|
|
Ish ministri Petkoviq tha se partia e tij do të bëjë fushatë kundër pavarësisë së Kosovës
Prishtinë, 8 shkurt Kryetari i PDK së që tubon serbët, Sllavisha Petkoviq deklaroi se kjo parti asnjëherë dhe kurrë nuk do të lejojë që të shkelet e drejta ndërkombëtare dhe Rezoluta 1244. Petkoviq ndër të tjera reagoi edhe për vizitën e Kryeministrit Hashim Thaçi në një fshat të Lipjanit në një familje serbe, duke thënë se këtë e ka bërë për të treguar se është demokrat, ndërkohë që ka reaguar edhe ndaj punës së dy ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se ata janë vetëm dekor.
Ish ministri Petkoviq tha se partia e tij do të bëjë fushatë "kundër pavarësisë, duke u thënë serbëve se sa e dëmshme është pavarësia e shpallur njëanshëm dhe e njohur nga disa shtete". Madje, sipas tij kjo do të jetë e dëmshme edhe për vetë shqiptarët.
Deputeti i Partisë Demokratike Serbe në Kuvendin e Kosovës ka thënë se "deputetët serbë do ta braktisin Kuvendin dhe nuk do të kthehen më kurrë aty nëse shpallet pavarësia e Kosovës". Ai ka nënvizuar se serbët nuk do të njohin asnjë vendim të institucioneve vendore e as të Bashkimit Evropian për të ardhmen e Kosovës. Sipas tij për serbët është vendim i detyrueshëm vetëm ai vendim që vjen nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB së dhe as një tjetër.
Petkoviq gjatë mandatit të kaluar është shkarkuar nga posti i Ministrit për Kthim dhe Komunitete për shkak të abuzimeve të konstatuara nga auditori gjeneral.
|
|
|