Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Japonia do të jetë ndër vendet e para që do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Tokio, 8 shkurt Japonia së bashku me Shtetet e Bashkuara do të jenë vendet e para të cilat do ta njohin shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky lajm i publikuar në Tokio nga e përditshmja Heralld Interneshënell Tribjun, versioni aziatik i referohet burimeve qeveritare atje menjëherë pas takimit të Kryeministrit japonez Tukuda me Kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Sipas kësaj të përditshme prestigjioze ndërkombëtare, qëndrimi i Japonisë në favor të njohjes së menjëhershme të pavarësisë së Kosovës është inkurajuar edhe më shumë nga fitorja në Serbi e presidentit Boris Tadiq. Në të njejtin edicioni, kjo gazetë ka botuar edhe një intervistë me Kryeministrin Sali Berisha, i cili pa dhënë detaje ka pohuar se për çështjen e Kosovës dhe forcimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit ka biseduar edhe me Kryeministrin japonez Tukuda. Kryeministri Berisha ka pohuar se ai pret që Kosova ta shpallë pavarësinë në fund të shkurtit. Ai ka thënë në këtë intervistë se Shqipëria në bashkëpunim me Uashingtonin dhe Brukselin do të ndihmojë Kosovën në rast të një bllokade nga Serbia. Si në këtë intervistë ashtu edhe në konferencën për shtyp për mediat japoneze, Kryeministri Berisha ka sqaruar pozicionin e Shqipërisë se do të respektojë plotësisht Kosovën si shtet i pavarur dhe se Shqipëria nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë plan për krijimin e një federate mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks