Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Diferenca mes Bamir Topit dhe Rexhep Qosjes

Shkruan: Mero Baze


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, është vënë para kritikash konfuze rreth protokollit dhe qëndrimeve të tij gjatë vizitës së fundit në Kosovë, për shkak të neglizhimit që ai i ka bërë njohjes paraprake të terrenit të minuar politik atje. I nisur rëndom nga ideja se është president i Shqipërisë dhe më tej akoma i ndjekur nga një superdelegacion formal, shumica e të cilëve e shihnin Kosovën për herë të parë si turistë, ai ka prodhuar pa dashje një sulm publik ndaj tij, prej një prej emrave më të njohur të publicistikës politike në Kosovë, prof. Rexhep Qosja. Pres që ky sulm të vazhdojë dhe më tej në formë thashethemesh, anekdotash dhe shkrimesh të tjera nga autorë më periferikë. Është tipike ajo që ngjet në raste të tilla. Nuk dua të merrem me gjithë shfrimin e dufit të prof. Qosjes ndaj presidentit Topi. Ky i fundit është i paqëm në distancën që ka nga ngjyrat e brendshme të shoqërisë së Kosovës, saqë, po t’ia kishte rekomanduar Sabri Godo, mund ta fillonte vizitën në Kosovë dhe me takimin me Rexhep Qosjen. Me formatin e një politikani të ri nga Shqipëria, që nuk e ka lidhur puna të jetë i azhornuar me zhvillimet e imëta politike në Kosovë, Bamir Topi ka qenë realisht në një fushë të minuar nga hile të vockla shqiptare, që nga protokolli i shtetit tonë e deri te mysafirët e tij në Kosovë. Unë i kuptoj të gjitha këto dhe, duke njohur mirë dhe presidentin Topi, jam shumë i qartë në pafajësinë e tij në çdo detaj që mund t’iu jetë dukur i gabuar në Kosovë dhe në çdo detaj që mund t’i ketë mrekulluar ata. Nuk kam asnjë drojë të them se Bamir Topi e do Kosovën, por nuk e njeh aq mirë, sa të gjejë stilin e të shprehurit të kësaj dashurie që t’iu pëlqejë të gjithëve. Ka politikanë të tjerë në Shqipëri që e njohin këtë teknikë dhe dinë ta përdorin shumë mirë. Por dua të ndalem te thelbi i sulmit të prof. Rexhep Qosjes. Sipas tij, Bamir Topi me qëndrimet e tij kishte ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës dhe kishte rishkruar historinë e Kosovës sipas brumosjes së tij politike. Argumente natyrisht nuk kishte, por kishte aq shumë mllef, sa kishte arritur të mbushte një faqe me fyerje. Duke mos pasur argumente për çfarë kishte gabuar Bamir Topi në Kosovë, prof. Qosja merrej me çfarë kishte gabuar Bamir Topi në Shqipëri. Ky njeri, i cili ankohej pse Bamir Topi shkoi në parlament të Kosovës e nuk përmendi luftëtarët, që shkoi në universitet dhe përmendi vetëm marksistë-leninistët e 1981, që shkoi në institucione shkencore dhe përmendi mësues katundi, pra ky kritik i rreptë, si kryeargument për sjelljen e Topit, kishte faktin që Bamir Topi ka shkarkuar Sollakun, ka dekretuar ligjin për akademinë dhe ligjin për TVSH e librit që shtypet jashtë Shqipërisë. Një nonsens më të madh se kaq nuk kam lexuar kurrë nga ndonjë njeri që merr mundimin të sulmojë presidentin e një vendi. Të thuash se Bamir Topi po ndërhyn në punët e Kosovës dhe të merresh me gjithë punët tona në Shqipëri, vetëm një mendje inatçore dhe tërësisht e ideologjizuar mund ta bëjë. Së pari, shkarkimi i Sollakut nuk është më një çështje që shqetëson as të majtën në Shqipëri dhe s’ka pse shqetëson Rexhep Qosjen në Prishtinë. Së dyti, ligji për akademinë u pranua dhe presidenti Topi u falënderua nga akademikët e Tiranës dhe nuk ka pse mërzitet një akademik i Prishtinës. Dhe së treti, më skandalizoi TVSH e librit që shtypet jashtë Shqipërisë, e cila është një çështje tërësisht financiare dhe spekulative që nuk ka të bëjë as me çështjen shqiptare, as me PD dhe as me PS. Bilé atë skandal e kanë pas bërë ministra të PD dhe e kanë mbrojtur po lobe financiare të PD dhe jo të PS. Minimalisht kjo çështje nuk ka të bëjë fare me ish-nënkryetarin e PD, Bamir Topi, që tashmë është president. Ai ka dekretuar një ligj që mbron lirinë ekonomike dhe tregun e lirë të Shqipërisë dhe për këtë duhet përgëzuar nga ne që jetojmë në Shqipëri dhe ku ka fuqi vepruese ky ligj. Marrëzia për të gjykuar punët tona në Tiranë me syrin e një majtisti ekstrem nga Kosova dhe përpjekja për ta shitur këtë si histori kombëtare është mungesë e madhe dinjiteti.
Problemi i dytë që ngre prof. Qosja dhe që ka të bëjë me rishkrimin e historisë në Shqipëri është dhe më i rëndë. Ia kam përmendur njëherë vite më parë, se në ndryshim nga ne, në ndryshim nga historianët tanë që kanë qenë të detyruar të gënjejnë për çdo gjë, historianët dhe shkencëtarët e Kosovës nuk e kanë pas këtë fat të keq, kur vinte puna për letërsinë shqipe dhe vlerat e saj për shembull. Ne kemi pasur fatin e keq që historinë e letërsisë të na e shkruante Dhimitër Shuteriqi, i cili deri më 1948 mburrej që ishte me origjinë serbe, deri më 1960 që ishte me origjinë ruse dhe pastaj që ishte dashamir i Kinës. Dhe për këtë shkak ai na rreshtoi në historinë e letërsisë sonë me vlera ta barabarta Naim Frashërin, Çajupin, Asdrenin, Migjenin, Memo Meton, Shefqet Peçin, Shefqet Musarajin, Ismail Kadarenë etj. Na zhduku nga çdo libër Fishtën, Konicën, Koliqin, Pipën, Camajn, na zhduku studimet e Mustafa Krujës dhe Mitrush Kutelit, na zhduku Lasgush Poradecin dhe Skënder Luarasin. Rexhep Qosja që shkruante po historinë e letërsinë shqipe në Kosovë mund ta ndalte këtë masakër. Mund t’i thoshte jo barbarisë që zhdukte vlera kombëtare dhe mbillte ferra në vend tyre. Nuk e bëri kurrë. Historia e tij e letërisë shqipe është një fotokopje e sistemit të vlerave që na ka ofruar Dhimitër Shuteriqi, i cili ka dhe njëfarë arsyeje të justifikohet se e ka shkruar nën regjimin e Enver Hoxhës. Liria e Rexhep Qosjes na ka ofruar të njëjtin produkt dhe në raste të tilla është mirë që njeriu të heshtë. E di që falje s’kërkon dot, se nuk e lë sedra e sëmurë, por heshtjen mund ta përdorë si mburojë në këto raste.
Dhe, së treti, ky njeri ka një problem me të jetuarit si njeri i njohur në Shqipëri dhe i papërfillur në Kosovë. Ka plot personazhe të tillë të botës shqiptare. Ka politikanë e gazetarë dhe emra të botës akademike që i çmojnë më shumë në Kosovë ose në Shqipëri dhe anasjelltas. Rexhep Qosja është thjesht një idol i së majtës shqiptare, por i së majtës së vjetër, nacionalkomuniste me plot retorika për Kosovën. Aq banale është kjo, sa disa vite më parë, kur socialistët ishin në apogjeun e pushtetit të tyre në Tiranë, ndërsa shkoja në vendlindjen time në Tepelenë pashë një lapidar të rregulluar dhe me tufa lulesh. Lapidari përkujton një betejë me italianët, por që është shoqëruar me një histori të dyshimtë vrasjeje për një ushtarak karriere të shkolluar në Itali, Asim Zenelin, të cilën s`e ka zbardhur askush deri sot. U çudita, kur më thanë se në ceremoni kishte qenë Rexhep Qosja nga Kosova me shoqatën “Labëria”. Është një investim i fortë dhe personal të vish në malet e Jugut të Shqipërisë në emër të respektit ndaj historisë që nuk duhet të shkruhet kurrë siç është. Unë jam rritur me historinë e Asim Zenelit dhe vrasjen e tij. Të gjithë ata që kanë qenë rrotull tij e tregojnë sesi është vrarë. Jo nga italianët, jo nga pushtuesit, por nga shqiptarët. Ne duhet ta themi një ditë këtë dhe lapidarin mund ta lëmë prapë aty ku është, por krimi duhet zbardhur. Prof. Qosja, që drithërohet nga ideja se historia mund të rishkruhet, akuzon Bamir Topin pse s`ka përfillur tekat e tij në Kosovë dhe vetë është simbol i përzierjes deri në imtësi në gjithë historitë e pista të komunizmit në Shqipëri, së paku sipas dokumenteve zyrtare që nga viti 1978. Jam i gatshëm dhe të pranoj se ai e ka bërë nga idealizmi dhe dëshira për të ndihmuar Shqipërinë edhe pse komuniste, por së paku tashmë që është në fund të jetës, ose të thotë ndonjë të vërtetë, ose të heshtë dhe të dëgjojë dhe palën tjetër që ka të vërtetat e saj.
Bamir Topi ishte në Kosovë si President i Shqipërisë dhe është sjellë si i tillë. Është e vërtetë se ai nuk di gjithçka për Kosovën, nuk njeh klanet dhe prapaskenat e shoqërisë atje, nuk njeh kulisat e politikës dhe ngjyrat që ka çdo fraksion, por dhe nuk ka pse i njeh të gjitha. Rexhep Qosja ka përparësi ndaj tij, se njeh çdo pisllëk të Shqipërisë, çdo skutë të saj dhe e përjeton historinë e Shqipërisë si një militant socialist i traumatizuar nga ideja që u zgjodh Bamir Topi president. Kjo është e vetmja diferencë mes tyre. Por Bamir Topi konkurron dhe jeton në Shqipëri. Aty votohet, aty drejton, aty ndëshkohet dhe nderohet. Njësoj dhe Rexhep Qosja në Kosovë. Bamir Topi nuk i ka zënë hisen e diellit, duke e lënë me 1 për qind të elektoratit të Kosovës.

(marrë nga gazeta “Tema”)
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks