|
|
Sot lind shteti i Kosovës
Prishtinë, 17 shkurt - Sot është një ditë historike për Kosovën. Përfundimisht Kosova do të bëhet shtet i pavarur, duke i dhënë fund kështu sundimit pothuajse njëshekullor kolonial të Serbisë.
Pra Kuvendi i Kosovës sot në orën 15.00 në një seancë solemne do ta shpallë deklaratën për pavarësinë e Kosovës.
Por rruga deri në pavarësimin e sotëm të Kosovës ishte e gjatë dhe e mundimshme.
Më 1912, kur Shqipëria u bë e pavarur, Kosova ishte pushtuar nga Serbia. Por populli shqiptar i Kosovës kurrë nuk u pajtua me gjendjen e tillë, dhe shumë breza luftuan në mënyra të ndryshme për t'u shkëputur nga sundimi i Beogradit. Synimet ishin të ndryshme, por kryesisht aspiratat ishin për bashkim me Shqipërinë.
Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në fund të vitit 1989, me në krye Ibrahim Rugovën, e cila shpejt u shndërrua në një lëvizje të madhe gjithëpopullore, Kosova niset rrugës së pakthim të shkëputjes nga Serbia dhe ecën drejt pavarësisë së pandalshme... Në vitin 1990, LDK bashkë me forcat e tjera politike, pas një homogjenizimi të shqiptarëve, nis betejën e shembjes së komunizmit dhe të pavarësisë. Më 2 Korrik 1990 shpallet Deklarata Kushtetuese, më 1 shtator miratohet edhe Kushtetuta e Kaçanikut, ndërkaq një vit më vonë zhvillohet Referendumi për Kosovën shtet të pavarur. Më 1992 mbahen zgjedhjet pluraliste presidenciale dhe parlamentare, të cilat nuk do të njihen nga komunitetit ndërkombëtar. Por bota sistemin që ndërtuan shqiptar në Kosovë do ta njohë si "sistemi paralel" apo "shteti në hije".
Në vitin 1998 shpërthua lufta në Kosovë... Një vit më vonë ndërhyn NAT0 dhe në qershor të vitit 1999 Kosova çlirohet nga forcat serbe.
Fill pastaj vendoset misioni i Kombeve të Bashkuara i cili deri në ditët e sotme është në Kosovë...
|
|
|