e fillin nacional të ideve. Gjithë këto i bën bashkë veprimi politik i tij.
Teksti është ndërtuar në dhjetë pika: Presidenti/Kryetari, Shqiptari, Politika, Besimi, Elipsat, Shenjat, Pamja, Miku, Ikona, Trashëgimia. Këto janë shenjat karakterizuese të Rugovës, secila e lidhur me një esencë.
Presidenti/Kryetari - udhëheqësi i zgjedhur për t’u prirë shqiptarëve e për t’i përfaqësuar në politikën ndërkombëtare. Shqiptari - nacionalisti modern. Politika - programi/veprimi nacional e i strukturimit politik/shtetëror. Besimi - njeriu që beson, përtej konvencës së religjionit, e njeriu i besës, i fjalës, prandaj njeriu i besueshëm. Elipsat - retorika e tij e përqendruar në formula, që sa zbulojnë, aq mbulojnë mesazhin, në tipin e të folurit ambiental të Kosovës. Shenjat - si përfaqësim i projektit për shtetin, për Kosovën e pavarur. Pamja - fizikusi lehtë i identifikueshëm, që në këtë lehtësi bëhet pamja, figura identifikuese e përfaqësuese e shqiptarëve. Miku - njeriu i dashur, për të cilin flitet me zemër e mendje. Ikona - shenja me të cilën identifikohet Kosova. Trashëgimia - ideologjia nacionale e humane, si sprovë e përhershme për shqiptarët e Kosovës.
Duke ecur nëpër këto pika, Hamiti jep bashkë njeriun, prijësin politik/shpirtëror dhe projektin e tij të madh. Ky projekt është sprovues, prandaj mbetet i hapur përherë.
4. Kujtesa
Te Kujtesa, Hamiti kujton Mikun, Krijuesin e Prijësin: Ibrahimin, Ibrahim Rugovën, Rugovën; tri Unë-t e një Personi - nën tri pyetje mbretërore:
“Si të flas për mikun kur nuk mund ta pranoj shkuarjen e tij?
Si të flas për krijuesin kur nuk janë shpaluar të gjitha idetë e tij?
Si të flas për prijësin kur vijon vizioni i tij?”3
Fjala për Mikun është biografia e faktit dhe figurës. E lidhur me shenjat themelore të jetës së Rugovës, me biografemat e shqiptuara si metafora.
Fjala për Krijuesin është biografia e krijuesit. Aty janë autorët e tij të dashur dhe shenjat e profilit si krijues e studiues.
Fjala për prijësin është faktografi e artikuar me dashuri. Rugova është prijës kulturor e politik; Rugova është prijës shpirtëror. Rugova krijoi trashëgiminë politike të Kosovës, që, edhe më tej, “mbetet të sprovohet rëndë në rrafshin e jetës reale në Kosovë”.4
Në këto nyja lidhet Kujtesa për Rugovën, e vërteta (personale) për të, dëshmia e thënë/dhënë me zemër.
5. Diskurset e dashuruara
Librin Memento për Rugovën autori ma dhuroi të shoqëruar me një fjalë: Me dashuri për të dashurin. E lexoj këtë fjalë dy herësh: Një libër i shkruar me dashuri për Autorin e Njeriun e dashur; Një libër i dhuruar me dashuri për Lexuesin e Njeriun e dashur. Këto janë dy zgjedhje. Relacioni është fatlum, meqë pëlqehen/duhen tre njerëz. Autorët që i do, të duan.
Diskursi i Rugovës për poezinë e Hamitit, diskursi i Hamitit për Rugovën dhe ky diskurs imi për të dy bashkë janë diskurse të dashuruara. Diskurset e tilla janë të bukura. Shenjë e një estetike. Por, edhe shenjë jete. Ky komunikim, kjo jetë nuk mbyllet; edhe kur shkon, Njeriu i dashur është përherë KËTU.
-------------------------------
1 Sabri Hamiti, Memento për Rugovën, 55, Tiranë, 2007, fq. 13.
2 Po aty, fq. 57.
3 Po aty, fq. 79.
4 Po aty, fq. 82.
|
|
|