|
|
Thaçi: Kemi konfirmimin, 100 shtete të gatshme ta njohin pavarësinë e Kosovës
Prishtinë, 8 dhjetor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot në Prishtinë se me rastin e shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, qysh në ditët e para, 100 shtete të ndryshme të botës janë të gatshme që ta njohin atë. Këto komente Thaçi i bëri pas takimit të rregullt javor me shefin e UNMIK ut, Joakim Ryker.
"Tani vetëm mund të rikonfirmoj sot se kemi konfirmimin e rreth 100 shteteve të botës që janë të gatshme ta njohin pavarësinë menjëherë pas shpalljes, dhe tani duhet t'i kushtojmë rëndësi njohjes ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Do të kemi njohjen e fuqishme, masive dhe të konsoliduar", theksoi Thaçi.
Kryeministri i vendit tha se institucionet e Kosovës bashkërisht me UNMIK un po ndërtojnë hapësirën dhe rendin demokratik dhe perspektivën multietnike të Kosovës në mënyrë që t'i hapin perspektivë të sigurt fillimit të implementimit të procesit shtetëror të Kosovë. "Edhe ky takim ishte takim i informimit për suksesin e institucioneve të Kosovës, edhe sa i përket nxjerrjes së kushtetutës e simboleve, prandaj këto takime do të vazhdojnë dhe do të jemi në koordinim të të gjitha aktiviteteve tona në interes të përbashkët në mënyrë që të përmbyllim këtë proces të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj", u shpreh Thaçi.
Ndërkaq i pyetur për ndonjë kërcënim sa i përket shpalljes së pavarësisë, ai theksoi se "frika dhe kërcënimet për popullin e Kosovës kanë përfunduar para dhjetë vitesh, në vitin 1999", dhe tani sipas tij, pritet vetëm vendimi i institucioneve për shpalljen e pavarësisë.
Ai po ashtu ka përjashtuar mundësinë që problemet e brendshme të Serbisë të ndikojnë në zhvillimet pozitive të shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ndërkaq, shefi i UNMIK ut Joakim Ryker theksoi se me kryeministrin kanë biseduar për procesin e statusit dhe për planin veprues për partneritetin evropian. Ryker tha se Qeveria e Kosovës është duke u fokusuar në çdo gjë që është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
Ndërsa, lidhur me atë se çfarë po ndërmerr UNMIK u kundër strukturave paralele të sigurisë në veri të Mitrovicës, Ryker tha se "ne jemi të përgatitur që të ballafaqohemi" me sfida në ditët dhe javët e ardhshme.
"Kur themi ne, kjo ka të bëjë me institucionet e Kosovës, SHPK në, Policinë e UNMIK ut dhe përgjegjësit tjerë, KFOR-in, të cilët janë të përgatitur dhe se strukturat paralele të sigurisë nuk janë legale në Kosovë dhe në rast të evidentimit të strukturave paralele të sigurisë ne do t'i parandalojmë", tha Ryker.
Ai bëri të ditur se strukturat paralele në arsim dhe shëndetësi do të legalizohen përmes kontekstit të planit të Ahtisarit, por kur bëhet fjalë për strukturat administrative, "UNMIK është autoritet për këto struktura së bashku me IPVQ të dhe ne duhet të shikojmë nga afër se çfarë do të ndodhë sa i përket strukturave të mundshme paralele", theksoi Ryker.
|
|
|